Të ndalet dialogu vrastar për Republikën e Kosovës!

0
404
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 07.07.2018

Në Kosovën e sotme, me secilin që flet veq e veq, askush nuk pajtohet me situaten e krijuar, mirëpo kur është në pyetje bashkërendimi i forcave (organizimi), të gjithë hezitojnë, sikur mungon vullneti dhe guximi qytetar për t’u përballur me sfidat e kohës!
Servilët dhe puthadorët e ndërkombëtarëve e kanë të garantuar pushtetin në gjysëm shtetin e Kosovës. Ndërsa atdhetarëve dhe mbrojtësve të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit u përgatiten sfida të mundimshme dhe të pakapërdishme për kohën dhe rrethanat në të cilat jetojmë.
Binomi THaçi-Mustafa janë përdorur si kuisling nga faktori ndërkombëtar (Brukseli në radhë të parë) për konçesione politike me Serbinë në dëmë të vendit dhe interesave të qytetarëve të Kosovës.

Ndalja e dialogut, parandalon shumë të këqija për vendin

Në situatën e krijuar, për ndaljen e dialogut të pabarabart me Serbinë në Bruksel dhe parandalimin e shumë të këqijave të tjera, kërkohet ndrrimi i menjëhershëm i kursit qeverisës dhe ndryshimit substancial në qeverisjen e vendit.
Ekziston vetëm një zgjidhje; protestat dhe revolta e përgjithshme popullore, padëgjueshmëria qytetare ndaj insitucioneve të korruptuara deri të bllokimi i tërësishëm i jetës institucionale.
Ata që mendojnë të presin fundin e mandatit të kësaj qeverie, për përmbysjen e këtyre strukturave kriminale dhe korruptive me votë të “lirë”, do të zhgënjehen akoma më keq, ngase deri atëherë, këta liderë të korruptuar, do ta rëndojnë akoma më shumë jetën e qytetarëve, do ta ngulfatin vullnetin e shumicës shqiptare, përmes dialogut të Brukselit, ku përveq Zajednicës do ta degradojnë akoma më tepër sovranitetin e shtetit me zgjerimin territorial dhe politik të pakicës serbe në Kosovë.
Deri atëherë, këto struktura kriminale jo vetëm që nuk do të dobësohen, përkundrazi do të forcohen më tepër, për çka edhe përballja me to do të jetë më e vështirë dhe më e mundimshme, ku pasojat do të jenë afatgjata dhe të mundimshme për qytetarët.

Nëse nuk i ndalim sot, nesër mund të bëhet vonë!

Të gjitha partitë aktuale politike, me përjashtim të VV-së janë sprovuar në pushtetin qendrorë. Partitë që qeverisën me vendin nga paslufta deri më sot, qytetarëve nuk u sollen gjë të mirë, përveqse vuajtje e mjerim, mashtrime e zhgënjim deri në thyerje të shpresave për largim nga vendlindja e tyre.
Katandisja e skenës politike kosovare ka rezultuar me degradimin e Parlamentit të Kosovës. Fjalori i ulët, gjuha denigruese dhe fyese mes deputetëve, e ka shndërruar Kuvendin e Republikës së Kosovës, nga institucionin më të lartë ligjvënës, në një cirk të qënieve pakurrizore, pa dinjitet, pa etikë dhe pa fije turpi!
Ka ardhur koha që pas 10 vjetëve të keq-qeverisjes së vendit nga antivlerat, nga matrapazët politikë e të gjitha ngjyrave e llojeve, të vijnë në shprehje njerëzit me integritet moral, përgatitje profesionale, të guximshëm dhe atdhedashës.
Nga partitë aktuale të skenës politike kosovare, dy prej të cilave e kanë dominuar qeverisjen e vendit (LDK e PDK), nuk e meritojnë të qeverisin tutje shkaku i devalvimit në vlera, gjegjësisht të largimit nga vlerat në të cilat janë ngritur në majat e pushtetit.
Pas çdo dështimi të PDK-së në pushtet qendron prapa LDK-ja, e cila për 10 vjet rresht i zgjati jetën dhe e mbajti në pushtet PDK-në me kredibilitet të humbur politik.
LDK-ja, pavarësisht faktit, se a ishte në pushtet apo opozitë, në mënyrë të tërthortë e ka ndihmuar PDK-në në mbajtjen e pushtetit!
LDK-ja nuk ishte në pushtet ku e votoi në marrëveshjen e Brukselit të 19 Prillit 2013, të nënshkruar nga Hashim Thaçi për ndarjen e sovranitetit të shtetit në dysh mes serbëve e shqiptarëve,…por ishte në pushtet kur e votoi marrëveshjen e 25 gushtit 2015 të nënshkruar nga lideri i saj Isa Mustafa, marrëveshje e cila u kontestua nga Gjykata Kushtetuese për shklejen e 23 neneve të Kushtetutës.
Pra, sa është fajtor Hashim Thaçi për krijimin e “Zajednicës”, po aq fajtor është Isa Mustafa dhe LDK-ja që nënshkruan dhe mbështetën një ide të tillë!
Largimi i dy partive (PDK-LDK) nga vlerat dhe përcaktimet programore, ka bërë që të humbasin besimin në elektoratin e tyre tradicional. Sikurse PDK-ja, që është shkëputur totalisht nga vlerat e luftës çlirimtare, ashtu edhe LDK-ja është tretur shumë largë nga vlerat rugoviane, nga tradita e respektimit të rregullave demokratike, dialogut të brendshëm partiak, tolerancës, mirëkuptimit dhe transparencës në marrjen e vendimeve.

Jo vajtim, kërkimfalje nga ana e LDK-së

Me një fjalë, kjo klasë e kusarëve të pangopshëm politik, për ruajtjen e pasurive të tyre milionshe, të krijuara përmes aferave korruptive, hajnisë dhe krimit të organizuar, janë shndërruar në shkatërrues fatal të shtetit të Kosovës.

Turpi më i madh që i bëri elektoratit të saj dhe dëmi më i pariparueshëm që i bëri LDK-ja vendit me lidhjen e kurorës qeverisëse me PDK-në e Thaçit në vitin 2014, për të kënaqur egon e sëmurë për pushtet të liderit të saj, duke i zgjatur jetën për të satën herë keqqeverisjes së vendit dhe kapësve të shtetit,…e për më keq se kaq, i prodhojë dy marrëveshjet më fatkqe dhe fatale për vendin, përkatësisht marrëveshjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel për Asociacionin e komunave serbe të nënshkruar nga ish kryeministri Isa Mustafa dhe marrëveshjen e një dite më pas në Vjenë me 26 gusht 2015 të nënshkruar nga presidenti Thaçi (i zgjedhur nga LDK-ja), si pasojë e së cilës vendi i humbi 8200 hektarë.
Të gjitha subjektet politike përveq LDK-së, e kanë të drejtën morale të kundërshtimit të presidentit Thaçi në udhëheqjen e dialogut me Serbinë në Bruksel.

Pasi, falë kësaj LDK-je, e kemi këtë pushtet antipopullor në qeverisjen e vendit, e për më keq se kaq LDK-ja është përgjegjësja kryesore pse Hashim Thaçi sot është president i vendit!
“Unë kryeministër sot, ti nesër president”, ishte marrëveshje private, e pazarit politik mes dy njerëzve të padinjitetshëm, dy figurave të dështuara, sa të njëjta po aq të kundërta politike.
“Kurora politike” mes dy liderëve partiak (Thaçi-Mustafa), duke u thirrur në emër të strukturave të partisë pa i pyetur fare ato, ishte injorimi dhe poshtërimi më i madh që u bënë kryesive dhe këshillave të përgjithshëm të të dyja subjekteve, duke instaluar kështu masat më të tmerrshme të diktatit brenda këtyre dy partive politike.

Situatën e heshtur të popullatës, janë duke e shfrytëzuar në mënyrën më të “mirë” pushtetarët, liderët e dështuar (Thaçi-Haradinaj-Veseli me sejmenët e tyre) duke u thirrur në liberalizimin e vizave dhe proceset integruese te vendit!
Andaj, të gjithë ata që ngriten duart lartë dhe votuan marrëveshjen qeverisëse PDK-LDK për ta bërë Thaçin president, nuk e kanë të drejtën ta kundërshtojnë atë sot dhe as të vajtojnë për pushtetin që u ka ikur nga dora, përkundrazi kërkimfalja elektoratit të tyre dhe popullit të Kosovës për dëmin që i bënë vendit me votimin e Demarkacionit me Malin e Zi, do të ishte fillimi i largimit të tyre nga skena politike.
Sa më parë, aq më mirë. Ngase ata deputet dhe dele(gat) që votuan marrëveshjet fatkeqe për vendin dhe të ardhmen e qytetarëve nuk i duhen asnjë partie politike, e aq më pak Parlamentit të Republikës së Kosovës.

Ngase servilët dhe puthadorët e pushtetit, matrapazët dhe injorantët politikë, sikurse dje, sot dhe në të ardhmen do të jenë të gatshëm të tradhëtojnë prapë interesat e shtetit dhe besimin e qytetarëve të vendit.
Përfundimisht shtrohet pyetja; ku është shoqëria civile, ku është populli që po e duron dhe mbanë në pushtet kaq gjatë këtë klasë të pandërgjegjshme, të korruptuar dhe tejinkriminuar që e bastarduan shtetin dhe degraduan të gjitha instiucionet shtetërore dhe private në vend!?