Të gjitha etapat / Ja procedura parlamentare për të shkarkuar Presidentin e Republikës

0
324
Ilir Meta, president

Pas vendimit të presidentit Ilir Meta, për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe lajmit se Partia Socialiste do të ndërmarrë iniciativën për shkarkimin e tij, shumica e shqiptarëve e mësuan se për shkarkimin e Presidentit të Republikës duhet të votojnë 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, pra 94 vota dhe më pas të miratohet edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Shqiptarja.com, 10 qershor 2019

Pas vendimit të presidentit Ilir Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe lajmit se Partia Socialiste do të ndërmarrë iniciativën për shkarkimin e tij, shumica e shqiptarëve e mësuan se për shkarkimin e Presidentit të Republikës duhet të votojnë 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, pra 94 vota dhe më pas të miratohet edhe nga Gjykata Kushtetuese. Por në fakt procedura e shkarkimit të kreu të shtetit nuk është kaq e thjeshtë, pasi kalon në disa etapa dhe kërkon kohë, ndoshta disa muaj. Sipas rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, neni 112, shkarkimi i Presidentit të Republikës bëhet nëpërmjet disa fazave të cilat duhen respektuar në mënyrë rigoroze derisa në fund të mbërrihet tek votimi për kërkesën e shkarkimit të Presidentit në seancën e Kuvendit.

Etapa e parë, kërkesa
Sipas nenit 112 të Rregullores së Kuvendit si fillim duhet që të bëhet kërkesa nga “Jo më pak se një e katërta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit mund të propozojë shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës për shkaqet e parashikuara në nenin 90 pika 2 të Kushtetutës. Kërkesa duhet të paraqitet me shkrim te Kryetari i Kuvendit dhe të përmbajë në mënyrë të motivuar dhe konkrete shkeljen e rëndë të Kushtetutës ose kryerjen e një krimi të rëndë. Me paraqitjen e propozimit, Kryetari i Kuvendit vë menjëherë në dijeni Kuvendin dhe Presidentin e Republikës”.

Etapa e dytë, shqyrtimi nga “Ligjet”
Pas paraqitjes së kërkesës ajo fillimisht shqyrtohet nga Komisioni i Ligjeve, i cili ka të drejtën e propozimit ose jo të krijimit të një Komisioni Hetimor. “Kryetari i Kuvendit ia përcjell kërkesën dhe dokumentet shoqëruese të saj Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili brenda 15 ditëve i paraqet Kuvendit raportin dhe propozimin e tij për ngritjen ose mos ngritjen e një komisioni hetimor. Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u shprehur në Komision, Komisioni është i detyruar ta dëgjojë atë, duke i lënë një kohë të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes dhe dhënien e sqarimeve”, thuhet në rregullore

Etapa e tretë, ngritja e Komisionit Hetimor
Pasi Komisioni i Ligjeve harton raportin, ai votohet nga Kuvendi në seancë plenare. Kështu në rast se “Ligjet” propozojnë vazhdimin e procedurës së shkarkimit dhe ngritjen e një Komisioni Hetimor ndaj presidentit, kjo duhet të miratohet nga Parlamenti, pa u specifikuar numri i votave, pra me shumicë të thjeshtë. Në rast se raporti rrëzohet nga shumica e deputetëve atëherë procedura e shkarkimit ndërpritet. “Kuvendi zhvillon debat në seancë plenare jo më vonë se 7 ditë nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe në përputhje me kohën e përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve, sipas nenit 48 të kësaj Rregulloreje.

Në rast se Kuvendi rrëzon nëpërmjet votimit raportin dhe propozimin e paraqitur, procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës ndërpritet. Kuvendi për të njëjtin motiv nuk mund të vendosë përsëri edhe nëse kërkesa paraqitet nga një grup tjetër deputetësh. Në rast se Kuvendi pranon nëpërmjet votimit raportin dhe propozimin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ngre brenda 2 ditëve një komision hetimor për këtë çështje. Komisioni hetimor është i detyruar të thërrasë dhe të dëgjojë mendimin e Presidentit të Republikës në lidhje me propozimin e paraqitur. Në përfundim të hetimit, komisioni hetimor duhet t’i paraqesë Kuvendit në mënyrë të arsyetuar nëse ekzistojnë shkaqet për shkarkimin e Presidentit të Republikës.”

Etapa e katërt votimi në seancë
Vetëm pasi përfundojnë të gjitha etapat e mësipërme arrihet në votim në seancën plenare, ku do të duhen të votojnë pro shkarkimit 2/3 e deputetëve, pra 94 vota. “Kuvendi shqyrton raportin e komisionit hetimor në një seancë të veçantë brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Konferenca e Kryetarëve përcakton datën e votimit në Kuvend të kërkesës për shkarkim të Presidentit të Republikës dhe kohën e debatit, sipas nenit 48 të kësaj Rregulloreje. Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u dëgjuar në seancë plenare, Kuvendi është i detyruar ta dëgjojë atë. Kuvendi vendos për shkarkimin e Presidentit të Republikës me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij dhe me votim të fshehtë.”, thuhen në pikën 4 të nenin 112.

Etapa e pestë, Gjykata Kushtetuese
Në fund të votimit sqarohet se: “Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës i dërgohet Gjykatës Kushtetuese nga Kryetari i Kuvendit brenda 5 ditëve nga marrja e tij”. Pra pas kësaj procedure jo aq të shkurtër si nga ana procedurale edhe kohore, vendimi përfundimtar merret nga Gjykata Kushtetuese.