SOVRANITET APO CUNGIM TERRITORI(…)?!

0
3386

AV. XHABIR ZEJNUNI

Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 1, par. 2 thekson se “Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm”.
Termi UNIK, gjendet edhe në kushtetutat e shteteve të tjera sovrane. Dhe jo pa qëllim.

Çfarë do thotë termi UNIK?
Në radhë të parë, do thotë që askush nuk mund ushqejë ndjenja separatiste, për formimin e një “enklave” apo “republike” brenda territorit të një shteti sovran dhe unik.

Në radhë të dytë, do thotë që asnjë pjesë e territorit të një shteti sovran dhe unik, nuk mund t’i jepet një shteti fqinj. As edhe në rast këmbimi territoresh. Bëhet fjalë jo vetëm për territorin tokësor, por edhe për territorin ujor. Në Shtetin unik, sovraniteti ushtrohet nga i vetmi subjekt, që është vetë shteti, të cilit i përket në mënyrë ekskluzive ushtrimi i funksioneve legjislative, juridike dhe administrative.

Uniciteti dhe pandashmëria e një Shteti, janë dy koncepte të ndryshme në pamje të jashtme, por që kualifikojnë një Shtet në tërësinë e tij.
Uniciteti, është një integrim (edhe normativ) mes niveleve te ndryshme të qeverisjes në planin e brendshëm. Por, edhe në planin e jashtëm, uniciteti është një konfirmim i integrimit të territorit.

Kurse pandashmëria, është kufiri absolut i ndarjes së territorit, ose i dorëzimit të një pjese të territorit tokësor dhe ujor një shteti tjetër fqinj. Uniciteti dhe pandashmëria e territorit të një shteti sovran, kuptohen si kufinj të pakapërcyeshëm të ekzistencës së vetë këtij Shteti.

Neni 3 i Kushtetutës, vijon se “Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij (……) janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”.

Termi “pavarësi”, i referohet asaj situate ku një shtet i lirë nuk i nënshtrohet autoritetit të asnjë Shteti tjetër.

Kurse termi “tërësi e territorit”, rrjedh direkt nga karakteri ekskluziv i sovranitetit territorial dhe është një parim themelor i rendit juridik ndërkombëtar, që cilësohet edhe në nenin 2, par. 4 të Kartës së Kombeve të Bashkuara (dhe nga karta të tjera ndërkombëtare), i cili thekson se “Vendet anëtare duhet të heqin dorë në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare nga kërcënimi apo përdorimi i forcës, si kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të çdo Shteti, si edhe në çdo formë tjetër në kundërshtim me qëllimet e Kombeve të Bashkuara”.

Kohët e fundit, po diskutohet në opinionin publik në Shqipëri rreth problemit serioz dhe delikat që po shkakton rishikimi i paktit detar mes Greqisë dhe Shqipërisë të vitit 2009, i cili u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese me vendimin Nr.15 të datës 15.04.2010. Përsëri ky pakt po rishikohet tani nga Qeveria Socialiste Rama. Edhe pse ritrajtimi i paktit detar, duket ndryshe nga i mëparshmi nga ana formale, nga ana thelbësore ai pakt mbetet i njëjtë me paktin e mëparshëm detar të vitit 2009: dorëzimin Greqisë i një pjese të territorit detar të Shqipërisë. Kurse Greqia në këmbim, do japë OK-në e saj për hapjen e negociatave për hyrjen e Shqipërisë në BE.

Ndryshe, Shqipëria rrezikon shumë që të mos hyjë në BE! (Personalisht, kam qenë, jam dhe do jem edhe në të ardhmen KUNDËR hyrjes së Shqipërisë në BE. Por, ky opinion i imi nuk është argumenti i këtij shkrimi). Duke e trajtuar edhe nga ana penale këtë problem, Kodi Penal në Kreun V me titull “Krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues”, në seksionin i me titull “Krime kundër pavarësisë dhe integritetit”, tek neni 208 me titull “Dorëzimi i territorit”, thekson se “Dorëzimi plotësisht apo pjesërisht i territorit një shteti apo fuqie të huaj, me qëllim për të cënuar pavarësinë dhe integritetin e vendit, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm”.

Norma më lart, është shumë e qartë, pasi duke i “dorëzuar pjesërisht territor” (tokësor apo detar) “një fuqie të huaj”, sjell që “të cënohet” jo vetëm “pavarësia e vendit”, por edhe “integriteti” i tij. Dënimi është mjaft serioz dhe i rëndë: nga 15 vite burg deri në burgim të përjetshëm. Edhe nenet 217 dhe 218, i referohen “marrjes së shpërblimeve” dhe “vënies në shërbim të shteteve të huaja”, me “qëllim kryerjen e veprave kundër pavarësisë dhe integritetit të Republikës së Shqipërisë” dhe dënimet përkatëse”!

Pandashmëria territoriale, tregon se ajo nuk mund të realizohet kurrë, pasi në të kundërt ajo do i binte ndesh formës institucionale të çdo Shteti, të sanksionuar edhe me Kushtetutë. Nëse i jepet një shteti fqinj qoftë edhe 1 cm tokë ose det, atëherë cënohet parimi kushtetues i unicitetit dhe i tërësisë territoriale të çdo shteti sovran. Që të bëhen tratativa të kësaj rëndësie JETIKE për një komb, duhet të ekzistojë më parë një bazë kushtetuese dhe ligjore për ta mbështetur dhe justifikuar atë. Më saktë, duhet ndryshuar Kushtetuta dhe Kodi Penal! Pastaj, mund të hyjnë në diskutim aspektet e tera teknike.

Qeveria Socialiste Rama, po përdor pikërisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, për të trajtuar paktin detar nga ana formale, duke kërkuar edhe plotfuqishmërinë e Presidentit. Supozohet që kjo plotfuqishmëri do merret nga Presidenti! E zgjidh problemin plotfuqishmëria e Presidentit? Por, duhet kapërcyer edhe një pengesë akoma më e madhe, e cila është Kushtetuta e Shqipërisë, që e thekson shumë qartë “UNICITETIN dhe PANDASHMËRINË” e Shqipërisë. Kësaj norme kushtetuese nuk mund t’i dalë KURRË KUNDËR jo vetëm Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, por as edhe çdo gjykatë ndërkombëtare.

Koha do e tregojë.