TAKIM, NË NJË “UJËVARË MALLI”…

0
652

Skicë:

Nga: Murat Gecaj

1.
Jorrallë, kemi dëgjuar ose lexuar të flitet për “ujëvara mali”, me ato bukuritë e tyre karakteristike. Pra, menjeherë, mendja e përfytyrimi ynë na shkon te një bjeshkë apo mal i lartë, nga i cili zbret me vërtik uji i kaltër e i ftoftë dhe, duke shkumbëzuar, formon poshtë tij një pellg të bukur…

Nuk e di, se sa e si e kanë përjetuar këtë ndjenjë, miqtë e mi bashkëstudentë, Berti, Liria e Xhafa, sot në mëngjes, aty në lokalin e njohur “1 Maji” të kryeqytetit. Ndërsa unë, ndoshta, kisha të drejtë ta çoja kujtesën, pikërisht në këtë gjë. Aryeja e pare, është se kam lindur e kam kaluar fëmijërinë rrëzë Alpeve kreshnike të Shqipërisë, duke patur përballë majën e lartë e hijerëndë të Shkëlzenit dhe të bjeshkëve tjera, të atyre anëve.

Së dyti, jo vetëm unë, por dhe ata të tre, kishim përpara librin e ri me poezi “Ujëvarë malli”, me autor mikun e paharruar të viteve studentore, në Fakultetin Histori Filologji të Universitetit të Tiranës, romancierin e talentuar, Jani Dh. Plasa, i cili ka vite që jeton në Nju Jork të SHBA-ve. Para pak ditëve, ai u rikthye në vendlindje e në Tiranë, e na la kujtim këtë dhuratë të bukur, për të cilën e urojmë dhe e falënderojmë, përzemërsisht! Po riprodhoj këtu vetëm një strofë, nga poezia ”Miqëve”: “Si një diell rrezeartë,/miqësia jonë e sinqertë na ngrohë,/ me rrezet e hareshme, na sjell dhe përcjell,/dashurinë dhe mallin tonë të zjarrtë!…”

Ballinat e librit me poezi, “Ujëvarë malli”, nga Jani Dh. Plasa (Nju Jork)…

2.
Është e kuptueshme, për secilin lexues, se ndërmjet këtyre dy togfjalëshave, pra “ujëvarë mali” e “ujëvarë malli” ka një dallim. Por, njëkohësisht, nga ana figurative, ato afrohen shumë me njëri-tjetrin.

Ndoshta, u zgjata paksa, në hyrjen e kësaj skice modeste. Por desha të bënvizoj se, megjithëse sot ne ishim vetëm katër bashkëstudentë, në atë takim të afër 54 viteve, që nga diplomimi ynë, në shkollën e lartë, për gjuhë e letërsi shqipe, “të pranishëm” ishin tërë studentët tjerë të grupit tonë, të asaj periudhe dhe e ndanë tërë “mallin” e tyre, me ne!

Kështu, krahas bisedave tona plot emocione dhe me mbresa nga e kaluara, por dhe të këndshme e interesimeve për familjet, për fëmijët dhe nipat e mbesat tona, një pjesë e madhe e të cilëve jetojnë në emgracion, përmendëm me nderim e dashuri: Josif Kolën e ndjerë, me bashkëshorte Antigonën dhe Jani Plasën, Eleni Kotomelën, Enriko Pemën e Kiço Shollën, nga Korça; Liri Sotën, nga Fieri; Fatbardha Osmanlliun e Athina Miçon, nga Tirana dhe gjithë të tjerët.

Bashkëbiseduesve të mi, u rikujtova dhe librin, “Filologë që nuk harrohen…”(Tiranë,2002). Aty kam shkruar, me nderim e respekt të veçantë, për të gjithë pedagogët tanë të atyre viteve, në fillimet e Universitetit të Tiranës, i pari në Shqipëri. Tani po tregoj këtu se, jo shumë ditë më parë, në një veprimtari kushtuar arsimtarit veteran dhe veprimtarit të shquar për çështjen tonë mbarëkombëtare, Ibrahim Gashi, në mjediset e Akademisë së Shkencave, pata kënaqësinë të takoja dhe të përshëndesja, pedagogun e lëndës së dialektologjisë, prof.Jorgji Gjinari, të cilin e kam patur udhëheqës të diplomës, me temë të folmen e vendlindjes, pra Malësi e Gjakovës (Tropojë).

Po, secili nga ne, ish-studentët e atyre viteve, nderojmë e kujtojmë tërë ata pedagogë tanë, aq të ditur e të aftë në fushat e tyre, shumica e të cilëve janë ndarë përgjihnjë nga jeta, si Akademikët e profesorët: Eqrem Çabej, Aleks Buda, Androkli Kostallari, Shaban Demiraj, Bedri Dedja, Stefanaq Pollo, Mahir Domi, Myzafer Xhaxhiu, Skënder Luarasi, Dhimitër Shuteriqi, Zija Xholi, Bujar Hoxha, Zihni Sako dhe gjithë të tjerët.

…Takimi ynë, “për kafe”, zgjati afër dy orë dhe, në kujtim të tij, bëmë fotografi, njërën nga të cilat po ia bashkëngjes kësaj skice modeste. Vetëm nuk e lamë të përfunduar, plotësisht, takimin tonë. Tjetri në radhë, ndoshta, me një rreth më të gjerë, do të jetë në baçen, plot aromë lulesh e hijeshi, të mikpritësit tiranas, Xhafës sonë. Prandaj, atë “e paralajmëruam” (ha,ha) që, si përherë, t’i gjejmë të gatshme, jo vetëm kafet turke ose ekspres e biskotat, por dhe gotat e rakisë, që ai e mban në një vend të posaçëm, për miq e vizitorë. Pra, mirë se të gjejmë, miku ynë i përbashkët, Xhavit Mëzezi!

Tiranë, 8 qershor 2017