Takime nën rrap – vëllim me poezi shqiptare

0
499
Kalosh Çeliku - Takime nën rrap

Në vend të parathënies

TË LEXOSH POEZI PRANË TANKEVE

Një reportazh emocional nga Shkupi

Rruga drejt Shkupit me atobusin me targë TR pati shumë ndalesa dhe kontrolle të herëpashershme. Ushtarë të veshur me të blertën laramane të luftës kërkonin pasaportat, kontrollonin bagazhet dhe donin të dinin ç’ishim…

E nesërmja do të fillonte me debatin “Poezia erotike”. Pse debat, thosha unë, mjaftë me to, por me harmonizim idesh. Folën N. Vinca, S. Bejko, N. Lako, Xh. Limani, J. Papingji, e të tjerë që s’duronin pa lexuar poezi dashurie.

Fituesit u ftuan të lexojnë prapë poezi. Qeli, 1997, kur vriteshin poetët, do të recitonte Xhevahir Spahiu. Ka filluar më herët vrasja e poetëve, do të shtonte Faruk Myrtaj. Mikrofoni gjëmonte si jehonë granatash…

Kështu na ndodhi vërtet, lexuam poezitë tona pranë tankeve në Shkup. Netët poetike të verës “Takime nën Rrap” që i organizon çdo vit Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë atje, na mblodhi tani, në vjeshtën e dytë, përshkak të luftës, natyrisht, kjo vonesë.

Autobusi me poetë u nis në mëngjes nga Tirana, duke i rënë më gjatë, jo nga Kërraba, sepse një urë s‟e mbante dot peshën (kemi kohë që ecim kështu, kudo ku s‟na mbajnë dot) dhe, ndërsa shihnim rrugën ku qe zgjëruar dhe ndrequr mirë, i vërsuleshim shoferit me lëvdata për shtetin. Gropa prapë dhe pluhur, unaza të tmerrshme qytetesh të rrëgjuar, që ngjanin me rrathët e shtrembër të Ferrit dhe shtylla me postera të grisura deputetësh a keqbërësish në kërkim. Ndoshta njëlloj janë.

Pasi lamë anash në pak mjegull pasqyrën lasgushiane të liqenit, mbërritëm në kufi. Po ajo ngrehinë e palyer e jona, mureprishur, e varfër. Ndërsa vulosnim pasaportat, u ngrit trari i kuq i postbllokut, sikur të qe zgjuar një vetëtimë e plakur, dembele. Dolëm përmatanë, te gjuha tjetër. Prisnim keqkuptime, por përkundrazi. “Poetë”, pyeti policja maqedonase, duke parë një listë emrash mbi tryezën e saj, “kaloni”, tha anglisht dhe në gjuhën e saj. Si gjithmonë Pano Taçi po bënte gallatë me taksistët shqiptarë të Maqedonisë. Ndërsa regjistronte kamerën e tij në doganë.

Rruga drejt Shkupit me autobusin me targë TR pati shumë ndalesa dhe kontrolle të herëpasherëshme. Ushtarë të veshur me të blertën laramane të luftës kërkonin pasaportat, kontrollonin bagazhet dhe donin të dinin ç‟ishim.

“Bashkë… kolektiv… poetë”, sqaronim ne me zë të lartë. Dikush tregonte dhe ftesën. Automatikët e vegjël dhe të zinj në duar të ushtarakëve sikur tërhiqeshin paksa e mua më pëlqente të mendoja se poezia, në fund të fundit, i mposht armët.

Ndalëm sa për të pirë një kafe në Strugën e liqenit, në bregun e së cilës, atje ku vendosa të haja më këmbë bukën që kisha marrë me vete, m‟u mblodhën mjellmat e bardha, mahnitëse. Zgjasnin qafat, aq shumë poetike dhe donin t‟u jepja diçka. Sqepat e artë, gjithë gu-gu-gu e kafshime të ëmbëla, më rrëmbenin copa buke e biskotash. Merrini, se një mjellmë e bukur sa ju, m‟i ka dhënë, u thosha. “Ja, ky është elektorati yt”, thirri buzagas Faruk Myrtaj, ndërsa u ndje shkrepëtima e një blici pranë.

Përsëri rrugë, male, pyje dhe vetmia jonë drithëronjëse në muzgun që po binte me shpejtësi. Asnjë makinë tjetër si në shtetrrethime. Xhevahir Spahiu një dritare më përpara, si një strateg, na i tregonte mallet hijerëndë, emrat e tyre, grykat

historike, lumin Drin, betejat, prushuritjen e Dibrës, vendet e UÇK – së. Ai e do Atdheun kudo, me atë pasion si Skraparin e tij, mërmërita. Vonë dolëm në autostradë. Kontrolle prapë, polici, armë, tanka të mbuluar me rrjeta që imitonin barin dhe natyrën si xhinda të verbëra. Gostivar. Heshtje. Tetovë. Ankth. Ku është Universiteti shqiptar? Po shtëpitë e poetëve Murat Isaku, Adylazis Islami? Në hyrje të Shkupit, ata që na prisnin, na udhëhoqën për në hotelin “Saraj”, pranë lumit Vardar dhe pyllit brenda territ maqedonas.

Kalosh Çeliku - para lidhjes së shkrimtarëveKryetari i LSHSHM -së Kalosh Çeliku përpara Shtëpisë së Lidhjes të Shkrimtarëve Shqiptar, në Shkup (1997).

Megjithëse mbërritëm shqetësueshmërisht vonë, veprimtaria pa vëllezërit nga Tirana, s‟kish si të fillonte. Kryetari i Komunës së Sarajit (ka shumë shqiptarë këtu, prandaj zgjodhëm këtë vend, për siguri, na thane), “shtroi sofrën poetike”. Nisi ora simbolike letrare. Aktori i shquar Xhevat Limani recitoi në mënyrë Shekspirane Asdrenin. Zëri i tij kushtrimtar trondiste sallën: Nuk duam gjë tjetër, nukë/ vetëm ca armë dhe ca bukë.

Recituan poetët nga të gjitha trevat poezitë e tyre, por edhe të miqve. Kishte autorë që s‟jetonin më, por edhe të ikur me UÇK – në maleve e s‟mund të merrnin dot pjesë. Grupi i këngëtarve “Okarina” nga Shkupi e emocionoi gjendjen me këngë të famshme shqiptare. Kalosh Çeliku, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve, nuk e fshihte shqetësimin e vet, endej nëpër holl dhe koridoreve edhe pas mesnatës. Do të flinte i fundit, se mos ndodh gjë. Mos bëni shëtitje të largëta porosiste, sidomos vetëm, janë patrullat.

E nesërmja do të fillonte me debatin “Poezia erotike”. Pse debat, thosha unë, mjaftë me to, por me harmonizim idesh. Folën Nuhi Vinca, Sadik Bejko, Natasha Lako, Xhevat Limani, Jorgo Papingji, e të tjerë që s‟duronin pa lexuar poezi dashurie. Pano Taçi ja futi me pornografi. Pastaj u shpërndanë nëpër shkolla. Po një shëtitje nëpër Shkup?

Patjetër, patjetër, ditën s‟ka rrezik, na thanë. Desha të shoh shtatoren e Nënë Terezës. Aktori Xhevat Limani, dashamirës si gjithmonë, i cili sapo kishte botuar dhe një libër me pozi “Pranverë dimërore”, ka të drejtë për këtë titull, na çoi me veturën e vet, herë pranë një xhamije e pastaj një kishe, bulevarde të gjëra, vitrazhe, rini. Ndalëm te memoriali, ku kishte qenë shtëpia e shenjtores tonë, Nënë Tereza. Një pllakë mes luleve në anglisht dhe maqedonisht. Po në gjuhën e saj, në shqipen e lashtë? Ishte këtu, mbi trotuar, por ia thyen germat dhe e hoqën. Menjëherë m‟u kujtua parathënia e librit tim me poezi, i porsa botuar në maqedonisht, ku poeti Ante Popovski, mes lëvdatave, shkruan një paragraf sikur shqiptarët tani janë ngritur me armë kundër gjuhës maqedonase.

Kurse te shtatorja e Nënë Terezës, e cila vinte ca e lëmuar, pa ato rrudhat e dhimbshme dhe në veshjen e saj, pa asnjë fjalë shqip përsëri, piva ujë te çezma e shenjtë. Mbi piedestal vezullonte një grumbull i vogël parash, denarë. Hudhëm dhe ne nga lekët tona të pakta. Pashë sërish fytyrën e saj të bronztë, duke u brengosur që në Tiranë ende s’ka asnjë statujë të sajën. Sa herë u kemi thënë ministrave të Kulturës që mund të vihej kudo e kudo një pllakëz memeri, ku të gdhendej shkrimi i saj në atë përshëndetjen shqip, shkruar me dorën edhe të Shenjtores tonë në ditën kur mori çmimin “Nobel” e na uronte dhe poshtë të vihej përkthimi anglisht. Pse Shqipëria zyrtare vazhdimisht e largon Nënë Terezën si një mirazh apo i trembet ballafaqimit laik me mëshirën e saj hyjnore, të pafundme? Ajo mëmërit, “duajeni njëri tjetrin” në vendin ku rrëmbejnë armët kundër njëri – tjetrit sipas porosisë së fantazmës së diktatorit.

Në mbrëmje filloi veprimtaria “Me poezi e këngë deri në agim”, e cila u çel me përurimin e revistës letrare “Stili 97”, botim i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë në Maqedoni.

Recitonin poetë e poetesha, por jo gjithmonë vargje erotike, përkundrazi, më shumë zotëroi tema e të tanishmes tronditëse, flamuri, gjuha, trualli, indentiteti, mërgimi. U duartrokitën gjatë Musa Ramadani, Xhevahir Spahiu, Lulëzim Haziri, Linda Karadaku, të cilët u vlerësuan me çmime të ndryshme, por dhe Iliriana Sulkuqi, Pano Taçi, Skënder Rusi, Zyhdi Morava, Natasha Lako, Sadik Bejko, Shazim Mehmeti, Mirela Sula, Milianov Kallupi, Skënder Temali, Entela Safeti etj. e etj. Edhe Agim Xheku recitoi fuqishëm një poezi burgu timen për një vajzë që endej pas telave me gjemba.

U lexuan dhe të munguarit Enver Hadri dhe Rexhep Bajrami, njëri në varr dhe tjetri maleve. Por ishte Qazim Shemaj ai, i dehur që shpotiste këdo, ndërhynte me zë, krijonte kundërsensin, një si shkundëllimë kundër mundësisë së banalitetit, duke shkatuar kështu gazmend ilegal, ndërsa gazetarja Rezarta Reçi mbante shënime. Kamera e televizionit vandas thithte pamje drite e sy poezish.

Juria, me kryetar Nehas Sopajn, shpalli fitues për “veprën jetësore letrare”, shkrimtarin e shquar shkupian Resul Shabani. Për të cilin dhanë vlerësime dhe kolegë të tjerë. Herë pas here krijoheshin pauza të bukura ku kantautori nga Kërçova, Ferid Abdiu, me një zë, sa melodioz, po aq edhe ëndrrimtar këndonte shqip, vetëm shqip e tingujt e organos elektrike sikur krijonin shandanë kristali e qirimbajtëse alabastri në ajër. Fituesit u ftuan të lexojnë prapë poezi. Qeli, 1997, kur vriteshin poetët, do të recitonte Xhevahir Spahiu. Ka filluar më heret vrasja e poetëve, do të shtonte Faruk Myrtaj. Mikrofoni gjëmonte si jehonë granatsh. Muzikë, vallzime, shëtitje nate nën hënën mes degëve të rrapeve, këngë të tjera, përsëri dhurime librash, autografe, urime për çmimet. Ç‟është kjo, u thosha unë organizatorëve, çmimi II, III (!?), poezia ka çmim tjetër, veç bukurisë së vetvetes. Mos i jepni më, u gjeni emra të tjerë si p.sh. Çmimi i Shkupit, i kësaj mbrëmje, i të rinjve etj.

Ke të drejtë, më përgjigjeshin. Mos u largoni shumë, dëgjoheshin porositë, jashtë janë tanket. Vërtet ne kishim lexuar poezitë tona pranë tankeve të shtetit maqdonas. I pamë në mëngjes, kur morëm rrugën e kthimit, në anë. Rrjesht i zi i metaltë, vrastar. Te kullat e çelikta ushtarë me automatikë. Dhe mbi zingjirët, nën tytat e frikshme bënë shenjë të ndalte autobusi ynë. U fut një ushtar i ri. Me drojtje kërkoi kush kishte kamera, që sapo xhiroi nga xhamat. U fut dhe një ushtar tjetër i armatosur, bjond dhe i egër. Kamera, bërtiti. Mos kishte thënë kamarad? Pastaj erdhi një i tretë, i errët dhe inatçor, u vërsul nëpër ne, rrëmoi çantat me duart si qen dhe nxorri nga kamera e Pano Taçit përtej kasetën dhe u kthye vrik duke hunguruar maqedonisht. S‟kam filmuar tanket, por poetë, u dëgjua britma pa dhëmbë e Panos së djersitur.

Të gjithë u djersitëm. Na kishin grabitur vizionet, dëshminë e pafajshme të këngëve tona dhe e kaluam kufirin pa to. Heshtnim. Më pas gjëndjen e funeraltë e shtoi edhe më kumti i Zyhdi Moravës. Ja, aty në atë rrëpinë u pushkatuan dy poetët e Librazhdit. Kthyem kokat andej dhe pamë veç natë prej dheu si ajo e syve të pushkatuar. Në kujtim të tyre le të ushtojë buria. Ndjemë klithma përbrenda. Prapë rrugë dhe natë. Të rashë pas, moj, të rashë pas, nisi të tallazitet lehtë radioja e autobusit tonë. Sa breza u rritën vetëm me këtë këngë dashurie? A s‟krijonte dot të tjera, populli im? Vetë e keni fajin, më tha një vajzë e re dhe buzëqeshi pa të keq. I pash buzët e enjtura. Me siguri ajo ishte puthur në Shkup…

Visar ZHITI
Tiranë, DITA 3 nëntor 2001


Kalosh Çeliku Kalosh Çeliku lindi më 13 shkurt 1951 në fshatin Cërvicë të Kërçovës (IRJ e Maqedonisë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Shkollën e mesme normale në Shkup, ndërsa studimet e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës (Kosovë). Çeliku shkruan poezi e prozë për fëmijë e të rritur dhe gjer më sot ka botuar rreth dyzetë libra: Zogu erdhi me një këngë – vjersha (l982), Lepuri me pushkë – tregime (l983), Shtëpiza e xixëllonjave – tregime (1984), Ferexhja e zezë – dramë (1985), Arusha pa bisht – tregime (l986), Dielli zbret malevе – novelë (l986), Varrimi i sorrave – roman (1988), Vite me borë – roman (l990), Trumbetat e Tellallit – satira (l992), Imzot, lehin qentë – drama (1993), Trimi shihet në vepër – poemë (l994), Çohuni trima shaloni lapsin – rrëfenja (1994), Sorraku i Qytetit – pjesë teatrore (1994), Kali i Trojës nëpër Bit – Pazar – satira (1994), Loja e syve – poezi (1995), Babi ka dy nuse – roman, (1995), Vjellja e zorrëve – poezi (1996), Qyteti i qyqeve – roman (1997), E përcolla Natën – poezi (1998), Mbrëmë fjeta me Vjeshtën – poezi (1999), Kopeja me zgjebe ndjek Autorin – drama (2000), Shtëpia publike – roman (2000), Si u ndava me Gruan time“ – satira (2001), Gratë e mia besnike – roman (2001), Lamtumirë bërllok – nëntë drama (2002, 2007), Me tre varre – roman (2002), Vdekja më deshi më pak se Ti – poezi (2003), Edhe Ajo nuk ishte xheloze – poezi (2004), Repriza e Vëllazërim – bashkimit – dramë (2005) , Atdheu ky burrë pa Grua – poezi (2006), Kulturofagu – antiroman (2006), Burrat i përzë me burra e Mua me gra – poezi (2007), Engjëlli im është Grua – poezi (2007), Dimri, s’vjen me lule – 5 poema (2007), Ujku e di një lojë – poezi (2007), Kur bërtet “ vojvoda “ e pjell Kurvë Partia – satira (2008), Dac Poeti i shkruan poezi Mamit – poemë humoristike (2008), Ehu – poezi (2008), Gruaja besnike – roman, (2009), Djemnusha, roman (210), Xhadia, publicistikë letrare (2011), Cuca Boheme u jep gji poezive të mia – poezi (përzgjedhje në gjuhën gjermane (2012), Plaga e dhjetë e Babait – roman (2012), Rrufjani – publicistikë letrare(2012) Qengji më tha: ha bar – roman (2013), Plaga e dhjetë me Hënën – poezi (përzgjedhje në gjuhën greke (2013), Gruaverë – poezi, përzgjedhje (2013), Imzot, lehin qentë – dhjetë drama (2013), I fshehur pas Hënës – poezi (përzgjedhje në gjuhëm rumune, 2014), Lavdi heronjëve të Xhadisë – publicistikë letrare (2014), Zonjën Vdekje do ta marr për grua – poezi (2015), Dudumi gërhet për Liri – dramë (2016, 2018), PYKË Shelgu – publicistikë letrare (2019), “Kali Shemës” pas porte, publicistikë letrare (2019), Rrugacja – lirika të cmendura letrere (2019), Koronavirusi (poezi, 2020) Gratë e mia besnike (Libër me tre romane, 2020). etj.

Që nga viti 1992 ai drejton Shtëpinë Gazetare – Botuese ASDRENI, në Shkup dhe është kryeredaktor i të vetmes revistë për humor dhe satirë ZEKTHI, që del kur t’i teket në IRJ të Maqedonisë. Dhe, që nga viti (2009) mbarëkombëtarë. Është fitues i disa çmimeve të konkurseve letrare në poezi, tregime dhe pjesë teatrore. Njëherit, edhe i çmimeve letrare: PERENDESHË E BUKURISË, Klubi i Shkrimtarëve “Bota e Re” – Korçë, në Netët e Poezisë Korçare (2003), në Korçë , Shqipëri, Çmimin AS për letërsi në Kërçovë, IRJ e Maqedonisë (2007), “SYRI I KALTËR“, në Sarandë, Shqipëri (2007), “FLAKADANI I KARADAKUT“, Kuvendi i Komunës Viti, Kosovë (2008) dhe “ SEREMBE “, Klubi i Artistëve të Laçit, Shqipëri (2008), “JEHONA E KARADKUT” (2010), në Kumanovë, “SKAMPINI” në Festivalin Ballkanik të Poezisë, në Elbasan, Kurora e poezisë “KORÇA 2012), në Korçë, Çmimin e parë për poezi të vitit (2014) “PAVARËSIA” e Kosovës nga Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptar, në Prishtinë, METAFORA II (2014) nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, Medaljen e artë “Aleksandri i Madh” (2015) nga Shoqata Kulturore e Salaminës KAFENEJA E IDEVE, Çmimin UNESKO (Greqi) etj. etj.

Krijimtaria e tij letrare është përkthyer në disa gjuhë:

bullgare, gjermane, turke, rumune, etj. Që nga viti 1997 është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë në IRJ të Maqedonisë. Dhe, themelues i disa manifestimeve kulturore tradicionale ndërkombëtarë: Ditët e Naimit, në Tetovë, Takime nën Rrap , në Shkup (poezi erotike) dhe i Ditëve të humorit dhe satirës: XHA DERALLA, në Kërçovë. Poashtu është edhe themelues dhe kryeredaktor i revistës letrare STILI 97, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptar në IRJ të Maqedonisë.

Çeliku gjer më vitin 1995 punoi si mësues i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Drenicë të Kosovës dhe Malësinë e Shkupit. Vitet e fundit punon dhe jeton në Shkup, tashmë në profesionin e lirë të shkrimtarit.

Unë jam Ujk. Dhe,
dua plagë

Grua, natën e mirë! Ika.
Pasmesnate, më pret një Grua tjetër:
Poezia. Dhe, është xheloze.
Nëntë burra nuk mund ta bëjnë zap
Natën.Vetëm Unë ia jap hakun.
Grua, natën e mirë! Ika
Falemnderit. Që, nuk je xheloze.

Grua, mirëmëngjes. Erdha
Unë jam Ujk. Dhe, dua plagë!
Edhe, Ajo nuk ishte xheloze.

I dëbova armiqtë rreth Meje. Edhe Miken
Vetëm Poezinë nuk mund ta përzë. Nuk ikë.
Është, Grua besnike. E do burrin…

[ Shkarko vëllimin me poezi nga pooetë shqiptarë në PDF ]