Ta urresh vendin tënd si shqiptarët!

0
454

Nga Ben Andoni

Siç ndodh rëndom në të gjitha vendet e vogla, ku banorët mundohen të identifikojnë sa më shumë gjëra universale të lidhura me vendin e tyre, edhe shqiptarët nuk bëjnë përjashtim. Ata mëtojnë se janë të vjetër. Në himnin e tyre është e përcaktuar se të gjitha kombet mund të shuhen por vetëm ata janë të zgjedhurit specialë të Zotit. Ata kanë origjinë mitike me këtë apo me këtë figurë dhe mundohen të veshin me legjenda gjithçka. Ky fenomen në kohë të ndryshme ka shtresëzime të ndryshme, varësisht nivelit por edhe kohës ku jetohet. Qysh në krye të herës, Shqipëria konsiderohej si një vend i vjetër nga banorët e vet, më i lashti në botë, atë që sot e kësaj dite shqiptarët, sidomos ata me nivel kulturor të mesëm dhe poshtë e kanë si moto identiteti. Në frymë të kësaj mohohet gjithçka, që s’ka lidhje me shqiptarët, zbehet ai fill që lidhet me fqinjët dhe shqiptarët mbeten qendër e botës.

Shqiptarët e vazhduan këtë ndjesi deri në Luftërat e Mëdha Botërore, por përballja e tyre me Luftën e Dytë do jetë shumë zhgënjyese. Shqiptarët dhe mbreti i tyre jo vetëm e shitën vendin e tyre, por në masë bashkëpunuan me okupatorin. Në Kosovë, atëherë strukturë organike e Shqipërisë, ata ishin pjesë e formacioneve SS kundër shqiptarëve dhe serbëve, pa morën pjesë kundër hebrenjve, ashtu si treguan një nivel të dobët atdhedashurie me lëvizjet e tyre. Janë reale citimet që bëjnë komandantët gjermanë asokohe. Ata kanë vlerësimet më të pakta për këto njësi, por nga ana tjetër edhe për çdo gjë të shqiptarëvet. Në materialin e Ëehrmacht-it ka akuza direkte për administratën shqiptare, që tregohet hileqare por edhe që qëndron në dy karrige. Konjuktura e tyre u duket e pështirë, por edhe aspak me sens në ato rrethana politike. Paradoksalisht, në kujtesa dhe shkrime të këtyre personazheve, ata na hiqen si personazhe të pastra e kështu me radhë.

Por më i dhimbshëm është vështrimi përçmues në kohë për Shqipërinë, deri në ofendim nga vetë shqiptarët. Duket se Shqipëria urrehet më shumë nga vetë bijtë e saj. Princ Vidi dikur në përpjekjen e tij të madhe për sheshimin e mosmarrëveshjeve të shqiptarëve do të shprehej se vendi do të shpëtonte nëse vendi do të hiqte qafe dy njerëz: Ismail Qemalin dhe Esat Pashë Toptanin. Të mendosh ishin njerëzit kryesorë në vend.

Në kohën e Luftës së Dytë Botërore personazhet anti-patriotë u shtuan, por sërish jo pak nga shqiptarët mendonin se çështja e pushtuesve ishte e zakonshme, kurse problemi i brendshëm ishte ai që duhej të zgjidhej. Kaq e rrënjosur është kjo saqë edhe ndaj sot e kësaj dite ne vuajmë pa fund mosmarrëveshje të pakuptimta mes vete.

Në Shqipëri ka një garë në art sesi të tregohet më atraktiv vendi për të huajt, duke e nxirë atë, ashtu si në kinematografi për ta paraqitur vendin si të errët dhe grotesk në mënyrë që të pëlqehet nga të huajt.

Të gjithë shqiptarët duken në garë në këto ditë të fundit kur Shqipëria është në finish të hapjes së negociatave për t’u anëtarësuar se kush do t’ia bëjë vendit rrugën më të vështirë. Ofendon pozita dhe përdor një retorikë ofenduese por nuk i lë asgjë opozita që po nxjerr themelet dhe po shan me çfarë të mundet sensin e Shqipërisë për drogën dhe krimin.

Dhe, nuk mbaron këtu. Ka një kënaqësi gati perverse kur ndonjë organ i huaj shkruan se në Shqipëri është zbuluar aksh sasi drogë. Po a mundet që një pjesë e Shqipërisë të përfitojë dhe një tjetër jo?! Jo kjo është e pamundur ashtu si është e pacipë ta shesësh vendin tënd, në formën që bëhet tek ne.

Shqipëria i ka mbijetuar regjimeve ekonomiko- sociale të ndryshme, i ka shpëtuar asimilimit të huaj, por duket se do e ketë më të vështirë me politikanët e saj, që po e shfarosin nga shqiptarët e saj. Të dhënat thonë se pas pak dekadash do ekzistojnë vetëm një milion shqiptarë! Duket se të gjithë duan të ikin dhe e urrejnë vendin, që do të jetojë edhe pas shuarjes së kombeve. Ka një ngutje për shqiptarët të hidhen kundër shqiptarëve, qoftë dhe pa ngacmimin e dorës së huaj si na pëlqen ta quajmë. Një gjë dihet qartë dhe është konstatuar me kohë. Armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve janë vetë shqiptarët, thoshte Faik Konica. Ai, njeriu, që e kishte shprehur këtë citat të jashtëzakonshëm ishte po vetë personazhi që nuk la gjë pa artikuluar kundër bashkatdhetarëve të vet, duke flirtuar me Mbretin që e urrente dhe ata që e hodhën atë, duke ofenduar, por edhe shfaqur cinizmin e vet. Jo s’ka përjashtim, në çdo kohë, Armiqtë e Shqiptarëve jemi vetë ne, shqiptarët! (Homo Albanicus)