Stinët

0
432
Dea Halimi

Dea Halimi

Ecnim përbri liqenit të rregulluar bukur të Gërmisë, pa folur asnjë fjalë. Në cilëndo anë të shikoja kapja pamje të bukura, të mrekullueshme dhe ndieja aromë shumë të thellë e të këndshme të pishës, të rrapit dhe të ujit. Dolëm krye liqeni dhe ende të heshtura ndiqnim shtigjet nën kurora të dendura pemësh. Isha vetëm. Jo, megjithatë, nuk isha vetëm; isha vetëm me Lean, motrën time të imagjinuar. E shikova motrën dhe kollita pak, që më pastaj ta shikoja në sy.
– Të mundon ndonjë gjë, – tha ajo.
– Jo, nga të ra në mendje diçka e tillë?
– Ashtu, kot. Më shikon çuditshëm, – tha Lea
– Desha të të pyesja diçka…
– Mos ngurro, fol, – më ndërpreu.
– A mos do të ishte më mirë që viti të ketë më shumë se katër stinë, apo ndoshta ndonjë më pak?!
Më shikoi me habi dhe për një kohë nuk foli.
– Hë, pse hesht tash, – ia bëra.
– Nuk prisja të më thoshe diçka të këtillë.
-Prite apo nuk prite, më jep një përgjigje!
– Përgjigje!?
– Po, përgjigje… – e shikova.
– As më shumë as më pak. Kaq sa i ka: katër! – tha ajo. – Më shumë apo më pak stinë do të ishin të dëmshme për shëndetin… jo vetëm për shëndetin tonë, por edhe për shëndetin e lules, të zogut, të bletës, fluturës!
– Nuk pajtohem me ty. Çdo gjë ndë-rron, e ke vërejtur. Le të ndërrojë dhe kjo gjë.
– Jeta nuk ndërron, moj!
– Ndoshta do të ishte mirë t`i kemi vetëm tri stinë, – iu afrova dhe ia lëshova dorën rreth qafës, me ngrohtësi.
– Ma largo dorën, – tha.
– Pse?
– Ti nuk qenke në vete… – foli e hutuar e unë e shikova e qetë fare. E largova dorën nga qafa e saj, duke u bërë sikur nuk e dëgjova çfarë më tha. Kjo gjë pak e shqetësoi.
-Çka mendon, – ndërhyri pastaj. – Cilën stinë do te duhej ta hiqnim ?
– Ta heqim dimrin, – thash unë
– Ku do të mbetet loja me ski, ku do të mbetet dordoleci. Do të ngrinin bimët pa jorganin e tyre të bardhë. Kjo nuk bën fare, – tha ajo.
– Jo, mirë e ke. Nuk bën ta fshijmë dimrin, – thash unë.
– Nuk bën, – e përforcoi Lea.
– Ta largojmë atëherë vjeshtën, – i fola unë.
-T`i zhdukim frutat; mollët e kuqe, dardhët e pjekura, rrushin e kuqërremtë, të bardhë apo të zi… Fëmijët do ta humbin buzëqeshjen e hapjes së shkollave, gëzimin e nisjes së mësimit!?
– Jo, vjeshta le të mbetet.
– E shikon, secila stinë e ka ngjyrën dhe gjithësinë e shpirtit të vet, pa të cilën nuk ecën mbarë asgjë.
– Ta zhdukim verën, – thash unë
– Unë e dua verën pse bën vapë dhe kjo na mundëson ta shijojmë detin, të vrapojmë plazhit dhe të mbledhim guaca të arta, të argjendta… E jo vetëm kaq. Në verë korrim kallinjtë e artë të grurit, që të kemi çfarë të hamë…
– Pa verën, nuk do t`i kaloja tri-dhjetetre ditë në plazhin e Shtojit të Ulqinit, përballë Gurit të Gjeranës. Nuk do t`i mblidhja gjithë ato guaca. Nuk bën kurrsesi pa verën, – thash unë.
– Ja, mbetet ta zhdukim vetëm pra-nverën atëherë, – tha ajo.
– Jo, jo… Kurrë jo. A zhduken lulet, muzika që krijojnë bletët nga mbledhin nektar, a zhduket behari në pemët, a zhduket zgjimi i natyrës dhe i shpirtit?! – thash unë.
– E shikon, pra, e dashura ime, – tha ajo. – Secila e ka kohen e vet, shpirtin e vet, dritën dhe jetën, e ka rrjedhën e vet. E – kot, nuk mund të heqësh as të shtosh asgjë. Përndryshe luhatet çdo gjë, prishet drejtpeshimi brenda dhe jashtë nesh. Humb kuptimi dhe natyrisht sëmuremi…
Pohova me kokë, e bindur tërësisht se stinët, pa të cilat nuk rrjedhin siç duhet gjërat, nuk duhet prekur!
-Dea, – e dëgjova të më thërriste nëna, e cila qe mbetur ca hapa prapa meje, në bisedë me një shoqen e vet. – Me kë flet kaq me zë, Dea, – tha nga më afrohej.
-Me ty. Me kë tjetër? – ia bëra.
Ajo e lëvizi ca kokën e buzëqeshi.