STANISŁAW JERZY LEC: MENDIME TË PAKREHURA

0
875

( Aforizma dhe epigrame )

(Zgjodhi dhe përktheu nga polonishtja:
Mazllum Saneja)

Përmes tërë jetës nuk ia doli të qëndrojë
para gjyqit të turpshëm të popullit.

*

Zotat trashëgojnë njëri prej tjetrit
atributet dhe besnikët.

*

Mbani mend nëse djalli dëshiron
dikë të shqelmojë, nuk e bën këtë
kurrë me thembrën e vet të kalit,
po me këmbën e vet të njeriut.

*

Çfarë na mban në këtë glob,
përveç fuqisë tërheqëse.

*
Çdo batare nuk lajmëron revolucionin.

*

E vërteta është gjithnjë lakuriqe, madje
sikur të vishej sipas modës së fundit.

*

Marrëzia është nënë e krimit.
Po etërit janë shpesh gjenialë.

*

Kini kujdes, shkrimtarë satirikë!
Në pasqyrimin e shtrembëruar
hienat i mprehin dhëmbët.

*

Kushti i parë për pavdekësinë
është vdekja.

*
Kushtetuta e shtetit duhet të jetë e tillë,
që të mos shkel kushtetutën e qytetarit.

*
Nëse je i pakurriz, mos dil nga lëkura!
*

Nuk mund të luash “Këngën e Lirisë”
me ndihmën e instrumenteve të dhunës.

*

E di nga rrjedh legjenda mbi pasurinë hebraike.
Hebrenjtë paguajnë për të gjitha.
*

Mjerë diktatorët, të cilët besuan
se nuk janë diktatorë!

*

Gënjeshtër e bukur? Kujdes!
Kjo është në të vërtetë krijimtari.
*

Nuk është lehtë të jetosh pas vdekjes.
Nganjëherë për këtë duhet flijuar tërë jetën.

*
Mos i rrëfeni ëndrrat tuaja.
Ndoshta vijnë në pushtet frojdistët?

*

Edhe mazoistët në tortura të gjitha i pranojnë.
Nga mirënjohja.

*
Mendimet e ca njerëzve janë ashtu të cekëta,
të cilat madje nuk arrijnë te kokat e tyre.

*

Gjithçka duhet flijuar për njeriun.
Vetëm jo njerëz të tjerë.

*
Mos u bë snob. Kurrë mos gënje,
e vërteta më shumë paguhet.

*
Nëse do t’ i kisha takuar vrasësit e mi
në botën tjetër, do të doja të jetojë me ta
tashmë në këtë botë.

*
Më lehtë është t’ i thuash dikujt
se është kurvë se sa të jetë vetë.

*
Dëshirova t’ ia them botës vetëm një fjalë.
Meqë nuk munda ta bëjë këtë,
u bëra shkrimtar.

*
Salto morale është më e rrezikshme
se sa salto mortale.

*

Atëbotë kur përfytyrojmë se në këtë zjarr,
të cilin ua vodhi zotave Prometheu –
e dogjën Xhordano Brunon.

*
Sadistët dhe mazoistët do të duhej
të krijojnë kompani, truste dhe shtete
të pavarura.
*
Koha e bën të veten. Po, ti, njeri?

*

‘E pur si muove’ – këlthiti xhelati i tërbuar
pas ekzekutimit.

*
Vetmi, sa e populluar je!

*
Në luftën për ide vdesin njerëzit.

*

Thuamë me kë fle, do të them
për kë ëndërron.

*
U fsheh prapa gjuhës
që ia qiti botës.

*

Atëbotë kur miti shndërrohet në realitet
e kujt është kjo fitore –
e materialistëve apo e idealistëve?

*
Për krime nuk paguhet tatimi.

*
A thua jam fetar? Vetëm Zoti e di.

*
Mos pyet Zotin për udhën deri në qiell,
sepse do ta tregojë udhën më të vështirë.

*

A thua duhet të jenë njerëzit prej çeliku? Nganjëherë
më duket, se duhet të jenë prej gjakut dhe eshtrave.

*
Në ca fjalorë mungon fjala e nderit.

*
Me intelekt të vetëmjaftueshëm
janë vetëm gjenitë dhe budallenjtë.
*
Vox populi vox Dei ex machina.

*

Bota pa psikopatë?
Do të ishte jo normale.

*
Jeta ka edhe anë të errëta,
kjo mbeturina e mirësjelljes së tij.

*

Të rrënojmë Bastilen, para se ta ndërtojmë.

*
Të mos ndërtojmë jetimore
për mjerimin intelektual.

*
Triumfi i dijes mbi njeriun –
aktet e policisë së fshehtë.

*

Tragjedia më e përgjakshme është ajo,
atëbotë kur gjaku bie në fytyrat e spektatorëve.

*
Shkrimtar ët , jo me ngjyrë, po me gjak
duhet shkruar.Po, por jo me gjak të huaj

*
Vetem etja e përjetshme e poetit
mund ta ngopë letërsinë.

*
Arti nuk jeton me sesione, por me obsesione.

*
E dua njeriun. Kurrë nuk do ta krijoja.

*
Edhe lavjerrësi ecën me kohën.

*
Sa rite ka pabesia!

*
Vetëm njerëzit me mendje të shëndoshë
mund të çmenden.

*
Kur je budalla mes turmës,
mos u shqetëso, me siguri,
do të gjendet ndonjë tjetër.

*
Si qen shërbeu, si qen e vranë.

*

Është vështirë të përkëdhelësh bishën,
kur është në lëkurën e njeriut.

*
Është vështirë të lexosh deri në fund
analfabetizmin tënd.

*

Çudi, si lakenjtë dhe dashnoret
kurrë nuk i shohin lakuriq
sundimtarët e vet.

*
Masa më e mirë e epokës:
distanca në mes të xhuxhimaxhuxhit
dhe divit.

*
Në parajsë duhet të jetë çdo gjë: edhe ferri!

*
Është vështirë të ecësh me ballë të ngritur
e të mos çosh hundën përpjetë.

*
Filozofë, mos zbuloni gurin e urtësisë,
do të ju lidhin në qafë.

*
Tha muti: ‘Frikacak! Ka frikë të më prek’.

*

Disiplina e artit kërkon liri.

*
Në vendet, në të cilat qytetarët nuk e ndiejnë
veten të sigurt në burgje, nuk e ndiejnë veten
të sigurt as në liri.

*
Thembra e Akilit dendur është e fshehur
në këpucën e tiranit.

*
Fideistët besojnë në ringjalljen,
ateistët në come back.

*
Mjerë për sundimtarët e gjallë, të cilët
gëzojnë respektin e duhur, që u takon të vdekurve.

*
Sa keq, që Abeli dhe Kaini
nuk ishin vëllezër siamez

*
Ah, kushedi sa Atlantida gjenden
në atllasët politikë!

*
Më së vështiri është të ndezësh ferrin.

*
Më së paku krime në botë
bëhen në burgje.Të burgosurit.

*
Inkuizitorët më të tmerrshëm janë ata
të privuar nga zjarri,
i fërkojnë duart vetëm në turrë drush.

*

Bota është e bukur!
Dhe kjo mpikërisht është e pikëllueshme.

*
Gjaku i të mundurve ndërron
shpesh ngjyrat e fitimtarëve.

*
Edhe antisemitët njihen me hundë.
Me anë të të nuhaturit.

*
Shovinizmi është ashtu i rrafshët,
sa që përshkohet nga çdo anë.

*
Ka arte të cilat mbarsen vetëm
në shtratin e Prokrustit.

*
Ngadhnjimtar, shkatërro qytete
dhe kështjella, po gjithmonë
lëre një deriçkë. Për vete.

*
Shtetet policore nuk janë të populluara
ekskluzivisht me policë.

*

Sa turrë drush janë ndezur
me zemërimin e të dënuarve!

*
Njerëzit e mëdhenj nuk i lindin nënat,
po vetëm Plutarkët.

*
Ki kujdes, të paturpshmit
mund të skuqën me gjakun tënd.

*
Nga zjarri
mbetet hiri ose vepra.

*
Si rriten xhuxhimaxhuxhët?
Në rreth.

*
Bota mbase u krijua nga frika
para zbrazëtisë.

*
Somnambulët e mëdhenj
nuk kanë nevojë për hënë.

*
Gjithçka, që përkundet
nuk mund të jetë djep.

*

Epokat i krijon arkeologjia.

*
Mish i gjallë i arti
– mbase ky është njeriu?!

*
Edhe krimet lindin me gjak,
sikur njeriu.

*
Kam frikë nga mishmashet e stileve,
për shembull, renesansën e realizmit socialist.

*
Ka një lloj i gjenive,
të cilët mund t’i zbulojnë
vetëm gjenitë.
*

Ah, sikur të mundnim
ta shikojmë jetën
e jo situatat!

*
Kini kujdes, konsumi masiv, mbase
me të vërtetë mund të përpijë artin.

*
Politika: garat e Kalit të Trojës.

*

Kaq nostalgji njerëzore nxë
ky kozmos i vogël.

*
Çdo vepër nuk e krijon autorin.

*
Sa sadizëm ka në krijimin
e kryeveprave!

*
Në rrugën kah fama
ruaje incogniton.

*

Poetët – këta Antej, duke prekur
tokën me Thembrën e Akilit.

*
Për tragjedi të mëdha duhet gjak,
jo lot.

*
Nuk ka gjë më të tmerrshme
kur je i vetmuar në brendësinë tënde.

*
Letërsia është më progresive se sa jeta,
zbaton eutanazinë ndaj heronjve të vet
të dështuar.

*

Konteksti i fjalëve është
bota.

*
Ëndrra e poetëve:
Këngë mbi këngë mbi Këngët

Zgjodhi dhe përktheu nga polonishtja:
Mazllum Saneja


MENDIMI AFORISTIK I STANISLLAV JEZHI LECIT

E S E

Stanisław Jerzy Lec u lind më 1909 në Lwow dhe vdiq më 1966 në Varshavë. Kreu Fakultetin Juridik në Universitetin e Jan Kazhimjezhit në Lvov. Debutoi më 1929 në shtypin e asokohshëm si poet satirik. Ndërkaq, Leci njihet edhe si përkthyes i njohur i letërsisë gjermane, mes të cilave përktheu veprat e Brehtit, Hajnes, Kurt Tuholskit etj. Botoi shumë libra, mes të cilave: “Ngjyrat”, “Libër i shënimeve të luftes”, “Dorëshkrimi i Jerusalemit”, “Abelit dhe Kainit”, “Fletëarrestimi”, “Kopshti zoologjik”, “Satira patetike”,”Jeta është epigram “etj. etj. Famën botërore e arriti në vitet 50, me aforizmat e botuara në shtypin periodik të kohës. Libri i tij aforistik, me aforizma dhe epigrame “Mendime të pakrehura “ (1957) i siguruan autorit një vend nderi në aforistikën botërore.

Aforizmat e Lecit i përkasin letërsisë me një tematikë më aktuale dhe universale. Pikërisht në këtë qëndron sekreti i suksesit të madh botëror të aforizmave të tij. Leci komenton dhe interpreton, ironizon, gërmon në vetëdijen dhe ndërgjegjen e njeriut, bën kalambure, herë fshikullon dhe qorton, herë ankohet për shkak të gjendjes shpirtërore intelektuale, në të cilën gjendet bota bashkëkohëse dhe mendimi bashkëkohës.

Ata, të cilët kërkojnë fillimet e krijimtarisë së Lecit, nuk mund të mos e përkujtojnë njërin nga mësuesit e sigurt të Lecit, Karl Krausin, redaktorin e revistës me zulm “Fackel”, njërin nga kokat më të mençura të qarqeve letrare të Vjenës. Me të vërtetë, kur krahasohen aforizmat e Lecit dhe ato të Karl Krausit, që i krijoi Stanisllav Jezhi Leci, mund të pranohet që, mendimtari vjenez i dha Lecit impulset fillestare.

Ndërkaq, në qoftë se, flasim pikërisht për përparësi, atëbotë edhe Krausi edhe Leci janë vazhdues të mençurisë dhe të urtësisë së lashtë hebraike, që është një kulturë e moçme mijëravjeçare, e shënuar nëpër libra,që është mbajtur në mend, e bartur brez pas brezi nga çdo anë, kah bredhëritnin në shtegtimet e tyre, nëpërmes të historisë, të kenë arritur së paku edhe grumbulli më i vogël i anijembyturve hebraikë.

Pikërisht, Leci këtë e ka ndërmend, kur shkruan: ‘Më pyetni, zonja të bukura, sa larg shtrihen mendimet e mia. Gjashtë mijë vite, o bukuri magjike!’

Sa herë që i lexojmë aforizmat, aq të lehta, aq argëtuese, aq të shkëlqyeshme dhe, bindemi se Stanisllav Jezhi Leci në to, dendur shtron dhe paraqet dëshmitë mbi kohën tonë, mbi njeriun e erës së atomit. Leci nuk shkruan traktate të gjëra, po sentencat e tij ngërthejnë filozofinë e thellë, bartin përvojë të pasur, të një kulture shumëshekullore dhe, një qëndrim individual të njeriut, që diti thellë t’ i shikojë dhe t’i shtrojë çështjet më të rëndësishme dhe më komplekse të shoqërisë.

Tashmë kaluakan pesëdhjetë e dy vite nga vdekja e Stanisllav Jezhi Lecit, vepra e tij madhore ‘Mendime të pakrehura’ sa vjen e bëhet më e njohur anë e kënd botës, duke mos harruar shkëlqimin e saj brilant. Për më tepër , e lexojmë mendimin aforistik të Lecit, si një klasik i letërsisë botërore, sikur Laroshfukon, Shamforin, sikur Krausin apo Blez Paskalin. Vendi i Lecit pranë tyre është i përhershëm si një klasik i shquar i aforistikës botërore…

MAZLLUM SANEJA
Varshavë,
Fundi i qershorit 2018