Arben Çokaj
PËR NJË SHQIPTARO-AMERIKAN, I LINDUR NË SHBA, I BIRI I NJË NACIOALISTI ANTI-KOMUNIST.
I. B., të kuptoj. Jam veprimtar politik e student i Dhjetorit 1990, që bëmë Lëvizjen për rrëzimin e Sistemit komunist. Po zgjatem pak, por lexoje me vëmendje, nëse ke kohë. Kishte nga ata që u futën në lojë në atë Lëvizje studentore, por shumica ishim të paimplikuar, që u ngritëm se donim një ndryshim sistemi, pasi kushtet ishin të tilla, komunizmi ishte në rënie.
Kam ikur në Danimarkë më 1993, e tani jam në Gjermani, por kaloj në fakt më shumë kohë në Shqipëri, ku e shoh nga afër si po ecin punët tek ne.
Problemi kryesor i Shqipërisë me sa shoh unë ka qenë dhe është mentaliteri turqeliko-islamik, që e kanë të gjithë shqiptarët nga ndikimi i pushtimit turk e nga islami. Nuk po vuan vetëm Shqipëria nga kjo, po vuajnë të gjithë shqiptarët. Tani vehabizmi është më agresivi, por politikat e Trump me Arabinë Saudite mundet që të ndikojnë, nëse punohet në atë drejtim për uljen e terrorizmit fetar. Kjo nga njëra anë. Por feja islame vetë, edhe paqësore qoftë, nuk na lë të zhvillohemi si duhet dhe libri i Huntington “Përplasja e qytetërimeve” ndër tjera, e sqaron mjaft mirë edhe këtë.
Ne nuk po jemi në gjendje të bëjmë shtet. Këtë nuk e kisha menduar se isha i ri më 1990. Tani turp është me e thanë se krahas zhvillimeve pizitive në Shqipëri nga hapja e kufinjve, lëvizja e lirë e demokracia në tranzicion, kemi edhe zhvillime negative tepër të dëmshme, si korrupsion i madh, në të gjitha strukturat shtetërore, kriminalitet e prostitucion, orientim i gabuar shoqëror dhe ligësi e madhe në shoqëri, vëllai – vëllait nuk ia ka besën. Keq me të ardhë, por është e vërtetë, shqiptari sot është më i poshtër si individ e si shoqëri, nga ç’ishte më 1990. E kjo është fatkeqësisht e vërtetë.
Këto ndodhi në 27 vjet, paaftësia jonē për të bërë një shtet më të fuqishëm e më të rregullt se bëri Enveri me komunizmin, pasi pas çdo thënie ka kundërthënie, ka kakofoni, ka spurdhjakllëk, e ne nuk jemi SHBA, me qindra kombësi, jemi shumica shqiptarë, ku demokracia si model Evropian e Amerikan nuk po jep rezultatet e duhura për zhvillimin e shtetit.
Zhvillim unë quaj prodhimin nacional bruto, që është disa herë më i ulët se ai në kohën e Enverit. Shkollim e dije që janë më poshtë në total se në kohën e Enverit. Atdhedashuri e patriotizëm janë fals bre burrë, më shumë kemi pasë atdhetari nën regjimin komunist e edukatë se kemi sot. Siguria e mirëqenia e përgjithshme, përtokë. Dëshira për punën e orientimi drejt qëllimit, lë tmerrësisht shumë për të dëshiruar… Atëherë si bëhet vendi?
Flasim për një regjim që më 1944 e më pas vuri diktaturë. Ai regjim pas pushtimit turk ishte rrënues për ne. Tani edhe pse historia nuk bëhet me sikur, se nuk e dimë si do ishin punët, unë vlerësoj, e për këtë mund të mos jenë dakord të tjerët, se duke parë Zogun e këtë që po ndodh tash 27 vjet, kam frikë se po të mos ishte ai Enver me atë diktaturë, ndoshta edhe ma rrëmujë do i kishim punët.
Por ti si i biri i një nacionalisti që luftoi e u plagos në përpjekje kundër regjimit, nuk ke si të mos e vlerësosh se do të ishim më mirë, sikur të mos e bënte atë shtet Enveri, ku ai për 23 vjet ndaloi edhe fenë, na izoloi nga vendet e tjera e nga shqiptarët rreth nesh dhe për këtë qajnë katolikët më shumë, se nuk e kuptojnë e nuk e pranojnë as të mirën, që Enveri bëri me ndalimin e islamit, kam përshtypjen se ndoshta ne si shqiptarë nuk do kishim pasë as përvojën e të bërit shtet ndopak. Do të kishim qenë rrëmujë si tani, e si në kohën e Zogut.
Turqit e serbët thonë se shqiptarët nuk janë të aftë të bëjnë shtet. Tani nën pushtimin turk na shkatërruan kaq shumë sa duhet pranuar kjo: ne po tregojmë se jemi të paaftë të bëjmë shtet. Se as Zogu, që e kishte shtetin e tij me një nivel organizimi më të ulët se sot, por as këta të sotmit, nuk po tregojnë se janë në gjendje të bëjnë shtet të rregullt, funksional e të respektuar. Por askush nuk mundet me thënë, se Enveri nuk bëri shtet. Tani unë që e di si janë shtetet e zhvilluara se kam punuar në administratë në Bashkinë e Kopenhagës në Danimarkë, mendoj se Danimarka është shtet i zhvilluar dhe më i mirë se komunizmi ynë, por edhe se shteti që kemi ne sot. A mundemi ne të bëjmë një shtet si Kroacia, apo Sllovenia psh.? Se si Danimarka nuk mundemi? Kush po na ndalon?
Unë vlerësoj, se komunizmi nuk po na ndalon ta bëjmë këtë shtet, se s’i ka ndaluar as Kroacinë e Slloveninë, por po na ndalojnë faktorë të tjerë socialo-ekonomikë e politikë e kryesisht islami. E jo vehabizmi si ekstrem, por islami e mentaliteti turqeliko-islamik, që e shkrehin shqiptarin në korrusion e abuzime e jo në shtet-formim.
Sot ne duhej të ishim në BE, por Saliu e Gazidede na futën në Konferencën islamike e na orientuan nga Lindja. Tani, a janë Arabia Saudite e Turqia më të fortë se ne dhe ata paguajnë SHBA-të për me na lanë ne pjesë të influencave të vendeve islame? A janë politikanët tanë të paditur e të korruptuar, etj.?! Kjo nuk dihet me siguri. Mund të them, se e parë në tërësi, ne nuk po mundemi të bëjmë shtet dhe të marrim një zhvillim ekonomik e politik të tillë, që të integrohemi në BE. E ky zhgënjim i madh, ku edhe politikanët katolikë e ortodoksë, si ata muslimanë kanë synuar në këto 27 vjet të pasurojnë veten, e jo të zhvillojnë vendin, kjo pra që po shohim, na bën ta vlerësojmë Enverin e komunizmin me një sy tjetër.
Ai të paktën bëri shtet, ua theu hundën turqve e serbëve, duke treguar se shqiptarët kur duan, janë në gjendje të bëjnë shtet, por na zhgënjeu se bëri diktaturë dhe bëri edhe krime kundër shqiptarëve dhe na rrënoi në fund ekonomikisht si popull. Edhe Gjermania u shkatërrua nga Hitleri, por u bë prapë. Po ne pse nuk bëhemi? Duhet kuptuar se regjimi komunist ishte i tillë, ai dështoi gjithandej. E duke i kuptuar të metat e tij, duhet synuar të bëjmë shtet demokratik, por që funksionon. Por as në mendje kjo nuk u ka shkuar shqiptarëve të sotëm. Se ne ende nuk jemi nisur drejt qëlimit si komb, për të bërë shtetin që ne meritojmë.
Tani a kishim ne synim të bënim shtet të rregullt më 1944? Po ta merrnin më dorë pushtetin nacionalistët tanë, a thua ata bënin një shtet funksional, apo do synonin të pasuroheshin për veten e tyre, si sot? Zogu, organizimin shtetëror nuk e kishte modern, e la gjysëm feudalizëm e të ngjashëm me regjimin turk. Bajraktarët ishin në fuqi deri me rënien e regjimit të tij, ngjashëm me pushtimin turk. Ndërsa Enveri e shembi atë sistem te kalbur politik, dhe ndërtoi një shtet evropian për nga institucionet e mënyra e organizimit, e ashtu ngjashëm me të e kemi edhe sot, por ku institucionet janë të korruptuara e jo funksionale si në kohën e tij. Kjo nga pikëpamja e organizimit e funksionimit shtetëror. Se e di, që ishte diktaturë. Por asaj diktature hiqi dënimet politike, futi pluralizmin politik, liritë fetare e të besimit, të drejtat e njeriut, ekonominë e tregut, e mbaj po munde strukturat shtetërore funksionale e të pakorruptuara… etj. etj., por s’po mundemi se! E kush na e ka fajin? Këtu pra kemi një problem.
Prandaj unë, nga pikëpamja e organizimit dhe e funksionimit si shtet, rendit e sigurisë, interesimit të shtetit për individin, që sot s’e vret mendjen kush për kënd, ne jemi popull i vogël, një komb unik, nuk jemi SHBA, kjo pra duhet shikuar, gjë që nuk po ndodh. Prandaj nisur nga këto gjëra, edhe unë nuk e vlerësoj aq ashpër sot regjimin komunist. Pasi si në Afganistan, ku regjimi komunist i civilizoi afganët dhe demokracia amerikane i talibanizoi ata, i mbuloi gratë me perçe dhe e mbushi vendin me drogë, edhe në Shqipëri vendi po ka tendenca më shumë drejt Afganistanizimit se drejt Evropës, pasi forcat destruktive e islamike, mund të na drejtojnë drejt dështimit, nëse ne nuk tregohemi të aftë si shoqëri të shkojmë drejt Evropës. Kjo është sfida jonë!
Të përgëzoj për interesimin që tregon për Shqipërinë, nuk të kërkoj të mendosh si unë, por po të siguroj, se unë si intelektual, që di shkencë, politikë, psikoanalizë, histori e marrëdhënie me publikun, që njoh si funksionojnë 4 modele shtetesh, shteti komunist, ky demokratik në tranzicion që kemi, hajn e abuzues, njoh shtetin danez e gjerman si funksionon në praktikë, kështu i vlerësoj këto gjëra, e kjo jo me ideologjizma e ndikime emocionale, por me arsye e racionalitet dhe duke referuar studiuesit më të avancuar në botë, që nga filozofët Hegel, Niçe etj., e deri te Le Bon, psikoanalistët Frojd, Jung e deri te Erich Fromm, e politologët si Huntington, etj., politikat e të cilit po i luan Trump sot!