TAKIMI I ETNOGRAFES FRANCEZE JACQUELINE BENEZECH ME PRËK CALIN NË VERMOSH TË KELMENDIT (TETOR 1938)

0
731

Nga Revista Drini19 Qershor 2018

«Prenk Cali erdhi drejt nesh duke zgjatur duart dhe me një fytyrë energjike dhe një buzëqeshje të mrekullueshme. Që me shikimin e parë ishte shumë simpatik. Një gjigand i vërtetë. Ishte i gjatë të paktën 2 metra. Ishte i veshur shumë pastër me kostumin e Malsisë së Madhe, një kostum me një elegancë të veçantë.

Flokët i kishte të bardha dhe mustaqet të shkurtra që spikasnin në figurën e tij të gjatë e të dobët. Natyrisht, brezi i tij ishte i zbukuruar me një revolver të madh, një tjetër me një dorezë fildishi apo prej kocke, një model si ato që mbreti u jepte atyre që do t’i shpërblejë e nderojë.

Prenk Cali ishte në Vermosh më shumë se një fisnik. Ai ishte kapedani, një titull honorifik që s’ka asnjë vlerë administrative. Le të themi se është njeriu më trim dhe prijësi natyral i këtij vendi, pas të cilit në rast lufte radhiten të gjithë njerëzit e tribusë, madje edhe tributë fqinje.

[…]

Shkuam të shëtisnim në lumë me Prenk Calin, i cili na shpjegoi linjën e kufirit mbi shpatet fqinje. Kishte një lloj krenarie, sepse pikërisht ai me disa luftëtarë të tjerë luftoi gjatë shumë viteve, që kjo copë tokë t’i kthehej Shqipërisë.

[…]

Prenk Cali ishte tepër i vëmendshëm ndaj meje, ndërkohë që Bonati vazhdonte përpara pa kthyer kokën. Në çdo përrua apo mur, Prenka kthehej pas që të më ndihmonte për ta kapërcyer. Isha e detyruar t’i buzëqeshja dhe ta falenderoja, duke ngritur kokën drejt tij sikur të shikoja nga Notre-Dame [katedralja e famshme e Parisit]. Ishte një lartësi prej 50 cm sipër meje, jo pak.

[…]

Para se të vijmë këtu, René donte të fotografonte Prenk Calin, që me pushkën e tij kishte një pamje të hatashme.

[…]

Fotografuam shtëpinë e Prenk Calit si dhe Pashkën [gruan e Prenk Calit]. Kishim përshtypjen se po bënim fotografi miqsh ose portrete familjare. Hëngrëm një darkë të mrekullueshme.»

Etnografja franceze Jacqueline Benezech nga Bordeaux (Francë) në vitin 1938 ndërmori bashkë me bashkëshortin René Benezech një mision për “Muzeun e Njeriut” në Paris (“Musée de l’Homme”), për të zbuluar jetën dhe botën shqiptare.

Dorëshkrimi sipër, i shtypur me makinë shkrimi, ishte dorëzuar në ambasadën shqiptare në Francë, por kishte mbetur aty me dekada i pabotuar. Regjimi komunist e konsideronte Prenk Calin armik të popullit.

Prenk Cali ishte prijës i Kelmendit në luftë kundër sundimit turko-osman, kundër mbretërive serbo-malazeze si dhe kundër pushtimit komunist. Ai mbrojti kufirin verior të Shqipërisë kundër ekspasionit të shtetit malazez. Prenk Cali u pushkatua në zall të Kirit nga cubat partizanë të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut.

Dokumentarin kushtuar Prek Calit mund ta shikoni këtu.

Për referencë, Historia e Dedë Gjo’ Lulit:

/kallnori.org/


Lufta kundër partizanëve, që bënë bajraktarët e Kelmendit dhe Vuklit, të ndihmuar edhe nga Prenkë Cali, shkaktoi më shumë se qindra të vrarë nga të dyja palët. Vetëm partizanë u vranë 57. Mendoj se kjo përpjekje e Prenkë Calit dhe të tjerëve rreth tij ishte një përpjekje jo e zgjuar, ku edhe ai u dënua me vdekje, në vend që të ruante statusin e tij, si një patriot i nderuar, i cili kishte dhënë kontribut të madh në ruajtjen e territorit shqiptar. Por e mbylli me një marrëzi të madhe, me turp, që i kushtoi edhe jetën… /AÇ