TË MENDOSH ME ZEMËR DHE TË NDIESH ME MENDIM

0
487

( impresione rreth librit poetik “Kaq”, të poetit të njohur Faslli Halitit )

NGA SULEJMAN MATO

Duke dashur të hedh disa impresione të çastit rreth librit “Kaq”, të poetit të njohur Faslli Halitit, një përmbledhje me poezi të zgjedhura, padashur m’u kujtua filmi i famshëm: “La vita e bela” i regjisorit dhe aktorit Italian Benini. Në atë film nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme, asgjë që të kërciste. Një film i thjeshtë, por me një ide të madhe, trajtuar me një thjeshtësi habitëse.

Sekreti i këtij skenari ishte gjetja e fabulës. Një familje hebrejsh, në kohën e nazizmit… Gjithë loja ishte që fëmija t’i kalonte me sa më pak vuajtje tmerret e kampit nazist. Dhe për këtë u gjet loja për fitimin e një tanku. Filmi u paraqit në festivalin botëror dhe mori 5 çmime “Oskar”.

Kjo gjë ndodh me letërsinë e madhe. Kjo ka ndodhur dhe me poezinë e Faslli Halitit. Ka më se pesë dekada që Haliti shkruan e shkruan poezi… Tek ai, qysh nga vjersha e parë e gjer te përmbledhja e fundit, spikat një origjinalitet krejtësisht i veçantë.

E veçanta e poezisë së tij është te thjeshtësia, te idetë origjinale dhe sentencat me peshë të madhe emocionale. Në pak vargje dhe i mbështetur në detaje konkrete Faslli Haliti shfaq një mendim filozofik, pa poza dhe artifice letrare.

Për ta ilustruar këtë mendim do të citoja një nga vjershat e këtij libri:
E titulluar thjesht “Nderim”:

Para postëbllokut hekurudhor
makina,
makina,
makina.
Makina me radhë.
Makina udhëtarësh,
makina ministrash,
makina qytetarësh.
Madje dhe makina e kryeministrit,
dhe makina e presidentit, në radhë.
Kalon treni me popullin mbi shpinë.
Makinat i hapin rrugën pa fjalë,
i hapin rrugën me nderim.

Vjersha ngrihet mbi një fakt konkret. Të gjithëve na ka bërë përshtypje ky detaj, kur kemi kaluar në postblloqet ku rruga automobilistike pritet nga treni, por askujt nuk i ka vajtur në mend ta materializojë në një ide kaq të veçantë. Gjetja ka lidhje me mesazhin. Veturat ndalen para trenit me nderim, pasi në atë tren udhëton populli i thjeshtë. Figura letrare e poetit Faslli Haliti është detaj i zbuluar në jetën tonë të përditshme.

Gjithë sekreti i poezisë së tij i besohet një fakti të pa vërejtur nga syri i një njeriu të zakonshëm. Ai e gjen atë edhe me të mbrun fijet e arta të poezisë. Poetët janë të ndryshëm. Disa kanë dëshirë të përcjellin emocione përmes figurave letrare, të tjerë përmes ndjenjës, një tjetër përmes imazheve ose përmes metaforave… Të gjithë këta poetë, të nisur nga shtigje të ndryshme arti synojnë të prekin lëndën e parë të poezisë.

Faslliu nuk ka nevojë të zhbirilojë në gjëndje surealiste, pasi atë e ngacmon jeta e përditshme me ngjarjet dhe njerëzit që e rrethojnë. Të shkruash si Faslliu duket një gjë e thjeshtë, por të shkruash thjeshtë kjo është gjëja më e vështirë, të cilën pak poetë e kanë dhuntinë për ta realizuar. Poezia e Faslliut i ngjan historisë së vezës së Kolombit. E dimë të gjithë përgjigjen e famshme të Kristofor Kolombit, për zbulimin të Amerikës. Të zbulosh poezinë tek çikërrimat e përditshme të jetës dhe pastaj, në mënyrë krejt të beftë, ta ngresh atë në filozofinë e ditës, kjo i ngjan asaj vezës së Kolombit.

Anton Çehovi i porosiste gjithmonë shkrimtarët e rinj. “Shkruani thjeshtë… dhe shkruani për gjërat që i njihni më mirë”. Këtë porosi ka më se pesëdhjetë vjet, që po e vë në jetë me sukses poeti Faslli Haliti.

Nga krijimtaria e tij unë mbaj mënd shumë poezi, si: “Duhet të këndoja i pari, e di”, “Mik në fshat”, “Unë nuhas pranverën”, “Hi maji” etj… poezi të kohës së rinisë së tij, ku ndihej qartë ardhja e një talenti të ri, me vizionin e vet. Një poet që sillte aromën e fushës dhe prekte motive tokësore. Qysh në krijimet e para Faslliu do të dilte me një lirikë të re, sidomos në origjinalitetin e përshkrimit të peizazhit. Për ilustrim do të përmend vjershën “Shi maji” e shkruar në vitin 1967, katër dekada më parë:

Shiu bie
shushurin
si një e çarë shalqini
vetëtima vetëtin.

Krijimtaria e tij e mëvonshme do të pasurohej me motive të tjera duke mos e ndryshuar aspak synimin drejt përsosmërisë së një poezie, të cilën sot mund ta krahasojmë me poezinë e veçantë të poetit francez Zhak Prevert.

Ndër poezitë e tij më të spikatura në këtë përmbledhje prej 420 faqesh, do të veçoja si poezi që më kanë mbetur në mend, vjershat: “Babai”, “Antipërbuzëse”, “Sillma”, “Në fëmijëri”, “Mbrapsht”, “Shegasi”, “Ajo” etj, si dhe disa poezi të tjera të shkruara rreth viteve shtatëdhjete, të cilat ne i lexonim me endje dhe na gëzonte fakti që poeti i Lushnjës nuk ishte vetëm një lirik i mirë, por edhe një poet qytetar që ngrinte zërin ndaj padrejtësive të kohës.

Nuk ishte e rastit heqja e tij nga arsimi dhe çuarja punëtor fushe në vitet më produktive të krijimtarisë së tij. Poezitë e tij për kohën flisnin shumë. Vërtetë Faslliu u çua të punojë me lopatë në fshat, por, ndërkohë poezitë e tij qarkullonin nëpër duar të lexuesit të gjithë Shqipërisë. Puna me lopatë i dha atij poezi të tjera edhe më të bukura të cilat e rritnin Faslliun si poet kombëtar, duke e konsideruar si një ndër zërat më të spikatur dhe më origjinalë të poezisë shqipe.

Vitet e demokracisë krijuan mundësira për një liri krijimi si dhe për t’u njohur dhe akomoduar me poezinë botërore. Si një njohës i mirë i italishtes dhe më vonë i frëngjishtes, Faslliu i vuri këto dy gjuhë në shërbim të njohjes së letërsisë më të mirë botërore. Nuk kanë qenë të rastit as përkthimet e shumta që Faslliu ka bërë nga poezia botërore. Ka zbuluar majat dhe poezitë që lidhen me natyrën e vet poetike dhe i ka përkthyer në shqip. Ndonëse ka bërë përzgjedhje sipas preferencave të veta, interesant është fakti që këto përzgjedhje i ka bërë në gjithë poezinë botërore, pa dallim. Në përkthimet e tij ka poetë të njohur nga Rusia, nga Franca, nga Bullgaria, nga Gjermania, nga Amerika, nga Italia…

Poezia nuk ka shtetësi. As poetët nuk kanë shtetësi. As poezia e Faslliut nuk ka shtetësi. Ajo, ndonëse është thellësisht shqiptare, gjen lidhjet e veta me poezinë botërore bashkëkohore. Te poezia e tij gjen lidhje me poetë e të njohur botërorë. Por unë do ta afroja më tepër me poezinë e Zhak Preverit. Edhe poezia e Preverit, në morinë e autorëve francezë është tepër origjinale dhe e pangjashme me askënd, e thjeshtë për shkakun e vet thjeshtësisë së saj si dhe pasi ajo ndërtohet me elemente jetësorë dhe bashkëkohorë. Ka poezi që goditin në tru, por ka dhe poezi që godasin në zemër.

Kjo është një shprehje pa kuptim, pasi në krijimin e emocioneve marrin pjesë njëkohësisht truri dhe zemra. Mirëpo këtu ka diçka që duhet pranuar. Ndaj edhe poeti gjerman Herman Hesse i këshillonte të rinjtë që në poezi duhej patur parasysh: “Të mendosh me zemër dhe të ndjesh me mendim”. Te Haliti kjo porosi duket sikur është pasur parasysh qysh kur shkroi poezinë e parë. Faslli Haliti hyri në poezinë shqipe si bashkëmoshatari ynë, ndonëse pak më i madh se ne, qysh në fund të viteve gjashtëdhjetë. Ai hyri nga një dritare tjetër. Kjo ishte dritarja e pikturës. Pasi kishte mbaruar liceun artistik për pikturë dhe ndërkohë që pikturonte akuarele me peizazhe fushe, ndjeu se piktura qënkesh e pazonja të prekte ato zona të cilat ishin pronë e poezisë.

Ç’duhej të bënte? Përgjigja që i erdhi në mend ishte e thjeshtë. Krahas penelit duhe të rrëmbente laspin dhe letrën… Poezia e ftonte bujarisht në kozmosin e vet. Dhe ai u fut me thjeshtësinë dhe mirësinë që e karakterizon, në botën e imazheve poetike. E la penelin jashtë derës dhe i tha poezisë erdha. Sa lexuam poezitë e tij të para ne dashamirësit e tij, ne poetët e tjerë që kishim nisur të shkruanim poezitë e para në ato vite, thamë: Ja dhe një poet tjetër, “gjak nga gjaku ynë…” do të shprehej Esenini. Në dyluftimin mes poezisë dhe pikturës me sa duket fitoi poezia. Por Faslliun e kemi midis nesh, gjallë 83-vjeçar dhe shëndoshë e mirë. Kështu, dyluftimi ende nuk ka mbaruar.

Në librat e tij më të fundit, “Iku”, “Diellftohti” etj., sikur është bërë më filozofik, duke ruajtur atë thjeshtësi medituese dhe atë teknikë vargu. Me fare pak vargje jep një mendim apo shpalos një ndjenjë njerëzore, gjithmonë befasuese në shumëllojshmërinë e shprehjes. Përkufizimin më të mirë për poezinë e tij e ka bërë poeti i njohur Dritëro Agolli kur shkruan: “Poezia e Faslli Halitit nuk ka firo. Ka gjëra që jetojnë gjatë”. E çfarë dëshire do të kishte secili prej nesh, për poezitë tona, veçsa të na jetonin gjatë?

Dërgoi për publikim, KRISA RULI GREI