TAKIMI PAS 45 VITEVE ME DREJTORESHËN E KONVIKTIT TË SHKOLLËS PEDAGOGJIKE KSANTHIPI BUFI

0
822
Qatip Mara me miq

Duke biseduar me mikun tim Baki Dervishi mësova se drejtoreshe e konviktit të shkollës pedagogjike Fier banonte në Tiranë në rrugën Komuna e Parisit që ishte afër me shtëpinë time të banimit. Nga viti që isha larguar nga shkolla pedagogjike e kisha parë për herë të fundit në mbrëmjen e lamtumirës së shkollës pedagogjike. Me përfytyrimet që kisha në kujtesë imagjinova se si do kishte ndryshuar fizikisht. Drejtoresha e konviktit Ksanthipi Bufi, vishej me rroba të zeza, ishte tepër e rreptë e serioze. Disiplina e zbatuar në shkollë kishte krijuar një mjedis pedagogjik të sigurtë, ku vetëm mësonim sitematikisht. Personeli i konviktit me drejtoreshën e admiruar Ksanthipi Bufi, kishte një bashkëpunim të harmonizuar me drejtorinë e shkollës, ku shkëlqente figura e Teki Sadikut. Performanca e tij rrezatonte kulturë tek të gjithë nxënësit e shkollës pedagogjike e mbetet e ndritur në kujtimet tona.

Orari i studimeve konviktore ishte shumë i lodhshëm për mua, qëndronim katër orë studimi të detyruar, të cilat unë i kaloja duke u bërë konsultime nxënësve duke shkuar në tavolinat e tyre. Mësuesit e matematikës ishin shumë të përgatitur nga ana shkencore, ndërsa mësuesit e letërsisë ishin indiferentë e nuk na rekomandonin libra artistike për të lexuar. Jeta konviktore në shkollën pedagogjike ishte mbresëlënëse, me emocione që nuk harrohen kurrë: shoqëria e miqësia midis konviktorëve na pasuroi me botë të pastër shpirtërore duke respektuar shumë njeri-tjetrin. Një herë më shkrepi në kokë një ide e gabuar, të braktisnim një ditë mësimin. Organizatori u bëra unë, me mëndjemadhësinë e nxënësit të mirë në mësime, binda gjithë klasën të bënim një piknik në periferi të qytetit të Fierit.

Ishim 24 vajza e 12 djem në klasë. Biseduam kolektivisht e caktuam ditën e mërkurë në fillim të muajit prill të niseshim në eskursion pa leje. Që herët në mëngjes do të largoheshim nga shkolla, pa na diktuar kujdestarët e konviktit apo rojet e rrepta të oborrit të shkollës pedagogjike. Të martën në darkë siguruam nga menca e konviktit, bukë e djathë për t’i marrë me vete në piknikun ilegal. Natën u futëm fshehurazi në palestrën e shkollës e muarëm topa volebolli e futbolli. Plani i “arratisjes” nga shkolla u realizua me sukses. 36 pedagogjikas dualëm ilegalisht nga konvikti duke përfunduar matanë fermës ”Çlirim”.

Organizuam ndeshje futbolli me djemurinë e lagjes, ndërsa vajzat në ndeshje volejbolli. Luajtëm futboll 6 orët që kishim mësim. Nuk ndjenim lodhje e as e vrisnim mendjen për pasojat e kësaj aventure adoleshntësh. Pasi hëngrëm drekë në lëndinat gjithë gjelbërim u nisëm për t’u kthyer për në shkollë, por duke ardhur në lagjet e qytetit të Fierit, zhvilluam edhe një ndeshje futbolli me djemtë e lagjes. Në shkollë ishte dhënë alarmi nga mësuesit që kishin mësim me klasën tonë. Drejtoria e shkollës e drejtoria e konviktit ishin shqetësuar për sigurinë e jetës të nxënësve të klasës sonë, sidomos për 24 vajzat e klasës, të cilat këtë ditë u treguan guximtare dhe morën pjesë në aventurën tonë. Drejtoresha e konviktit Ksanthipi Bufi ishte shqetësuar shumë, kishte nisur telegrame për prindërit tanë. Kur u kthyem në darkë në konvikt ishim si robër lufte.

Të penduar rrinim me kokë ulur. Kujdestarët e konviktit Leonora, Sabaudini dhe Myfiti ishin treguar si prindër të mirë me ne konviktorët dënglaxhi, por kësaj radhe kishin të drejtë të na ndëshkonin. Kur mësuam se kishin njoftuar prindërit tanë për të ardhur në shkollë mbetëm të paralizuar nga ana mendore e shpirtërore. Ndjeva shumë dhimbje për vajzat e klasës, sepse isha unë fajtori kryesor. Atë natë nuk na mbyllej syri për gjumë. Të pezmatuar hëngrëm mëngjesin. Ishim kthjelluar në arsyetimin e fajit tonë. Nuk na bënin këmbët të shkonim në oborrin e shkollës. Ecëm të hutuar nga menca e konviktit e na dridheshin gjunjët duke shkuar në oborrin e shkollës.

Prindërit kishin ardhur që herët në mëngjes. Kur pashë nënën time të përlotur, nuk e doja jetën time. Në ato momente heshtja, ishte si ditë zie, ishte më e rëndë se plumbi. Nuk formulonim dot as një fjalë. Drejtoria e konviktit kishte propozuar masa ndëshkimore vetëm për ne djemtë e klasës. E kishte të drejtë të na përjashtonte nga konvikti, duke hequr bursën e shtetit. Drejtori i shkollës Teki Sadiku priti në zyrë prindrit tanë, duke treguar shumë maturi analizoi gabimin tonë kolektiv e si një prind i mirë na orientoi të organizonim mbledhjen e organizatës së rinisë.

Mbledhja na shërbeu në edukimin tonë të ardhshëm, asnjë orë mësimi nuk guxonim të humbisnim. Kur përfunduam shkollën pedagogjike drejtoresha e konviktit Ksanthipi Bufi drejtoi mbrëmjen e fundit të lamtumirës. Ajo ishte kujdesur me shumë përkushtim për jetën e të gjithë konviktorëve, si për ushqimin në mencat e sterilizuara nga higjena e vlerat ushqimore. Më kujtohet interesimi i saj për furnizimin me ushqime të freskta dhe për zbatimin me rreptësi të disiplinës në orarin e studimit.Ajo mbetet e paharruar në kujtesën e pedagogjikasve, sepse na edukoi me ndjenjën e përgjegjësisë në zbatimin e detyrave. Në territorin e shkollës pedagogkike kishte siguri të plotë, disiplina ishte e rreptë, ndoshta edhe mizat nuk guxonin të hynin në mjediset e shkollës e të konviktit.

Drejtoresha e konviktit të shkollës pedagogjike Ksanthipi Bufi organizonte çdo të shtunë mbrëmje vallzimi të cilat drejtoheshin nga një komisjon i zgjedhur. Zbatimi rregullores së mbrëmjeve të vallzimit krijonte atmosferë mirëkuptimi midis të rinjve nga qytete e fshatra të gjithë krahinave të vendit. Vajzat qytetare rrezatonin shumë kulturë, kishin aftësi komunikuese e zbukuronin mbrëmjen me sjelljen e tyre shëmbllore. Ato kishin dashamirësinë duke na mësuar si të vallëzonim tangon, rumbon e valsin. Me shumë thjeshtësi, vajzat qytetare na largonin ndjenjën e ndrojtjes tek ne nxënësit e ardhur nga fshati. Mua më mësoi elementët e parë të tangos nxënësja e vitit të dytë, e cila ishte nga qyteti Vlorës.

Ajo ishte model në sjellje, me shumë kujdes na largoi emocionet. Ne që ishim nga fshati nuk kishim haber nga vallzimet e muzikës së lehtë. Na dridheshin duart kur vendoseshim përballë me femrën që do kërcenim. Kur dora jonë e majtë kapte dorën e djathtë të damës e dora jonë e djathtë qarkohej në belin e butë të damës, trupi ynë përshkruhej nga mornica, gati sikur do merrte flakë. Hataja më e madhe ishte kur nga emocionet ngatëronim ritmin e hedhjes së këmbës e gjokset e nxehta të damës elegante preknin e përvëlonin kraharorin tonë, ndërsa gjuri i këmbës së djathtë futej midis këmbëve të damës duke na lagur djersë. Radha e vallëzimeve caktohej nga komisioni, i cili kombinonte fuqinë e “damave “dhe të “kavaliereve”, ku secili zgjidhte damën apo kavalierin që dëshironte.

Asnjëherë nuk kishte refuzime., çdo refuzim ndëshkohej nga komisioni me largim nga mbrëmja. Pjesëmarrja masive në mbrëmje me 500 nxënës konviktorë, krijonte njohje midis të rinjve, të cilët e respektonin shumë njeri-tjetrin. Orkestra shpesh jepte këngët e artistes Vaçe Zela. Ne nxënësit, duke ndjekur madhështinë e interpretimit të artistes sonë të madhe Vaçe Zela, trupi na përshkrohej nga morrnica. Të gjitha mbrëmjet e vallëzimit në shkollë fillonin dhe mbaronin me këngët “Lemza”, “Fëmija i parë” etj., të cilat i këndonim duke vallzuar me vajzat tona konviktore. Zëri i Vaçe Zelës, ishte një zë brilant që erdhi në skenën shqiptare si një erë e lehtë, si një meteor në qiellin tonë duke na mbushur me emocione të pa harruara, emocione te cilat u dhanë ndriçimin e munguar shpirtërave tona.
Duke kujtuar këto vlera të drejtoreshës së konviktit Ksanthipi Bufi po prisja orën q takimit që miku im Baki Dervishi kishte biseduar me zonjën Ksanthipi Bufi.

Kur shkova për ta takuar u mahnita me pamjen fisnike të drejtoreshës Ksanthipi Bufi, e cila ishte e forte fizikisht dhe e freskët në kujtesën e jetës së kaluar. Më takoi me shumë dashamirësi. Biseduam me shumë respekte dhe i dhurova një libër që kisha botuar për akademikun Stefanaq Pollo. Më përgëzoi dhe më shprehu urimet për jetën time të dytë. Pres që kur të shkoi në korrik 2019 ta takoi përsëri

Qatip Mara
Nju Jork, 18.06.2019