Të jesh gazetar

0
1258

– Nga Anila Basha, drejtore e newsbomb.al

Të jesh gazetar këto kohë në Shqipëri do të thotë të jesh në ditë të vështirë. Të jesh në pikë të hallit. Të jesh i rrënuar, frustruar, pa personalitet hera herës (pse do ketë vallë nga ata kolegë që lexojnë këto rreshta dhe do të thonë se unë jam më i ndershmi?????); të bësh gjoja, të marrësh të tjerët nëpër gojë e të të marrin nëpër gojë; të korruptohesh; të mos raportosh atë që në fakt duhet të raportosh, pra atë që sheh dhe që investigon; por të raportosh atë që të udhëzohet e thuhet, qoftë në drejtimin nga lart poshtë, qoftë anasjelltas.

Të jesh gazetar sot në Shqipëri do të thotë që të mbash mikrofonin në gojën e Berishës apo Ramës, por të mos dëgjosh për asnjë moment se çfarë thonë. Të jesh gazetar në Shqipëri, do të thotë të mos guxosh të bësh një pyetje sepse në rastin më të mirë, ai që gjendet në foltore, ikën duke të kthyer një buzëqeshje, e në rastin më të keq, pyetjen të ta presin në redaksi e të mos e transmetojnë apo të mos e botojnë fare.

Të jesh gazetar në Shqipëri do të thotë të jesh in-extremis majtas, apo in-extremis djathtas, kur vjen puna te zhvillimet politike; ndërsa kur vjen puna te zhvillimet në fusha të tjera, social-ekonomike-kulturore, të marrësh ca info që raportohen në facebook apo twitter, e të mos shkosh më larg. Të jesh gazetar në Shqipëri, ndoshta për gjithë këto arsye, do të thotë që në fund të muajit të mos marrësh dot rrogën, sepse bossi yt nuk i ka gjetur dot lekët e investimit që po mban në këmbë.

Do të thotë që të mos kesh një kontratë pune të rregullt, mos të krijosh dot sindikatë, të mos paraqitesh në aktivitetet protestuese të Unionit të Gazetarëve, e mbi të gjitha të mos jesh aspak solidar: nëse një tv apo një gazetë bën një gjë të bukur, të tjerët nuk i japin hapësira për shkak xhelozie, mllefi a urrejtje që ai tjetri nuk ka bërë ndonjë gjë më të madhe sesa ne të tjerët.

Të jesh gazetar sot në Shqipëri do të thotë të transmetosh via satelit (iku koha e kasetave) dhe të marrësh orë të tëra programacioni vetëm për hatër të këtyre zhvillimeve; ashtu sikurse, të balancosh faqet politike të gazetave, vetëm për hatër se në mos të thonë i majtë, do të të thonë i djathtë, por asnjëherë i pavarur.

Të jesh gazetar sot në Shqipëri, duhet të jesh i nderuar të të hapet një derë ministrie, për të marrë ndonjë fond nga torta e madhe e reklamave shtetërore, por që bossët e tjerë, i kanë mbyllur me kohë këto hesape, e për ty, nuk ka më vend. Por, rropatesh të mendosh se nesër do të ndryshojë diçka, e se një boss, do të zëvendësohet me një boss tjetër.

Të jesh gazetar në Shqipëri, do të thotë të punosh me tetë orarësha (a thua ndodh kështu edhe në botë), do të thotë të mos dish t’u përgjigjesh pyetjeve themelore të shkrimit dhe raportimit të lajmit. Edhe më të mirët, bien pre e nivelit mediokër që vjen edhe për shkaqet e përmendura më sipër.

Të jesh gazetar në Shqipëri, do të thotë të kesh frikë, e të jesh në pikë të hallit, sikurse edhe vetë media është në ditë të hallit. Dhe kjo vlen për armatën e rreth 5000 gazetarëve, reporterëve, fotografëve, operatorëve, montazhierëve, teknikëve etj, etj, pra kaq sa ç’i ka vlerësuar Unioni i Gazetarëve.

Duhet të gjithë sot në ditën e gazetarëve të përpiqemi t’i themi stop kësaj situate. Ndoshta e kemi lënë vetë të degradojë kështu. Por do të ishte më e ndershme, që t’i pranonim gabimet.

*Shkruar më 03 maj 2013.