Me rastin e 84 vjetorit (5 dhjetor) të poetit, shkrimtarit dhe përkthyesit të talentuar dhe të palodhur shqiptar,
FASLLI HALITI
Fjala e Lirë i uron: Jetë sa më të gjatë dhe produktive!
Stefano Benni (Bolonjë, gusht 1947) është shkrimtar, gazetar, skenarist, poet, dramaturg e humorist italian. Benni është autor romanesh të ndryshme e antologjishë me tregime të suksesshme.
BOKASSA RAP
Gjyqtarët nëse duan të gjykojnë duhet të zgjidhen
gazetarët nëse duan të shkruajnë nuk duhet të kritikojnë
sindikalistët duhet të ngrihen në këmbë kur më shohin të hyj
opozita nuk duhet të kundërvihet përndryshe s’vlen
shkurt më lini një herë të paktën të punoj
kam gjashtë vila në Sardenjë dhe faturat për të paguar
dhe mbase do të më duhej të shtrohesha në spital
Më lejoni më lejoni dëgjoni
ka shumë anomali në këtë shoqëri të dhunshme
Gjyqtarët në duan të qëndrojnë s’duhet të na arrestojnë
shtypi i huaj s’duhet ta mbikëqyrë Italinë
dhe unë ha në shtëpinë time me atë që më pëlqen
dhe më në fund ti Betino pusho së telefonuari
më shumë se ajo që kam bërë pikërisht nuk mund ta bëj
kam gjashtë televizione për t’i mbajtur mbi supe
dhe ndoshta do më duhej të shtrohesha në spital
më lejoni më lejoni, më dëgjoni
ka tepër financë në këtë shoqëri të dhunshme
Dhe tre të urtët nëse janë të urtë nuk duhet të ngatërrohen
dhe Rai duhet të jetë plotësuese komplementare
për Perëndi shpjegomëni se ç’do të thotë komplementare
dhe mos thoni se unë nuk di italisht se më bëni të zemërohem
dhe gjyqtarët duhet t’i regjistrojnë proceset gjyqesore
dhe gazetarët nuk duhet ta teprojnë me acarimin
dhe ndoshta do më duhet të shtrohem në spital
më lejoni më lejoni, dëgjoni
ka shumë pak Fininvest në këtë shoqëri të dhunshme
Dhe gjykatësit të ngrihen në këmb para se të gjykojnë
po nëse mafia voton për mua ç’mund të bëj unë
dhe milionin e vendeve të punës, e kam thënë me shaka
dhe dua tre mijë truproje që duhet të më ruajnë
dhe një portret gjashtë metra veshur si perandor
dhe që jam fashist s’duhet të ma ma thoni
dhe gazetarët para se të shkruajnë duhet të zgjidhen
dhe penalltitë kundër Milanit nuk duhet t’i jepni
dhe agjit-propët të shkojnë në Rusi për të propaganduar
dhe mos më quani Bokassa ose ju pushkatova
dhe gjykatësit nuk mund t’i nxjerrin vendit rropullitë
dhe mua lajmërimet e garancisë nuk duhet të m’i dërgoni
dhe mbase do të më duhej të qetësoj pak veten
por nëse unë jam Perëndi ç’mund të bëj
më lejoni më lejoni më dëgjoni
nuk ka më fe në këtë shoqëri të dhunshme.
KU JANË SYTË E TU TË ZINJ
Ai – Ku janë sytë e tu të zesë,
dhe profili yt si hyjneshë,
konsumohem në mendimin
si mund t’i shoh përsëri.
Ajo – janë të kaltër tani sytë e mi,
sepse kam lente kontakti,
dhe hundën e kam ribërë,
njihmë pra i dashuri im.
Ai – Nuk e shoh më buzën tënde,
gonxhen e vogël rozë
që e puthja me epsh.
Dhe gjoksi yt i paprekur
që e mbaja në një dorë
tani më duket mjaft më i madh
katër herë së paku u rrit.
Ajo – Oh më shqetëson ky kujtim
por unë jam përherë po ajo
goja ime është pak më e madhe
dhe gjoksi im i derdhur.
Më ndryshoi silikoni
por s’ndryshoi aspak pasioni im.
[këndojnë] Oh, dashuria jonë s’do të plaket [aspak]
së bashku me të s’do të plakemi dhe ne
edhe sepse unë s’e di më se kush jam
dhe as s’di më se ti kush je.
Ajo – zemra jote rreh në gjoks,
ndiej zërin dhe ngrohtësinë tënde
por nuk njoh prekjen
e dorës tënde burrërore.
Ai – Zemra ime plakë dhe e lodhur
pësoi një transplant të shkathët
dhe dora s’është imja
është sintetike, është protezë.
U pre në duel
në kopshtin e Fontemblisë
një kirurg e ngjiti atë.
Ajo – Oh fat i mjerë
kaq shumë na ka ndryshuar.
Duke pritur me shpresë dhe vajtim
edhe unë pësova një transplantim
dhe këmbeva seksin tre herë,
por dashuria ime për ty është po ajo.
Ai – Oh fat i mjerë
kaq tepër na ka ndryshuar.
Nuk mundem më ta fsheh
do të të them të vërtetën.
I dashuri yt, jo, nuk jam
I dashuri yt vdiq ushtar
por një pikë e gjakut të tij
u klonua dhe u linda unë
kopje e saktë dhe e përsëritur
e të dashurit tënd të ëmbël antik.
Dhe dashuria mbeti njëlloj
mos më largo edhe nëse
unë nuk jam origjinali.
Ajo – Kjo e vërtetë e fshehtë
praron dhe gëzon zemrën time
As unë s’jam dashnorja jote.
por një kopje mjaft e arritur.
Atë e hëngri tuberkulozi
unë mushkëritë nuk i kam.
O i dashuri im bëj ç’të duash
me materialet e mia.
Zemra ime jotja do të jetë
dëshirave të tua u jepem
unë të betohem për besnikëri
ja telekomanda ime.
[së bashku] dashuria jonë s’do të plaket kurrë
dhe së bashku me të nuk do të plakemi ne].
[ajo fillon të humbasë zërin e saj, sikur të shkarkonte baterinë
si një disk me tridhjetë e tre xhiro]
Ai – Mimi … Violeta [publikut] bateria nuk i lë … veçse
pak orë …
Ajo – I dashur … po vdes … shkarkohem … të mallkuarit !
E shkreta jeta ime,
isha ende nën garanci.
DYSHIME
Çfarë thua çfarë them
Çfarë thonë për ne
Çfarë mendon çfarë mendoj
Çfarë mendoj për ty
Çfarë thua për mua
Çfarë thonë ata
që kthehen nga deti
brenda autove në rresht
çfarë dreqin dua
çfarë dreqin do
çfarë duan nga ne
çfarë besojnë se bëjnë
ato që nuk besojnë
çfarë do të dish
çfarë do që të thotë
çfarë është një shtëpi bosh
ku askush më nuk thotë
çfarë nuk shkon më
ku je ku je
çfarë them o zot
çfarë ke bërë zot
çfarë do të bëj vallë
çfarë të ka ngjarë
çfarë ka ndryshuar
çfarë do të ketë qenë
mbase të ngrënit e tepërt
në kthimin nga deti
çfarë do të ketë menduar
kur plasi
çfarë do të bëjë tani
çfarë do jetë më pas
më pas çfarë pastaj
çfarë thua çfarë them
çfarë do të dish
çfarë do të doje të bëje
çfarë është sonte
që nuk ishte dje?
Përktheu: Faslli Haliti