TA SHIKOSH VETËN NË PASQYRE?!

1
1123
Demarkacioni Kosovë - Mal i Zi

Koment:

Në deklaratën e datës 29.07.2016, dhënë për RTK, nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri ka paralajmëruar zyrtarët e lartë të partive në pushtet, se nëse Kosova nuk do e votojë versionin e Isa Mustafës për demarkacionin me Malin e Zi, punët do t’i kemi shumë keq?!

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Jo Lutë, aspak nuk e ke mirë?! Kosovën po e mbyt krimi politik dhe ai ekonomik, korrupsioni tepër i lart, nepotizmi e analfabetizmi, dhe sidomos hallkat e sistemit të plogësht ligjor, që nuk janë kurrkund në të. Pastaj demokratizimi dhe reformimi i brendshëm i partive politike, duke mos e përjashtuar as LDK-në, janë disa nga faktorët kyç në shtyrjen e agjendave politike për integrime euroatlantike të Kosovës, por jo revolta e papërmbajtur dhe as kundërshtimet e pa kontrolluara të opozitës, madje hiç më pak mendimet ndryshe brenda LDK-së, sikurse as qëndrimet e hapura të dy Degëve të LDK-së në Diasporë, nuk i shtyjnë agjendat dhe as nuk e pengojnë liberalizimin e vizave për Kosovën.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, njihet në opinion edhe si ndrikulla e Isa Mustafës, të cilin në Kuvendin e VIII-të zgjedhor që është mbajtur në Prishtinë, vet ai e ka propozuar për kryetar të LDK-së, duke e shantazhuar fillimisht Vjosa Osmanin, kundër së cilës edhe ai ka pasur rol kryesor për t’ia pamundësuar kandidimin për kryetare të LDK-së, gjë që deri në momentin e fundit Lutfi Haziri vet e luante rolin e kundër kandidatit sa për t’i mashtruar delegatët e LDK-së të cilët si asnjëherë më parë kanë pritur zgjedhje të lira, me vota të fshehta dhe me më shumë kandidat.

Pra shkelja e kodit zgjedhor dhe lëndimi i demokracisë brenda LDK-së, e ka adresën e saktë dhe protagonistin me emër e mbiemër që quhet Lutfi Haziri. Ai pashmangshëm ka rol vendimtar në të gjitha devijimin e kursit politik brenda LDK-së dhe orientimin e agjendave politike të Kosovës drejt lindjes. Dëshmi të këtij pohimi janë fotografitë e Lutfi Hazirit në të cilat ai ngreh gishtin lart për ALLAH, shenjë kjo e cila simbolizon islamizëm radikal, e deri tek shkuarja e tij në haxh, apo edhe falja e namazit në xhamitë e qytetit pa e lidhur si duhet “uçkurin” e pantallonave, duke ua krijuar rastin paparacëve të fascinuar në të pasmeve, qofshin këto të pasme edhe politike, por një politikan i tillë me “uçkurin – rripin e pantallonave”, nëpër këmbë nuk duhej lejuar as me u falur në tempullin e fesë, aq më pak të shtirej se respekton xhamin?! Janë këto disa elemente që ndikojnë në fatin Euroatlantik të Kosovës, por jo këmbëngulja e tij dhe e Isa Mustafës për demarkacionin i cili ruana zot nëse kalon edhe me votim në parlament, për falje të territoreve të Kosovës?!

Të gjithë kemi pritur se një ditë Lutfi Haziri do t’i kthehet arsyes së shëndosh, e pas skandaleve që ia solli LDK-së, do të bëjë një politikë më racionale, fillimisht duke hapur dialogun e brendshëm partiak për të pashitur konfliktin e sajuar artificialisht në mes Qendrës në Prishtinë dhe dy Degëve të LDK-së në Diasporë. Askush nuk ka besuar se Lutfi Haziri, do të pranojë për t’i lënë delegatët e Diasporës të përjashtuar nga procesi i brendshëm politik në LDK?! Jo për gjë tjetër, por për hatër të Zotit, për hatër të prindërve që i kanë jetuar edhe atij në Zvicër, të cilët vazhdimisht i kanë dërguar para të majme nga pensionet e tyre të varfra, djalit të tyre politikan mjaftë i pasur në Kosovë?! E kjo për ironi të zotit është e shënuar zyrtarisht dhe kështu është pranuar edhe si dëshmi në formularët për deklarim të pasurisë në AKK.

Lutfi Haziri, apo më ndryshe ndrikulla e Isa Mustafës brenda LDK-së është edhe ndrikulla për koalicionin e tanishëm qeverisës.
Por Lutfi Haziri në Kuvendin e VIII të partisë i garantoi delegatët, se agjenda e Kosovës shtyhet përpara vetëm me një kandidat që vinte nga e kaluara komuniste siç është Isa Mustafa, i cili nuk njeh as fe e as atdhe, por dihet se në LDK ka ardhur në mënyrë klandestine, dhe me të drejtë dyshohet se ka pasur përkrahjen e SHIK-ut të Kadri Veselit, për ta marrë kalanë nga brenda, apo për t’ia futur LDK-së kancerin përbrenda?!

Zhvillimet e mëtutjeshme politike, ngecjet në stabilitetin ekonomik dhe diplomatik kanë bërë që qytetari i Kosovës të kuptoj për lojën e Lutfi Hazirit kur e ka propozuar Isa Mustafën për kryetar të LDK-së, kurse shtetet mike të Kosovës janë shokuar me deklarimet e Lutfi Hazirit, veçmas me ato që kanë të bëjnë me zhvillimet politike brenda vet LDK-së, reforma këto nuk kanë gjë të përbashkët me demokracinë dhe me votën e lirë. Edhe ai e din fort mirë se sa është lënduar procesi zgjedhor nëpër Degët e LDK-së në Kosovë dhe e din se shumica e kryetarëve të degëve janë zgjedhur me votim të hapur dhe pa kundër kandidat, ndonëse edhe Lutfi Haziri, në cilësinë e nënkryetarit të LDK-së, thekson për respektimin e ligjit, kushtetutshmërisë, madje ai garanton edhe dialog por edhe votim të lirë.

Lutfi Haziri ka bërë thirrje për dialog me opozitën të cilën e sugjeron për zgjidhje të problemeve në Kuvendin e Kosovës. Në anën tjetër në cilësinë e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri bart tërë përgjegjësinë politike për anulimin e zgjedhjeve në Degët e LDK-së në Zvicër dhe Gjermani, po më shumë Luta ka përgjegjësi për refuzimin e dialogut të brendshëm partiak dhe për takime selektive që i bënë vetë ai.

Po ashtu është Lutfi Haziri, ai që ka votuar kundër Diasporës në proceset e brendshme demokratike në LDK. Është Lutfi Haziri me standarde të dyfishta që fliste për shembullin e demokracisë kur u zgjodh Isa Mustafa me vota të hapura dhe pa kundër kandidat, i rrethuar me forca të shtuara policore, madje duke i larguar të gjitha mediat nga salla ku mbahej kuvendi. Është Lutfi Haziri, vet projektuesi i skenarit për t’i lënë jashtë delegatët nga diaspora që ishin familjarë të dëshmorëve dhe heronjve të Kosovës, prandaj deklaratat e tij në RTK nuk duhet me i besuar, pasi janë koncepte të manipulueshme që i bëjnë politikanët pa principe dhe me standarde të dyfishta.

Pra është ky Lutfi Haziri i cili nuk ka pranuar kontakte e as dialog me përfaqësuesit e Degëve të LDK-së në Zvicër dhe Gjermani por tani duhet shikuar si do të mbahen ato zgjedhje, për të cilat qysh në fillim tregojnë standardin e dyfishtë që e praktikon LDK-ja, kurse apeli i tij për dialog është metodologji e shefit të tij Isa Mustafa, i cili ndryshe premton, ndryshe mendon dhe krejt ndryshe vepron. Por Lutës nuk i ka hije që pa u skuqur fare tu bëjë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për të votuar versionin e Isa Mustafës për Demarkacionin me Malin e Zi, madje pa u shqyrtuar si duhet dokumentet, kurse pas debatit publik groteska e këtij mendimi e qon LDK-në në humnerë, me këtë mentalitet nënshtrues se qenka më me prioritet tkurrja e Atdheut se sa shtyrja e agjendave për Kosovën?!

Kështu ka pasur thirrje a presion mbi deputetët, sidomos ndaj këtyre nga radhët e LDK-së, për ta votuar ish shefin e SHIK-ut, Kadri Veselin për Kryetar të Kuvendit të Kosovës dhe për ta votuar edhe Hashim Thaçin, për president të Republikës së Kosovës, të cilët bashkë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës përbëjnë TROJKËN famëkeqe të Kosovës, e cila i ka stagnuar të gjitha proceset duke i ndalur në vendnumërim edhe agjendat pozitive për Kosovën.

Lutfi Haziri, ashtu sikurse shefi i tij Isa Mustafa, fajtorin kujdestar e kanë gjetur tek opozita, ndërsa në planin e brendshëm partiak i bëjnë fajtor dy – tre zëra që kanë mendim ndryshe, një ekspert për demarkacionin dhe dy kryetar Degësh në Diasporë të cilët hapur janë kundër degradimit të vlerave demokratike që Lutfi Haziri bashkë me Isa Mustafën, dhe një klan përreth tyre po ia bëjnë LDK-së dhe Kosovës.

Vet fakti që Lutfi Haziri e ka propozuar Isa Mustafën për të parin e LDK-së, nënkuptohet se ai paska qen edhe ndrikulla në mes Isa Mustafës dhe Kadri Veselit për ta bërë lëmsh Kosovën dhe për t’i stagnuar të gjitha agjendat për perspektivën e integrimeve evropiane, për liberalizimin e vizave dhe për shtyrjen e themelimit të Gjykatës Speciale, prandaj po të kishte vetëm një grimcë përgjegjësi politike do të duhej elektoratit të LDK-së dhe qytetarëve të Kosovës t’iu kërkonte falje dhe pse jo edhe të jepte dorëheqje për të gjitha dëmet që ia ka shkaktuar Kosovës, jo vetëm Luta por të gjithë komplotistët e stacionuar në krye të LDK-së duhet të shkojnë pa hezitim.

Lutfi Haziri, është i njohur për intrigat e tij politike në dëmë të proceseve demokratike që zhvillohen në Kosovë, veçmas atyre brenda vet LDK-së, prandaj deklarata e tij më datën 29 korrik 2016, për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ku paralajmëronte skenarë të dëmshëm për Kosovën po që se klasa politike nuk arrin unitet rreth vijëzimit, përkatësisht demarkacionit kufitar me Malin e Zi, duke i shkelur mendimet dhe interesat qytetare, përputhen me agjendat e tij në dëme të LDK-së.

Mbllaçitjet e mëtutjeshme se keqësohet gjendja pasi zhvillimet në shtetet përreth, do të ndikojnë tek faktori ndërkombëtar të mos e ketë fokusin e mëparshëm për vendim tonë, e rrjedhimisht Kosova rrezikon të humbë një rast jashtëzakonisht të rëndësishëm për të ecur para në proceset integruese, janë vetëm deklarata me standarde të dyfishta që jemi mësuar t’i dëgjojmë nga ai, pasi Amerika dhe vendet e Bashkimit Evropian e dinë kontributin e tij për t’ia zgjedhur Kosovës, TROJKËN ma famëkeqe politike, siç janë Presidenti, Kryeparlamentari dhe Kryeministri, për të cilët jo vetëm thuhet se kanë akuza të rënda politike dhe ekonomike, por për çdo ditë po jepen emisione televizive për “vjedhje në kohë luftës i-II” dhe po iu publikohen edhe përgjimet telefonike, për të cilat raste kryesia e LDK-së është dashur të mblidhet urgjentisht dhe ta spastroj veten nga këto implikime dhe të distancohet edhe nga standardet e dyfishta.

E loja politike dhe standardet e dyfishta të Lutfi Hazirit po vazhdojnë, me gjoja se zhvillimet politike përreth nesh duhet ta vetëdijesojnë elitën politike për të votuar kuturu, e bëjnë atë edhe më qesharak, sidomos kur tregon se “gjenerata të tëra kanë luftuar dhe kanë punuar për këtë ditë të cilën ne mendojmë se duhet me ardhur”, ka thënë pos tjerash Lutfi Haziri. Por ne e dimë se Lutfi Hazirit nuk i ha palla për asgjë, pasi ai deri më tani nuk paska dëgjuar se faktori ndërkombëtar vazhdimisht ka apeluar për reforma të shumta dhe të gjithanshme, qofshin ato në sistemin e brendshëm politik, në administratën shtetërore, në funksionimin e shtetit ligjor dhe në avancimin modern të shkencës dhe zhvillimeve të shumta sociokulturore.

Të shohim se si gjatë shtatorit të sivjetmë Luta, bashkë me Kryesinë Qendrore dhe Isa Mustafën, do të arrijnë me përmbyllur një problem të sajuar nga Isa Mustafa, me dy degët më të mëdha të LDK-së në Diasporë, për të cilat kanë lëshuar vendime me standarde të dyfishta për të eliminuar personalitetet që atyre nuk u përkulen. Jo dikush tjetër, por vet Lutfi Haziri, si nënkryetar i LDK-së duhet të na dëshmojë se si bëhet dialogu i brendshëm partiak, sepse me dy tre zëra që kanë mendim kundër dhe me ekspertin për demarkacion e kanë kënaqur, por të shohim agjendën e Lutfi Hazirit për zgjedhjet në dy degët e LDK-së në Diasporë?! Po ashtu do të shohim se si do të ndikojë ai edhe në reformimin e partisë për t’i hequr nga kreu i saj mendjet e varfra dhe mentalitetin provincial. Të shohim se si Luta i ndal shtyrjet me bërryla, dhe si do t’i nis reformat e gjithanshme dhe gjithë përfshirëse në Komunën e Gjilanit e cila thuhet se është ngulfatur nga nepotizmi dhe është përmbytur nga servilizmi i tepruar edhe në Degën e LDK-së në Gjilan, ku ai është Luta kryetar i saj.

Nëse këto gjëra do t’i realizon Lutfi Haziri, unë e garantoj se do të ketë rikthim të fuqishëm të faktorit ndërkombëtar, por të mos pres nga të tjerët dhe ndërkombëtaret që të bëjnë ma shumë për Kosovën, në kohën kur vet sillet si Monark e Kosova po pëson goditje të shpeshta politike!…

St. Gallen, 01.08.2016.

1 KOMENT

  1. O shefqet turqelia, o shefqet Rusofilli,

    Pse po shkruan TROJKA E JO SHQIP TRESHJA

    me ke deshprue… kam mendje qe je SHQIPTAR, sepse SHQIPTARI NUK FOL RUSISHT KUUUUUURRRRRRRRRRRRRRRRRR

Komentet janë mbyllur.