IDRIZ ZEQIRAJ
Ndodhi në seancën parlamentare të 14 prillit 2020, kur deputeti Driton Selmanaj, në vend që të fliste për temën e hapur në Kuvend, provokoi kryetaren e Kuvendit, Vjosë Osmani se “legjitimon të paligjshmen Vetëvendosjen”. Edhe pas thirrjes që të mos flasë jashtë temës, “përndryshe ta ndërpres fjalën”, ai shtoi dozën e provokimit për Kryetaren.
Personalisht nuk aprovoj ngutinë e Kryetarës, aq më parë kur provokimi ishte i qëllimshëm. Por, nga kjo sallë Kuvendi janë dëgjuar, më parë, fyerje të kryesuesit Veseli, deri “ma hongsh…”, duke plotësuar fjalinë, me rrëshqitjen e dorës poshtë. Megjithatë, nuk ka pasur një “zallamahi” dirigjuese sulmuese, sikur në rastin e tanishëm.
Shtrohet pyetja, a janë të vetëdijshëm kuadrot e LDK-së se çfarë po bëjnë dhe kujt po i shërbejnë?! Në shkrimin tim “Trojka” e riaktivizuar – rrezik për Kosovën”, përmenda vetëm dy gazetarë, argatë të hershëm të LPK-së, alias të PDK-së, përkatësisht, të PAN-it: Baton Haxhiun dhe Milaim Zekën. Këta dhe soji i tyre, janë aktivizuar, madje, maksimalisht, për ta përçarë LDK-në, për ta ndarë atë, për t`i dhënë goditjen e radhës. Kam dëgjuar edhe dy biçim analistësh, më saktë, banalistësh, duke thënë se “Vjosa nuk përdorë më shumë se 100 fjalë, edhe ato me gabime gjuhësore”; “ka nivelin e një gjimnazisteje” dhe dokërra të tjera. Krejt këto të porositura e qëllim-këqija.
Ndërkohë që ajo ka një përgaditje solide, qoftë si intelektuale, profesionale në fushën e saj, qoftë si politikane e sinqertë, me parimësi unike, për çka edhe vlerësohet, jo vetëm nga anëtarësia e LDK-së, por edhe nga shqiptarët e kudondodhur, madje, pavarësisht përkatësive partiake. E vërteta është se pas Presidentit Rugova, është e vetmja e vlerësuar, në raport me të gjithë politikanët e Kosovës.
Deputeti Driton Selmanaj, është një kuadër i zëshëm i LDK-së. Pavarësisht se nuk arriti të listohet i parë, në garën për kryetar partie në Prizren, përkrah komandantit të respektuar Anton Quni, përformanca e tij, kultura garuese, e vetmja e këti lloji, jo vetëm brenda LDK-së, por, edhe në nivel të Kosovës, është unike dhe mbresëlënëse. Dhe, Dritoni arriti mjaft, bazuar në votat, nuk ishte humbës, por, në garë ka të parë dhe të dytë. Kjo u dëshmua edhe në garën për deputet, i cili rezultoi bindshëm i votuar. Ne, në Kosovë, përgjatë fushatës, kemi agjituar për atë, madje, në dy palë zgjedhjet e fundit.
Nuk merrem me hamendësime se cilat janë raportet Vjosë-Driton, në mbledhjet e Grupit Parlamentar apo Këshillin e Përgjithshëm. Por, deri më tani, kemi arkivuar 5 (pesë) raste, me nuanca të dukshme të atakimit provokues të Dritonit ndaj Vjosës:
1) Driton Selmanaj ishte i pari që ia ka treguar Vjosës derën dalëse nga LDK-ja. Ky guxim i tepëruar, ishte nonsens për një rishtar në këtë parti, në raport me Vjosën, si e hershme aty;
2) Në seancën kuvendore të Mocionit mosbesues për Qeverinë Kurti, Dritoni përmendi, qëllimshëm, emrin e Vjosës. Dhe, ajo reagoi , instiktivisht dhe pamaturisht, “mos ma përmend emrin tim”. Dhe, kjo flet se ajo ka më shumë se hatërim me Dritonin;
3) Provokimi i radhës i Dritonit ishte ai, që përmendem në fillim të shkrimit;
4) Në një dabat televiziv, i pyetur nëse do të këtë pasoja Vjosa, për votim ndryshe për Mocionin dhe koalicionin me bandën e PAN-it, deputeti Selmanaj u gjegj se “është një klauzolë statutare për këtë çështje. Por, mbasi nuk po zbatohet, është mirë të hiqet fare!” Pra, po të pyetej ai, Vjosa, tashmë, do të ishte përjashtuar nga LDK-ja;
5) Në një debat televiziv, Dritoni deklaron: “Nuk i kuptoj ata që pështyjnë vlerat e LDK-së, përsëri rrinë aty?!” Referenca ishte për Vjosën. Por, shqiptarët nuk mund ta konfirmojnë, qoftë edhe një rast, që Vjosa ta këtë bërë këtë. Pra, ky është një trillim, shpifje monstrume, shumë qëllim-keqe, madje, fort zhgënjyese e deputet Selmanaj! Përkundrazi, ajo ka vlerësuar vlerat klasike të LDK-së, deri në hymnizim, pa harruar asnjëherë liderin e saj, Dr. Ibrahim Rugovën.
LDK-ja nuk duhet ngatërruar me klane e grupacione bërrylore. Braktisja, madje, me fund, e frymës rugoviane, ndalimi i debatit të lirë; përjashtimi i konkurrencës së ndershme; zëvendësimi i votës së fshehtë demokratike, me votimin aklamativ fiktiv, nga klanorët karrieristë, atëherë, jo vetëm pështyrja, por edhe dhjerja do të ishte meritore. Të mos manipulohet me LDK-në, sepse klanet nuk janë LDK-ja, nuk përfaqësojnë atë. Përkundrazi, janë amiqtë e egër të saj, të cilët bashkëpunojnë “me dreqin dhe të birin”, për ta fundosur LDK-në, dikur, krenare të Ibrahim Rugovës.
Është krijuar bindja, dhe kjo e dëshmuar, me flirtet e pazarët e pista, që vazhdojnë të bëjnë klanorët, me armiqtë e Rugovës dhe të LDK-së, me PAN-istët, se ata mjaftohen edhe me kalimin e pragut 5 %, për të qëndruar, dhunshëm, në udhëheqje të LDK-së.
Në të gjithë zhurmën shurdhuese, të orkestruar nga forcat e errëta brenda LDK-së, akuzohet “diktatorja” Vjosë dhe mbrohet “shenjti”, “viktima” Driton! Dhe, askush nuk përmend përndjekjen e kryetarës Vjosë, nga deputeti Selmanaj!? Mbetet të shihet nëse kjo përndjekje, jo e zakonshme dhe e veçuar nga kolegët tjerë deputetë brenda LDK-së, është e rastësishme apo e porositur nga shefat klanorë?!