STUDIUESIT E HUAJ DHE SHQIPTARË TË LETËRSISË GOJORE SHQIPTARE

0
799

Xhelal Zejneli

Lëvizja e romantizmit në Evropën Perëndimore ndërlidhej me interesimin për letërsinë gojore e për traditat folklorike. Në shek. XIX për letërsinë popullore shqiptare apo për folklorin shqiptar treguan interesim, jo vetëm studiuesit shqiptarë por edhe të huajt.

Konsulli i Austro-Hungarisë në Janinë, i konsideruar baba i studimeve shqiptare, i cili udhëtoi nëpër Shqipëri dhe në Ballkan – Johan Georg fon Han (1811-1869), botoi në gjermanisht veprën në tre vëllime Albanesische Studien (Studime shqiptare), Jenë 1854. Hartoi një gramatikë në dialektin tosk dhe vuri në të një shtojcë 46 faqesh me këngë popullore, fjalë të urta dhe përralla. Më vonë botoi librin Përralla greke dhe shqiptare, Lajpcig 1864.

Mjeku gjerman Karl Hajnrih Teodor Rajnholt (1810-1880) botoi përmbledhjen me këngë popullore, rrëfenja dhe fjalë të urta shqiptare Net pellazgjike, Athinë 1855.

Folkloristi Xhuzepe Pitre (1841-1916) botoi përmbledhjen në katër vëllime Përralla, tregime e rrëfenja popullore siciliane, Palermo 1875.
Konsulli francez në Janinë e Selanik Ogyst Dozon (1822-1891) botoi librin me përralla dhe këngë popullore shqiptare Doracak i gjuhës shqipe ose albaneze, Paris 1879. Pasoi libri Rrëfenja shqiptare, të mbledhura e të përkthyera, Paris 1881.

Gjuhëtari çek, profesor i gjuhëve romane (frëngjishtes e italishtes) Jan Urban Jarnik (1848-1923) botoi materiale folklorike shqiptare, një poezi, dy përralla popullore dhe 53 fjalë të urta nga rrethi i Shkodrës në librin Mbi gjuhësinë shqiptare, Lajpcig 1881 si dhe përmbledhjen me rrëfenja dhe anekdota nga Shkodra Ndihmesë për njohjen e dialekteve të shqipes, Pragë 1883.

Albanologu austriak Gustav Majer (1850-1900), profesor i Universitetit të Gracit botoi librin me 14 rrëfenja shqiptare Rrëfenja shqiptare, Lajpcig 1884. Një pjesë e materialit të tij folklorik u ribotua në vëllimet V e VI të veprën e tij Albanesische Studien (Studime shqiptare), Vjenë 1896-1897. Pasoi libri Gramatikë e shkurtër e shqipes me tekste e fjalor, Lajpcig 1888. Libri përmban një numër rrëfenjash toske.

Indoevropianisti danez Holger Pedersen (1867-1954), profesor i Universitetit të Kopenhagës, vizitoi Shqipërinë më 1893 për të mbledhur material gjuhësor. Në Korfuz regjistroi 35 përralla popullore shqiptare dhe i botoi në librin Tekste shqiptare me fjalor, Lajpcig 1895.

* * *

Me letërsinë gojore apo me folklorin shqiptar u morën shumë studiues dhe krijues letrarë arbëreshë. Në gjysmën e dytë të shek. XIX, me grumbullimin e thesarit folklorik shqiptar u morën edhe studiuesit shqiptarë këndej Jonit dhe Adriatikut, të cilët me botimet e tyre ushqyen lëvizjen e zgjimit kombëtar me ndjenjën e traditës e të identitetit.

Një prej të parëve është Zef Jubani (1818-1880). Supozohet se ka lindur në Shkodër. Libri i tij Përmbledhje këngësh popullore e rapsodish shqiptare, Trieste 1871 përbën përmbledhjen e parë me këngë popullore gegërishte, madje është e para vepër folklorike e botuar nga një shqiptar për vetë Shqipërinë. Nga viti 1848 Jubani shërbeu për disa vite si ‘dragoman’ (përkthyes) i konsullit frëng në Shkodër – Lui Jasint Hekard-it (1814-1866), i cili përgatiste një libër për Shqipërinë e veriut. Atë e tërhiqte mjaft folklori dhe gjatë udhëtimeve nëpër malësinë shqiptare të veriut mori me vete të rinjtë Zef Jubanin dhe Halil Koplikun. Një numër këngësh popullore që mblodhi aty dolën në një përkthim frëngjisht në veprën pioniere të Hekardit Histori e përshkrim i Shqipërisë së Epërme ose Gegërisë, Paris 1858.

Gjatë qëndrimit në Itali, Jubani u prit nga Jeronim De Rada (1814-1903) me të cilin mbante letërkëmbim. Ashtu si poetë të tjerë shqiptarë, edhe Jubani, një poezi ia ka kushtuar Dora d’Istrias (1828-1888) – pseudonim i Helena Gjikës, autore e studimit Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore, botuar në frëngjisht më 1866 në revistën letrare të Parisit Revue des deux mondes. Ky studim luajti rol në lëvizjen kombëtare shqiptare të periudhës së Rilindjes. Këtë studim të Dora d’Istrias, filologu dhe folkloristi arbëresh nga Sicilia Dhimitër Kamarda (1821-1882) e përktheu në gjuhën shqipe dhe në vitin 1867 e botoi në Livorno. Një libër apo një antologji me poezi shqiptare, me titull A Dora d’Istria gli Albanesi, Livorno 1870 (Dora d’Istrias shqiptarët), Dhimitër Kamarda ia kushtoi Dora d’Istrias. Autori kishte përfshirë në të poezi të Preng Doçit, të Zef Jubanit, të Thimi Mitkos, të Jeronim De Radës, të Françesk Anton Santorit, të Zef Serembes etj.

Folkloristi Thimi Mitko (1820-1890, Beni Suef, Egjipt) nga Korça botoi përmbledhjen e dytë me letërsi gojore shqiptare. Mitkoja ishte përfaqësues i shquar i kolonisë shqiptare të Egjiptit. Botoi librin Bleta shqiptare, Aleksandri 1878. Përmbledhja përmban 505 këngë popullore dhe 39 përralla e fjalë të urta nga Shqipëria e jugut. Libri u shkrua me alfabet grek. Është e para përmbledhje me interes të vërtetë shkencor. Veprën e Mitkos e ribotoi në Vjenë më 1924 me alfabetin e shqipes – Gjergj Pekmezi (1872-1938). Mitko i dha Djimitër Kamardës këngë popullore, gjëegjëza dhe përralla për përmbledhjen e tij. Bleta shqiptare e Mitkos përbënte një vepër themelore për letërsinë gojore shqiptare. Por në Evropën Perëndimore lëvizja e romantizmit kishte rënë prej kohësh dhe bashkë me të edhe interesimi për letërsinë gojore e për traditat folklorike. Kjo rrethanë bëri që përmbledhja e Mitkos të mos pritej në botë me atë vëmendje që meritonte.

Punët në lëmin e folklorit i vazhdoi edhe Spiro Dine (1846?-1922) nga Vithkuqi në krahinën e Korçës. Ishte anëtar themelues i seksionit të Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip në Egjipt më 1881, të njohur si Shoqëria e Stambollit, të themeluar në Stamboll nga rilindësit më 1879. Dine pati letërkëmbim me De Radën, me Dhimitër Kamardën, me dijetarin nga ishulli Idhra (Greqi) – Panajot Kupitorin (1821-1881), me Jan Urban Jarnikun, me Dora d’Istrian, me Kostandin Kristoforidhin (1830-1895), me Visar Dodanin (rreth 1857-1939) dhe Gustav Majerin. Vepra e tij Valët e detit, Sofje 1908 është një përmbledhje monumentale me 856 faqe me folklor e letërsi shqiptare. Në 412 faqet e para kemi poezi atdhetare të vetë Dines si dhe të shkrimtarëve të tjerë të periudhës së Rilindjes: Koto Hoxhi, Thimi Kreji, Kostandin Kristoforidhi, Anastas Kullurioti (nga Athina), Loni Logori dhe Jani Vreto. Sikurse poetët e tjerë, edhe Dine i kushtoi poezi Dora d’Istrias.

I pari folklorist që mblodhi letërsinë gojore në mënyrë më sistematike dhe më shkencore ishte Shtjefën Gjeçov (1874-1928) i lindur në Janjevë afër Prishtinës. Bëri kodifikimin monumental dhe botoi të drejtën zakonore shqiptare, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shkodër 1933, i cili së pari u botua pjesë-pjesë në revistën Albania të Faik Konicës (1875-1942) më 1898 dhe 1899, ndërsa në vitet 1913-1924 në revistën Hylli i Dritës në Shkodër.

Kanuni u përkthye në italisht nga Pal Dodaj (Romë 1941) si dhe në anglisht nga Leonard Foks (Nju-Jork, 1989).