Pjeter Logoreci në FB
E vranë pabesisht, me 2 Mars 1925, në Bari, KTE VIGAN LIBERATOR…
SYRGJYN – VDEKUR
(Elegji për Luigj Gurakuqin)
Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.
Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.
Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.
Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor.
Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.
Fan Noli
95 vjet nga vrasja e Luigj Gurakuqit, këtij Heroi të harruar!
Nga: Pirro Prifti – Revista Drini – 3 Mars 2020
Me 2 Mars 1925, si sot 95 vite më parë Heroi i Popullit, Luigj Gurakuqi, u vra në Bari nga dora e Balto Stambolles i dërguar nga Presidenti i Shqipërisë së asaj kohe Ahmet bej Zogolli.
Mbrëmjen e 2 marsit 1925, në restorantin e hotelit “Cavour”, Luigj Gurakuqi po darkonte me dy miq të tij dhe gruan e njërit prej tyre: Riza Dani me bashkëshorten Makbule dhe vëllai i tij Dan Hasani. Kërkoi leje prej tyre duke thënë: do t’shkoj tek Sotiri, mbâsi i kam premtue nji kukull vajzes së tij. Duke dalur nga restoranti i hotelit, u pa me Balto Stamollën, kushëri i largët 4-5 breza me Gurakuqët, i cili i zbrazi tre plumba. Në xhepat e shqyer të ish-Ministrit të financave, policia italiane gjeti vetëm 350 lira. Nisi të hante një herë në ditë me të dalë refugjat.
Trashëgimia e këtij patrioti të madh është e shumtë dhe çdo shqiptar e respekton.
Interesant është fakti se askush nga mediat e shkruara apo televizive nuk e përmëndi dhe nuk e përkujtoi Heroin e Popullit dhe atdhetarin e flaktë Luigj Gurakuqi.
Me që shumëkush e ka harruar qoftë nga politika qoftë nga ata që duhet ta kishin përkujtuar, mediat, shoqatat, Shkodra, por përkundrazi merren me hallet e përditshme sidomos me “e shkeli apo s’e shkeli kushtetutën Presidenti i opozitës”, po kujtoj disa nga trashëgimia e Heroit të Popullit Luigj Gurakuqi. Luigj Gurakuqi (Shkodër, 20 shkurt 1879, u pagëzua me 20 shkurt – u vra në Bari, 2 mars 1925); qe veprimtar i çështjes kombëtare, hartues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, arsimtar, tekstolog, gjuhëtar, diplomat, deputet.
Është një nga personalitetet më të shquara të lëvizjes sonë kombëtare, arsimore e kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe të fillimeve të Pavarësisë duke përjetuar ngjarjet më kulmore të jetës së vendit në çerekun e parë të shekullit tonë në shumicën e të cilave në mos organizator, qe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë (https://sq.wikipedia.org/ëiki/Luigj_Gurakuqi). Kur ishte njëzet vjeç u bë pjesë shoqërisë “Bashkimi” të Abat Doçit, ku ishte i vetmi anëtar civil. Ngatërresën e parë me autoritetet turke e pati më 1904, për këtë shkak, më 1905 u shtrëngua me marrë malet për t’i shpëtuar ndjekjeve. Me shpalljen e Kushtetutës falen të gjithë ç’kishin bërë faje politike.
Më korrik 1908 kthehet në Shkodër i pritur e i brohoritur, meqë me Hyrrijetin u dha një amnisti. Në nëntor merr pjesë në Kongresin e Manastirit, ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Bashkë me Fishtën ishte përfaqësues i “Bashkimi”-t, me Logorecin kishin mandat të përfaqsonin inteligjencën shkodrane, gjithashtu vetë Luigji kishte mandat të përfaqsonte arbëreshët e italisë. Shkroi alfabetet e miratuar nga Kongresi i Manastirit dhe i zbuloi para delegatëve. Në tetor të 1909 u emërua drejtor i Normales që u hap në Elbasan, ku ndihmoi për vënien e arsimit mbi baza kombëtare. U krijua përvoja e parë e ngritjes së administratës arsimore shqiptare, u hartuan dokumentat e para shkollore, u ngrit një sistem i tërë i përgatitjes dhe i kualifikimit të mësuesve. Detyrohet me ikë prej Elbasanit, të dalë jashtë shtetit bashkë me Aqif pashë Elbasanin.
Në prill 1911 merr pjesë në kryengritjen e Mbishkodrës e si një nga udhëheqësit e saj, së bashku me Ismail Qemalin hartoi Memorandumin e Greçës. Më 1912 zhvilloi një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, duke qenë i pranishëm në Toskëri dhe më vonë edhe pranë krerëve të Kosovës. Shoqëroi Ismail Qemalin në mbledhjen e Bukureshtit, dhe do merrte pjesë në shtegtimin nga Bukureshti në Vienë. Me vaporrin e dhënë nga austro-hungarezët zbret në Durrës më 24 nëntor në orën 4 mbasdite, u nisën të nesërmen me 25. Një natë fjetën në Çermë tek Dervish bej Biçakçiu, dhe një natë në Fier tek Omer pashë Vrioni. Në Vlorë mbërritën më 27 nëntor në darkë… Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës u zgjodh Ministër i Arsimit dhe vendosi arsimimin e detyruar fillor për djem e vajza. Merr pjesë në Konferencën e Londrës më 1913, me Ismail Qemalin e Isa Boletinin.
Interesant është fakti se Shkodra nuk ka asnjë firmëtar të pavarësisë. Luigj Gurakuqi që ishte Shkodran e firmosi aktin e Pavariësisë me të 42 firmëtarët e tjerë, si përfaqësues i Kosovës. Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Durrësit ku ishte përfaqësues i Shkodrës dhe Mirditës, u emërua zëvendës i dr. Mihal Turtullit në ministrinë e Arsimit të kabinetit të Turhan pashë Përmetit. Më 1921-1924 u zgjodh deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar, ku mbrojti ethshëm gjendjen e viseve shqiptare të Kosovës, që po vuanin shtypjen e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene.
Më 5 mars 1924 u sëmur rëndë nga një grip i fortë që e mbërtheu afro një muaj në shtrat. Shtypi i dha vëmendje të veçantë, aq sa Avni Rustemi i thoshte Dom Shantojës “Opozita po pushon: Kemi Gurakuqin e sëmurë”. Në përpjekjen e mesit të prillit për një kabinet koalicioni sa më të gjerë, Gurakuqit dhe Fahri Gjilanit i ofrohen dy poste në qeverinë Vërlaci, prej ku dha dorëheqjen më 14 maj.
Vetëm pas një hezitimi e kundërshtimi të fortë të pohuar nga të gjithë bashkëkohësit, Gurakuqi mori pjesë në Komitetin revolucionar, që çoi drejt Lëvizjes së qershorit, dhe iu caktua armatosja e kaçakëve të Nikaj-Mërturit. Në qeverinë Noli, të dalur pas Lëvizjes së qershorit, u emërua ministër i Financave. Mori pjesë në Konferencën e Gjenevës krahas Nolit më 1924. Kur në parlament Ali Këlcyra i bën vërejtje për qëndrimet e tij liberale, Luigji përgjigjet.
Pas shtypjes së Lëvizjes së qershorit, shkoi në Itali. Më 7 janar 1925 përfaqësuesi sovjetik në Vienë lajmëronte zëvendëskomisarin të punëve me jashtë Litvinov, se Gurakuqi ishte dakord për bashkimin në një front opozitar me ndihmën e tyre. Çka më vonë do të ishte Konare-ja. Qeveria Noli akuzohej për grabitjen e thesarit të shtetit, por Gurakuqi ngarkoi Xhemal beg Bushatin t’i dorëzonte Shefqet Dibrës, inspektor i financave i dërguar nga qeveria e Zogut, të paprekur arkën e shtetit.
Kuestura lajmëroi koloninë shqiptare, që ceremonia nuk mund të zhvillohej në qytet, por vetëm brenda mureve të varrezës. Drejt Barit rendën refugjatë shqiptarë prej gjithkah. U mbajtën fjalime prej bashkëshortes së Sotir Gjikës, zonjës Lilli Quarta, Ll. Fundos, B. Valterit etj. Miku i tij, Hasan Prishtina, mbi varrin e tij do të shprehej: “Flej i qetë Gurakuq, shpagen tânde do ta marrim me përparimin e Shqipniës.”
Njohës i thellë i trashëgimisë kulturore të popullit të vet dhe i kulturës klasike romake e latine. Historia e vendit dhe ajo botërore ishin objekt i përhershëm i studimeve të tija. Njihte arkeologjinë e shkencat ekonomike e financiare, trashëgiminë arsimore pedagogjike kombëtare dhe europiane. Gurakuqi ishte poliglot. Përveç shqipes, zotëronte latinishten, italishten, turqishten dhe frëngjishten, njihte greqishten e gjermanishten, ka të ngjarë edhe anglishten dhe kishte një kujtesë të çuditshme.
Me Konicën nuk shkonte mirë që në kohën e Kongresit të Durrësit, gjë të cilën nuk ia fali as pas vrasjes së Gurakuqit, duke shkruar më 12 nëntor 1925: “Luigj Gurakuqi ishte njeri pa patriotizëm dhe pa ndërgjegje, armik i bashkimit kombëtar dhe i kuptimit modern të shtetit, intrigant, prapanik dhe i errët”.
Miqtë e tij do ta kujtonin në mënyra të veçanta, Noli do t’i kushtonte poezinë elegjiake me titull “Syrgjyn vdekur”, ndoshta më e ndjera ndër poezitë shqiptare. Në publicistikë kanë shkruajtur për të P. Harapi, P. Shllaku, S. Vinjau, F. Fishta e Dom L. Shantoja. Miku i tij, piktori dhe fotografi Kel Kodheli, i kushtoi një kompozim në vaj mbi karton, në përmasat 55 me 78 cm, që ka fiksuar kthimin në Shkodër të Gurakuqit, pas shpalljes së kushtetutës nga xhonturqit, me 2 korrik 1908.
Në këtë përvjetor të vrasjes së Luigj Gurakuqit del në plan të parë një pyetje e rëndësishme:
Përse nuk përkujtohet Luigj Gurakuqi? Nga Harresa apo nga keqdashja?