TAKIME, QË NA SJELLIN NË KUJTESË NOSTALGJINË E VITEVE TË SHKUARA…

0
799
Murat Gecaj, foto

Skicë:

Nga: Murat Gecaj

Secilit nga ne, i ka ndodhur ose mund t’i ndodhë që, për një arsye ose një tjetër, pra jo me qëllim të paracaktuar, të mos takohet me ndonjë të afërm, koleg a mik ose dashamirë të tij, për një kohë të gjatë. Fare mirë mund të jetosh dhe në një lagje a qytet me atë dhe ke muaj ose vite pa e parë. Kjo ndodhë, sepse njerëzit i rrëmbejnë punët dhe problemet e shumta të jetës, por dhe mund të ketë shkaqe shëndetësore e tjerë.

Kërkoj ndjesë, që u zgjata pak në hyrjen e kësaj skice të thjeshtë, të cilën mund të mos e kisha shkuar, në se nuk do ta takoja sot paradite një koleg e mik timin të kahershëm e të dashur dhe të bënim, në mbyllje të tij, një fotografi, për ta patur kujtim tjetër të paharruar, nga jeta jonë.

Pra, është fjala për takimin e përbashkët, me bashkëkrahinasin tim, Hysni Prengzi, tani me banim në kryeqytet. Megjithëse më parë u lidhëm përmes celularit dhe ai u përpoq të ma tregonte, se ku ishte pallati, në të cilin banon me bashkëshorten, edhe pse unë jam “tirons i vjetër”(ha,ha), pra kam ardhur këtu, nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), që në vitin 1952, me vështirësi e gjeta atë?! Një ndër arsyet është se, siç dihet, në Tiranë bëhen përditë ndërtime të reja. Ndërsa, në fakt, ato ndërtesa të “Almakut”, përballë “Don Boskos”, kanë vite që janë ngritur.

Nuk thonë kot, “me të pyetur e gjen edhe Stambollin”(ha,ha). Pra, më në fund, hyra në rrugicën, që të çon atje dhe nga larg pashë mikun tim, Hysniun, që më priste buzagas e duarhapur. U përqafuam me dashuri e mall. Pak minuta bisedova dhe me bashkëshorten e tij, Qederijen, e cila vite të shkuara kishte punuar në bibliotekën e qytetit “Bajram Curri”. Por ajo u largua, pasi kishte një punë të parashikuar. Pastaj, ne të dy hymë në lokalin, që ndodhet poshtë ndërtesës nr.1, të atij kompleksi banesash.

Sakaq, aty në lokal, kamarjerja na mori porosinë. Ajo më tregoi se është me origjinë nga Kolonja, pra doli “kusherirë” me mua(ha,ha), pasi andej e kam baxhanakun dhe pesë herë, në vite të ndryshme, kam qenë për kurim, në Llixhat e Leskovikut, të cilat fatkeqësisht nuk funksionojmë më!? Me makiaton time e kafen e Hysniut përpara, por dhe me nga një gotë raki, e nisëm bisedën”për shtatë palë qejfe”, sikur nuk kishte njeri tjetër aty, vetëm ne të dy…

Dikush, natyrshëm, mund të pyesë: “Cilat ishin ato biseda të këndshme, mbushur me nostalgji, që bëtë ju të dy, bashkë?” Informacionet e para i dhamë për fëmijët tanë, të cilët janë pothuajse bashkëmoshatarë dhe tani ndodhen emigrantë, një “plagë” e njohur, tashmë, pothuajse, për çdo familje shqiptare. Hysniu më tregoi se një djalë e kanë, me familjen, në Montreal të Kanadasë dhe tjetrin, në Rimini të Italisë. Ndërsa unë i thashë se djalin e madh, me familjen, e kemi në Asti të Italisë dhe të dytin, në Besançon të Francës. Ndërsa, të dy ne çifteve të prindërve, vajzat me familjet e tyre, na kanë qendruar më “besnike”, pra jetojnë në Tiranë.

Një temë e veçantë, mbushur me nostalgjinë e viteve 70-të, të shekullit të kaluar, ishte ajo e kohës, kur të dy kemi shërbyer në sektorin e kulturës, në qytetin “Bajram Curri”, pra në krahinën e vendlindjes sonë. Merret me mend, se episodet janë të shumtë. Po, ndër to, sollëm në kujtesë një udhëtim dyjavaor të Ansamblit tonë artistik “Valbona”, nëpër disa qytete të Shqipërisë, në verën e vitit 1970. Në përbërje të tij ishin rreth 60 artistë të njohur popullorë, si këngëtarë e valltarë dhe instrumentistë ose rapsodë, që nga Fatime Sokoli, Zef Avdia, Sokol Arifi, Ali Mula, Riza Zymeri, Bubë Mici, Nurie Mulosmani, Murat Alia, Shkurte Marku, Hazir Rrustemi, Deli Metaliaj, Skënder Haklaj, Shpresa Basha, Ndoc e Pjetër Ymeraj, Malush Shabani, Mustafë Uka dhe të tjerë. Ishin në mosha e profesione të ndryshme, por i bashkonte pasioni i madh për artin e pashterrshëm popullor.

Në ato pesë vite të punës sonë të përbashkët, janë organizuar mjaft veprimtari kulturore e artistike, të cilat i kemi ndjekur ose shoqëruar, si në qytetin “B.Curri”, por dhe në krahina të ndryshme të rrethit të Tropojës, si: në Dragobi e Pac, në Tropojën e vjetër dhe në Nikaj-Mërtur e kudo. Ndërsa ishin dhe punonjsit tjerë të palodhur të kulturës, Ndue Ukcama, Marash Mëhilli dhe i ndjeri Sali Doçi, të cilët tregoheshin të palodhur e profesionistë, në organizimin e çdo shfaqjeje ose veprimtarie tjetër masive.

Sigurisht, në takimin e sotëm, ne folëm për tema të ditës dhe për botimet e shumta të autorëve tropojanë, në poezi e prozë. Ndër të tjera, Hysniu më tregoi se është botuar një libër me kujtime, i cili e ka titullin, “Dikur, në Kolgecaj…”(fshati, ku ndërtua qyteti i sotëm, me emerin e “Heroit të Popullit”, Bajram Curri). Unë kisha marrë me vete e ia dhurova atij, librin tim më të ri, “Kur flasin zemrat…”(Tiranë, dhjetor 2016). Në të kam folur për rreth 65 poete e shkrimtare, artiste e veprimtare të njohura, nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, por dhe nga Kosova, Shkupi, Presheva e Ulqini, si edhe për të tjera, që janë emigrante, në shtete të Europës e deri në Amerikë e Kanada. Ndër këto femra, janë dhe me origjinë nga Malësia e Gjakovës (Tropoja):Albana Ponari, Merita Gjoni-Gjoka, Bardhe Niklekaj, Pranvera Gjoni, Arta Zeneli.dhe Gena Pjetërgjokaj.

…Ato dy orë të takimit tonë kaluan shumë shpejt, pa u kuptuar. U ndava me përzemërsi, me premtimin për t’u takuar përsëri, nga bashkëkrahinasi e bashkëpunëtori i ngushtë viteve të shkuara, në sektorin e kulturës, Hysni Prengzi, me urimin e zemrës, që ai të ketë shëndet sa më të mirë, për mbarësi, gëzime e lumturi, në familjen e tij të nderuar.

Tiranë, 18 prill 2017