Sulm ndaj Kryeministrit? Flet babai i të akuzuarit

0
576
Ramush Haradinaj - makinë

AktualitetOpinion.al13/01/19

Betejën për drejtësi e ka nisur familja Elshani nga Drenasi. Ata po mohojnë akuzat e Prokurorisë se djali i tyre ka përgatitur sulm terrorist ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj.

Dyshimet për të nisën pas një postimi në Facebook. Bledart Elshani i cili dyshohet se e kërcënoi kryeministrin Ramush Haradinaj u arrestua nga policia kundër terrorizmit me urdhër të Prokurorisë Speciale gjatë mbrëmjes së të premtes në shtëpinë e tij.

“I kanë gjet një telefon dhe disa të dhëna ku shihet një përgatitje e aktit terrorist kundër kryeministrit të Republikës së Kosovës”, tha Sylë Hoxha, prokuror i Prokurorisë Speciale.

Atij i është gjetur edhe një thikë e ashtuquajtur ‘luftëtare’ e cila është përdorur si një ndër provat për arrestimin e tij.

Prokurori Hoxha thotë se disponojnë edhe videomateriale që mbështesin pretendimet e akuzës por këtë e mohojnë familjarët e Bledartit.

“I kanë kryer bastisjet edhe kanë ecë. Në shtëpi s’kanë gjet sen” , tha për Klan Kosovës, Blerim Elshani, babai i të dyshuarit.

Madje sipas babait të tij edhe nëse i kanë gjetur armën e ftohtë atë e ka përdorur për tu mbrojtur nga kafshët e fshatit.

‘Djali jem u falë qysh falen krejt hoxhallarët’, shtoi ai. Për këtë pajtohen edhe bashkëfshatarët në Baicë të Drenasit. Edhe sipas hoxhës së fshatit Bledart Elshani nuk ka bërë asnjëherë probleme.

Sidoqoftë Departamenti i Krimeve të rënda pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë i ka caktuar atij masën e paraburgimit prej 30 ditësh derisa po hetohet edhe për ndonjë bashkëpunëtor të mundshëm të tij. Ndërkaq kryeministrit Ramush Haradinaj nuk i ishte ofruar mbrojtje shtesë nga kërcënimet. / Express