IDRIZ ZEQIRAJ
“Ka ardhur koha me dalë nga çubat”, – thoshte studenti Ibrahim Rugova, në vitin 1967. Sepse ilegaliteti, i sanksionuar me ligj, si veprimtari antikushtetuese, luftohej vrazhdësisht nga pushteti monist. Megjithatë, në rrethanat e pushtimit serbo-sllavë, duke qenë të ndaluara veprimtaritë legale, që i bënin oponencë pushtetit, shprehja e lirë e mendimit, logjikisht, ishte ielegaliteti, mundësi organizimi, për këndelljen e popullit, deri në kundështinë e pushtetit, në mënyra të ndryshme.
Por, lëvizja ilegale, në epokën plurale partiake, në demokracinë parlamentare të sotme, aq shumë të reklamuar, është anakronike, është kthim prapa, është futje e sërishme në “çuba”. Organizata ilegale “Syri i Popullit”, me listat vrastare, është vijimësi e Organizatës kriminale terroriste – SHIK -, e cila filloi me listëbërjen emërore të viktimave të ardhshme, ngeshëm të pikasura, me emra komandantësh, luftëtarë të zëshëm të FARK-ut, kuadro e veprimtarë të LDK-së.
Por, lista sekrete, ende të pa publikuara, ka edhe për brenda llojit, kryesisht, kuadro e luftëtarë të gardës së vjetër të LPK-së, të pabindur ndaj Kryesisë së re uzurpatore të LPK-së. Dhe, ekzekutimi i të listuarëve emërorë, filloi në vitin 1997, për të vazhduar përgjatë luftës dhe pas luftës. Pra, shefat e rinj të LPK-së, “komandantë”, pa hyrë në luftë fare, vranë luftëtarët e lirisë, veprimtarë të LDK-së dhe të tjerët, për t`i hapë rrugën pushtetit të tyre kriminal e hajnor.
Pse dhe kush e krijoi “Syri i Popullit”?
Letrat me pyetjet domëthënëse për “komandantët” e krimit, të bëra nga Murat Jashari, shquhen për elemente të dyshimit të bazuar kriminal. Duke qenë brenda llojit, sojit, një lëvizak i ekstremit të majtë enverist e stalinist, ishte përdorur, më saktë, i keqpërdorur, nga hileqarët batakçinj, në krye të Lëvizjes. Murat Jashari kishte udhëtuar nga Zvicra në Itali, me porosi të krerëve të LPK-së, për ta marrë, ilegalisht, fshehurazi, azilantin e djeshëm dhe nënkryetarin e sotëm të Parlamentit të Kosovës, Xhavit Halitin.
Letra-pyetje, me 3 (tre) e 4 (katër) shifrore, për krerët aktual pushtetarë, në Kosovë dhe Maqedoni, sjellin fakte diskridituese, madje, deri në denoncime penale, për “komandantët”, vrastarë të shqiptarëve. Letrat, fillimisht, u publikuan në gazeta e portale shqiptare, pastaj u përmblodhën në libër.
Letrat-pyetje që u adresohen “komandantëve”, të cilët thirrën në luftën e pa bërë: Hashim Thaçit, Fatmir Limaj, Kadri Veselit, Xhavit Halitit, Ali Ahmetit dhe lukunisë tjetër të krimit të organizuar dhe të korrupsionit, hajnisë zyrtare, janë dëshmi shokuese e faktike, për ta penalizuar secilin syrësh.
Krerët e krimit, me SHIK-un e tyre, për t`i devalvuar, amortizuar akuzat fatale, për karrierën e tyre të psitë e kriminale, i nxitën agjentët e tyre, për të krijuar Organizatën kriminale “Syri i Popullit”. Në stilin e SHIK-ut, hartuan edhe listat emërore për atentatim, por, pa atë përzgjedhjen e bërë nga SHIK-u, i cili godiste për vdekje kndërshtarët politikë, kuadro e veprimtarë të LDK-së dhe ushtarakët luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës.
Përkundrazi, lista emërore e personave “të dënuar me vdekje” si “armik i popullit”, në pritje për ekzekutim, është shumë kontraverse, mishmashe, iracionale, e qëllimshme për huti totale, një veprim çmendurak, që mund ta bëjnë vetëm të sëmurët psiqikë, budallenjtë! Pra, qëllimi i SHIK-ut PAN-istë, është për t`i asgjësuar provat faktike të krimeve serike vrastare e korruptive, pikërisht. të shefave të PAN-it dhe të vartësve të tyre kriminelë. Ja, pra, kjo shtë arsyeja dhe përgjigja – pse dhe kush e krijoi Organizatën kriminale “Syri i Popullit” -.
Shëmbullojmë me pa logjikshmërinë e qëllimshme të listës emërore të personave publikë, të dënuar me eliminim fizik:
Ish-presidenti Fatmir Sejdiu bëri dy “mëkate” dhe u ndëshkua me shkarkim:
1) Refuzoi 6 pikëshin e Baki Munit të OKB-së;
2) “Të hetohen e zbulohen vrasjet politike të veprimtarëve të LDK-së dhe të ushtarakëve të FARK-ut, sepse ata nuk i kanë vrarë jashtëtokësorët”.
Mos, vallë, kjo është tradhti ndaj Atdheut-Kosovë?!
Publicisti i mirënjohur, ish-kryeredaktori i kombëtarës “Bota Sot”, Bajrush Morina, dhe ish i burgosuri shumëvjeçarë politik, si dhe ish-ministër Informacionit të Republikës të Kosovës, Xhafer Shatri, i cili punoi e veproi për Republikën e Kosovës, më shumë se sa e gjithë LPK-ja, e marrë si tërësi, çfarë tradhtie bënë?! Që të dy – një jetë për Kosovën, për Atdheun. Këtu mund të citonim edhe emra të tjerë.
Përzgjedhja e viktimës së parë, domëthënëse
Nga ato që dimë, Azem Vllasi nuk ka qenë funksionar i vendimmarrjes kyçe. Madje, në kundërshtinë e tij ndaj Serbisë, në një kohë zezonë, ishte dinjitoz dhe motivoi, edhe më shumë, popullin për rezistencë karshi pushtuesit. Por, Vllasi kishte një “fajësi” tjetër, denoncoi stalinistët-enveristë të së majtës ekstreme, pra, LPK-në, për foshnjërinë politike, të treguar në demonstratat e vitit 1981, të organizuara nga Serbia dhe Shqipëria staliniste, qëllimshëm, për ta stopuar Kosovën, në ecjen e saj rapide, të shpejtë, drejt zhvillimit ekonomik dhe politik të saj.
Por, për çudë, nuk e di pse Vllasi e kurseu Tiranën zyrtare të kohës, për të shpjeguar qëllimin e ndyrë, thellësisht, kundra-kombëtar, të bandës diktatoriale e kriminale të Enver Hoxhës me shokë dhe tradhtinë e radhës ndaj Kosovës?! Sidoqoftë, e vërteta është shokuese dhe hiç vëllazërore!
Çjerrja korale e bandës PAN, kundër Vetëvendosjes
Çorbën e thartuar të PAN-it, ua servirin të tjerëve, për ta pirë. Në rastin konkret, akuzojnë Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën, për shkruarjen e letrave-pyetje, të cilat zbulojnë, madje, bindshëm, krimin, tashmë, të bërë, nga shefat e PAN-it, në koalicioni aktual.
“Kush ma vrau vëllain, Ismet Jashari – Kumanova”, – është pyetja-bosht i të gjithë letrës me pyetje në vazhdim, e bërë nga Murat Jashari për komandantin Fatmir Limaj? Vërtet, shokuese! Por, karadaklia, Komandant “Kumanova”, është ekzekutuar me urdhër të bandës të “komandantëve” në pushtet. Fshehja e vrasjes, pastaj edhe e kufomës e, deri ngulmimi për t`ia ngritur shtatorën në Prizren, pa përfillur urbanistikën e qytetit, ishte skajshëm cinik. Kjo na kujton vrasjen, prapa shpine, të gjeneralëve nazistë, të dyshuar nga Hitleri dhe dekorimi e varrosja ceremoniale e tyre, me tam-tamet zyrtare!
Vrasjet brenda llojit e komandant Ismet Jasharit-Kumanova, të sekretarit organizativ të LPK-së në Kosovë, Behajdin Hallaçit, të profesorit Shaban Shala, shefit të Emergjencës të luftës, për krahun e LPK-së, Ilir Konushevcit dhe vënia në pritat e policisë pushtuese serbo-sllave, të kuodrove tjerë në luftë, janë vepër ekskluzive e shefave të LPK-së së djeshme, të PAN-it të sotshëm.
Këtu kemi të bëjmë me faktet konkrete, që i sjell opinionit gjithë-shqiptarë, madje, jo vetëm atij, Murat Jashari, me letrat e tij unike, me pyetjet rendore numerike. Lektorimi apo redaktimi teknik, nga ndonjë i dytë apo i tretë i mundshëm, assesi nuk ia heq autorësinë e letrave-pyetje anëtarit besnik të LPK-së së hershme, Murat Jasharit. Edhe nëse, vërtet, përgaditja teknike e letrave pyetse është bërë nga Albin Kurti e Glauk Konjufca, kjo nuk do të thotë asgjë. Edhe unë do ta kisha bërë me kënaqësi, edhe pse përmbajtja e pyetjeve është e sikletshme, dramatike e tragjike, sepse krimet shpalosën, si në ekranin filmik, por, mjerisht, jo artistikisht, por, faktikisht. Fundja, është detyrë, madje, më shumë se morale, për çdo qytetar, luftimi i së keqes, aq më parë i krimeve, që kanë ngulfatur Kosovën tonë.
Autori më kërkoi përurimin e librit në Gjermani
Autori i librit, me letrat-pyetje, drejtuar pushtetarëve PAN-istë aktual dhe të tjerëve, Murat Jashari, tani, i parë i Organizatës ilegale “Syri i Popullit, më shkroi letër. Ai kërkoi nga unë organizimin e promovimit, përurimit të librit në fjalë, në Gjermani. Arsyeja pse ma besoi mua këtë organizim, është e thjeshtë: Si njeri i letrave dhe veprimtar veteran i çështjes kombëtare.
Edhe pse, unë dhe Murat Jashari militojmë në parti të ndryshme, ekstremisht, me dallime ideologjike e konceptuale, bashkëpunimi legal, me interes të përgjithshëm shoqëror, është tej ndarjes partiake. Unë, pa hamendje, e pranova kërkesën e tij miqësore, duke marrë përsipër të gjithë organizimin, përgaditjen peruruese. Aq më parë, kur dihet se Famlja Jashari e Karadakut të Kosovës, e shpërngulur, nga furtunat e jetës, në Orizare të Kumanovës, është dëshmuar për qendresë luftarake dhe vetëmohim kombëtar.
Ndërkohë, ndodhi aksidenti fatal, atentati intrigues, i porositur në mënyrë përfide, jo nga “Syri i Popullit”, por, nga SHIK-u terrorist, mjeshtër i gjakderdhjes shqiptare. Dhe, projekti i perurimit të librit të Murat Jasharit, u anulua, nuk u realizua.
Këndellja, edhe pse e vonuar, domosdo e kohës
Poeti drenicar, i cili jeton e krijon në Mërgatë, autor i këngës-hymn, – Thërret Kosova mori Shkodër -, Sylë Bajrami, , shkruan: “Amerika na ktheu në shtëpitë tona, por, nuk na çliroi, derisa na i la komandantët kriminelë në komandë, në pushtet”.
Këta komandantë, me bandat e tyre, të organizuara në SHIK, kanë hyrë në të gjitha poret e shoqërisë, në shtetin e brishtë të Kosovës. Madje, edhe në partitë e pozitës dhe të opozitës. Dhe, këtë të vërtetë absolute, e thotë, publikisht, nënkryetari i Parlamentit të Kosovës, Xhavit Haliti.
Që “Syri i Popullit” është pjellë e SHIK-ut, nuk e fsheh as Xhavit Haliti, kur e quan viktimë veprimtarin veteran të LPK-së, Murat Jasharin. A nuk do të ishte më mirë që organizimi “Syri i Popullit”, të ishte legal, i ligjshëm dhe të angazhohej për zbulimin e shumë qindrave të vrasjeve politike, përfshi këtu edhe komandantin trim, Ismet Jashari-Kumanova, me shokë? Sigurisht, se po. Dhe, jeta e Murat Jasharit me shokë, do të kishte rrjedhë njerëzore dhe jo kriminale.