Nikolin Sh. Lëmezhi
Lozim me letra hapur
Në përgjithësi, këto vitet e fundit është vërtetuar qartë një situatë e rëndë në nivele të ndryshme të vendit tonë. Ajo që më shumë duket se po e rëndon dhe që po e bren popullin nga brenda është realiteti shkollor. Me pak fjalë, kemi parë besoj të gjithë, se nga bankat e shkollave tona po dalin njerëz pa një përgatitje të mirëfilltë shkencore.
Kur ballafaqohemi me gjendjen, duket sikur të gjithë duan të ngrenë supet duke shprehur një mospërfillje, duke mos ditur kështu kujt t’i drejtohemi për të përmirësuar. Nuk dihet se kush e ka fajin? Cilat janë shkaqet? Ku kemi qenë deri tani?
Pasojë e një historie të dhimbshme që ka kaluar tashmë, shkolla tek ne ka rënë, është përulur, ka humbur dinjitetin dhe vendin që i takon.
Ndërsa në të katër anët hidhet kushtrimi për një ndjeshmëri më të madhe të arsimimit të djemve e vajzave shqiptare, shkolla vazhdon të ketë atë gjendjen e saj të mjerueshme.
Banka, dritare e dyer të shkatërruara, mure të zhgarravitura si shtëpi të pazot, nxënës e njerëz që hyjnë e dalin sipas qejfit, i japin realitetit shkollor një pamje vërtet kritike.
Rrjedhojat dihet se duhet të jenë tepër të rënda: pa një formim bazë njerëzor, do të jemi kështu siç jemi e madje edhe më keq.
Qeliza të gjalla për një shoqëri të gjallë
“Në mes të këtij tufani të tmerrshëm qi po e trandë anekand jetën shqiptare, ndërsa shoh… ata qi n’emën t’idealit e të kombsisë nuk po lanë gja pa përmbysë, rrij e përgjoj e me kënaqësi të madhe ndiej nji za zemre, gjamën e shpirtit të disa shqiptarëve vërtet fisnikë, të cilët tue u naltue mbi këtë shëmtim, mbërrijnë aty ku janë vlerat e visaret e jetës njerëzore e shqiptare, dhe me të tana ndiesitë nuk flasin, por si vigaj ulurojnë, zani i tyne asht kushtrimi për kulturën e shpirtit shqiptar” (At Anton Harapi, Vlerë shpirtërore, Kontribut për trajtimin mendor të shqiptarit, Hylli i Dritës, Tiranë 1994, fq. 154).
Rinia studentore, djem e vajza të të gjitha shkollave, me një bashkëpunim të harmonishëm me prindërit e familjet, është e mundur të jenë qeliza të gjalla për shoqërinë shqiptare… Qeliza të gjalla, pra, për një Shqipëri të gjallë, për një shoqëri më të mirë.
Një rol të rëndësishëm përballë kësaj situate e kanë mësuesit, të cilët shpeshherë nuk kanë aftësinë të kryejnë detyrën e tyre kaq fisnike në formimin e të rinjve tanë.
Për këtë arsye, në emër të të rinjve shqiptarë, me të cilët deri tani kam punuar, ftoj të gjithë ata që japin mësim në shkollat tona, të përpiqen ta mbajnë me nder këtë detyrë të shenjtë që u është besuar!
Ju bëj thirrje, veçanërisht studentëve, të bëjnë ç’është e mundur të përmirësohet gjendja duke e ditur se ata vetë janë protagonistët e parë në këtë ecje. Edhe në Bibël e në kulturën e të gjithë popujve, ideja për përparim është një temë themelore. Në fakt, shën Pali Apostull, kështu na drejtohet: “Prandaj, vëllezërit e mi të dashur, të jeni të qëndrueshëm, të palëkundshëm e përparoni vazhdimisht në veprën e Zotit, të vetëdijshëm se mundi juaj nuk mbetet i pafrytshëm në Zotin”. (1 Kor. 15, 58) Dhe përsëri: “…vëllezër, ju nxisim që në këtë gjë të përparoni gjithherë e më tepër…” (1 Sel. 4, 10).
Me ardhjen e demokracisë në Shqipëri, duket sikur të gjitha energjitë e popullit tonë janë fokusuar në një përparim material, në një vrapim të shfrenuar pas teknologjisë, duke lënë kështu pasdore “përparimin moral, shpirtëror dhe intelektual”.
Që në vitin 1967, Pali VI e shihte si të domosdoshëm, shqyrtimin e zhvillimit të popujve nga ana e Kishës. Ndër të tjera pohonte: “…rritja ekonomike është e lidhur para së gjithash me përparimin shoqëror, që ajo është në gjendje të ngjallë, dhe se edukimi bazë është pikësynimi i parë i një plani zhvillimi. Uria për arsimim në realitet nuk është më pak e trishtueshme, sesa uria për ushqim: një analfabet është një shpirt i kequshqyer. Të dish të lexosh e të shkruash, të marrësh një formim profesional do të thotë të rifitosh besimin në vetvete dhe të zbulosh se mund të përparosh së bashku me të tjerët”. (Pali VI, Zhvillimi i popujve, nr. 35.)
Në këtë mënyrë do të mundësojmë një terren më të mirë që me të vërtetë të jemi qeliza të gjalla në këtë shoqëri, që kaq shumë ka nevojë të ngrihet në vendin e duhur.
Të kërkojmë rrugë të reja!
Gjithë kjo kërkon punë, kërkon një vepër të vazhdueshme që nis me vrullin e fillimit e që mbart në vete shpresën me një shikim të largët.
Është e nevojshme më shumë se asnjëherë të kërkojmë së bashku rrugë të reja, origjinale, të përshkueshme për ne e për njerëzit që si turmat pa bari presin të kenë udhëheqës të mirë, leaders të aftë të mbajnë në dorë situatën.
Kam shumë besim e optimizëm se duke bërë kështu e duke ecur me qëndrueshmëri e në mënyrë heroike do t’ia arrijmë.
Është një sfidë, ndonëse e vështirë! Por është e bukur, e shkëlqyeshme, e zjarrtë si një diell, që edhe pse përtej malit sigurisht është i ndezur e bën dritë…
Ka ardhur momenti të provojmë. Pa frikë! Zoti është me ne miq të rinj edhe nëse njerëzit ose koha, ose pasiguria jonë do na bëhen pritë. Ne mund të çajmë përpara. Kurajo, Zoti është me ne! Do të jemi kështu të rinj e të reja, që së bashku hapin një rrugë të përshkueshme edhe për të tjerë që kanë humbur orientimin.
Të nisim që nga shkolla duke pasur parasysh se “Çdo ndërtese i vihen themelet në dhé. Edhe në vorr, prandej, në hijshim, duhet të jemi gurt e themelit të njaj binaje të cilën sot e quejmë Shqipni”.[1]
[1] Harapi, A., Vlerë shpirtërore. Kontribut për trajtimin mendor të shqiptarit, Botues Hylli i Dritës, Tiranë, 1994, fq. 48.