Të dhënat: Kompania e gruas së Lulzim Bashës, e 6-ta në vend. Mbi 200 milionë të ardhura në vit

0
656

Jo vetëm kunati.

Edhe bizneset e bashkëshortes së Lulzim Bashës janë duke ecur mjaft mirë.

Kompania e saj publicitare Landmark Communication, ka pësuar një rritje të ndjeshme prej më shumë se 13% në vitin 2016.

Ndërkohë që për vitin që lamë pas, të dhënat nuk janë bërë ende publike.

Në një vit, gruaja e Bashës ka arritur që të fitojë nga kjo kompani, më shumë se 200 milionë lekë.

Ironia është se ndërkohë që Lulzim Basha denoncon mbyllje të bizneseve për shkak të taksave të qeverisë dhe kushteve të pafavorshme që ajo iu ofron njerëzve, bizneset e gruas dhe kunatit të tij, veçse lulëzojnë.

Gjë që e tregojnë edhe këto shifra.

Gara e agjencive publicitare

Me tregun e reklamave që nuk po rritet prej vitesh, kohë të vështira kanë ardhur edhe për agjencitë publicitare. Ato do të duhet të rindajnë mes tyre tortën e të ardhurave dhe të përpiqen që t’u mbushin mendjen klientëve që të kalojnë më shumë buxhet përmes agjencive. Bizneset tentojnë që të negociojnë direkt me reklamuesit, sidomos për shitjen dhe blerjen e hapësirave publicitare.

Pavarësisht tregut në tkurrje, agjencitë po arrijnë të kenë më shumë të ardhura, por këtë po e bëjnë në kurriz të fitimeve.

Qarkullimi vjetor i 18 agjencive kryesore publicitare në vend u rrit me rreth 20% në 2016-n, pas rënies prej 5% me bazë vjetore në vitin 2015 (shiko tabelën: Të ardhurat e agjencive kryesore publicitare në vend, lekë). Të ardhurat totale të tyre ishin rreth 22 milionë euro, duke treguar se rreth gjysma e tregut të reklamave në vend kanalizohet përmes agjencive publicitare. Ndryshe nga të ardhurat, fitimet kanë rënë për më shumë se gjysmën e agjencive. Ekspertët e tregut pohojnë se tkurrja e fitimeve lidhet me shtimin e konkurrencës, që çon në uljen e marzheve të shitblerjes së hapësirave publicitare dhe rritjen e kostove të tjera të aktivitetit, si p.sh. personeli.

Aktiviteti i agjencive është shumë i luhatshëm, në varësi të klientëve që mund të humbin, apo fitimit të të rinjve dhe qarkullimi vjetor i tyre paraqet luhatje të mëdha nga njëri vit te tjetri. Pjesa më e madhe e qarkullimit të tyre vjen nga blerja e hapësirave publicitare, por që sipas aktorëve të tregut ka dhe marzhin më të ulët të fitimit, ndërsa më fitimprurëse janë shërbimet e tjera si krijueshmëria dhe prodhimi i spoteve, aktivitete të tjera marketingu etj., të cilat gjithnjë e më shumë kanë filluar të ofrohen nga agjencitë në vend.

Vitet e fundit, agjencitë e mëdha kanë konsoliduar aktivitetin, ndërsa hyrjet e reja, ndonëse tentojnë të rriten, mbeten me qarkullim relativisht të ulët.

Le Spot Group është operatori më i madh në këtë segment. Të ardhurat e kompanive të grupit, sipas bilancit përmbledhës të Le Spot për vitin 2016 ishin 1.8 miliardë lekë (rreth 13 milionë euro), me një rënie prej 5% në krahasim me vitin e mëparshëm. Kompanitë kryesore të saj janë Unlimited Media, Le Spot Production, Spot Communication, Optimum Media (indirekt), ndër më të mëdhatë në tregun e agjencive të publicitetit (shih tabelën). Vodafone, reklamuesi më i madh në vend, është klienti kryesor i grupit. Grupi ka gjithsej në pronësi direkte 12 shoqëri, ku më kryesorja është Unlimited Media.

Ogilvy ka shënuar vitin e dytë me aktivitet në rritje, duke u zgjeruar të ardhurat me 167% në 2016-n dhe duke u renditur si agjencia e dytë më e madhe në vend, pas Unlimited Media, që kryeson në listën e agjencive më të mëdha në vend.

Në vend të tretë është Spot Communication (pjesë e grupit të Spot).

McCann Tirana dhe Landmark Communication kanë pasur aktivitete pozitive, duke rritur të ardhurat përkatësisht me 67.3% dhe 13.9%.

Të ardhurat vjetore të agjencive të tjera janë më të ulëta se 1 milion euro. Kompanitë e vogla me rritjen më të shpejtë për 2016 janë Vatra Design Consultancy (V Advertising ltd), Source One, Gogel. Rritja e agjencive që merren me organizim eventesh ka reflektuar diversifikimin e fushatave të kompanive kryesore, për të shkuar direkt te klienti, jo vetëm përmes medias masive.