STUDIM I HARTUAR ME PËRKUSHTIM PËR NJË VEPËR LETRARE ME VLERA TË MËDHA

0
593
ANB - Poetika e fjalëve të ngurta

Ajete Zogaj

Anton Nikë Berisha, “Poetika e fjalëve të gurta”. Qasje veprës letrare të Azem Shkrelit. Botoi Argeta – LMG, Tiranë 2010

Vepra letrare e Azem Shkrelit, tani e një kohë të gjatë vazhdon të jetë objekt studimi nga njohës të veprës së tij e studiues të letërsisë, duke e trajtuar krijimtarinë e tij nga kënde e rrafshe të ndryshme.

Pa dyshim, njëri ndër më meritorët për studimin e hollësishëm të veprës së Azem Shkrelit është studiuesi i letërsisë, profesor Anton Nikë Berisha, me librin studimor “Poetika e fjalëve të gurta. Qasje e veprës letrare të Azem Shkrelit”.

Rrugëtimi i një studimi

Libri është i strukturuar në gjashtë kapituj, duke i paraprirë një shënim hyrës “Si dhe pse lindi ky studim?”, shënim ky që shpalos preokupimin e hershëm të studiuesit Anton Nikë Berisha për t’u marrë me studimin e veprës së Azem Shkrelit, të cilin e njihte nga Normalja e Prishtinës, kohë kjo, kur Azem Shkreli dhe autori i këtij studimi, ishin nxënës të asaj shkolle të mesme, për t’u përmbyllur me kapitullin “Lexim dhe interpretim që hap dritare”.

Ishte romani “Karvani i bardhë’’ dhe përmbledhja me poezi ’’Bulëzat’’ që Azem Shkreli i botoi si normalist, për të cilat autori Anton Nikë Berisha në shkrimin hyrës të librit thotë se “[…] nxiti mendime të ndryshme, por të rëndësishme, që i hapën shtegun krijimit të veprave moderne të prozës shqipe që zhvillohej në Jugosllavinë e atëhershme, por edhe të letërsisë shqipe në përgjithësi’’ (f,7).

Në shënimin hyrës të këtij studimi, profesor Berisha ‘rrëfen’ për paraqitjen e përmbledhjes me poezi të zgjedhura “Pagëzimi i fjalës’’ në një emision kulture të Televizionit të Prishtinës, si dhe kërkesës së bërë nga Azem Shkreli në korrik të vitit 1990, që t’i shkruante parathënien e kompletit të veprës letrare të cilën atë vit duhej ta botonte Redaksia e botimeve të Rilindjes.

Që nga ajo kohë, profesor Anton Nikë Berisha iu kishte qasur me shumë përkushtim veprës letrare të Azem Shkrelit, duke e lexuar e rilexuar, si dhe duke dhënë, herë mbas here, vlerësimin meritor për të.

“I lexova të gjitha librat e tij letrarë. I lexova edhe për herë të dytë. […].Leximi dhe rileximi i gjithë opusit letrar të Shkrelit më bindi edhe më shumë për një gjë: duhet bërë gjithçka që kjo vepër vlerash të mëdha poetike të njihej sa më mirë dhe të bëhet sa më shumë që është e mundur, pjesë e jetës sonë letrare dhe shpirtërore, pa marrë parasysh vështirësitë dhe mendimin e disave. Si e tillë, ajo mund ta pasuronte artistikisht dhe shpirtërisht, edhe lexuesit, edhe shkrimtarët’’ (f.11).

Studim i përkushtuar

Në kapitullin e parë “Vepër me botë të pasur dhe origjinale poetike” Anton Nikë Berisha vë në spikamë vlerat e mirëfillta letrare të krijimtarisë së Azem Shkrelit, duke e cilësuar si një ndër personalitetet dhe individualitet krijuese më të shquara, e që, sipas autorit, studimi i veprës së tij poetike kërkon përkushtim më të madh, pra është për shumëçka i vështirë.

Leximi i kujdesshëm i këtij libri studimor, tregon më së miri punën përkushtuese në radhë të parë të studiuesit Anton Nikë Berisha (punë model për studiuesit tjerë) se si dhe sa mund ( e dije) duhet derdhur për t’iu qasur dhe për ta interpretuar një vepër të tillë cilësore, nga më të realizuarat në letërsinë tonë.

Studimi i Berishës është shumështresor, ashtu siç është shumështresore edhe krijimtaria letrare e Azem Shkrelit, që sipas Berishës zë fill nga jeta burimore e vendlindjes së shkrimtarit, Rugovës, e për t’u shtirë në gjithë botën shqiptare dhe në fatin dhe fatkeqësinë e njeriut tonë. Berisha shkruan: “Vepra e tij letrare nuk cilësohet e nuk dallohet nga të tjerat vetëm për botën e veçantë tematike, për objektet artistike të trajtuara edhe për mënyrën e strukturimit të materies gjuhësore artistike, për shumësinë kuptimore, pastaj për llojet e pasura të vargjeve (në poezi), të dialogëve e monologëve (në prozë dhe dramë), për raportet kundërshtore dhe kontrastike të mendimeve që dalin nga strukturimi përkatës shprehës, po origjinaliteti dhe mëvetësia e saj dalin nga urtia popullore shqiptare, e cila me aq mjeshtri është përdorur, është shkrirë e është funksionalizuar në të, në mënyrë të veçantë nga shprehësia gjuhësore e nga shtjellimi sintaksor, gjë që edhe i jep asaj vlerën kryesore” (f.20).

Kapitulli i dytë i këtij studimi “Magjia e fjalës ose përmasë e pazakonshme e thellësisë dhe e shumësisë kuptimore”, dëshmon punën përkushtuese të autorit Berisha për t’i interpretuar e për t’i analizuar tekstet poetike të veprave përkatëse në poezi, në prozë dhe në dramë. Disa prej këtyre veprave si vlerë poetike hyjnë në rrethin më të ngushtë të letërsinë sonë në  përgjithësi.

Sipas profesor Berishës, “Poeti ka mision e detyrë të rëndë, prandaj krijimi i fjalës poetike kërkon flijim të jashtëzakonshëm shpirtëror dhe intelektual”, që dëshmohet dhe përmes këtyre vargjeve mjaft të veçanta, ku shprehen elemente të rëndësishme të parimit krijues poetik të Shkrelit:

Mos u bëj poet nëse s’mund të lindish
Me secilin varg, të lindish me secilën fjalë…
Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh
Për secilin varg, për secilën fjalë. (f. 27)

Duke analizuar me kujdes poezinë e Azem Shkrelit, Berisha konstaton se “poezia e tij nuk është vetëm shqiptim poetik i problemeve të botës sonë, nuk është këngë e tragjikes ose këngë e përvajshme; ajo s’është as këngë për mëshirë, këngë e falimentimit, por është këngë artistikisht e ngritur, që nënkupton mospajtimin, protestën kundër një gjendjeje të tillë e kundër shkaktarëve të saj; në qenësinë e vet ajo është këngë për qëndresën, për flijimin, për fatmirësinë e për krijimtarinë”.

Kapitull i rëndësishëm i këtij studimi është i treti me titullin “Roman për njeriun e vrarë nga koha”, ku shqyrtohen nga aspekte të ndryshme dy variantet e romanit “ Karvani i bardhë” (botimi i parë i vitit 1961 dhe botimi i dytë i vitit 1996), që bën shkrimin më të veçantë dhe ndër më të realizuarit për këtë roman të Azem Shkrelit të bërë deri tani te ne.

Duke e interpretuar këtë roman Berisha i ndriçon në mënyrë bindëse shtresat, veçantitë, shtjellimin e tekstit dhe rrugëtimin e këtij romani si dhe interesimin e lexuesit dhe kritikës për kohën kur pa për herë të parë (1961) dritën e botimit.

Sipas Berishës, “Çështja kryesore që kushtëzoi dhe shkaktoi mendime e vlerësime të këtilla për ‘Karvanin e bardhë’ të Azem Shkrelit dhe që as sot e kësaj dite të mos kemi një vështrim dhe një interpretim të plotë e të pranueshëm, është se vepra përherë u mor dhe u trajtua si roman tradicional, ndërsa në qenësi është ngritur e shtjelluar mbi bazën e romanit modern. Pikërisht qasja pozitiviste dhe kërkimi i atyre përbërësve e shtesave të romanit tradicional e jo të asaj që faktikisht ofron dhe përmban vepra, bënë që të ketë kundërthënie jo vetëm në punimet e disa autorëve, por edhe të një autori” (f. 41).

Shkaqet e një interpretimi të ‘gabuar’ të romanit studiuesi Berisha i sheh nga fakti se“ […] Çështjet e jashtme, që dalin nga thënie të ndryshme të personazheve ose nga rrëfimi i vetë autorit, u morën si parësore e vendimtare, ndërsa pjesa “e errët” e romanit modern, që në “ Karvanin e bardhë” është mjaft e pranishme dhe origjinale, u mor si e dorës së dytë ose nuk u vlerësua fare” ( f. 41).

Në qasen thellësisht të argumentuar rreth romanit “Karvani i bardhë” autori i studimit shqyrton figurën komplekse të personazhit kryesor Dyl Mehmetit, sidomos qenësinë e metaforës “Dyl Mehmetin e ka vrarë koha” për çka nuk ishte thënë në asnjë shkrim apo studim bërë këtij romani nga autorë të tjerë.

Është bota e brendshme e personazhit të Dylit, apo siç e quan studiuesi Berisha ‘bota e errët’ mjaft komplekse e kundërthënëse, e cila nxit luftë të brendshme, luftën e dy botëve brenda një personazhi, të cilën Berisha e trajtoi në disa aspekte, qoftë në atë kohor, qoftë në atë shpirtëror e të strategjisë së rrëfimit.

Te personazhi i Dyl Mehmetit autori Berisha, shpalos sidomos tiparet e tij: krenarinë dhe tragjiken, mitiken dhe konkreten, duke i konkretizuar me shembuj të shumtë nga teksti i romanit.

“Azem Shkreli është një rrëfimtar i zhdërvjellë”- vlerëson Berisha në librin e tij, duke vënë theksin  sidomos në çiltërsinë dhe sinqeritetin e rrëfimit si dhe pasurinë shpirtërore e mendore të Azem Shkrelit në krijimin e  tekstit.

Një vend i rëndësishëm në studimin e Berishës i kushtohet versionit të dytë të romanit “Karvani i bardhë” i botuar më 1996. Duhet thënë se Azem Shkreli iu kthye romanit pas 30 vjetësh, ku krijoi një prozë për shumëçka tjetër, sidomos në rrafshin e gjuhës poetike dhe të shtjellimit të tekstit: “Dy çështje kushtëzojnë ndryshimet e mëdha midis këtyre dy versioneve:

  1. a) gjuha poetike, përkatësisht sistemi i të shprehurit poetik, që e bëjnë versionin e dytë njërin ndër romanet më artistikë të shkruar në gjuhën tonë.
  2. b) qasje dhe shqiptim i ndërliqshëm i botës së brendshme të burrave të ngujuar në shpellë dhe i raporteve shoqërore, që e kushtëzuan dhe e kushtëzojnë atë botë” (f. 59).

Pjesë mjaft interesante e krijimtarisë shkreliane janë edhe tregimet e tij, të cilat studiuesi Berisha do t’i cilësoi krijesa moderne, ku ndalet veçmas te tregimet “Buka” dhe “Puthja në bronze”

Veprën dramatike “Fosilet”, që është dramë e individit, dramë e Dyl Mehmetit, autori Berisha e vlerëson si ‘’tragjikë të dyfishtë dhe të trefishtë të njeriut” tonë. Në hartimin e kësaj vepre Azem Shkreli është treguar njohës i madh i dramës si gjini letrare, por edhe i skenës, ku teksti dramatik gjallon në plotninë e vet. Në dramën tjetër “Varri i qyqes”, sipas Berishës, Azemi e pasuroi për shumëçka dramaturgjinë shqiptare.

Duke qenë studiues i letërsisë, dhe njëkohësisht dhe njohës i mirë i letërsisë sonë gojore, Anton Nikë Berisha në këtë vepër studimore trajton një element të rëndësishëm, atë të letërsisë gojore në tregime dhe romanin e Azem Shkrelit: “Për t’u bindur se letërsia jonë gojore është, të themi metaforikisht, mishi dhe gjaku i disa tregimeve ose romanit ‘Karvani i bardhë’ të Azem Shkrelit, mjafton që, për një çast, të synonim që disa nga frazeologjitë, mallkimet, urimet, përbetimet, ngushëllimet e shprehjet që i përkasin letërsisë gojore t’i hiqnim ose t’i zëvendësonim me shprehje të reja” (f. 114).

Libër që do t’u shërbejë studiuesve të rinj

Studimi “Poetika e fjalëve të gurta” përmbyllet me kapitullin “Lexim dhe interpretim që hap dritare” e që simbolikisht synon t’i ‘thotë’ lexuesit e studiuesit të ardhshëm, se ky libër është një dritare për të hyrë thellë e më thellë në botën e një artisti të madh të fjalës siç ishte Azem Shkreli dhe të veprës së tij momentale të letërsisë sonë bashkëkohore.

Ky fakt e bën librin “Poetika e fjalëve të gurta” të Anton Nikë Berishës një studim jashtëzakonisht të rëndësishëm që ndriçon disa nga vlerat kryesore të një krijimtarie letrare madhore, siç është ajo e Azem Shkrelin.

Në përmbyllje them me bindje se “Poetika e fjalëve të gurta” e Anton Nikë Berishës është studim për shumëçka i veçantë dhe shumëpërfshirës. Lexuesit e veprës letrare të Azem Shkrelit nga ky studim mund t’i zgjerojnë njohuritë e tyre për këtë vepër poetikisht të pasur dhe të aftë të vërë komunikim shumështresor me lexuesin dhe të ndikojë estetikisht në të. Besoj se edhe studiuesit kanë çka të mësojnë prej tij.

Prishtinë, korrik 2020