TË MËSOSH SHQIP, NË EMIGRACION…

0
818

(Shkolla shqipe “Gjuha Jonë”, në Filadelfia, e mbylli vitin shkollor)

Nga: VASIL FILIPI

1.
Në jetën e Komunitetit Shqiptar të Filadelfias-Amerikë, të emigruar mbas vitit 1990, që është jo vetëm emigracioni më i ri, por edhe më i madhi në historinë e tij, me kalimin e viteve, po shtohen datat e shënuara të tij. Të tilla, sot për sot, nuk janë pak, po të kemi parasysh jetëgjatësinë e këtij komuniteti. Ato fillojnë nga data e ardhjes së emigrantit të parë shqiptarë, kryesisht me fitimin e llotarisë amerikane, e të vendosur në qytetin e Pavarësisë së Amerikës, krijimi i Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Bijtë e Shqipes”, hapja e të parës shkollë shqipe, ngritja e të parit Flamur Shqiptar në qendër të Filadelfias, në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, organizimi i ceremonisë së Pavarësisë së Shqipërisë në kryeqendrën e shtetit të Pensilvanisë, në Harrisburg, etj., etj. Në mesin e këtyre datae është edhe ajo e 7 Marsit 2004.

Qysh mbas vitit të parë të ktijimit të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, megjithë numërin e vogël të anëtarëve të saj, këshilli drejtues i saj mendonte për të hapur shkollën shqipe, për të ruajtur gjuhën tonë te fëmijët e ardhur nga Atdheu ynë, por edhe atyre të lindur në emigracion, si një nga detyrat e mëdha, që kjo Shoqatë i kishte vënë vetes.

7 Marsi 2004 bëri realitet fillimin e realizimit të qëllimit të Shoqatës sonë, pra u hap me një ceremoni të bukur, shkolla e parë shqipe, që mori emrin “Gjuha Jonë”. Kjo shkollë, këtë vit, bëri 13 vjet, qëkur në bankat e saj ulen dhe mësojnë gjuhën shqipe, por marrin njohuri edhe në historinë dhe gjeografine e Shqipërisë, fëmijët e Komunitetit Shqiptar në Filadelfia. Gjatë këtyre 13 viteve është bërë një punë e madhe, e përmirësuar nga viti në vit, që fëmijët tanë të mësojnë e të ruajnë gjuhën e prindërve të tyre.

Këshilli drejtues i Shoqatës, që ka hapur e administron, gjatë këtyre viteve këtë shkollë, kujdeset pa ndërprerje, qysh nga dita e parë e fillimit të vitit shkollor dhe deri në ditën e fundit, kur mbyllet viti arsimor. Por suksesi i kësaj shkolle e ka burimin te të gjithë: Te fëmijët që me shumë dëshirë përpiqen të mësojnë sa më shumë, te puna me pasion dhe cilësi e mësueseve, te mundi i prindërve për të sjellë fëmijët në shkollë për çdo të diel, si dhe te propaganda, që bëjnë anëtarët e Shoqatës, ndër familjet e komunitetit tonë, për t’i sjellë fëmijët në këtë shkollë.

2.
Më poshtë po japim disa shifra, paksa, nga jeta dhe puna që bëhet në këtë shkollë.
– 7 Mars 2004, hapet e para shkollë shqipe në Filadelfia.
– 13 vjet ka kjo shkollë, që zhvillon me sukses jetën e saj mësimore.
– 2 nivele filluan mësimin në këtë shkollë, kur ajo sapo u hap.
– 5 nivele, në pesë vite, është sot cikli i plotë i kësaj shkolle shqipe.
– 654 fëmijë kanë kaluar nga bankat e kësaj shkolle, një pjesë e të cilëve, sot janë rritur, shkolluar në nivele të larta dhe punojnë në kompani me emër, duke nderuar veten e tyre, familjen dhe komunitetin tonë.

– 52 është numëri i fëmijëve të regjistruar, në vitin e fundit shkollor, pra në këtë 2016-2017.
– 50 është numëri mesatar i fëmijëve të regjistruar, çdo vit, në këtë shkollë.
– 16 është numëri i mësueseve, që kanë dhënë mësim gjatë 13 vjetëve të jetës së shkollës. Të gjitha mësueset janë vlerësuar me çmimin “Pishtar i gjuhës shqipe”, nga këshilli drejtues i Shoqatës sonë
– 6 është numëri i mësueseve që dhanë mësim gjatë vitit shkollor 2016-2017.

3.
Një nga veprimtaritë e shumta, që organizon kjo shkollë, gjatë gjithë vitit, pa përmendur të tjerat, është edhe programi artistic, që japin fëmijët para prindërve dhe të rriturve të tjerë, që marrin pjesë në mbylljen e vitit shkollor, ku tregojnë se çfarë dhe sa kanë mësuar.
Kështu ndodhi edhe më 18 qershor 2017, kur në Qendrën Kulturore të Shoqatës sonë, këshilli drejtues, organizoi ceremonine e mbylljes së vitit shkollor 2016-2017.

Ora 9:00 AM e gjeti hapur Qendrën Kulturore, më shpejt se të dielat e tjera, kur zhvillohet mësimi shqip i shkollës. Në fillim, sekretari i Shoqatës, Vlashi Fili dhe më pas, kryetari Tajar Domi, i pritën me dashhamirësi fëmijët, si në të dielat e zakonshme.

I pari erdhi nxënësi i klasës së katërtë, Edvin Qinami, i shoqëruar nga e ëma e tij. Pastaj Drini Hamza, me të atin, Fitimin; Samir Sagiri, si gjithmonë me gjyshin e vetë e pastaj, me radhë, të tjerët. Dalëngadalë salla u mbush plot. Prindërit u larguan për t’u kthyer përsëri, jo si gjithmonë në ora 12:30 PM, kur përfundonte mësimi, por në ora 11:00 AM, kur do të fillonte ceremonia e mbylljes së vitit shkollor.

Nxënësit, të drejtuar nga mësueset, me shikimin nga Flamuri ynë Kombëtar dhe me pëllëmbën e dorës së djathtë në zemër, kënduan Himnin tonë Kombëtar, një veprim që kryehet rregullisht, çdo ditë, para fillimit të mësimit, në këtë shkollë. Mbas Himnit, të gjithë u shpërndanë nëpër klasat e veta.

4.
Veprimtaria e kësaj dite ishte programuar në tri pjesë.
Në pjesën e parë, brenda një ore, në të pesë klasat u bë testimi përfundimtar i nxënësve. Tre klasat e para u testuan në lëndën e diktimit, kurse e katërta dhe e pesta në hartim. Gjatë kësaj kohe, mjeshëri Hamdi Gjana lëvizte nëpër sallë, për të përgatitur qendrën e zërit. Mbas testimit, mësueset bënë vlerësimin e secilit dhe dokumentet e këtij testimi u dorëzuan në sekretarinë e Shoqatës, për t’u ruajtur në arkivin e saj, në seksionin e shkollës shqipe.

Në pjesën e dytë të veprimtarisë, e mori fjalën Tajar Domi. Mbasi përshëndeti dhe falenderoj pjesëmarrësit, i uroi fëmijët për përfundimin me sukses të gjithë vitit shkollor. Pastaj nxënësit dhanë para prindërve dhe pjesëmarrësve të tjerë në sallë, një program të bukur artistik.

Nxënësja e vitit të pestë, Selma Sinani, që e drejtoi këtë program, e hapi me fjalën përshëndetëse. Ajo falënderoi përzemërisht mësueset, për përkushtimin gjithëvjetor, në realizimin e programit mësimir vjetor, prindërit për sjelljen e fëmijëve në shkollë, si dhe Shoqatën “Bijtë e Shqipes”, që ka bërë të mundur hapjen e kësaj shkolle.

Në vazhdim, u dëgjua zëri i ëmbël i këngëtare Lorena Hasa. E shoqëruar nga grupi artistik i shkollës, i përgatitur nga Hamdi Gjana, interpretoi këngën “Gjuha jonë”, që është edhe kënga himn e shkollës. Ajo u duartrokit fort nga të pranishmit, që ishin të shumtë, sa që nuk i nxinte salla.

Pastaj, paraqitën veten e tyre të gjithë nxënësit, me radhë sipas klasave. Filluan nga klasa e parë dhe deri tek ajo e pesta, të drejtuara nga mësueset: Irini Zenelaj e Shpresa Rama, Adelina Ramizi dhe Elvana Pone, Kozara Doko dhe Raimonda Bardhi. Me këngë e recitime, fëimjët treguan seriozitetin, që i ka karakterizuar në mësimin e gjuhës sonë amtare, gjatë tërë vitit arsimor.

Në përfundim të programit të secilës klasë, këngëtarët, të shoqëruar nga grupi, e pasuronin atë me interpretime tjera. Kështu, Ema Rama këndoi këngën “Mësuesja jonë”; motrat Hasa kënduan “Buja”; dueti Alba Sinani dhe Loreta Hasa, këngën “Nënë, moj nënë”; trioja Silvana Çela, Drini Hamza dhe Lorena Has, këngën “Mëmëdheu” dhe Alba Sinani këngën “Dua krahë të fluturoj”. Shumica e këtyre këngëve është kompozuar nga Hamdi Gjana, i cili e përgatit dhe drejton me pasion këtë grup artistic të fëmijëve.

Mbas çdo interpretimi, duartrokitjet tregonin se të pranishmit në sallë ishin shumë të kënaqur, me çka shikonin e dëgjonin. Mandje, shpesh dëgjoheshin edhe urimet: “Ju lumtë”, që u drejtoheshin fëmijëve.

5.
Pjesa e tretë, ishte ajo e dorëzimit të dëftesave, që dhuroi emocione të këndshme. Sekretari i shoqatës, Vlashi Fili sqaroi, para fillimit të dorëzimit të dëftesave, që secili nxënës ka në zarf dëftesën, me notat vlerësuese, të firmosura nga mësuesja e klasës, drejtorja e shkollës, Raimonda Bardhi, kryetari dhe sekretari i Shoqatës, si dhe me vulën përkatëse. Nxënësit, me të gjitha notat “Shumë mirë”, kanë në zarf edhe një fletë vlerësuese. Kurse nxënësit më të mirë të çdo klase, që ishin respektivisht, nga klasa e parë e deri në të pestën, janë: Sophia Sali, Klavel Pajollari, Elian Tafa, Edvin Qinamid dhe Silvana Çela. Ata kishin, dhuratë nga Shoqata edhe një çek $ 20. Nxënësit e vitit të pestë kishin në zarf edhe një dëshmi për përfundimin e ciklit 5-vjeçar, në Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë”
Tashmë, është bërë traditë në fundvitin shkollor, që para se të marrin dëftesat, nxënësit drejtohen te Flamuri ynë Kombëtar, ulen në gjunjë, e puthin dhe e vënë atë në ball. Mbas kësaj, marrin zarfin, me dëftesën brenda dhe ulen për t’ia lënë radhën nxënësit tjetër.

E veçanta e ceremonisë së këtij fundviti shkollor ishte se nxënësve ua dhanë zarfat, mësueset sipas klasave, ndërsa në vitet e tjera ato ua kanë dhënë anëtarët e këshillit drejtues të Shoqatës. E dyta e veçantë, ishte se fëmijët, që shoqëroheshin nga gjyshërit, e morën zarfin nga këta shoqërues, pra gjyshi ose gjyshja. Kështu ndodhi me Sophia Sali dhe gjyshen e saj, Samet Sagiri, me gjyshin e tij, që e ka shoqëruar atë gjatë tërë vitit shkollor etj. Kjo u dha kënaqësi emocionuse gjyshërve.

Në përfundim të shpërndarjes së dëftesave, u dhanë dy çmime të veçanta, me vlerë $ 50. Sadik Elshani i dhuroi nxënësit, që në testimin e sapopërfunduar, kishte bërë hartimin më të mirë. Nga vlerësimet e hartimeve, këtë dhuratë e meritoi nxënësja Selma Sinani. Ndërsa Petrit Zanaj ia kaloi këtë dhuratë nxënëses së klasës së parë, Enisa Sulçaj, e cila kishte vijimin më të mire, gjatë tërë vitit shkollor.

…Në mbyllje të kësaj ceremonie kaq mbresëlënëse, Tajar Domi i uroi, edhe një herë, fëmijët për përfundimin me sukses të gjithë vitit shkollor, si dhe I ftoi ata, së bashku me të rriturit, për “Pica party”, që kishte përgatitur Shoqata jonë, me rastin e mbylljes së kësaj veprimtarie.

Të gjithë ne, ju urojmë fëmijëve të shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, në Filadelfia të Amerikës: Pushime të mbara dhe mirupafshim, përsëri, në bankat e shkollës, në shtator!

Filadelfia-Amerikë, qershor 2017