Dritare.net, 04/05/2016
Pacientët në QSUT dërgohen nga shërbimi i reanimacionit drejt e në shtëpi, pavarësisht nevojës për trajtim të mëtejshëm në spital. Një sjellje e tillë, në kundërshtim me ligjin, vë në rrezik jetën e tyre.
Shefi i shërbimit të reanimacionit, Ilir Ohri, thotë se e di që një gjë e tillë është e kundërligjshme, por ai nuk mund t’i mbajë të sëmurët në reanimacion deri kur të shërohen, ndërkohë që shefat e shërbimit nuk i pranojnë. Të pyetur nga gazeta “Shëndet+”, këta të fundit thonë se nuk kanë mjaftueshëm shtretër, ndërkohë që QSUT justifikohet me faktin se rregullorja e hartuar prej saj është në rregull, pa marrë asnjë përgjegjësi për pacientët që dalin nga spitali të sëmurë.
Pas operacionit, nga reanimacioni direkt në shtëpi
Pacienti N.V. ka qëndruar disa ditë në reanimacion. Pasi ka kryer operacionin e parë në stomak, pacienti do të shkojë në shtëpi, ndërsa mësohet se më pas do të rikthehet në spital për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje të dytë.
Pamje nga reanimacioni. Foto: QSUT
I pyetur lidhur me faktin nëse duhet të shkojë në pavion, dhe jo në shtëpi, N.V. thotë se mjekët kështu e kanë orientuar dhe se nuk di ç’të bëjë tjetër: “Pasi të dal nga këtu, do të shkoj direkt në shtëpi. Kështu më kanë thënë, që duhet të shkoj në shtëpi dhe ta vazhdoj kurën nga shtëpia. Nuk e di pse nuk shkoj dot në pavion, por më kanë thënë që kështu funksionon”, shprehet pacienti.
I diagnostikuar me pankreatit akut: Do të fusim mik për të kaluar në pavion
Pacienti E.N. ka ardhur nga shërbimi i urgjencës. Është diagnostikuar me pankreatit akut. Nga reanimacioni do të përcillet për në kirurgji. Duke i njohur kushtet, vajza e tij, që edhe shoqëron, njëkohësisht edhe mjeke, na tregoi se po përpiqet të shfrytëzojë njohjet me mjekët që i ati të marrë shërbimin korrekt dhe të kalojë në pavion dhe jo në shtëpi, pra të marrë atë që i takon me ligj.
“Për kushtet nuk kam çfarë të them. Ne kemi ardhur nga urgjenca. Ishte pankreatit akut i përket kirurgjisë, por në kushtet që ishte, ishte për reanimim dhe e kaloi me sukses. Nga këtu do të shkojë në shërbimin e kirurgjisë, ku do të bëjë ndërhyrjen”, shprehet vajza e pacientit.
Ilir Ohri: Dërgimi i pacientëve nga reanimacioni në shtëpi, i jashtëligjshëm
Nga ana e vet, shefi i reanimacionit thotë se është i vetëdijshëm që dërgimi nga reanimacioni në shtëpi i pacientëve është i jashtëligjshëm, por ai nuk ka zgjidhje tjetër.
Mjeku Ilir Ohri
“Një i sëmurë që vjen nga urgjenca që ka probleme kardiake nuk mund të shkojë prapë në urgjencë, por ka nevojë për kirurgjinë e zemrës, atëherë duhet të transferohet në kirurgji. Por kjo nuk ndodh. Në përgjithësi ne i mbajmë më gjatë këtu në reanimacion, sepse nuk pranohen nga pavionet, të cilët thonë se nuk i kanë sjellë këtu. Një gjë e tillë bën që ky pacient të rrisë ditëqëndrimin në reanimacion dhe detyrohemi ta çojmë në shtëpi pastaj.
“Ne na prish shumë punë sepse na zë vendin ai i sëmurë që duhet të shkonte në pavionin që duhet të shkojë. Erdhi këtu nga urgjenca, duhet të shkojë në pavionin përkatës. Nuk është e mirësistemuar si sistem, ajo që ne bëjmë me pacientët duke i çuar në shtëpi pas daljes nga reanimacioni nuk është ligjore”, thotë mjeku Ohri.
Ai thotë se dërgimi i pacientit në shtëpi nga reanimacioni krijon probleme, sepse pacientin duhet ta ndjekë specialisti për të cilin ka nevojë pacienti, kardiologu apo endokrinologu etj.
“E mira është që i sëmuri asnjëherë të mos dalë nga reanimacioni direkt për në shtëpi, sepse nga një kujdes kaq intensiv nuk mund të kalohet direkt në shtëpi, që është kujdesi i familjarëve. Pacienti do një ndjekje, duhet t’i vendoset një mjekim, pastaj mjekohet me mjekun e lagjes”.
I pyetur nëse e kanë ngritur këtë çështje edhe në drejtorinë e QSUT-së, Ohri thotë se sigurisht që nuk e kanë anashkaluar këtë institucion. Por, sipas tij, drejtoria thjesht ka dhënë një urdhër që pavionet të kenë gjithnjë vende bosh për të sëmurët në reanimacion dhe kaq.
“Unë nuk duhet të rri të mendoj ka apo jo vend i sëmuri pasi unë ta nxjerr. Nuk është detyra ime. Shefi i çdo shërbimi duhet ta dijë që pavioni i tij ka një numër X të sëmurësh në reanimacion. Dhe duhet të mendojë që këta pacientë do të dalin nga këtu dhe do të shkojnë te pavioni që duhet”.
Alketa Koroshi, shef i shërbimit të nefrologjisë në QSUT: E njohim urdhrin, por kemi fluks pacientësh nga gjithë rrethet
Shefi i shërbimit të nefrologjisë, doktor Alketa thotë:
“Është e vërtetë që kemi urdhër që duhet të kemi vende të lira për pacientët që vijnë nga reanimacioni. Ajo çfarë do të thoja, është se duhet të marrim parasysh fluksin që ne përballojmë këtu çdo ditë. Na vijnë pacientë nga e gjithë Shqipëria. Ne përpiqemi që të krijojmë hapësira edhe për reanimacionin, por fluksi që përballojmë është i madh, pra, është çështje pamundësie, jo mungesë dëshire”.
QSUT: Lëvizjet përcaktohen me rregullore
Nga ana e vet, drejtoria e QSUT-së vazhdon të anashkalojë përgjegjësitë. E pyetur nga gazeta “Shëndet+” ajo thjesht tregon rregulloren, ndërkohë që nuk merr asnjë përgjegjësi për moszbatimin e kësaj rregulloreje nga shërbimet përgjegjëse duke i lënë pacientët në mëshirë të fatit./shëndeti.com.al
(Investigim i realizuar në kuadër të projektit “Vepro tani! Denonco korrupsionin në sistemin shëndetësor, i cili zbatohet nga shoqata “Together for Life”, dhe mbështetet nga Ambasada Amerikane)