Stephen Hawking la pas mesazhe të fuqishme, për të gjithë ata që po kalojnë momente të vështira

0
480

TemA

Ai nuk ishte thjesht një nga fizikantët më të mëdhenj të kohës sonë. Stephen Hawking la pas edhe një sërë mesazhesh frymëzuese për të gjithë ne. Sot ne kemi menduar t’i hedhim edhe një herë sytë tek disa fjali të tij, dedikuar gjithë personave që po kalojnë nëpër momente të vështira në jetën e tyre.

Në një leksion mbajtur në “Royal Institution” në Londër, në janar të vitit 2016, Stephen Hawking tha këto fjalë për njerëzit që po luftonin me depresionin:

“Mesazhi i këtij leksioni është se vrimat e zeza nuk janë aq të zeza sa vizatohen. Ato nuk janë si burgjet e përjetshme që i mendojmë të gjithë… Gjërat mund të dalin nga një vrimë e zezë në anën tjetër, ose ndoshta në një univers tjetër. Kështu që, nëse ndihesh sikur je në një vrimë të zezë, mos u dorëzo. Ka gjithmonë një mënyrë për t’ia dalë mbanë. Kujtohu të shohësh lart drejt yjeve dhe jo poshtë drejt këmbëve të tua. Mundohu t’i japësh kuptim asaj që sheh dhe arsyes se çfarë e bën universin të ekzistojë. Ji kurioz. Sado e vështirë të të duket jeta, ka gjithmonë diçka që mund të bësh dhe ku mund të korrësh sukses”.

Si një njeri që kaloi nëpër një sërë vështirësish dhe jetoi një jetë të guximshme dhe të mrekullueshme, këto këshilla nuk mund të kishin burim më të mirë nga të jepeshin.

Në të njëjtin leksion, vajza e tij Lucy i tregoi audiencës se motivimi dhe motivimi që ai kishte, e mbanin gjallë të atin e saj:

“Ai ka një ambicie të fortë për të mbledhur gjithë njohuritë, energjitë dhe përqëndrimin e tij vetëm për të ecur përpara. Dhe jo vetëm të ecë përpara thjesht duke jetuar, por duke shkruar libra, duke dhënë leksione dhe duke frymëzuar njerëz me sëmundje neurodegjenerative, apo me paaftësi të tjera”.

Stephen Hawking ishte nga ata që i vlerësonte gjërat që kishte:

“Ishte një fatkeqësi të vuaja nga një sëmundje neuromotore, por unë jam fatlum në pothuajse çdo gjë tjetër. Kam qenë me fat të punoja për fizikën teorike, në të cilën paaftësia ime nuk përbënte një pengesë serioze”.

“Është gjithashtu e rëndësishme të mos mërzitemi, sado e vështirë të duket jeta, sepse çdokush mund të humbasë çdo shpresë, nëse nuk i buzëqesh vetes dhe jetës në përgjithësi”, – është shprehur ai. / horizonti.al