«Një lot mermeri ndalet në faqen e tempullit»
(Rabindranath Tagore)
Jemi në gjysmën e parë të shek. XVIII, pak kohë para se të arrinte në Indi ekspansioni kolonial anglez. Në një nga faqet e historisë indiane, shënohet tashmë me lavdi, edhe familja perandorake Mughal. Një histori tepër e dhimbshme dhe mallëngjyese. Bëhet fjalë për një varr, monument pothuajse i paarritshëm nga duart e njeriut, i ndërtuar për dashuri të një gruaje.
E, nëse gjendet një ndërtesë që përfaqëson një komb, siç është kulla Eifel në Francë, Sydnei Opera House për Australinë, ashtu edhe Taj Mahal (shqiptohet Taxh Mahal) është për Indinë.
Ky monument i famshëm qe ndërtuar nga perandori Shah Jahan në përkujtim të gruas së tij Mumtaz Mahal, e preferuara e tij. Përshkruhej si monumenti më ekstravagant i ndërtuar për dashuri, sepse perandori e ka zemrën të copëtuar, kur Mumtaz, të cilën e ka marrë për grua në moshë 17˗vjeçare, vdes në mundimet e lindjes së fëmijës së katërmbëdhjetë, në vitin 1631.
Ndërtimi i Taj Mahal ka filluar në të njëjtin vit, porse nuk ishte përfunduar gjer në vitin 1653. Punëtorët i ka marrë jo vetëm nga India, por edhe nga Azia Qendrore. Shuma e punëtorëve që kanë marrë pjesë në lartësimin e ndërtesës ka arritur në 20 000 veta.
Ekspertët që kanë dorë në dekorimet e veprës, janë:
francezi Austin nga Bordeaux dhe italiani Veroneo nga Venecia. Për Arkitektin kryesor mendohet se ishte Isa Khan që vinte nga Shiraz i Iranit, por për origjinën e tij ka hipoteza e legjenda të ndryshme.
Një gojëdhënë që nuk ka burime të sigurta historike është edhe fakti se perandori, që të mos bënin më vepra kaq madhështore, urdhëroi t’u priten duart mjeshtrave dhe arkitektit që ndërtuan Taj Mahal, në mënyrë që kjo e fundit të ishte e papërsëritshme.
Thonë se Shah Jahan, ka menduar të bëj një Taj të dytë për varrin e tij, me mermer të zi, si imazh negativ i asaj të së bardhës, që është e Mumtaz Mahal˗it. Përpara se të bënte një gjë të tillë e ka larguar nga oborri i biri Aurangzeb. Tepricën e jetës së tij, Shah Jahan e ka kaluar i burgour në Agra Fort, duke shikuar drejt lumit varrin si pjesë e fundit e së shoqes.
Mermeri me të cilin është punuar ndërtesa, është i tillë saqë i ndryshon nuancat e ngjyrave sipas dritës që merr. Në lindje të diellit Taj është magjepsës. Pjesa qendrore e tij është në Perëndim.
Udha që të shpie tek dera e Taj përshkohet nga një rrjedhje uji nga ku Taj shkëlqen për mrekulli. Pastaj është kopshti ornamental, i cili në pranverë zbukuron me ngjyrat e ndryshme. Në pjesën perëndimore gjendet një muze i vogël ku janë pikturat origjinale të Taj e gjëra të tjera.
Taj Mahal është lartësuar mbi mermer, në platformë të Veriut të kopshtit. Të lartë, të kulluar e të dekoruar, minaret e bardha madhështore gjenden në skajet e platforms për të treguar se Taj Mahal nuk është një xhami e nuk fton asnjë njeri për t’u lutur aty. Struktura qendrore e Taj ka rrethuar me katër kupola të vogla ndërtesën e madhe. Varret e Taj Mahal e të Shën Jahaj gjenden në dhomën nëntokësore. Drita hyn në dhomat qendrore nëpërmjet disa prerjeve të bukura të mermerit. Pamja e Taj Mahal është një imazh që të ngazëllen shpirtin, qoftë për nga delikatesa e punimeve, qoftë nga ideja e lartë për të cilën është ndërtuar.
Ky është përshkrimi i shkurtër i njërës prej shtatë mrekullive të botës, i një varri të bukur në Indi, Varr˗Tempull i Amshuar Dashurie…
Ja pse Pali Apostull, thotë: “Dashuria nuk mbaron kurrë… […]. Kërkoni të fitoni dashurinë!”. (1 Kor. 13, 8; 14, 1). Kush ka dashurinë edhe veprat e tij mbesin për amshim.
Përgatiti: Nikolin Sh. Lëmezhi