STUDIM QË NDRIÇON VEPRËN E PAPËRSËRITSHME TË ANTON ÇETTËS

0
442
Anton Nikë Berisha - Vepra e Anton Çettës

Sevdail Demiri

Rreth studimit “Vepra e Anton Çettës përligj qenësinë e trashëgimisë sonë” të autorit Anton Nikë Berisha, botoi ITSHKSH – Shkup 2020

Jemi të nderuar që edhe ne si Institut shkencor në Shkup (Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore i Shqiptarëve – ITSHKSH), që si pikësynim kryesor interesimi kemi trashëgiminë e pasur shpirtërore e kulturore të shqiptarëve të këtyre trevave, sivjet po i bashkohemi kujtimit të një figure madhore të kulturës dhe shkencës albanologjike – prof. Anton Çettës. Dhe, libri që po e promovojmë sot, i autorit të njohur Anton Nikë Berisha: “Vepra e Anton Çettës përligj qenësinë e trashëgimisë sonë”, është pjesë e kësaj pasurie të madhe kombëtare që po e trashëgojmë ne si brez i ri në hapësirat tona.

Pa dyshim, Anton Çetta përbën një shtyllë shumë të fortë jo vetëm të shkencës albanologjike me përmasa mbarëkombëtare, por edhe një shtyllë unikate të rezistencës antipushtuese në procesin e gjatë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Pra, edhe përkushtimi më se i merituar që i bëhet kësaj figure madhore të botës shqiptare, përmes botimeve si kjo, është një mirënjohje modeste e autorit dhe e botuesit.

Në të vërtetë, ky libër, ndonëse jo shumë voluminoz për nga numri i faqeve, brenda vetes përmban të dhëna të shumta, përmban xhevahire që në pika të shkurtra përshkojnë gjithë veprën e eruditit, studiuesit dhe veprimtarit të papërsëritshëm – Anton Çettës. Së këndejmi, autori i studimit që në hyrje do të vërejë me shumë shkathtësi dhe pedanteri: “[…] me punën e vet prej mbledhësi, prej botuesi dhe prej studiuesi, Anton Çetta dha një nga ndihmesat më të mëdha që njeh deri më sot historia e letërsisë sonë gojore”. Kështu, autori Berisha, emrin e Çettës, me të drejtë e vendos në majat e panteonit të historisë së letërsisë gojore shqiptare.

Më tej, duke e ndarë në kapituj të veçantë, autori merret me veçantitë e fushave të interesimit dhe të studimit të Anton Çettës. Në fillim të librit e vështron qenësinë dhe rëndësinë e traditës popullore si dhe domosdonë e njohjes dhe studimit të veprës së prof. Çettës brenda kësaj tradite. Në vijim bën portretizimin e figurës së Anton Çettës si poet për fëmijë, për të vazhduar me punën kryesore të tij si mbledhës dhe botues i shquar i letërsisë gojore shqipe. Një vend meritor autori i librit ndalet te gama e gjerë profesionale shkencore e prof. Çettës, si studiues i vëmendshëm i letërsisë gojore shqipe, për të vazhduar tek një tjetër veprimtari e tij – profesor universitar dhe përkthyes letrar, ku gjithashtu ka ai lënë gjurmë të pashlyeshme.

Është me interes të theksohet fakti se gjatë veprimtarisë së gjatë profesionale – shkencore, si mbledhës i përkushtuar i folklorit dhe i përbërësve të tjerë të traditave popullore shqiptare jo vetëm brenda Kosovës, por dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi e atëhershme, Anton Çeta si rrallë ndonjë tjetër, u mishërua me shpirtin e përvuajtur të popullit të vet dhe krijoi një lidhje që kalon madje në përmasat metafizike.

Ky interferim i natyrshëm që ishte krijuar ndër vite, dhe besimi i madh që kishte populli në virtytet e larta morale, kombëtare e profesionale të këtij burri të madh të kombit tonë, bëri që rinia shqiptare të kërkonte që pikërisht prof. Anton Çetta të jetë në krye të aksionit më të madh popullor të pajtimit të gjaqeve – si një veprim që i vuri vulën jetës dhe veprës së tij, duke marrë përmasa të pakrahasueshme. Ky akt e bashkoi popullin si kurrë më parë dhe e përgatiti atë për qëndresë aktive që do të pasonte në vitet e mëvonshme në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, duke bërë ndryshime të ndjeshme në mendësinë e shqiptarëve gjithandej.

Në librin që e kemi para nesh, botohen si shtojcë edhe pesë letra të Anton Çettës, që në të vërtetë paraqesin letërkëmbime kolegjiale me autorin e librit në fjalë – Anton Nikë Berisha, derisa ky i fundit ndodhej për qëndrim studimor në Gjermaninë Perëndimore (BRD). Në letërkëmbime vërehen qartazi jo vetëm se preokupimet e vazhdueshme profesionale të Çetës, siç ishin mbledhja, studimi dhe botimi i folklorit, por edhe raportet e ngrohta ndërkolegjiale në Institutin Albanologjik të Prishtinës, e ku në veçanti, disa herë, përmendet dhe emri i studiuesit të letërsisë dhe liderit të mëvonshëm të Kosovës, Ibrahim Rugovës.

Ky letërkëmbim paraqet një freski më vete të veprës dhe e bëjnë atë shumë impresionuese, duke mundësuar njohjen e një dimensioni tjetër të botës së brendshme të prof. Çettës, i cili nëpërmjet adresimeve private shpërfaq modestinë, sinqeritetin, korrektësinë dhe impenjimet personale e profesionale, të bashkëdyzuara në formë unikate, si gjithherë.

Në libër botohet edhe një këngë përkushtimore për Anton Çettën, ku përmes vargjeve tetërrokëshe në frymën e poezisë gojore portretizohet aq bukur veprimtaria atdhetare në krye të aksionit të pajtimit:

N’krye t’rinisë u vu prijtar
nisi punën me të mbarë
tuj pajtue n’Kosovë gjaqet
tue i gzue, besa, konaqet
tue i gzue votrat e ndrymë
tue i çelë zemrat e vyeme.

Fare në fund, jepet një biografi profesionale e autorit të librit, Anton Nikë Berisha.

Marrë në përgjithësi, edhe pse deri më tani ka pasur disa botime që i janë qasur figurës së prof. Anton Çettës, realisht ky libër ka veçantitë e tij që nuk mund të hasen në asnjë botim tjetër të kësaj natyre të botuar deri më tani. Zaten, edhe vetë qasja studimore e prof. Anton Nikë Berishës është e veçantë dhe me kompetencë shkencore, prandaj ky libër meriton vëmendje dhe kujdes të veçantë nga studiuesit e albanologjisë dhe lexuesit shqiptarë në përgjithësi.

Shkup, 21. 12. 2020