Spinarica, Porti detar i Apolonisë

0
1053

Aristotel Mici

Esse

Disa vjet me parë, duke dashur të jepja mendimin tim rreth një porti detar të Apolonisë, e trajtova studimin në mënyrë hipotetike. Po me kalimin e kohës, duke vëzhguar fakte të reja, gjellita detaje me interes dhe arrita në idenë se porti detar i Apolonisë nuk ishte më një iluzion hipotetik, po një realitet.

Për të ndriçuar sado pak këtë ide, do të parashtrojmë në këtë trajtesë disa fakte konkrete, disa motive sugjestive që kanë të bëjnë me anën perëndimore të hinterlandit të këtij qyteti antik. Argumentet dhe arsyetimet, që po radhisim kanë karakter të përzie historik, gjeologjiko-hidrik, toponomastik, kishtar, etnografik dhe gojëdhanor, të cilat hasen në trevën e rrethinave të Apolonisë. Me këtë rast e quajmë me vend, që para se të japim arsyetimet tona lidhur me portin detar dhe gjirin e Apolonisë , të bëjmë edhe një përshkrim të shkurtër rreth historisë shekullore të këtij qyteti të famshëm në brigjet e Adriatikut:

Apolonia – Magna Urbs et Gravis

Qyteti antik i Apolonisë u themelua rreth fillimit të shekullit VI para Krishtit nga kolonistë helenë të ardhur nga Korinthi, Korkyra (Korfuzi), po ndoshta edhe nga Dyrrahu (Durrësi i sotëm). Apolonia qe vendosur që prej asaj kohe në tre kodra, të cilat arrijnë një lartësi deri 105 metra mbi nivelin e detit.
Ky qytet- shtet, (polis), jetoi për rreth nëntë shekujsh, që nga shekulli i VI para Krishtit dhe deri nga fundi i shekullit të IV pas Krishtit. Gjatë kësaj periudhe historike në Apoloni u përzjenë me njera tjetrën tri kultura të lashtësisë: kutura ilire, ajo e helenëve dhe kultura romake.
Midis këtye shekujve Apolonia do të rritej e zgjerohej nga koha në kohë. Në këtë qytet do të ndërtoheshin pallate luksoze e faltore madhështore, si tempulli i Artemidës, godina e administratës qeverisëse, biblioteka , odeoni, theatri i Madh. Pjesa qendrore e qytetit do të rrethohej nga një mur i trashë , me gjërësi 2.5 metra dhe me një gjatësi prej katër kilometrsh. Për këto ndërtime u sollën gurë të skalitur me dimensione nga 60 centimetra deri në dy metra. Vetëm për të ngritur murin rrethues të qytetit duhet të jenë sjellë në Apoloni 100,000 metra kub gurë dhe tulla.
Po ky qyteti qe bërë i famshëm dhe për arkitekturën e artin e tij. Shkolla Apoloniate e retorikës dhe e filozofisë kishte fituar emër dhe tërhiqte të rinjtë e shtresave të larta të shoqërisë së kohës antike. Për këtë mjafton të përmendim se në Apoloni ka studiuar për retorikë dhe filozofi edhe perandori Oktavian Augusti. Për më tepër, ai do të ndodhej këtu më 15 mars, 44, para Krishtit, kur në Romë komplotistët do të vrisnin ungjin e tij, Jul Çesarin. Po ashtu, në këtë kohë ndodhej për studime në Apoloni edhe një personalitet tjetër i asaj periudhe, Agripa, që më vone do të njihej si një nga strategët më të shquar romak, emrin e të çilit mban Pantheoni dymijëvjeçar i Romës.
Oratori i famshëm romak, Ciceroni, i cili e vizitoi qytetin e Apolonisë, mbeti i mrekulluar nga pamja e këtij qyteti madhështor, me gjashtëdhjetë mijë banorë, dhe shkroi për të këto fjalë lapidare “Magna Urbs et gravis” që duan të thonë “qytet i madh dhe hijerëndë”
Qyteti antk i Apolonisë do të vazhdonte jetën e tij urbane deri në shekullin e katërt, pas Krishtit. Po që, më vonë, në shekujt e parë të kohës së Mesjetës, ky qytet do të tëkurrej dalëngadalë në një qendër të vogël peshkopale dhe administrative dhe me një emër fshati të shkurtuar nga ana fonetike, Pojan, si rikujtim i Apolonisë së dikurshme.
Një burim nga antikiteti tregon qe Apolonia lidhej me detin Adriatik me anë të Vjosës, që kalonte nëpër trevat e saj, në faqen lindore të qytetit, ku duhej të këtë qënë një port lumor. Por kur shikojmë sot gurët e stërmëdhenj të murit ciklopik, në hyrje të tempullit të Artemidës, si edhe gurët e tjerë të godinave antike, del pyetja se si janë mbartur ata gurë me ato pesha dhe përmasa aq të mëdha vetem nëpërmjet një porti lumor ? Pyetja tjetër që del është se nga janë gjetur ata gurë të rëndë për ato ndërtime?! As fushat, dhe as kodrat e Myzeqesë nuk kanë asnjë lloj guri. Pra, ata gurë duhet të jenë sjellë nga vende të largëta, ndoshta nga ishujt shkëmborë të Mesdheut a po të detit Egje. Dhe mjeti kryesor për t’i mbartur deri tek porti lumor i Vjosës duhet të kenë qënë anijet e asaj kohe. Po a do të ishte i mjaftueshëm vetëm porti lumor i Vjosës për të përballuar gjithë ato mijëra e mijera tonelata me gurë!? Dalin dy arsye që të bëjnë të dyshosh se porti lumor i Vjosës ka qënë mundësia e vetme e lidhjeve të Apolonisë me detin.
E para, si port lumor ai duhet të ketë qënë nje port me kapacitet te kufizuar nga ana hapsinore për nevojat e një qyteti shtet (polis) prej 60,000 banorësh.
Arsyeja e dytë që të bën të dyshosh për këtë çështje është fakti që ana lindore e kodrës së Apolonisë është shume e thepisur, gjë që do ta bënte tepër të vështirë mbartjen e peshave të atilla, për t’i ngritur ato deri tek kulmi i kodrës në kuotën 105 metra lartësi . Prej aty, ato materiale shumë të rënda do të transportoheshin nga ana perëndimore e kodrës, ku shtrihej kryesisht qyteti. Në ndryshim nga nga ana lindore, faqja perëndimore e kodrës është shumë më e butë dhe bije shtruar buzë kënetës det, qe ndodhej menjëherë ndën kodrën e Apollonisë, kënetë e cila eshte e dallueshme edhe sot e kesaj dite. Këto rrethana të bëjnë të mendosh për mundësinë e ekzistencës së një porti detar ndën kodrën e këtij qyteti antik.
Sidoqoftë, Apolonia si qytet antik pati një emër të nderuar dhe jetoi për rreth nëntë shekuj. Po nga funndi i shekullit të katërt, pas Krishtit do të bjerë në dekadencë të plotë. Dy do të ishin shkaqet kryesore të rrënimit të saj, tërmeti i madh i vitit 345, si edhe devijimi i lumit të Vjosës, që, siç pohon Profesori plak, i ndjeri, H. Ceka,” në këtë kohë, nga fundi i shekullit II apo fillimi i shekullit III, pas Krishtit, Vjosa çan një shtrat të ri disa kilometra më në jugë”. Dhe ky është mendimi më i drejtë lidhur me pozicionin e devijimit të Vjosës. Shtrirja hapsinore e Aplonisë, jashtë murit të saj rrethues, do të kuptohej më mirë, po të kemi parasysh disa qendra të vjetra banimi, që gjenden përqark saj, pra disa gjurmë të njohura e të panjohura.Të tilla janë: fshati Shtyllas, Këneta e Hoxharës, Lumi i Vjetër(i quajtur figurativisht dhe Lumi i Vdekur), Bishti i Urës, “Tek Rrjedh ujtë”, Kurora e Laçanit, Shën e Premtja në Laçan, Gjoli i Portiqit, Gjoli i Gallanit, Gjoli i Gjemisë, Sllaniku pranë Boçovës.
Midis këtyre emrave toponimikë, vendin e parë e zë Shtyllasi, një fshat kodrinor, ngjitur me Apoloninë antike, nga ana lindore e saj. Nuk ka nevojë të jesh arkeolog, që të kuptosh se emri “Shtyllas” vjen nga ajo shtylla antike nëntë metra e lartë, që ngrihet në majë të kodrës së këtij fshati. Ajo shtyllë, që është e vetmja pjesë e mbetur “në këmbë” e një tempulli të madh, tregon se deri ku arrinte shtrirja e Apolonisë jashtë mureve rrethues. Për këtë shtyllë ekziston edhe një gojëdhënë, sipas së cilës, dikur, në kohë të vjetra, atje, tek ajo lidheshin anijet, që vinin nga deti. Kuptohet se në këtë rast imagjinata popullore na ka bërë një rrëfim të hiperbolizuar, kur na e shpije detin deri në majë të kodrës së Shtyllasit. Po me gjithë ekzagjerimin e gojëdhënës, marrim vesh nga mesazhi i saj se deti e ka pas lagur Apoloninë, natyrisht, jo në majë, po në rrëzë të kodrës. Ky është njoftimi parë që na bën të ditur lidhjen e Apolonisë me detin. Pra, kujtesa popullore na tregon se Apolonia ka qenë një qytet bregdetar, dhe, që brenda gjirit të saj, do të ketë pasur edhe portin e vet detar.
Po në qoftë se Shtyllasi ndodhet lartë në kodër, në anën jug-lindore të Apolonisë; në anën perëndimore të saj gjendet Këneta e Hoxharës, si një pellg i madh ujor, i cili për rastin tonë, vlen të diskutohet, se ç’është ky pellg ujor?
Gjiri detar i Apolonisë apo Këneta e Hoxharës ?
E vërtetë është se Këneta e Hoxharës prej shumë kohe shtrihej ndën kodrën e Apolonisë si një lagunë, në formën e një patkoi, që ngjante si gji deti. Gjatë dimrit, kur ngrihej niveli i detit nga lartësia e dallgëve, anës perëndimore të saj nuk i dallohej me sy kufiri, sepse ajo bëhej gati njësh me detin, duke u kthyer kështu në një kënetë-det, siç po e quaj une ne kete trajtesë. Kurse në muajt e verës këneta thahej, duke marrë pamjen e një gjysmë shkretëtire. Ajo sipërfaqe ujore tani mbase nuk është më, si rrjedhojë e punimeve bonifikuese, po që deri në mes të shekullit të kaluar ishte krejt e dukshme si një gji i gjërë deti në formën e një “patkoi” të madh ndën kodrën e anës perëndimore të Apolonisë. Kjo pamje ujore, në formën e patkoit, qe e rrethuar nga disa fshatra, të cilët fillonin me Pishë Poron, Dëllinjasin, Fikthin, Jaruhën, Boçovën, Sopin, Pojanin, Hoxharën, ku merr kthesën ana perëndimore e ”krahut të patkoit” për gjatë shtratit të Lumit të Vjetër, duke u shtrirë në të gjithë bregun e tij, nga fshati Shën-Pjetër deri tek kisha e Shën e Premtes, te Kurora e Laçanit dhe tek Pirgjet e Laçenjve, buzë bregut të dikurshëm të detit Adriatik.
​Gjatë shekullit të XIX- të, mbase edhe ca dekada më parë, ky masiv ujor do të quhej këneta e Hoxharës, nga emri i fshatit Hoxharë, që ishte kryeqendra e çifligut të bejlerëve të Fierit, ku ata ngritën dhe konakët e tyre si vazhdim i sarajeve në qytet. Kështu, nga emri i çifligut, këneta mori emrin e Hoxharës, duke u lënë në harresë si emri i Pojanit, si edhe ai i Apolonisë.
Kjo kënetë, me gjithë xhepat dhe brrylakët e saj kishte një sipërfaqe harkore rreth 50 kilometra katrore. Ishte ashtu një det- kënetë, një gji lagunor. Kjo lagunë përgjatë vjeshtës dhe dimrit lidhej me detin përmes grykave të saj, po kur fillonte vera, këto lidhje ndërpriteshin dhe ujtë e kënetës , nga java në javë, avullonte derisa këneta shterronte, duke nxjerrë tabanin e saj të shëllirtë e shumë të kripur.
Nga ana e formimit të saj këneta e Hoxharës i përgjan Kënetës së Nartës, pra i ngjet një gjoli, që ushqehet me ujin e kripur të detit. Po ndersa Këneta e Nartës e ruajti kanalin ndërlidhës me detin për gjithë kohën, Këneta e Hoxharës i humbi ato lloj gryka ndërlidhjesh si pasojë e lëvizjeve hidrike të ekuilibrit të detit.
Këneta e Hoxharës nga pikëpamja e formimit ngjan edhe me Karvastanë si kënetë, po me ndryshimin se edhe Këneta e Karvastasë , si ajo e Nartës, i ka ruajtur kanalet lidhëse me detin, kurse Këneta e Hoxharës jo.
E bëmë këtë arsyetim me analogji midis tipeve të kënetave të kripura, për të mbështetur idenë që Këneta e Hoxharës, jo vetëm që ka origjinë detare, po ka qënë pjesë e detit, ose më qartë gji i detit Adriatik ndën kodrën e Apolonisë. Me këtë mënyrë arsyetimi, duam të kundërshtojmë edhe mendimin e shprehur nga ndonjë komentues gjeografie, që deklaron se “Semani dhe Vjosa kishin formuar në Hoxharë një kënetë të madhe nën kodrat e Apolonisë antike”, . Një deklarim i tillë, që është shkruar edhe në Fjalorin Enciklopedik, nuk i përgjigjet të vërtetës për këto arsye:
Së pari, se të dy lumenjtë, si Semani dhe Vjosa, nuk janë lumenj të kripur, kurse Këneta e Hoxharës ishte me ujë të kripur, kripësia e ujit të së ciles ndryshonte sipas muajit dhe zonës.
Së dyti, lumenjtë e përmendur nuk e përmbysnin Myzeqenë çdo vit, kurse Këneta e Hoxharës thahej e mbushej me ujë në çdo vit në periudha sezonale të ndërvarura nga kushtet atmosferike dhe niveli i valëve të detit.: Ajo, Këneta e Hoxharës, thahej çdo vit në fillim të verës dhe fillonte të mbushej me ujë në muajt e vjeshtës e të dimrit.
Së treti, për rreth periferisë së kënetës rriteshin bimë të tokave të kripura si jamruku, fshesa kripje, çoli, laboti i eger, grëmi i egër dhe të tjera bimë, që duan toka shumë të kripura dhe nuk rriten në toka me ujëra të ëmbla. Kjo tregon se shkalla e kripësimit të ujit ishte e fortë edhe në brigjet e kënetës.
Se katerti, në qendër të kënetës, atje ku kryqëzohen diagonalet e lagunës, që lidhin Pojanin me Shën-Pjetrën dhe Hoxharën me Boçovën, atje ku thellësia është më e madhe, pas avullimit të ujit, formohej një shtresë kripe. Atëherë, kjo pjesë e kënetës kthehej ashtu në një kripore primitive. Jam dëshmitar okular për këtë realitet dhe mbaj mend se deri në mesin e viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar, në fillim të çdo vere turma njerzish nga fshatrat rreth e rrotull vinin dhe mblidhnin kripë me shporta, me kosha e shosha. Ky episod është më domethënësi që e kundërshton idenë se këneta e Hoxharës është formuar nga uji i Semanit dhe i Vjosës.
Së pesti, banorët e krahinës rreth e përqark kënetës së Hoxharës e qujanë tabanin e tokës së saj si tokë shëllirë, dhe tokë trok, dhe jo tokë të ujërave të ëmbla.
Të gjitha gjasat, si me sipër, japin të kuptosh se Këneta e Hoxharës duhet të jetë krijuar nga një gji i detit Adriatik ndën kodrën e Apolonisë, i cili, me kalimin e shekujve, me levizjet hidrike të ujrave detare u kthye në një lagunë, që komunikonte me detin Adriatik përmes grykave të njohura e të panjohura sot. Ky fenomen i levizjeve hidrike te detit është aq i dukshëm në bregun tjetër të tij, në bregun italian, konkretisht në Venecia, ku valët e Adriatikut futen deri në qytet, duke lëpirë edhe shkallët e katedrales së Shën-Markut. Ndërsa në bregun shqiptar, vetëm disa kilometa në veriperëndim të Apolonisë, në Gjirin e Semanit, deti ka prirje të futet në tokë. Si rast konkret për këtë fenomen të ekuilibrit hidrik të detit po tregojmë një shembull nga jeta reale: Në mes të shekullit të kaluar, ndërmarrja komunale e qytetit të Fierit, ndërtoi dy rreshta me godina të thjeshta, tip kabinash për pushuesit. Po ç’ndodhi!? Pas 40 e ca vjetësh ato godina u pushtuan nga valët e detit; pra deti mori tokë. Po kështu ndër kohë, më në jug, deti lë vend, ose largohet duke, krijuar terrene moçalor. Po kjo dukuri e ekuilibrit detar të Adriatikut nuk është e re, ajo është një veti e tij e ngaherëshme. Dhe kur në dyzet vjet deti mori aq tokë në një anë dhe lëshoi aq vend moçalor në anën tjetër, çfarë duhet të ketë bërë ai për gjatë njëzet e ca shekujve në grykën e ish Gjirit të Apolonisë, që shumë më vonë do të quhej Këneta e Hoxharës? Gjatë kësaj kohe shekullore deti Adriatik është spostuar pak nga pak, duke lënë prapa një terren me pirgje rëre (bëse) , ose “duna” dhe gjole të kripur, që dalë nga dalë e zunë grykën e ish gjirit të Apolonisë, duke e kthyer atë në një lagunë të mbyllur për gjatë verës. Po, ndër kohë, ajo do të mbushej me ujë në vjeshtë e sidomos në dimër nëpërmje grykave të ndryshme, që janë të dallueshme edhe sot e kësaj dite.
Keneta e Hoxhares ka qenë e lundrueshme për nevoja peshkimi me lundra që voziteshin me shkop të gjatë. Lundrat, që përdoreshin kishin formën e “sovajkës”, pra të holluara nga të dyja anët dhe nuk voziteshin me lopatë, po ngiteshin me një dru të gjatë, që në të folmen e karahinës quhet “koll”. Këtë dru të gjatë lundërtari e vendoste në tabanin e lagunës, dhe shtynte me të tokën, po edhe toka, sipas ligjit të fizikës, ligji të veprimit dhe të kundërveprimit, e shtynte lundrën dhe ashtu realizohej vozitja mbi ujin e lagunës, që dikur pati qënë kënetë-det. Druri i gjatë, pra “kolli“, i shërbente lundërtarit edhe për të bërë kthesat, a po t’i jepte drejtimin lundrës. Nga kjo anë, dashje , pa dashje, këto lundra primitive të Kënetës së Hoxharës të kujtojnë “gondolat” e gjirit të Venecias, se edhe ato vihen në lëvizje po me anë të atij druri të gjatë, “kolli”, që venecianët e quajnë “palo”.
Këneta e Hoxharës, para se të fillonin punimet nga ndërmarja e bonifikimit në mesin e shekullit të kaluar, siç është thënë më sipër, mbushej me ujë për gjatë vjeshtës dhe dimrit dhe thahej në mbarim të pranverës. Nga kjo anë këneta e Hoxharës ngjan edhe me regjimin ujor të Lumit të Vjetër (nënkupto gjithnjë Lumi i Vdekur), i cili po ashtu, thahej në muajt e pranverës dhe “ringjallej” me ardhjen e vjeshtës. Gjithë lumenjtë e shpjenë ujin nga toka në det, kurse Lumi i Vjetër, bënte të kundërtën, merr ujin e detit dhe e sillte në vendet e ulta, duke mbushur Kënetën e Hoxharës. Ky veprim i këtij lumi, ose ky komunikim midis detit dhe lagunës bregdetare, ish më i dukshëm veçanrisht tek një kurorë e lumit, që populli e quan “Tek Rrjedh Ujtë”. Ky emër toponimik është shumë domethënës për vazhdën e arsyetimit tonë, sepse, atje tek ai vend, uji i kripur i lumit, që mbushej nga deti, lëpinte bregun dhe, pastaj teptiste me vrull në kënetë. Po, ashtu, si ky rast, ka pasur edhe shtigje ose gryka të tjera, ku uji i detit çante drejtë lagunës. Ky fenomen ndodhte atëherë kur vinte “bura”, kur shtoheshin erërat dhe ngriheshin dallgë të larta sa futeshin në grykën e Lumit të Vjetër, dhe në grykat e tjera si Vija e Mollës, e cila ishte një rrjedhë e hollë dhe e gjatë dhe, që lidhte detin me kënetën, duke e mbushur atë me ujë të kripur. Me këto fakte mbrojnë idenë se Këneta e Hoxharës ka origjinë detare dhe para se të bëhej kënetë, ka qenë gji deti, Gjiri i Apoloinisë . Kjo kënetë nuk ka qenë si kenetat e tjera të Myzeqesë me ujëra jo të kripura, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me detin dhe mbusheshin nga ujërat e shiut, a po nga ujërat e përrenjëve, nga ujërat e rrëkeve dhe nga kanalet, si dhe prej degëve të lumenjëve, siç kanë qënë këneta e Sheqit, këneta e Grizës, këneta e Rroskovecit e ndonjë tjetër.
.Duke qënë se dikur Këneta e Hoxharës ishte një gji deti anës faqes së zbutur të Apolonisë, lejohemi të hamendësojmë mundësinë e ekzistencëns së një porti detar për nevojat e banorëve të sajë. Një port i tillë do ta lidhte më shumë Apoloninë me detin Adriatik. Në këtë rast, kisha e Shëne-Premtes në Laçan, si monument historik, mund të shërbejë si çelës për të rënë në gjurmë të portit të Apolonisë, asbhtu siç e kam cilësuar edhe më parë në një studim botuar në Dielli, më 2014.
Kisha e Shen e Premets ne Laçanë është një godinë e vjetër kulti, që ka një pozicion dhe një vend-ndodhje shumë domethënëse. Ajo gjendet në pikën më skajore të krahut perëndimor të “patkoit ujor” të Apolonisë, atje tek mbaron gryka e Lumit të Vjetër, buzë bregut të dikurshëm të detit, ku duhej të ketë pas qënë një qytezë e banuar nga familje detarësh, lundërtarësh, po edhe peshkatarësh. Atje, tek ky vend, dikur, i populluar, kjo kishë duhej të ketë qënë epiqendra e asaj qyteze të zhdukur .
Kjo kishë, e cila ndodhet në një terren të pabanuar, si në një gjysëmshkretëtirë, pa asnjë shtëpi përqark, pa as edhe një kasolle, a po tend barinjësh pranë, të tërheq vemendjen me ekzotikën e vet.
Kështu, për specifikën e saj, kisha e Shëne-Premtes, si një faltore e moçme, duhet marrë si pikë orientuese, për të shikuar në thellësi të shekujve lidhur me pellgun ujor të Apolonisë, pra të gjirit të saj detar, në kërkim të portit të mundshëm.
Ashtu si e mbaj mend, deri në vitin 1955, kur e kam vizituar tok me shkrimtarin Jakov Xoxa, kisha e Shën e Premtes ngrihej në një vend gjysëm të shkretë, tek Kurora e Laçanit, në bregun e majtë të Lumit të Vjetër, afër grykës së tij. Nga jugu kishte kufi një rrëke të kripur, që quhej Vija e Mollës dhe nga ana tjetër, në lindje shtrihej këneta e kripur e Hoxharës, kurse në anën veriore të saj ndodhej një pyll i degraduar me vidha, verrinj, frashër dhe dëllinja, po ku nuk mungonin ferrat dhe shkurret e marinave. Ky ishte Pylli i Shëne –Premtes, që nuk prekej për dru zjarri nga banorët e zonës përqark. Ky pyll dukej nga portiku i Apolonisë si në pëllëmbë të dorës tok me gjithë kishën e Shëne-Premtes. Jo kujdesi shtetëror, po ”hija” e vet shënjtores kishte ruajtur për shekuj me radhë edhe kishën edhe Pyllin e Shëne-Premtes. Mbaj mend mirë se në të majtë të këtij pylli ndodheshin edhe disa rrënjë ullinj, në grup, si një korije e vogël ngjitur me drurët pyjorë. Ishin ullinj me kokërra të vogla dhe bërthamë të madhe, por shumë vajës. Në të folmen e vendit quheshin “ullastra”, mbase nga latinishtja “oleastro”, ulli i egër. Prania e atyre ullinjve afër kishës së Shëne-Premtes të kujtonte me një herë ullinjtë tek kodra e Apolonisë, atje tek hyrja e tempullit të Artemidës. Në rastin konkret kjo dukuri është domethënëse, sepse flet për një pikëtakimi midis dy qendrave të lashta. Shenojmë se gjithë fshatrat e zonës përqark nuk e kanë praktikuar kulturën e ullirit; kështu që këta ullinj tek Pylli i Shëne –Premtes tregojnë indirekt për mundësitë e lidhjeve të vjetra jetësore midis Apolonisë dhe qendrës së banuar dikur për rreth Shëne-Premtes. Është me rëndësi të shënojmë se këta ullinj nuk ishin vetëm tek Pylli i Shëne-Premtes, po ata dukeshin edhe përgjatë kurorave të Lumit të Vjetër në një distancë prej një qind ose dyqind metra larg njeri tjetrit. Barinj dhe peshkatarë pleq të zonës për rreth tregonin “se ato ullastra janë shënja që dëshmojnë se për rreth tyre dikur, një herë e njkë kohë , kishin pas qënë oborre shtëpish. Mirëpo, gjithë gjurmët e atyre shtëpive janë zhdukur, po ullinjtë jo, ullinjtë nuk u zhdukën, sepse ulliri është si i shenjtë, është i uruar nga zoti dhe nuk prishet nga moti”. Gjithënjë sipas rrëfimeve gojëdhanore të peshkatarëve dhe të barinjve, “njerzit në ato kohëra i lanë shtëpitë, i braktisën nga shkaku i shejtanëve të tmerrshëm, që dilnin nga deti. Këta shejtanë quheshin Laço. Mbase nga ky emër i “Laçove” vendi u quajt Laçanë, kurora e lumit atje u quajt kurora e Laçanit dhe kisha filloi të thërritej po ashtu Shën e Premtja në Laçan”.
Është e qartë se në këto rrëfime kemi të bëjmë me një bestytni. Po me gjithë atë, brenda kësaj bestytnie, lihet i nënkuptuar një realitet gojëdhanor. Në këtë rast, me shejtanët, që vini nga deti, duhen marrë me mend grupe piratësh, grabitsish, ose ushtri të fisve barbare, që sulmonin duke u future nga ana e detit dhe terrorizonin familjet e pambrojtura të qendrës së banimit rreth Shëne-Premtes në Laçan. Kështu që kjo qendër e populluar dhe e pasur u kthye, ndër kohë, në shkretim. Po para se të meditojmë për qytetërimin e mundshëm të këtij vendi të braktisur, vendit ku ndodhet sot kjo kishë e Shëne-Premtes, le t’i bëjmë një përshkrim sa do të thjeshtuar kësaj faltoreje të moçme:
Kisha e shën e Premtes në Laçan ka formën e një katërkëndëshi kënd- drejtë. Gjatësia e brendshme është shtatë metra, kurse gjërësia e saj është tre metra e gjysëm. Lartësia nga dyshemeja në tavan arrin pesë metra. Në anën ballore nga lindja muri i kishës merr një formë sferike, ( abside), me rreze deri një metër, në trajtë ovale, si për të treguar vendin e altarit, po pa u ndarë nga dyshemeja e platesë. Themelet dhe pjesa bazale e mureve janë të përbërë nga gurë të mëdhenj që të kujtojnë muret ciklopike si tek hyrja e tempullit të Atremidës në Apoloni, dhe që kanë një metër trashësi. Kurse pjesa e tjetër e mureve është e përbërë nga tullat e mëdha të tipit alla-Apolonia, të lidhura me gëlqere, që ngjajnë me teknikën e ndërtimit të murit rrethues të Apolonisë. Trashësia e murit me tulla mund të përllogaritet nga 100 deri në 80 centimetra. Dera shikon nga veriu dhe ndën të janë shkallë të vjetra, që të shpjenë brenda kishës. Tipari më dallues i tipit ndërtimor të kishës është çatia, që ka një formë ovale, si një gysëm cilindri, si një lloj qemeri e vendosur sipër, duke u shkrirë njësh me muret. Pra çatija është vazhdimi i natyrshëm oval i mureve. Kjo çati dhe ( në të njëjtën kohë edhe tavan) ka qënë shumë e fortë. Për rezistencën materiale dhe fortësinë e kësaj çatije mjafton të përmendim se gjatë Luftës së Parë Botërore anijet luftarake italiane, duke e parë të ngjajshme me ndonjë objekt ushtarak austriak, e qëlluan me artileri. Predha e arriti shenjën dhe goditi anën perndimore të kishës. Ashtu, gati një e katërta e çatisë u rrëzua. Po me gjithë këtë goditje, kisha e Shëne-Premmtes do t’u qendronte rrebesheve të kohës për disa dekada, deri nga vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, kur godinën do ta merrte në mbrojtje Instituti i Monumenteve dhe do t’i vinte një çati të re përsipër. Pra shkurt, ndërtesa e kishës së Shëne-Premtes është e veçantë nga gjithë kishat. Specifika e saj duket së pari nga teknika ndërtimore, ku bije në sy mjeshtëria greko-romake, po edhe vendosja bizantine me ajodhimë nga ana lindore. Për vjetërsinë e saj mjafton të shikosh me vemendje gurët e themelit dhe tullat e mureve. Së dyti, altari (nënkupto abside-n) nuk është i ndarë nga plateja, kështu që altari më tepër është simbolik se sa funksional, së treti, në kishën e Shën e Premtes mungojnë simbolet religjioze, nuk ka asnjë afresk, asnjë skulpturë, asnjë imazh të ndonje shenjtori të krishter, asnjë gjë të gëdhëndur në mur, madje asnjë shënjë të kryqit. Pra, kemi një godinë të fortë dhe shumë te vjetër, nga njera anë, dhe nga ana tjetër, një kishë në gjendje primitive. Po që të dyja këto anë, si konstrukti rëndë dhei fortë dhe gjendja primitive e faltores së Shëne-Premntes flasin për lashtësinë tepër të herëshme të themelimit të saj. Për përfytyrimin tonë, kisha e Shëne-Premtes, që ndryshon nga paraqitja dhe kompletimi i kishave të tjera, nuk duhet parë si rast i veçuar nga Apolonia, po si një pjesë integrante e hinterlandit të saj më të afërt, ose të paktën një vazhdim i vonuar i qytetërmit të atij qyteti antik, si një relikte e gjallë, mbase e portit të dikurshëm detar të Apolonisë. Nga kjo anë, nga ana e antikitetit, kisha e Shëne-Premtes të kujton “Shtyllën” e Shtyllasit, një kolonë, që duket për kundruall kësaj kishe në distancë si një gisht gjiganti drejtuar qiellit..Dhe ashtu si “Shtylla” e Shtyllasit, nëntë metra e ca e lartë, qendron në këmbë e patundur si shprehje e qytetërimit antik, dhe Shëne-Premtja në Laçanë qendron dhe ajo ende e fortë, po si një godinë “e gjallë” prej një kohe të vjetër. Po ndërsa “Shtylla” e Shtyllasit tregon kulmin e lulëzimit të Apolonisë, “godina” e Shëne-Premtes duhet të shprehë fundin e saj, ose më mirë fundin e fundit të Apolonisë, pra mbarimin e portit të saj detar, që siç po përpiqem ta parashtroj, është SPINARICA. Në mbështetje të këtij mendim na vjen në ndihmë dhe ” pohimi i disa autorëve, që argumentojnë tashmë idenë se Spinarica e Mesjetës nuk është gjë tjetër veçse porti i dikurshëm i Apolonisë antike”. Atëherë, në se pranohet si e argumentuar kjo ide e këtyre autorëve, domethënë se Spinarica është vazhdim i qytetërimit të Apolonisë antike, për rrjedhojë, edhe kisha e Shëne-Premtes, si zemra e qytezës, duhet të jetë vazhdim i atij civilizimi. Teknika e muraturës së ndërtimit mund ta nxjerrë faltoren rreth shekullit XIII, po gjykimi historik, dhe sociologjik mund të shkojë përtej gjykimit inxhinierik. Pra, jo si godinë, po si vend i shenjtë mundet t’i përkasë asaj periudhe kur ky qytet, në Mesjetën e largët, nuk kishte më asnjë autoritet dhe kish humbur çdo lloj pushteti, për të mbrojtur jetën edhe banesat e qytetarëve. Pra, mund të ketë qënë ajo periudhë kohore, kur vinin nga deti shejtanët e këqij,(Laçot) siç i ka quajtur populli keqbërësit grabitqarë, që masakronin banorët në shtëpitë e tyre deri sa i detyronin të braktisnin vendin, atë vend që mori pastaj emrin Laçan. Emër toponimik ky, që realisht nuk përmendet nga historianët dhe arkeologët, në vend të tij ata venë emra të tjerë; kurse populli jo vetëm e ruan si emër vendi, po edhe përforcon me një tjetër toponimi, që e quhet “Kurora e Laçanit”.
Ndërkaq, duke komentuar vjetërsinë dhe vendin ku ndodhet me të vërtetë kisha e Shëne-Premtes, duam të shprehim vrejtjen tonë lidhur me gjykimin e Prof. A Meksit rreth kësaj kishe. Në librin e tij për kishat, ai e ka vendosur atë në fshatin Sop, duke e quajtur “kisha e Sopit”. Ky lokalizim është i gabuar. Sqarojmë se Sopi është një fshat ngjitur me Pojanin, kurse kisha e Shëne-Premtes ngrihet në anën e kundert të kënetës, në breg të Lumit të Vjetër, siç e thamë, në Laçanë. Për të bërë atë udhë, pra për të ikur nga Sopi deri tek ndodhet kisha, në Laçan, do të duhet të kalosh disa fshatra anës e përqark kënetës siç janë Sopi, Jaruha, Sllaniku, Boçova , Fikthi, Pishë –Poro e deri në Kërrnicë, e në Povelçë. Për nga distanca, kësaj i thonë një lloj si të shpjeshë kishën e Shën-Prokopit të Tiranës diku midis Mëzezit dhe Kasharit….. Ndërkaq, lokalizimi i kësaj kishe larg vendit të real, e shkëput atë nga mikrotoponimia rrethuese, nga legjendat dhe rrëfimet e ndryshme të truallit të vet, gjë që vetiu vështirëson përcaktimin e kohës së themelimit të saj si faltore.
​Në librin e tij Prof.Meksi shkruan se përsa i përket kohës së ndërtimit të kishës duhet të nisemi, në mungesë të të dhënave burimore a po mbishkrimeve, nga teknika e ndërtimit të mureve. Me të njëjtën teknikë është ndërtuar trapezaria e Manastirit të Pojanit, e cila datohet në fund të sh. XIII. Kështu mendojmë se duhet të jetë ndërtuar edhe kisha e Sopit – [Pra, nënkupto Kisha e Shën e Premtes në Laçan- shenimi ynë AM].
Mirëpo, duke u mbështetur te ky pohim, vetiu me anë të deduksionit, dalim tek pyetja, se pse ata ndërtuesit e lashtë të kishës së Shën e Premtes në Laçanë të mos jenë mbështetur tek kisha e Shën-Mrisë së Pojanit, po tek trapezaria ? Pse të kenë marrë ata si shembull ndërtimor teknikën e “Trapezarisë” të kësaj kishe dhe jo atë të vet kishës?, ndër kohë, kur ata kishin për qëllim të ndërtonin një kishë dhe jo ndonjë godinë dosido.?
Po edhe historiani i ri, I. Gjika, në një artikull të botuar në “Mapo”, nxitohet kur nuk merr para sysh toponiminë e krahinës dhe e vendos këtë kishë, ku nuk duhet të jetë, në Hoxharë .”Në Myzeqe të Fierit, – shkruan ai- në vendin e quajtur Hoxharë, ndodhet një objekt kulti i braktisur prej kohësh. Është kisha e shën e-Premtes”. Ky lokalizim nuk qendron për dy arsye. Së pari Hoxhara është vazhdim linear i Pojanit, në veri-lindje të tij, që shtrihet rreth tetë kilometra larg Laçanit, vendit real të Shëne-Premtes. Kështu fshati Hoxharë është në ekstremin lindor të Kenetës, kurse kisha e Shën e Premtes ndodhet në anën perndimore të saj. Së dyti, në fshatin Hoxharë ka pas qenë vërtetë një kishë e tipit bizantinë, kisha e Shën-Kollit, por që u prish në kohën e diktaturës komuniste më 1967. Atëherë vendosja e një kishe tjetër aty, pa respektuar traditën vendore dhe toponiminë, do të krijojë për sot edhe për kohën që vjen një lloj konfuzioni në analiza apo diskutime të ndryshme.
Treguam kështu disa të dhëna rreth kishës së Shëne-Premtes në Laçan, vetëm e vetëm që të ritheksojmë se kjo kishë duhet marrë si çelës i veçantë, që të na orientojë te mendimi se Apolonia duhet të ketë pasur një port detar brenda harkut ujor të lagunës së vet. Këtë ide të pranisë së detit na e sjell në mendje, për më tepër, fakti se kisha e Shën e Premtes, që është kundrull Apolonisë, ndodhet afër grykë-derdhjes së Lumit të Vjetër, pikërisht te Kurora e Laçanit. Në këtë rast çudija është se ka grykë-derdhje, po nuk ka det. Atëherë, ku derdhej Lumi? Në të vërtetë, historikisht , Lumi i Vjetër derdhej në det, po ndër shekuj deti ka ikur më tutje, pra është spostuar afro dy kilometra më larg.
E bëmë këtë prezantim faktesh, për t’iu përgjigjur indirekt pyetjeve: Pse ka qënë ngritur kjo kishë? Kujt i është dashur në një vend të shkretë që të ngrerë një godinë me materiale aq të rënda dhe të kushtueshme për atë kohë historikisht të largët?! Cilës kohe i përket kjo kishë? Sa kohë ka zgjatur shërbimi religjoz i kësaj kishe? Pse e braktisën besimtarët faltoren e tyre? A mund të jetë kjo kishë vazhdim i vonuar i qytetërimit apoloniat? Po, si shihet, gjithë gjasat rreth saj të shpjenë tek mendimi se kjo kishë, duhet të jetë epiqendra e një qytetrimi të hershëm iliro-arbëror të braktisur gjatë shekujve.
Mesa duket, Shën e Premtja në Laçan ka qenë faltore e një qyteze bregdetare. Duke u nisur nga disa të dhëna arkivale si edhe përshkrime detajesh prej historianëve, dalim në përfundimin se Shën e Premtja është një godinë historike, që tregon vendndodhjen e një porti të vjetër si mund të ishte Spinarica. Tek kjo ide të shpije një konstatim i historianes Lucia Nadin, profesoreshë në Universitetin e Venecies, cila në një botim të saj, kur përmend praninë veneciane në bregdetin shqiptar, tregon se disa qytete mesjetare komunikonin me Venecien qysh nga shekulli i njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë e trembëdhjetë. Pasi flet për portin e Durrësit, ajo na tregon të tjera porte siç ishin Butrinti, Parga, Spinaritza, ishulli i Sazanit, Lezha, Tivari, Shkodra. Duke lexuar këto rreshta, të shkon mendja tek vend-ndodhja e këtyre qendrave qytetare të Mesjetës, dhe vemë re se përveç Spinaricës, të gjitha qyteteve të siperpermendura, u dihet vend-ndodhja,
kurse Spinaritzës jo. Kështu që ky port mesjetar, i cili ka jetuar të paktën, sipas dokumenteve shkrimore, prej vitit 1205 dhe deri në vitin 1370, del të jetë pa vend-ndodhjen e vet përkatëse. Atëherë, duke qenë se në Laçan, buzë detit, ekzistoka një kishë e mesjetës, me ngjasje të jetë e shekullit të XIII, mbase dhe më e vjetër, kemi arsye kështu, ta piketojmë Spinaricën e periudhës mesjetare pikërisht këtu, në Laçan. Për të arritur tek mendimi se këtu duhet të jetë vendndodhja e këtij porti, na vijnë në ndihmë edhe të dhënat shkrimore, që tregojnë përafërsisht vendin ku duhej të ish Spinarica. Dhe ja një fakt në librin “Historia e Artiktekturës” që në f. 6, shkruan: “Rruga e Muzakies, rreth 50 km. e gjatë, në Kuç bigëzohej. Një degë vazhdonte deri në Apoloni ose Spinaricë”. Nga këto fjalë kuptohet se Spinarica gjendet diku pranë Apolonisë. Atëherë, për të lokalizuar Spinaricën, ku ka vend më të mundshëm se sa trualli i Shëne –Premtes në Laçan, karshi Apolonisë, në buzë të detit, atje, ku qendron në këmbë ky monument i fortë kishtar i Mesjetës.
Çështja e lokalizimit të Spinaricës ndriçohet edhe më shumë, nga një detaj tjetër, që sjell para studiuesve Prof. P. Xhufi në veprën e tij “Nga Paleologët tek Muzakajt”, ku përshkruhet ky paragraf.: “Një anije raguziane e nisur nga Durrësi u detyrua për një avari të ankorohej në vendin e quajtur Slanicë pranë Spinaricës. Këtu u shkarkua ngarkesa me mall, që pastaj u shpërnda në shtëpitë e Buvalcariorum de la Polina….Polina është emri mesjetar i Apolonisë së lashtë dhe i Pojanit të sotëm” Nga ky episode kuptohet se Laçani, trualli ku gjendet Shën e Premtja, është Spinarica. Pra kemi tre caqet e një trekëndëshi në perimetrin e lagunës së Hoxharës: Apolonia në lindje, Slanica, në jug-perëndim të Apolonisë, dhe Spinarica (nënkupto) Shën e Premtja në Laçan nga ana e perëndimit. Dhe për të qenë sa më preçiz, duhet të theksojmë që, nëqoftëse Spinaricën e lokalizojmë rreth Shëne-Premtes në Laçan, pra në fund të bregut perndimor të ish -Gjirit të Apolonisë, Slanica duhet kërkuar kundruall saj, në anën jugore të ish gjirit, në fshatin Boçovë, te vendi i quajtur Sllanik, po jo në Vjosë, sepse ajo ndodhej disa kilometra larg ish Gjirit detar të Apolonisë.
Lumi i Vjetër
Një toponim me rëndësi ne hinterlandin e Aplonisë është edhe Lumi i Vjetër, që realisht është shtrati më i vjetër i lumit të Semanit, i cili shumë kohë më parë ndrroi drejtim në veri-perëndim, andej nga vazhdon rrjedhjen e tij edhe sot, disa kilometra më larg . Me kalimin e viteve shtrati vjetër i lumit nisi të thahej, sidomos gjatë stinës së verës, aq sa peshkatarët, gjahtarët dhe bujqit e zonës nisën ta quajnë figurativisht dhe Lumi i Vdekur.
Konturet e shtratit të Lumit të Vjetër janë më se të dallueshnë edhe sot e kësaj dite. Që në fëmijëri dhe në rininë time të parë i kam përshkuar në këmbë të dyja brigjet e këtij lumi. Ai shkëputet nga rrjedha e “gjallë” e Lumit të Semanit në fushëtirën e fshatit Shterpas. Atje, ky lumë, me far pak ujë , kalon pastaj në fshatin Seman, të cilin e ndanë nga Kavakllia. Pas pak kilometrash ai ndanë dhe fshatin Raman nga Gjokallia. Duke ecur drejt jug-perëndimit, veçon nga njeri tjetri edhe dy fshatra të tjera, Shën-Pjetrën dhe Topojën. Duke bërë gjarpërime dhe kurora, le pas edhe këto dy fshatra edhe vazdon udhën drejtë perëndimit. Kurora e fundit e tij është ajo që quhet Kurora e Laçanit, ku gjendet dhe kisha e Shëne-Premtes. Kurse në të djethtë të saj është gryka e Lumit të Vjetër,(ose e Lumit të Vdekur). Ka rëndësi të kuptohet ky lokalizim i grykës së Lumit të Vjetër, sepse është vendi ku ky lumë dikur derdhte ujin në detin Adriatik, po që deti gjatë shekujve u largua, duke lënë pas gjole dhe moçale.
E përshkrova me hollësi shtratin e Lumit të Vjetër, për të demonstruar në mënyrë sa më bindëse se ky lumë është shtrati më i vjetër i Lumit të Semanit dhe që nuk është dhe nuk ka si të ish për asnjë mënyrë gjurmë e Vjosës.
Së dyti, me anë të grykës së këtij lumi dua të tregoj bregun e dikurshëm të detit Adriatik.
Së treti, dua të pohoj se qyteza rreth Shëne-Premtes së Laçanit ka qenë një port bregdetar.
Së fundi, doja të sqaroja me këtë rast dhe një paqrtësi shkrimore të studiuesit Ilirian Gjika, që në artikullin e tij të botuar në Mapo, kur permend shkrimin tim esseistik të botuar në Dielli, më 2014, lidhur me portin detar të Apolonisë, autori le të nënkuptuar sikur unë Lumin e Vjetër(ose Lumin e Vdekur) e identifikoj me Vjosën, gjë që nuk është e vërtetë. Pra nuk e kam shprehur këtë gjë. Përkundrazi, prania e Vjosës në Laçan të Shën e Premtes nuk mund të pranohet për dy arsye: Së pari se kjo ide bie në kundërshtim me mendimin e Prof. H. Cekës, i cili deklaron se “Vjosa devijoi duke çarë një shtrat të ri disa kilometra në jug” andej nga ajo vazhdon udhën edhe tani. Së dyti, si do të mundej ky lumë që të ikte në jug, dhe të kthente pas, një qind e tetëdhjetë grade, në veri nga ana e Shën e Premtes në Laçan dhe pastaj të niste persëri drejtimin po për në jug, atje ku gjendet sot?!
Një mikro-toponim nga mund të nxjerrim një të dhënë më tepër rreth portit detar të Aplonisë është edhe tog fjalëshi Bishti i Urës, që është një rrip toke në lindje të fshatit Shën-Pjetër, që futet në kënetë si gadishull i vogël, dhe i afrohet Pojanit fare pranë.
Ky fshat ka edhe në perëndim të tij një“bisht” toke tjetër të future në kënetë, që quhet Bishti i Kaminave, duke marrë ashtu një kuptim real, sepse aty ndodhen vërtetë kaminat e vjetra dhe të reja. Kurse Bishti i Urës formonte një enigmë, për të cilën nuk e vriste mendjen kurrëkush. Po nga mezi i viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar, enigma e Bishtit të Urës, filloi të flasë. Kjo ndodhi atëherë kur teknikët e bonifikimit të tokave hapën një kanal të madh kullues duke filluar nga ajo pjesë e kënetës që quhet Vija e Ngjalës. Kur punimet arritën në pozicionin midis Pojanit dhe Bishit të Urës, bonifikuesit gjetën gurë në dy metra thellësi. Atëherë banorët aty afër vranë mendjen, duke thënë se kur u zbuluan gurë në kënetë, pse të mos gjejmë gurë edhe tek Bishti i Urës, ku mund të ketë pas qenë me gjasme një urë. Dhe nga një hendek i thellë, që e hapen si gropë, u gjetën vërtetë gurë. Kështu që enigma e Bishtit të Urës, si një metaforë e mbuluar nga dheu dhe këneta, u zgjua nga gjumi shekullor dhe nisi të tregojë se atje dikur kish qenë një urë, që bashkonte dy pjesë të një udhe, kjo mbase është ajo rrugë, që lidhte Apoloninë me portin e saj detar, Spinarica.
Kështu që me shprehjen metaforike Bishti i Urës, si toponim, kemi një detaj më tepër, për të pranuar lidhjen e Apolonisë me portin e saj detar. Po fjala “urë” e toponimit “Bishti i Urës” krahas anës historike që hulumton, merr edhe një kuptim linguistik, sepse shpreh kuptimin e një objekti siç është “ura”, e cila edhe në ilirishten e taulantëve ka pasur të njejtën formë fonetike e morfologjike. Pra në historinë e gjuhës së folur, fjala ”urë” është një dëshmi tjetër, sa do e vogël, për të treguar prejardhjen e gjuhës shqipe nga ilirishtja.
Toponimia rreth Shën e Premtes në Laçanë Me gjithëse Spinarica pas vitit 1370 nuk do të dukej më nëpër harta dhe dokumente historike, ajo me siguri që nuk humbi e as u fshi brenda një viti. Jetëgjatësia e saj ndërvarej nga deti Adriatik, i cili në vendin ku qe shtrirë ajo, kishte prirje të largohej pas. Sa më shumë largogej deti, aq më tepër pakësohej aktiviteti portual i Spinaricës. Në mungesë të dokumenteve për këtë dukuri, na vjen në ndihmë gjuhësia me anë të toponimisë. 1)Për këtë rast le të përmendim në fillim faktin se më në perëndimë të kishës së Shëne-Premtes, gjendet një gjol i vogël, me emrin Portiq. Siç kuptohet, rrënja gramatikore e këtij emri perbëhet nga fjala “Port”, kurse mbaresa e fjalës “-iq” është një prapashtesë ende e gjallë në të folmen e zonës dhe formon emra zvogëlimi, ose emra zvogëlimi dhe me kuptim pejorativë. Po nga kjo prapashtesë janë formuar edhe emra të tjerë si shkuratabiq, furriq, korroziq, kaciq, iliq, kakarriq, bisbiq, lakuriq (i natës) pra, ashtu si është edhe formimi i fjalës Portiq . Kështu shekuj më parë, banorët e kesaj zone duhet ta kenë quajtur gjolin fare pranë Shën e Premtes “Port-iq”, që në kuptimin e parë leksikor do të thotë “Port i vogël”. Me një fjalë është e pranueshme nga goja e popullit se pranë Shëne-Premtes ka pas qënë një “port” detar, ku duhet të jene ankoruar lundrat e dimensioneve të ndryshme. Dhe në këtë mënyrë prvohet se porti i madh i Spinaricës është zëvendësuar nga një më i vogël, po ku deti kishte ende thellësi.
​2)Në ndihmë të tezës se porti i Apolonisë , Spinarica, ka pasur një lloj vazhdimësie, na flet prania e një emri të dytë toponimik Gjoli i Gallanit , i cili ndodhet gjithashtu pas shpinës së kishës së Shëne-Premtes, në perëndim të saj. Nuk është e vështirë të marrësh me mend se rrënja gramatikore e këtij emri “Galla-n” ka lidhje me një fjalë me origjinë latino-veneciane nga sfera e lundrimit lagunor, siç është fjala “galla”, që në fjalorin italisht –shqip shpjegohet: “rri mbi ujë, ose dal mbi ujë”, (ifinitivo, galleggiare= rri mbi ujë),( galleggiante=bovë). Vetëkuptohet se ky toponim “Gallan” e merr emrin nga qendrimi i lundrave mbi ujë, ose nga lëvizja e këtyre lundrave mbi ujët e lagunës, po që, gjithësesi zanafilla e fjalës ka pas të bëjë me sferën e lundrimit, aq shumë sa i ka dhënë dhe emrin gjolit në fjalë, Galla-n.
​3)Në favor të tezës se Spinarica ka pasur gjithnnjë një farë vazhdimësie në një lloji porti fare të vogël, na afrohet edhe një toponim tjetër, “Gjoli i Gjemisë”, që ndodhet po në perëndim të Shëne-Premtes së Laçanit. Ky gjol, pjesë e lagunës së Apolonisë, dikur, jo shumë larg në kohë, ka pas qënë port, ku vinin e qendronin gjemitë. Ka rrëfime gojore se ai ishte një port që shërbente jo zyrtarisht, deri sa u hap porti i Semanit. Në këtë port të vogël, atje te Gjoli i Gjemisë, shitej kryesisht kripa në verë dhe zhuka gjatë vjeshtes dhe dimrit. Shenojmë se bima e zhukës, që shërben për litar, për shporta e kosha, për shpinore dhe stromë karrikesh ka qenë burim të ardhurash për banorët e zonës rreth lagunës së Apolonisë. Kjo tregëti e vogël, me sa kuptohet, pa doganë, i jepte një lloj vazhdimësi këtij porti jo zyrtar, si një jehonë e zbetë e portit të Spinaricës së dikurshme. I radhitëm këto raste të mikro-toponimive, që ndodhen në perëndim të Apolonisë, prapa kishës së Shëne-Premtes në Laçan, atje ku mbaron Lumi i Vjetër, me qëllim që të forcojmë idenë se Shën e Premtja, me doemos, duhet të ketë pas qënë epiqendra e një porti të zhdukur në ish Gjirin e Apolonisë. Dhe ky port, bazuar në fakte që përmendëm, rezulton të jetë Spinarica.
Me këtë rast,Shenojmë se sa kohë që argumentohet teza se Spinarica e ka vend-ndodhjen për rreth kishës së Shene Premtes në Laçan, bie hipoteza e Prof. Dyselie, i cili mendon se Spinarica duhet të ketë qenë në Zvernec. Ky mendim i tij nuk mbrohet dot as nga dokumentave historike dhe as nga ana e terrenit gjeografik.
Lidhur me idenë e lokalizimit të Spinaricës si port i Apolonisë, jam mbështetur edhe në disa shenime arkivale rreth porteve arbërore, si dhe në komente të historianëve specialistë të Mesjetës dhe të kohës antike nga të cilët po veçoj: Prof. H. Ceka, Prof. A. Meksi, Prof. P.Xhufi, Prof. L.Nadin, historiani I. Gjika. Rëndësi të veçantë për argumentimin e idesë rreth portit detar të Apoplonisë kanë pasur toponimet, që gjenden në hapësirën e hinterlandit të saj. Po, mbi të gjitha, duhet të theksoj se çelësi kryesor për të mbrrijtur tek ideja e lokalizimit të këtij porti, të quajtur Spinarica, siç e kemi theksuar dhe më pare, është Shëne-Premtja në Laçan .

Bibbliografi
A. Baçi, A. Meksi, Historia e Arkitekturës, Tiranë 2009.
A. Meksi, Arkitektura e Kishave të Shqipërisë, Eugjen, Tiranë, 2014.
A. Mici, Rreth Portit Detar të Apolonisë, gazeta Dielli, 16 gusht 2014.
H. Ceka, Apolonia, Tiranë, 1958.
Herodoti, Historitë, Libri IX, f. 540, Tiranë, Botimet IDK, 2014
I. Gjika, Kisha e harruar e Shën e Premtes, Mapo, 17 dhjetor, 2015.
L. Nadin, Venezia e Albania, Veneto, 2014.
P. Xhufi, Nga Pellazgët tek Muzakajt, Tiranë , 2009

2015 – 2017
Massachusetts