Arben Çokaj
Administratë apatike, që synon vetëm me vjedhë dhe jo krijimin e produktit, mirëqenies dhe zhvillimit, për këtë vend e këtë popull!
Ideja irracionale është të bëhen investime të mëdha, pa e studiuar mirë fizibilitetin, aftësinë që paratë që investohen, të kthehen në një formë a tjetër në përfitim për shoqërinë, ta nxjerrin veten, të shumëfishohen. Hidhet paraja lumë psh. për turizmin, në zona malore, ku njerëzit kanë ikur shumica, e jo për përmirësimin ekonomik e të jetës së vetë popullsisë. Qeveritarët tanë lokalë e qëndrorë, notojnë në para, sillen sikur ky vend po vuan nga luksi i tepërt! Sillen sikur ky vend nuk din more se ku t’i çojë paratë, e tani po merren me zbukurime…
Është sikur i thua një jevgu që jeton në një kasolle, e mezi siguron bukën e gojës, ja ku e ke ferrarin, e kam blerë me paratë e tua dhe në emrin tënd, por as ty e as mua nuk na duhet edhe aq, se nuk kemi rrugë për ta përdorur…
Diku në qafën e Predelecit do të hidhen 1,3 miliardë lekë. Me ato para ishin rregulluar patjetër rrugët rurale të pjesës më të madhe të fshatrave në nevojë të Malësisë, rruga psh. që na lidhë në Vermosh me Malin e Zi, rruga deri te shtëpia ikonë, tashmë e rrëzuar e Prenk Calit, rruga e Kelmendit apo Vuklit, apo rruga që mund të kishte dalë me standarde gjermane deri në Linaj e Egç, ku janë 5-6 fshatra, që po e braktisin zonën, për shkak të mungesës së rrugës…
Me një shumë të tillë parashë, 1,3 milion dollarë, a thua do të ishte ndërtuar një stadium për skuadrën e Veleçikut?! Apo pritet fond tjetër për të?!
Kur një shoqëri ka probleme me varfërinë, si shoqëria jonë, është mirë që të mos abuzohet me luks të tepruar gurësh, me qëllimin e vetëm që të vidhen shuma marramendëse, por të investohen paratë me dobi e përgjegjshmëri, për zhvillimin optimal dhe jo malinj të shoqërisë! Se ne nuk po na dalin paratë, ndërsa dikush sillet sikur po na teprojnë… Ky është abuzim, që në pikënisje!
Kështu duken punët në Shqipëri, ku investohen miliarda lekë kuturu, me idenë për të vjedhur një pjesë të mirë të investimit, dhe investimi që bëhet ndodh, se nuk i nxjerrë kurrë paratë e hedhura aty, dhe ndoshta nuk fitohet nga ai investim asnjë kokër leku… A nuk është absurde kjo? Punë pa krye!
Në Malësinë e Madhe, po të shikoni, janë shtruar disa rrugë maleve, ku nuk ka edhe aq shumë banorë – turizëm – thonë dhe janë bërë e po bëhen investime miliarda lekësh me fonde publike, në sheshe me gurë dekorativë etj. sikur ne notojmë në para, sikur ne na teprojnë paratë… Por kur vjen puna te rrugët në zonat ku popullsia është ende e dendur dhe në numër të madh, ato janë dhe bëhen për faqen e zezë, arna-arna, nga 5 m – në 3 m gjerësia e rrugës dhe jo vetëm se rrugët janë të shëmtuara, e të vjen turp me i pa, se paratë janë dhënë për të qenë rrugë cilësore – paratë jepen si në Gjermani, për t’i bërë rrugët mirë, por ato nuk bëhen as funksionnale sa duhet, bëhen realisht si me qenë në Zimbabve e Afganistan. E ku janë rrugët e bëra, po mbushen me shtylla betoni e metalike për internet anash tyre, gjë që rrit rrezikun, pasigurinë dhe shëmtimin…
Kalon qeveritrari, e nuk i vëren fare shkeljet…
Po e them këtë pasi kjo që po ndodh, po trumpetohet si sukses i madh i qeverisë, dhe shumat e hedhura për investime të tilla janë rrënqethëse, por paratë nuk po përdoren si duhet, po përdoren pa krye, dhe po abuzohet me shuma të mëdha, duke mos i shërbyer aspak ose keq fare, përmirësimit të cilësisë së jetës së banorëve. Banorët vazhdojnë me hallet e tyre, pa e prekur dhe pa e ndjerë fare “suksesin” e këtyre investimeve të propaganduara nga qeveria… Prandaj banorët po ikin, kush mundet të ikë…
Pra, vërej fatkeqësisht një tendencë të madhe për të abuzuar, se sa për të bërë gjëra të mira e në shërbim të banorëve. E kjo më duket më tepër se trishtim, prandaj edhe po reagoj. Me idenë, që t’u kujtoj qeveritarëve tanë, lokalë e qendrorë, kush ka veshë të dëgjojë dhe sy për të parë, kush ka ndërgjegje, ulni more këmbët në tokë, se e latë nam, po fluturoni tepër keq drejt një orientimi jorealist e iluzionar, sa nëse bini në tokë, do të thyeni qafën një ditë… Bëni diçka të mirë e për të qenë në këtë vend! Se deri tani kemi një orientim komplet të gabuar të investimeve publike, miliarda lekë, duke mos bërë asgjë produktive për këtë shoqëri… Fokusohuni në krijimin e vendeve të punës e prodhimit, në rritjen e ekonomisë dhe të mirëqenies, jo propagandë, dhe mos u kënaqni vetëm me hajnitë tuaja, por jepni drejtimin e duhur e racional kësaj shoqërie, se njerëzit po ikin…!
Shënim: Mora shembullin e një Bashkie si Malësia e Madhe, për të ilustruar abuzimin galopant, që bëhet me paratë tona publike dhe me destinimin e tyre për gjëra pa ndonjë produkt konkret, duke paraqitur këtu edhe një pjesë të shijeve disi ekstravagante, joproduktive dhe abuzuese, që kanë drejtuesit tanë lokalë e qendrorë. Por nuk ka dyshim, që ky problem është gjithëkombëtar, si rezultat i një politike pa krye, të pafrytshme dhe dekadente, që po na vret.