Ta marrim të mirën, ta hudhim të keqën!

0
360
Isa Mustafa - Kujtim Shala - Hashim Thaçi

Shkruan: Florim Zeqa, 01.09.2020

Kemi përjetuar tortura të rënda në stacionin policor në Klinë (23 shkurt 1993), na kanë goditur me tyta pushkësh dhe mjete tjera të forta në të gjitha pjesët e trupit, por të gjitha i kemi përjetuar më lehtë sesa sharjet dhe fyerjet në baza kombëtare, dhe prapë duronim në pamundësi për të bërë gjë. Në atë moment jam betuar, se edhe nëse më ndodhë ndonjëherë në jetë që të më shajë ose ofendojë ndonjë shqiptar, nuk do të më shkojë mendja për t’a bërë edhe më të voglin reagim, por vetëm do t’i them, të qoftë për nder“. (Halil Zeqa)

E fillova shkrimin me mesazhin e prindit tim të ndjerë, për të treguar rezistencën e qendrestarëve të viteve të ’90-ta ndaj dhunës fizike dhe psikologjike të pushtuesve serb si dhe tolerancën brenda qenjes tonë kombëtare.

Gjuha e ashpër dhe ofenduese, shkaktar i përçarjes

Kontaminimi i skenës politike dhe debatet stereotipe të politikanëve në studiot televizive janë transferuar në debate të ashpra mes qytetarëve të zakonshëm, përkatësisht mes simpatizantëve të partive politike apo grupacioneve të caktuara brenda të njëjtit soj politik.

Inatet personale dhe urrejtja mes liderëve partiak ka filluar të merrë permasat e një përçarje të thellë kolektive shkaku i shprehjes së bindjeve politike në mënyrë primitive, e cila po kulmon me konflikte verbale dhe fizike mes qytetarëve të ndershëm të këtij vendi.

Sikur bindjet politike të shpreheshin në mënyre civilizuese nga liderët partiak, nuk do të vinte deri tek kjo, mirëpo, për fatin e keq të qytetarëve, kur inatet personale të liderëve partiak e shtetërorë manifestohen në mënyrën më vullgare dhe me një fjalorë rrugaçërie, reflektojnë negativitet dhe përçarje të gjërë kolektive.

Gjuha e ashpër dhe fyese mes liderëve partiak, po përçohet negativisht tek elektoratet partiake, duke i kthyer inatet personale në një urrejtje kolektive mes kundërshtarësh politik, vetëm pse tjetri mendon ndryshe apo i takon një partie apo grupacioni tjetër politik.

Fyrjet e rënda mes liderëve partiak, me ose pa fakte, me ose pa arsye kanë ndikuar në polarizimin e skajshëm të shoqërisë sonë, të cilat jo rrallë kulmojnë me eskalim të situatave, me manifestim të dhunës fizike ndaj njëri-tjetrit.

Manifestimi i gjuhës fyese dhe ofenduese mes grupeve të interesit, mund edhe të arsyetohet shkaku i lidhjeve që kanë me partitë e kriminalizuara dhe kusarët politikë, siq ishte rasti i dy të rinjëve kosovarë, kur njëri i thotë tjetrit; “Mos ma shaj liderin tim, unë i kam të lidhura ngusht interesat personale me “X” liderin”!

Por, në asnjë rethanë nuk mund të arsyetohet gjuha e ashpër, fyese dhe denigruese mes mërgimtarëve, të cilët nuk kanë asgjë të përbaashkët me këto parti të kriminalizuara dhe me këta liderë të korruptuar partiak.

Politikanët pa etikë, rrënuan bërthamën e shtetit-familjen

Politizimi i shoqërisë i ardhur si produkt i polarizimeve partiake, ku si pasojë e kemi ndarjen dhe përçarjen e tmerrshme të popullatës në baza partiake dhe klanore brenda partiake, ku secili e lufton secilin jo me idetë e veta, por sipas ideve dhe sugjerimeve të liderit partiak.

Shkaktar të këtij politizimi dhe përqarje të popullatës shqiptare nuk është Serbia, por janë akterët kryesor të skenës politike kosovare, të cilët kanë arritur ta shkatërrojnë bërthamën e shtetit-familjen.

Si pasojë e kësaj, sot në brendinë e së njëjtës familje janë futur të gjitha partitë politike, duke i ndarë anëtarët e së njëjtës familje në disa parti politike.

Kësaj ndarje nuk i thuhet vlerë demokratike, por përçarje dhe katandisje deri në shkatërrim të familjes dhe raporteve ndërvëllazërore.
Pra, bandat partiake kanë arritur aq thellë, saqë popullatës shqiptare, përveq ndarjeve vëllazërore, i shkaktuan edhe ndarje familjare, duke ia humbur kështu kuptimin edhe vetë jetës në Kosovë.

Kësisoji, politikanët pa etikë, pa integritet moral dhe njerëzor, e kanë rrënuar në themel shtetin, gjegjësisht bërthamën e shtetit-familjen.

Ta respektojmë mendimin ndryshe si vlerë të demokracisë

Për ta shpëtuar shtetin nga katandisja e mëtutjeshme dhe evitimin e luftës vëllavrasëse kërkohet një vetëdijësim i lartë qytetarë. Për t’u distancuar nga gjuha e urrjetjes e liderëve partiak kërkohet tolerancë dhe dashuri vëllazërore.

Për ta arritur këtë më lehtë e më shpejtë kërkohet ndihma e intelektualëve të pavarur nga politika, për shkak se jo të gjithë qytetarët e përceptojnë realitetin në mënyrë të njejtë, varësisht prej pozicionit dhe kapaciteteve intelektuale.

Duhet bërë çmos që arsyeja e shëndoshë ta mund urrejtjen e shkaktuar nga liderët partiak. Mendimin e kundërt të tjetrit mos ta kuptojmë ndryshe por vetëm si vlerë të demokracisë.

Secili ka të drejtë të thotë atë që e mendon pa e cenuar mendimin e tjetrit, duke i ruajtur gjithnjë raportet shoqërore, ndërfqinjësore dhe ndërvëllazërore. Partitë shkojnë e vijnë e ne duhet të mbetemi aty ku ishim para se t’na vinin këto parti të mallkuara dhe këta liderë partiak që ndanë e përçanë popullin.

Duhet të bëhemi shoqëri e civilizuar dhe bërthamë e shëndoshë kombëtare, me dashuri dhe respekt të ndërsjellë, duke kultivuar traditat e bukura kulturore dhe zakonore të kombit tonë.

Të padurueshëm me njëri-tjetrin, tolerant me armikun

Në përfundim të këtij shkrimi, po ua sjelli një ngjarje të vërtetë që ka ndodhur në njërin nga burgjet famëkeqe të ish Jugosllavisë titiste.
Një djal i ri nga Kosova i dënuar me 20 vjet burg të rëndë për vrasje të kushëririt të vetë për vetëm për një fjalë ofenduese; “I ndjeri kusheriri im në odë të miqëve, para burrave, më rëndoi më fjalë, më fyeu, prandaj unë e vrava se nuk mund ta duroj dot zhburrnimin që ma bëri para burrave”.

Mirëpo, vetëm pas disa ditësh të qëndrimit në burg, derisa të burgosurit ishin të rreshtuar në oborrin e burgut, ku ishin afro 2000 të burgosur, djali i ri, ende pa përvojë, bisedoi me njërin në rresht, dhe kjo paraqiste “shkelje e rëndë” e rendit të shtëpisë (burgut). Në atë çast, gardiani që “mbante rendin e qetësinë” e pau dhe si i tërbuar e thirri djalin e ri nga Kosova. Ai doli para rreshti, vrapoi dhe si qiri u palua para gardianit. Gardiani i tërbuar, nuk priti as të vendosej djaloshi para tij, filloi ta shaj me fjalët më të rënda, më të vrazhda e më ç’njerëzore duke i sharë edhe nënën shqiptare.

Njëri nga të burgosurit e vjetër i drejtohet trimit; “hakmarrës”; “ku je ore trim? Çka je palu si nuse? Kusheririn e vrave se të ka fyer e të ka rënduar me një fjalë në odë të miqve, para ndoshta 20 burrave, kurse këtij qeni tash i rri si qiri, kur ky nuk të la gjë pa të sharë në tokë e në qiellë, para hiq më pak se 2000 vetave! Pse ore trim nuk ja jepë së paku një shuplakë gardianit? Në këtë moment djaloshi nga Kosova me sy të përlotur e kishte kuptuar gabimin e rëndë që kishte bërë me vrasjen e kusheririt për një fjalë!

Pas këtij rrëfimi trishtues, secili prej nesh duhet t’i parashtroj pyetjen vetes; Pse ne shqiptarët jemi kaq “trima” kundër njëri-tjetrit!? Pse jemi kaq gjaknxehtë me njëri-tjetrin!? Pse nuk i durojmë njëri-tjetrit edhe fyerjen më të vogël!? Pse e ofendojmë dhe kërcënojmë kaq lehtësisht njëri-tjetrin!? Pse e vrasim njëri-tjetrin pa i menduar fare pasojat tragjike!?

Ndërkaq, kur është në pyetje armiku, bëhemi “më të arsyeshëm”, “më të kuptueshëm”, “më tolerant”, “më të durueshëm” dhe “më zemërgjërë”!!!

Nëse e marrim të mirën (tolerancën ndaj njëri-tjetrit) dhe e hudhim të keqën (urrejtjen vëllazërore), shumë shpejtë do të unifikohemi për largimin e kusarëve dhe matrapazëve politik që përçanë popullatën, shkatërruan në themel bërthamën e shtetit (familjen) dhe rrënuan traditat tona shekullore.

Urrejtjen ta mundim me dashuri, përçarjen me tolerancë, hakmarrjen me falje!