Bisedë virtuale me përgjigje nga av. XHABIR ZEJNUNI
YLLI GURRA. “Dua të jap një sqarim publik për vëllezërit katolikë e ortodoksë. Nuk kemi pasur asnjë qëllim të fyejmë apo të mbulojmë Skënderbeun. Ai është Heroi Kombëtar i shqiptarëve dhe as nga ana fetare, as nga historike prania e monumentit të tij në shesh nuk përbën asnjë problem për myslimanët, as për faljen e namazit”.
XHABIR ZEJNUNI. Zoti Ylli Gurra. Pse Ju thoni Skënderbeu dhe jo Gjergj Kastrioti? Pse Ju thoni se “Ai është Heroi Kombëtar i shqiptarëve”? Mos vallë Ju aludoni se nuk jeni shqiptar, por arabo-turk? Pasi fare lehtë, Ju mund të thonit se “Ai është Heroi Kombëtar i YNI”. Pse Ju sqaroni vetëm vëllezërit katolikë dhe ortodoksë dhe jo edhe ata muslimanë?
YLLI GURRA. “Kanë qenë më së shumti kushtet teknike që kanë çuar aty, por pa e pasur si qëllim”.
XHABIR ZEJNUNI. Cilat kushte teknike? Nuk mund të bënit një skelë apostafat për të vendosur ekranet LED, pa qenë nevoja që të mbulonit monumentin e Heroit tonë Kombëtar?
YLLI GURRA. “Unë nuk jam marrë shumë me pjesën teknike, foni e ndriçim, këtë herë, por nga herët e tjera, di që forma e sheshit kërkon që ekranet “led uoll” të kenë një farë pjerrësise në mënyrë që të shihen në të gjitha anët e sheshit”.
XHABIR ZEJNUNI. Sigurisht. Pasi Ju jeni “teknik” për tjetër gjë. Mos vallë nëse nuk do ishte monumenti aty, nuk do zgjidhej fare problemi i PJERRËSISË?
YLLI GURRA. “Unë kam marrë kërcënime me jetë, për shkak të imazheve që qarkullojnë dhe perceptimit të krijuar se myslimanët e mbuluan monumentin e Skënderbeut gjatë faljes se mëngjesit”.
XHABIR ZEJNUNI. Ju keni marrë kërcënime me jetë? Po kush pati kohë që të merrej sot me Ju? Kush tha se muslimanët e mbuluan monumentin? Prite Allah. Ata që bëjnë lodra të tilla të rrezikshme, nuk kanë asnjë lidhje me besimin musliman, por mundohen me çdo mënyrë të përçajnë shqiptarët.
YLLI GURRA. “Për këtë arsye, dua të jap një sqarim publik për gjithë vëllezërit katolikë që janë të ndjeshëm. Montimi i gjithë asaj skenës aty, e para punës është bërë natën. Çka do të thotë se është më e vështirë ta shohësh dhe më e vështirë të punohet. Teknikët e kanë gjykuar siç po gjykohet atë strukturë”.
XHABIR ZEJNUNI. Pikërisht NATËN. Pasi nëse do bëhej ditën ajo punë, nuk është vështirë të imagjonohet se cili do kishte qenë reagimi i popullit shqiptar dhe pa asnjë dallim fetar.
YLLI GURRA. “Në disa koncerte të bërë në sheshin e ri, praktikisht Skënderbeu është fshehur dhe asnjëherë s’ka qenë e qëllimtë”.
XHABIR ZEJNUNI. Nëse unë nuk gaboj, sot Festa e KURBAN BAJRAMIT i përkiste një pjese të popullsisë dhe nga ana tjetër, lidhet më sferën private të kësaj pjese të popullsisë. Ndërsa koncerti jepet për të GJITHË, pa asnjë dallim besimi fetar, bindjeje politik dhe preference kulturore. Dallimi është i DUKSHËM këtu.
YLLI GURRA. “I shoh të nxitura e provokative, ose mbase më mirë të them, shoh një keqkuptim në perceptimin për faljen e sotme. Të gjithë, si ju, duhej të kishin pyetur si qëndron situata, pasi ne nuk kemi dashur të mbulojmë Skënderbeun. Nuk është justifikim ky i yni, por shpjegim. Ne do të falim aty edhe Bajramin tjetër që është në qershor, e nuk ka asnjë arsye për të mbuluar heroin. Nuk ka arsye për një dritëshkurtësi të tillë. Nuk kanë pse ta ushqejnë vëllezërit katolikë e ortodoksë këtë dyshim, pasi gjith sa është perceptuar sot, është perceptuar gabim”.
XHABIR ZEJNUNI. Provokimi erdhi kur u mbulua monumenti. Dhe reagimet qytetare ndaj këtij provokimi ishin më se të natyshme. Madje duhej reaguar akoma më shumë! Në fakt, edhe pse u bënë shumë pyetje rreth kësaj përdhosjeje, askush nuk dha arsyen e vërtetë. Pse kur do falet BAJRAMI në qershor, nuk ka arsye të mbulohet monumenti dhe kur do falet KURBAN BAJRAMI, ky monument duhet të mbulohet? Apo mos vallë një kurban i tillë duhet të paraprihet nga një “kurban” tjetër? Ai i mbulimit të monumentit të Heroit tonë Kombëtar. Sa për dijeni, këtë dyshim nuk e kanë ushqyer vetëm vëllezërit katolikë dhe ortodoksë, por edhe vëllezërit muslimanë. Një ndër të cilët jam edhe unë. Pasi nëse përmenden në këtë diskutim vetëm vëllezërit katolikë dhe ortodoksë, ajo është një dashakeqësi e qëllimshme. Madje shumë e rrezikshme.
Gjegj Kastrioti është HEROI KOMBËTAR i të gjithë popullit shqiptar, pa asnjë DALLIM FETAR.
Po u përdhos Heroi Ynë Kombëtar, atëherë jemi përdhosur të gjithë NE.
E kam fjalën për shqiptarët e VËRTETË.