“SUPRIZA” E DITËS: TAKIMI ME QATIP MARËN…

0
1223
Murat Gecaj, foto

Skicë:

Nga: Murat Gecaj

Flitet shpesh për “supriza”, të mënyrave e llojeve të ndryshme…Sigurisht, secila prej tyre ka veçorinë e saj dhe përmban, diçka gati të papritur. Në rastin konkret, e kam fjalën për “suprizën” e takimit me kolegun dhe mikun e dashur, arsimtarin veteran dhe studiuesin e botuesin e disa librave, Qatip Mara. Një lexues i vëmendshëm, sidomos në faqet e Internetit, ka mësuar diçka nga “historia” e tij shëndetësore.

Pa u zgjatur, po rikujtoj këtu se ai jetonte në Tiranë me familjen dhe jorrallë takoheshim për kafe ose me raste përurimesh të librave etj. Por, një ditë, afër 3 vite më parë, papritmas, ai u godit rëndë në zemër. Menjëherë, u kurua disa ditë në Spitalin Gjerman të Tiranës dhe pastaj e dërguan në Torino e Milano të Italisë.

Megjithatë, jeta e Qatipit rrezikohej seriozisht. Në këto rrethana, nga bija e tij, Brunilda Mara, e cila jeton familjarisht në Niu Jork, u krijuan mundësitë që, me një avion të posaçëm, të shkonte nga Milano, duke kaluar Atllantikun dhe drejt e në spitalin e Nju Jorkut, atij qyteti të stërmadh. Nën kujdesin e posaçëm të mjekëve amerikanë, u bë e mundur që zemra e Qatipit të funksiononte, me anën e një aparati të jashtëm. Kështu, gjendja e tij vazhdoi disa muaj, nën mbikqyrje të rrebtë mjekësore. Por rrugëzgjidhja e vetme ishte transplanti i zemrës. Gjithnjë me kujdesin e vajzës, e martuar me një amerikan, u gjet një zemër e re dhe, sigurisht me operacion, ia vendosën Qatipit brenda gjoksit të tij.

Është e kuptueshme se duhej një kohë e gjatë, që organizmi i tij të përshtatej me një zemër tjetër. Megjithatë, edhe në këtë rast, u vërtetua forca e shkencës mjekësore amerikane. Pra, zemra e re e Qatip Marës nisi të rrahë normalisht.

Pasi Qatipi qendroi disa muaj në spital, vitin e kaluar u kthye pranë familjes së tij, aty në Nju Jork. Sigurisht, gjithnjë ai ka qenë e vazhdon të jetën nën mbikqyrjen dhe kujdesin e mjekëve, që e kanë operuar dhe i kanë bërë transplantin e zemrës.

Mirëpo, Qatip Marës përherë i rrihte, si çekan në kokë, një pyetje: Vallë, kur do të bëhem i aftë të udhëtoj me avion dhe të vijë përsëri në Shqipëri?! Donte ta shihte vendlindjen, Atdheun, të takonte dhe të çmallej me familjarë, kolegë, miq e dashamirë të panumërt. Dhe ja, më në fund, kjo dëshirë e tij u realizua. Pra, këto ditë, ai mbërriti, nga Nju Jorku, në Rinas e në Tiranë. Për ta bërë të njohur këtë fakt, Qatipi publikoi, dje në FB, disa foto të tij, ku shihej në qendër të kryeqytetit, shoqëruar me numrin e celularit, të cilin e ka tani në Shqipëri: (069.582.15 10).

Siç shkrova më lart, Qatipi ka shumë njerëz të njohur e dashamirë. Por e kishte merak që, posaçërisht, të na takonte e të pinim kafe bashkë, sot në mëngjes, me mua dhe Përparim Hysin ose, ndryshe, Papin.

Aty, në lokalin e vogël “Migena”, në krah të Hotelit “Tirana”, vërtetë ishte një takim “suprizë me Qatip Marën, i përmallshëm dhe plot emocione. Bashkë me Përparimin e kishim vizituar disa herë në spitalin gjerman, në kryeqytet, kur ai u sëmur rëndë. Ne e kemi ndjekur edhe ecurinë e tij shëndetësore, përmes e-maileve e FB, shoqëruar nga fotot, që ai publikonte, herë pas here. Por mëdyshja jonë, se kur, vallë, do të takoheshim përsëri në kryeqytetin tonë, me mikun tonë të dashur, Qatip Mara, vetëm sot mori fund…

Në mbyllje të këtyre pak radhëve, nga zemra, ne urojmë: Mirë se erdhe përsëri në Atdhe, i dashur Qatip Mara! Qofsh përherë shëndetplotë, me zemrën në punë të pandalur, si “orë zvicerane” dhe me gëzime e lumturi, vatjake e familjare!

Tiranë, 25 gusht 2016