Ta lëmë pas vitin e mbrapshtë, me këmbë të mbarë në Vitin e Ri 2022!

0
130
Florim Zeqa - Shkolla "Azem Bejta"

Shkruan: Florim Zeqa, 28.12.2021

Po e lëmë pas një vit zgjedhor, po e lëmë pas edhe një vit pandemik, po e lëmë pas edhe një vit të mbrapsht pa asnjë gjurmë të mirë në kujtesën e qytetarëve. Edhe optimistët më të mëdhenjë nuk mund ta ndjejnë vetën mirë në këtë fundvit, shkaku i dështimeve të mëdha të politikës dhe katandisjes së shtetit për shkak të politikanëve të papërgjegjshëm!

Pa forcim të ligjit dhe pa barazi qytetare nuk ka ardhmëri

Sadoqë përpiqemi t’i ikim politikës nuk mundemi, shkaku i politizimit të skajshëm të jetës dhe dallimeve shoqërore të shkaktuara nga politika. Optimist apo pesimist, çfarë jemi, pak ka rëndësi, janë sondazhet ato që na tregojnë realitetin me renditjen e Kosovës ndër të parat në listat e zeza, kurse të fundit për zhvillim ekonomik, siguri e mirëqenje qytetare.

Brendia e jonë na thotë së diçka s’është në rregull me ne. Ecja përpara dhe zhvillimi i vendit tonë është i ngatërruar më ndërskamca, inate personale, më luftë përçarëse për pushtet.

Në kapërcimin kohor secili në mënyrën e vet bënë analizën e fundvitit, ç’bëra gjatë këtij viti, e çfarë dua të më sjellë viti i ri!? Këto pyetje janë bërë si refren i çdo fundviti, përgjigjen e të cilave e gjejmë tek secili njeri i vendit tonë.

Sa më parë që te kthjellemi nga agonia e pritjes së gjatë, aq më shpejtë do ta gjejmë rrugën e ecjës përpara, të zgjidhjes së mijëra problemeve. Kjo është e mundur të arrihet vetëm përmes ndryshimeve reale dhe substanciale në vend, e jo përmes ndryshimeve si sllogan politik, si mjet për arritjen e qëllimit, të mbajtjes apo marrjes së pushtetit, siq ndodhi gjatë këtyre viteve të paspavarësisë në Kosovë.

“Rritja” virtuale e zhvillimit ekonomik nga pushtetarët është vetëm një mashtrim për qytetarët

Vitet po ikin, Kosova vendnumëron pa ndryshuar asgjë sa i përket zhvillimit ekonomik dhe zbutjes së varfërisë së qytetarëve. Bilanci edhe i këtij fundviti është i njëjtë; përderisa qeveritarët i numërojnë “sukseset” imagjinare, qytetarët i numërojnë ditët e fundit para largimit nga Kosova!

Shteti i ri për dikë është bërë “nënë e për dikë tjetër njerkë” siq e thotë populli, dikujtë i mundësoi t’i ketë të gjitha të mirat e kësaj bote, e dikujtë tjetër asgjë, Kosova u bë parajsë për pushtetarët dhe u shndërrua në ferr për qytetarët!

Të rinjët kosovar e kanë të vështirë të gjëjnë motivimin për jetë në atdheun e tyre. Përfundimi i studimeve, të rinjët i gjenë pa shpresa për punësim shkaku i mungesës së zhvillimit ekonomik, nepotizmit dhe familjarizmit qeveritar.

Edhe përkundër ndërrimit të pushtetit në nivelin qendrorë dhe ndërrimit të pushteteve në nivelin lokal, mentaliteti i politikanëve dhe çasja në qeverisjen e vendit mbeti e njëjtë.

Me ndryshime reale përmes Alternativës së Re politike, me forcimin e ligjit dhe barazisë qytetare, Kosova mund të bëhet vendi ku qytetari ndëshkon pushtetin kur e keqëpëdor shtetin, e shteti e ndëshkon qytetarin kur e shkelë ligjin.

Me mundimet dhe problemet e vitit që po e lëmë pas, do e fillojmë edhe vitin e ri 2022. Njerëzit e veshur me pushtet dhe ata që qëndrojnë afër tyre edhe më tutje do të mbushin xhepat me paratë e taksapaguesve të varfër të Kosovës, ndërsa në anën tjetër mijëra shtetas kosovar të shtyer nga varfëria dhe denigrimi social do ta braktisin Kosovën, ndoshta për të mos u kthyer më asnjëherë në vendlindjet e tyre!

Kjo klasë politike, pa dallim pushtet dhe opozitë për dy dekada rresht asnjëherë nuk ka qenë e përkushtuar për të ardhmen e qytetarëve, por për interesin personal, grupor dhe partiak. Avazi i keq-qeverisjes ka vazhduar nga njëra legjislaturë në tjetrën, nga njëra qeveri në tjetrën deri tek kjo e fundit, e cila përveç retorikës, nuk dallon me asgjë tjetër nga qeveritë paraprake.

Të mos përseriten gabimet e mërgatës

Mbështetja nga mërgata e partive të dështuara politike dhe angazhimi parcial i mërgatës në politikë, jo vetëm që nuk e ndihmoi ndryshimin, i ndihmojë vetëm politikanët mashtrues që të ngriten në majat e shtetit, kurse naivët dhe anonimët që të kapin pushtetin!

Vëllezër dhe motra, qytetar të dashur të vendit tim dhe bashkatdhetarë në botën mbarë, përmes këtij shkrimi po e përfundojë edhe këtë vit kalendarik, duke i ndarë me ju mendimet dhe opinionet, analizat dhe kolumnet politike.

Me këtë rast ju falenderoj të gjithëve për kontributin e dhënë në mbështetjen dhe kritikat e shëndosha në funksion të ndryshimeve pozitive për të mirën e shtetit dhe qytetarëve.

Pasqyrimi i realitetit është obligim qytetar i secilit prej nesh, e aq më tepër i një analisti dhe gazetari në përmbushjen e misionit fisnik ndaj shtetit dhe qytetarëve të vendit në përgjithësi.

Sikurse deri më tani, edhe në vitin 2022 do të jemi së bashkë në shërbim të vendit dhe qytetarëve, pa u dorëzuar asnjëherë përballë sulmeve dhe kërcënimeve të hijenave partiake, klaneve dhe grupeve të interesit.

Alternativa e Re politike e shpresë për ndryshim

“Të gjithë bashk kundër së keqës” duhet të jetë sllogani i fuqishëm i bashkimit në luftën për ndryshim dhe mobilizim të përgjithshëm rrethë Alternativës së Re politike pa dallime ideologjike apo fetare.

Të bashkohemi në Alternativën e Re politike për ta dërguar në muzeun historik këtë klasë të konsumuar politike në pushtet dhe opozitë, për t’ia kthyer përfundimisht shpresën dhe dinjitetin qytetarit të vendit tonë, për ta ndarë së bashku të mirën dhe të keqën, gëzimin dhe pikëllimin me njëri-tjetrin në shtëpinë e përbashkët të quajtur Kosovë.

I erdhi fundi edhe një viti të mbrapsht, ta mirëpresim Vitin e Ri dhe ti mbajmë fuqishëm në mendjen tonë kujtimet e bukura. Të numërojmë mbrapsht duke e lënë pas vitin e vjetër dhe të fillojmë mbarë numërimin e sukseseve gjatë Vitit të Ri 2022.

Të gjithë kemi dëshirë që ditën e parë të vitit të ri ta fillojmë mbarë. Dita e parë e Vitit të Ri është një emocion i veçantë në jetën e njerëzve. Secili i projekton dëshirat dhe të arriturat në 12 muajt e ardhshëm të vitit plot shpresë dhe optimizëm.

Viti i Ri është një faqe e re në librin e jetës, është një fillim i ri, një mundësi e mirë për ta lënë pas të kaluarën dhe për të filluar kapitullin e ri të sukseseve personale dhe familjare.

Ta lëmë pas të keqën, bashkë me këtë edhe vitin e mbrapsht, me këmbë të mbarë në Vitin e Ri! Të ngrejmë dolli e të festojmë, sepse po e lëmë pas një nga vitet më të mbrapshta politike dhe më të zymta shëndetësore, për të vazhduar rrugëtimin e jetës drejt ndryshimit pozitiv dhe shtigjeve të ardhmërisë në Republikën e Kosovës.

Urime Viti i Ri 2022 për të gjithë shqiptarët në trojet etnike dhe diasporë, qoftë ky një vit i mbarë dhe i shëndetshëm për të gjithë ne! Suksese të gjithë shqiptarëve kudo që janë!

Gëzuar Viti i Ri 2022!