TA NJOHIM MË MIRË SHKRIMTAREN E TALENTUAR ELHAME GJYREVCI

0
1898

Dashurinë, buzëqeshjen, gëzimin, nuk mundet kurrë për jetë të ma vjedhë njeri!
( Elhame Gjyrevci )

Elhame Gjyrevci u lind në fshatin Vragoli të Fushë-Kosovës, më 20 janar 1960. Duke qenë lexuese e pasionuar, Elhamja vazhdimisht që nga bankat e shkollës fillore merret edhe me shkrime, sidomos me shkrim të vargjeve.

Më 1991, bashkë me bashkëshortin dhe fëmijët (ka katër fëmijë) u shtrëngua që të marrë rrugën e mërgimit dhe të vendoset në Danimarkë, ku jeton dhe vepron edhe sot. Është anëtare e Shoqatës dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementin XI Albani” të Suedisë.

Më 2012 është përfshirë në antologjinë poetike “Kolorit poetik”. Më 2013 botoi librin me poezi “ Fjala e mirë”, kurse më 2014 botoi roomanin për fëmijë dhe të rinj “Kokomilo”.

Viti 2016 Elhamen e gjen tejet të përgatitur, kur boton librin poetik shqip dhe rumanisht “Pafajësia”. Më 2016, po ashtu botoi edhe romanin tjetër “Luisi”.

Elhame Gjyrevci jeton dhe vepron në Danimarkë.

Vlerën poetike dhe artistike poezive të Elhame Gjyrevcit ua shton llojllojshmëria e temave dhe e motiveve që trajton. Vargjet e poetes Gjyrevci janë të përshkruar me përplot ndjenja, mbresa, kujtime, mall e nostalgji për atdheun, kulturën, traditën shqiptare etj, etj.
Ndërsa romanet e autores Elhame Gjyrevci shpalosin imagjinatën e pafund të autores dhe përkushtimit drejt respektimit e qëndrimit të ngrohtë krijues për vlerat didaktike, artistike dhe letrare.

Romanin “Kokomilo” autorja ua dedikon fëmijëve dhe të rinjve, dhe si i tillë është konstruktuar sipas modelit të përrallës, dhe ka elemente të përrallave, këngëve kreshnike, të ninullave etj.

Në romanin “Luisi” shkrimtarja Elhame Gjyrevci pasqyron dhe sjell çaste të realitetit të zymtë të një periudhe historike jo shumë të largët, regjimin barbar të Millosheviqit dhe shtypjen që ai bënte mbi popullin tonë në Kosovë.