Të ricikluarit nuk i bëjnë nder asnjë partie politike!

0
229
Isa Mustafa - Kujtim Shala - Hashim Thaçi

Shkruan: Florim Zeqa, 19.01.2021

Të gjithë atyre që po thirren në ndryshime me figura të vjetra politike, po ua rikujtojë vetem një fakt nga e kaluara jo shumë e largët historike. Kosova është shkëputur nga Serbia atëherë kur është themeluar LDK-ja, pjesë drejtuese e së cilës nuk ka qenë asnjë pjestarë i sistemit politik të asaj kohe.

Prandaj, sikurse atehërë, edhe sot duhet të ndodhë shkëputja nga keqqeverisja e antivlerave, nga uzurpatorët dhe abuzuesit e pushtetit. Ndryshimi vjen me figura të reja, të pastra dhe të papërfshira në sistemin qeverisës korruptiv të këtyre dy dekadave të fundit.

Ndryshime nuk mund të quhen riciklimet politike, gjegjësisht aderimet nga njëra parti në tjetrën, kalimet nga krahu i djathtë në të majtë dhe anasjelltas.

Nuk është ndryshim kalimi në krahun tjetër politik, pasi ta kesh shfrytëzuar deri në palcë një subjektin i cili deri dje të ngriti në majat më të larta të shtetit. E për më keq se kaq, ta akuzosh subjektin e deridjeshëm për keqqeverisje dhe kapje të shtetit deri në ekzaltim.

Nuk është aspak e ndershme dhe nuk paraqet ndryshim bashkangjitja një subjekti politik, të cilin deri dje e ke akuzuar për gjithçka; për kapje të shtetit, për vjedhje dhe abuzim, për diktaturë dhe mashtrim, për huliganizëm dhe shkatërrim.

Bazuar në renditjen e listave të partive politike, ndryshimet janë aq të lehta dhe të papërfillshme, saqë krijohet përshtypja e përseritjes së procesit të kaluar zgjedhorë.

Të gjitha partitë pa dallim, më shumë hapësirë në lista u kanë lënë klanorëve dhe servilëve sesa meritorëve. Renditja e kandidatëve në listat e partive politike është bërë sipas lidhjeve nepotike, klanore dhe korruptive.

Si rezultat i kësaj, ka ndodhur privatizimi i listave zgjedhore. Në mungesë të burrit vendoset gruaja në listë dhe anasjelltas, në vend të dajës vendoset nipi në listë dhe anasjelltas, në vend të tezes vendoset halla dhe anasjelltas,…kushëri pas kusheriri e deri në odiseadën e pafund nepotike.

Dukuri tjetër e shëmtuar e të gjitha partive politike është abuzimi me familjarët e heronjëve dhe viktimave, të dëshmorëve dhe veteranëve të luftës çlirimtare, të zhdukurve dhe të dhunuarve, të burgosurve dhe të vrarëve politikë vetëm për grumbullim të votave.

Si gjithnjë, në listat e partive politike prioritet kanë të aderuarit e jo më të merituarit, respektivisht aktivistët dhe veprimtarët më të devotshëm që kanë bartur mbi supe aktivitetin politik ndër vite e dekada, të cilët vendosen në pjesën e fundit të listës zgjedhore ose hiqen fare.
Kjo përveqse anashkalim deri në përbuzje, paraqet tradhëti të pastër ndaj meritorëve, të arteries më të shëndoshë partiake.

Përvoja e deritanishme na ka mësuar një rregull të pashkruar. Të aderuarit, pas çertifikimit në Kuvend, e qesin “bishtin në shpindë” dhe sillen si të pavarur, dhe në momentin ballafaqimit me liderin e partisë së re largohen nga grupi parlamentar për t’ju bashkangjitur një grupimi tjetër ose mbesin “singël” deri në një ofertë të re nga pushtetarët apo opozitarët.

Pa dashur të ndalem në emra të përveqëm të subjekteve dhe kandidatëve, kjo lojë e pasinqertë politike do të përseritet edhe në legjislaturën e 8 të Kuvendit. Pra, ata të cilët nuk e kanë pasur guximin të garojnë të pavarur, rasti i parë që u ipet do të largohen nga subjekti që i solli në Kuvend.

Edhe pse të ricikluarit nuk i bëjnë nder asnjë subjekti politik, një përvojë të tillë të hidhur e kanë pasur pothuajse shumica e partive politike, por kjo po ju konvenon për arritjen e rezultatit final zgjedhor për marrjen e pushtetit.

Liderët partiak dhe politikanët karrierist që shkelin vija të kuqe dhe parime politike, nuk ju intereson shteti as qytetarët, por vetëm pushteti, për të cilin janë të gatshëm shkelin programe dhe ideologji politike, miq dhe shoqëri.

Këta që thirren e çirren në “ndryshime”, nuk është se janë të pastër dhe as të virgjër siq deklarohen para opinionit, për arsye se pasuritë milionëshe i kanë të krijuara bashkarisht me bosët e korrupsionit dhe krimit të organizuar, familjarë e farefis përmes tyre i kanë të punësuar nëpër institucionet shtetërore dhe publike.

Për evitimin e këtyre dukurive dhe arritjen e ndryshimit real dhe substancial, kërkohet krijimi i një alternative të re politike e cila do ta bëjë shkëputjen nga kjo klasë kusarësh politikë, që ndryshe thonë e ndryshe veprojnë.

Meqë shkrimin e nisa duke e apostrofuar LDK-në, është e udhës edhe ta përfundojë me të. Fryma rugoviane, si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë nuk mbrohet me kundërshtarët e Ibrahim Rugovës, e aq më pak me ata që e shanë dhe akuzuan publikisht apo abuzuan për tërë këto vite me emrin e tij.