Nga Konica.al – 18 Nëntor 2017
Stenda provokuese dhe gjuha e urrejtjes, fyerjes madje edhe përçarjes fetare që ushqen rininë e sotme të vendit tonë.
Me padurim po prisnim titujt e rinj të librave që do të ekspozoheshin tek Panairi i 20 i Librit “Tirana 2017″ në Pallatin e Kongreseve, një eveniment që synimin e vërtetë duhet të ketë promovimin dhe nxitjen e leximit veçanërisht tek të rinjtë.
Jetojmë në kohëra kur janë të paktë të rinjtë që janë miq të librit. Të rinjtë tanë gjithmonë e më shumë e drejtojnë vemendjen dhe energjinë e tyre në të gjitha llojet e rrjeteve sociale të cilat shpeshherë i nxisin ata drejt dhunës, erosit, urrejtjes. Në këtë situatë kaotike, panairi i librit duket një mundësi e mirë për të tërhequr vëmendjen e të rinjve tek vlerat e vërteta që përcjell arti i të shkruarit, tek thelbi e jo forma.
Me këtë entuziazëm teksa kundronim me kërshëri titujt e librave në stendat e ndryshme, sytë tanë u përqënduan tek një libër që qëndronte në një vend të dukshëm në njërën nga stendat e panairit me titull: “Djaj në veladon” me autor Seldi Kondi. Në kopertinën e librit qëndronte fotoja e deformuar e Shenjtorit Orthodhoks “Shën Kozma” si edhe fotoja e Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Anastasit.
Nuk mundëm t’u besonim dot syve. Pyesnim veten se si mundet në një eveniment aq shumë të rëndësishëm siç është panairi i librit, të reklamohen e të lejohen fyerje të tilla ndaj Komunitetit Orthodhoks të Shqipërisë, ndaj Kishës Orthodhokse. Ku e gjejnë guximin këta njerëz të tillë të tallen me Shenjtorët tanë e për më tepër si mundet që të gjithë ata politikanë e intelektualë që e vizitojnë këtë panair të mos reagojnë ndaj këtij provokimi të turpshëm?
Ku janë gjithë ata qytetarë të ndërgjegjshëm që mendojnë se vendi i tyre është shembull i harmonisë fetare kur shohin të fyhet haptazi Kreu i Kishës Orthodhokse nga individë që kërkojnë të nxisin konflikt fetar në këtë vend? Duhet pasur vërtetë kujdes që në mes të kaosit në të cilin formohen të rinjtë e sotëm, të mos bëhemi bashkëautorë me ata të cilët kanë shkruar e promovojnë atë vepër të denjë për titullin që kanë përdorur, një vepër djallëzore. Në këtë mënyrë, në vend të vlerave, kultivojmë antivlera. Në vend të respektit, unitetit e harmonisë fetare, promovojmë provokime cinike të cilat kanë për qëllim të vjellin vrer e të mbjellin frymën e urrejtjes.
Prandaj ngremë zërin, shprehim indinjatën tonë dhe u bëjmë thirrje organizatorëve të panairit që të mos lejojnë të ekspozohen të tillë tituj të shkruar nga njerëz të mbushur me urrejtje dhe që nuk njohin aspak realitetin. Kryepiskopi Anastas prej më shumë se 25 vitesh drejton me përkushtim dhe dashuri Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë duke predikuar solidaritetin, dashurinë ndaj njeriut, respektin e ndërsjellë, respektimin e dinjitetit njerëzor edhe jo vetëm me fjalë por edhe me shëmbullin e vet.
Ai është Ati shpirtëror i të gjithë të Krishterëve Orthodhoksë të këtij vendi të cilën dëshmi të gjallë për figurën e kryebariut të tyre kanë dashurinë e vërtetë. Prandaj nuk mundemi kurrsesi të lejojmë fyerjen e Shenjtorit e të Kryepiskopit tonë. Të rinjtë edhe të rejat e këtij vendi kanë nevojë të frymëzohen nga shkrimtarë që promovojnë vlera e jo nga ata mjeranë që urrejtjen e tyre primitive e shprehin në faqet e errëta të zhgarravinave të shkruara prej penës së tyre.
Nga At Grigor Pelushi
Dhiakon Kristi Xhaferri