Nga Ardian Ndreca
Mediat tona të trullosuna u morën për ditë të tana me atletet e Ramës në takimin e Triestes dhe me idenë e marrë të “Jugosllavisë së re”, siç dihet nana e budallenjve asht gjithmonë turn i tretë, por nuk ju shkoi mendja me u marrë me substancën e vërtetë të atij summit-i, se çka përfiton drejtpërdrejt Shqipnia dhe cilat janë modalitetet e investimit nga ana e BE-se të 194 milion eurove, pjesë e nji investimi ma të madh prej 500 milionësh që do të jepen për rreth 20 milion banorët e asaj pjese të Ballkanit. Askush nuk u interesue me dijtë për kriteret e atij investimi dhe mënyrën sesi do të realizohet.
Teveqelave tanë u duket ma e randësishme me u marrë me stilin e veshjes së Ramës, të cilit i ka mbetë me sa duket diçka nga ai fashioni i dikurshëm i kohës kur hante makaronat me grushta, dhe qëllimisht lanë në rend të dytë randësinë e atij summiti, që ka si objektiv “kooptimin” në Europën e Bashkueme me anë investimesh të pjesës ma problematike të Ballkanit dhe jo krijimin e nji Jugosllavije të re. Me kravatat e këpucët e Ramës le të tallen kolegët e tij sqimatarë, gja që edhe e bajnë rregullisht, ne s’na intereson aspak ajo temë, pse në fund të fundit gomari nuk çalon nga veshët.
Problemi i Ramës në marrdhanjet me BE-në, asht se ai kalon nga prehni i Erdoganit në atë të Europës, tue luejt lojën e vjetër me dy porta të Berishës. Kah ana tjetër Rama nuk njihet për nji fantazi të gjallë, politikisht ai asht nji improvizues dhe nuk ka asnji substancë.
Rama i pasigurt dhe i pavendosun që nuk qe në gjendje me çue para drejtësisë së vërtetë as vrasësit dhe as urdhnuesit të vrasjes së katër demonstruesve të pafajshëm të 21 janarit, që s’ka mbërrijtë me çue as si të pandehun nji ministër të vetëm të Berishës, që sillet me nji lakeizëm të papamë ndaj manjatëve të mediave shqiptare, që vdes natë e ditë për komentet që i bajnë në facebook, pikërisht ky Rama admiron Erdoganin siç admiron nji impotent nji përdhunues serial.
Por s’na intereson me i ba analizën skutave të nënvetëdijes së Ramës, pse nuk asht aq i randësishëm sa kujton e me shumë gjasa e vetmja përmasë për të cilën do të kujtohet në politikë asht gjatësinë e tij trupore.
Dikur Berisha fliste për gramaturat e gjakut shqiptar në atë turk, kurse këto ditë fotoja emblematike e Ramës dorë në dorë me Erdoganin (a i përfshin protokolli dypalësh këto kontakte epidermike përmalluese!), vjen në momentin që ai i besoi turkut të fuqishëm rilindjen e kompanisë që mban flamurin shqiptar, tue rivendosë edhe simbolikisht nji turkokraci të re ndër ne.
Tash së fundi Rama ka shpikë “dëgjesat publike”, kthimi “gju më gju me popullin” asht nji gjetje populiste që tregon pasiguri dhe mungesë strategjije, nga ana tjetër ajo synon me mbulue dështimet e mundshme, tue thanë se ne realizuem atë që na the ti o “masë”, vepruem siç deshtët ju!
“Dëgjesat publike” janë harqet e triumfit që Rama ndërton me kallama e me letra me ngjyra në çdo katund e qytezë ku mbërrin me mbledhë njerëz. Tentativa e induksionit të masave në qeverisje asht nji kinezizëm i shtampës së vjetër, që vetëm injorantat e budallenjtë mund ta shpluhnosnin rishtas.
Në politikë kush ka ide dhe asht i sigurt se idetë e veta janë të mira, tenton me i vu në jetë, madje edhe kur ato nuk janë aspak popullore. Bashkëqeverisje? Vetëm nji idiot mund të mendojë se vendi mund të bashkëqeveriset nga tre milion banorë! Si mund të diskutohet me nji farë sensi për planifikimin e territorit me njerëz që s’kanë as rudimentat e shkencës përkatëse, që në 99% të rasteve nuk kanë instrumentat minimal për me dhanë nji çfarëdolloj kontributi pozitiv në atë disktutim? E kështu me rradhë në fushën e ekonomisë, financave etj.
Të paktën Berisha diskutonte me katundarinë gjana si boronicoret, arroret e kamomiloret, jo teorinë e Keynes apo çeshtjet e arkitekturës urbane! Vetëm tek ne kaosi ekstrem dhe qeverisja perfekte mund të përkojnë plotsisht. Por kështu asht kur disa gjana nuk mësohen në shkollë e madje kur nuk mësohen në kohën e duhun.
Çka do t’i thonë “masat” Edi Ramës që ai nuk e din ende?! Që s’ka punë, që administrata asht e korruptueme dhe nuk funksionon, që hashashi mbillet anëkand vendit dhe prodhon korrupsion, fuqizon krimin e organizuem, shkatrron të ardhmen, që rinia braktis vendin pse s’ka të nesërme… pse, s’i din këto gjana Edi Rama dhe duhet t’ia thonë masat!
Rama asht megallomani tipik që mund të merret vetëm me gjana të vogla si lyemje fasadash, trotuare, sheshe, puseta, kioska, por kurrsesi me reforma të mirëfillta.
Prandaj e keni kot, legjislaturën e kalueme e përshkoi rrëshqanë, me justifikimin se kishte Ilir Metën në shpinë, tashti ka përpara sprovën ma të madhe, por ai s’asht në gjendje me kalue asnji lloj sprove pse asht njeri me vullnet të dobët dhe pa guxim.
Rama asht kthye tashma në nji eksperiment laboratorik në shkallën 1:1 me vendin që qeveris, nji autoprojektim vanitoz që rrokë kufijtë e delirit, e megjithatë askush prej të afërmve të tij s’ka guximin me ja thanë këto gjana.
Ai mund t’i fitojë zgjedhjet edhe me gjashtë milion vota, por nji si ai nuk asht në gjendje me ba shtet, pse ai asht nji kompromisaxhi e asgja ma shumë, këtë e ka tregue ma së miri zgjedhja e Ilir Metës president. E ky i fundit në fushatë elektorale doli haptas, pa truk dhe makijazh, pa qetësi dhe pa dashuri, tue tregue se cili asht. Në nji shtet serioz nji që ban thirrje me armatosë mbështetësit apo kërcënon hapun rendin kushtetues e ka vendin në burg e jo në presidencë. Le ta pyesin sivëllaun e tij Taip dorëbutin sesi veprohet me njerëz të tillë!
Tue kalue tek kriza e randë që ka mbërthye PD-në, me vjen me mendue se PD-ja asht nji parti e privatizueme dhunshëm qysh prej gjysmës së viteve ’90. Ka shumë kohë që ajo asht kthye nji shumësi njerëzish jo të lirë, tek e cila për dekada s’ka pasë asnji lloj fryme kritike. Vetëm përceptimi ma i vagullt i nji lloj fryme kritike mbrenda PD-së ka qenë aq vdekjeprurës, për kritikët, saqë mbas Olldashit kemi pa vetëm servila pa shtyllë kurrizore.
Tashma roli i PD-së ka mbarue dhe fryma e saj ka dështue, pse nji parti s’mund të gjallojë kaq gjatë në funksion të nji njeriu e të nji klani kriminal.
Gjaja ma e mirë do të ishte me ja lanë partinë në dorë Berishës, të vjetrit apo të riut s’ka randësi, në mënyrë që ta ezaurojnë deri në fund aventurën e tyne antishtet dhe anti Shqipni.
Sa për gjamën që lëshon J. Topalli, ajo e përjashtuemja e madhe e PD-së, për kthimin e Berishës në fushë të mejdanit, këtu s’ka asgja të re, prej te Neroni e deri te E. Hoxha ka pasë gjithmonë prej atyne që kanë invokue diktatorin, tiranin, atë që i jepte siguri të rreme njerzve-hije e pa personalitet që i silleshin rrotull.
Paralelet qesharake mes Berishës dhe De Gaulle-in janë vetëm fryt i injorancës së thellë dhe i servilizmit kozmik të së përjashtuemes. Berisha s’ka lanë asnji gjurmë të vetme sadopak të ngjashme me De Gaulle-in. Por edhe vetë ajo politikania e rastësishme s’ka lanë asnji gjurmë, pse fjalimet retorike prej gjimnazisteje histerike nuk përbajnë kurrfarësoj gjurme.
Asnji ligj për familjen, për gratë, për pushtetin vendor, për moshat e shtyme, për ish pronarët, nuk mban emnin e saj, pse as ajo dhe as plepaxhinjte e saj s’ishin në gjendje me konceptue nji projektligj me formë dhe me frymë europiane. As udhtimet e saja të kota në emën të “diplomacisë parlamentare” nuk kanë sjellë absolutisht asnji gja konkrete, përveç shifrave stratosferike të shpenzueme krejt kot për me engledisë këtë zonjë që qëndron krenare në kufijt e epërm të mediokritetit.
E atëherë, çka do t’i mungojë kuvendit përveç shpupurishjeve të saja në mbrojtje të doktorit famëkeq! Asgja.
Tashti që edhe mashtruesat ordinerë si Shpëtim Idrizi, Ben Blushi apo Kreshnik Spahiu nuk do të jenë në parlament, klima do të jetë padyshim ndryshe, por s’do ta ndiejmë as mungesën
e nji vistre tjetër me figura të kota, të paqta o agresive, që nxehnin stolin dhe çonin dorën veç sa me votue.
Sa për L. Bashën e E. Selamin, këta janë dy qofte të nditshme e pa shije që kanë sens vetëm për me mbajt larg ashikët e Berishës nga partia. Basha asht qesharak dhe pa autoritet, ndërsa Selamit nuk mund t’i besohet as organizimi i festës së abetares, jo ma ai nji partije politike. Kë tjetër? Nishanin? Etalonin e kotësisë që e ktheu republikën në nji gabim shtypit! Ai asht aq i mjerë sa s’e gëzon privilegjin me e vue në shënjestër as me lapetën e mizave.
Ma mirë të zgjedhin kryetar Myslim Murrizin, me lejen speciale me nxjerrë jashtë me shqelma të gjithë matrapazat dhe maskarenjtë që e kanë mjelë atë parti dhe e kanë çue në këtë pikë.
Jemi në pik të verës. “Ende s’keni pa gja”, pat thanë në fillim Mjeshtri i batutave – dhe në fakt nuk pamë asgja. Kurse sot thotë “pritni vjeshtën”, kjo shprehje më kujton nji tjetër mashtrues të neveritshëm, atë që tash sa vjet premton arrestime të bujshme në vjeshtë. E kam fjalën për atë që u pat emnue për me dënue të keqen por përfundoi pa vonue tue u menaxhue prej saj.
Nji gja të vetme kam kuptue, këta që në korrik paralajmërojnë gjana të bujshme në shtator janë tipa që mendojnë se kujtesa jonë nuk i rrokë dot dy muej kohë.
Le të presim vjeshtën, gjendja asht e pashpresë por e durueshme, vjeshta s’ka me qenë tjetër veçse hapja e sezonit të gjatë të mediokritetit.