Shkodra.news, 18 nëntor 2016
Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njëherësh anëtar i lartë i Komisionit për Punë të Jashtme të këtij institucioni, Eliot Engel, ka lavëruar Kosovën për parandalimin e një sulmi terrorist të militantëve të grupit Shteti Islamik ndaj kombëtares së Izraelit në futboll.
“I duartrokas autoriteteve të Republikës së Kosovës për parandalimin e një varg sulmesh të planifikuara terroriste nga ekstremistët e ISIS’it, duke penguar një masakër ndaj kombëtares së Izraelit në futboll”, ka thënë Engel nëpërmjet një komunikate.
“Më kujtohet sulmi brutal ndaj ekipit olimpik izraelit në Munih më 1972, dhe druaj se ky sulm mund të kishte qenë po aq i keq ose edhe më i rëndë”, ka shtuar Engel.
“Unë i jam gjithashtu mirënjohës autoriteteve në Shqipëri dhe Maqedoni, të cilat kanë bashkëpunuar me Kosovën për ta parandaluar këtë sulm”, ka thënë Engel.
Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan ka vlerësuar se Kosova ka ndërtuar një historik mbresëlënës të luftimit të ekstremizmit të dhunshëm, transmeton Express.
“Askush nuk duhet të dyshojë në angazhimin e udhëheqësve në Prishtinë për ta arritur këtë objektiv, dhe Shtetet e Bashkuara janë me fat që kanë një partner si Kosova në këtë përpjekje të rëndësishme”, ka thënë Engel.