Dionis Xhafa
Dy të burgosur shqiptarë kishin ikur nga burgu në Romë, ku vuanin dënimin për vjedhje dhe se ishin arratisur gjatë natës. E para gjë që iu shkon ndërmend kujtdo, që e dëgjon të tillë lajm është se do të thonë, se dy kriminelë janë arratisur prej burgut, sikur të bëhej fjalë për dy bisha të egra që kanë ikur prej kopshtit zoologjik. Ja kështu logjikojnë njerëzit, sidomos ata që e kanë një shkollë dhe bëjnë sikur na qenkërkan më të pastërtit e kësaj bote dhe se të gjithë të tjerët qenkërkan llumi i kësaj dynjaje.
Hajdutë thonë se janë, ata emigrantë në dhe të huaj, që në Romë a në qytet të madh europian kanë zbritur për shkak se kanë qenë të varfër, iu ka rënë mbi shpatulla një fat që ata nuk e duan, por ja që atë ua kanë caktuar, perëndi ndoshta apo fat ateistësh që moralin nuk e dinë se çfarë është. Po hajdutë por unë i amnistoj disi për shkak se veprën penale e kanë kryer për shkak të varfërisë së një vendi, ku varfëria, mjerimi e trishtimi janë ulur këmbëkryq ndër sofrat tona të ndyra, të pista.
Po mendoni njëherë se edhe ata të dy e duan lirinë, edhe vrasësi madje e do lirinë, e do ajrin e pastër të natës ta shijojë dhe një cigare nën atë errësirë që është e tmerrshme në të zezën e vet, por ka shije të lirisë, ka ftohtësinë e një zezonje aq të dëshirueme. Po dhe të burgosurit e duan jetën, ndoshta duan që ta kenë edhe ata një familje, një bashkësi ku të mund të mbështeten, se jetë të dytë mundet të ketë, se njeriu nuk është një kafshë në një kafaz dhe se njerëzit të shkojnë aty si në cirk e vetëm të qeshin me to sikur janë majmunë hirko. Jo jo.
Edhe të burgosurit mundet që e ëndërrojnë jetën e lirë shumë, edhe familjen, edhe një djalë apo vajzë të vogël ta kenë e duan dhe për dore me të të shëtisin nëpër liqene artificialë, duan ata. Edhe këta djem nënash janë, që me siguri vuajnë kaq shumë se djemtë e tyre nuk shijuan, nuk dëfryen, por ngelën nëpër burgje e nëpër kampe. Po edhe këta të burgosur, shpirtin e tyre duhet që ta kuptojmë, se ata mbeten kandidatët më pak të preferuar ndër vajza e shpirti i tyre, nëse pendohet me siguri është më i pastri që perëndia ka “lëshuar” në tokë.