Sot, takova dy francezë, një burrë dhe një grua

0
476
Ndue Ukaj - Vatikan

Ndue Ukaj

Me një elegancë të jashtëzakonshme, erdhën te vëllai im me dy shishë verë. Pimë verë dhe biseduam për gjëra të bukura. Më shumë për Francën dhe shpirtin që këtë popull e mban lart në hierarkinë e vlerave globale.
Natyrisht, biseduam pak për kulturë dhe më shumë për politikë.

Une i pyeta për përshtypjet e tyre nga qeverisja e Emmanuel Macron-it.
Ata, njëzëri më thanë:
“Është herët të gjykojmë. Duhet të presim.”
E mua, zemra me dhimte, dhe mendja më shkonte te 6 milionë shqiptarë që krekosen dhe kanë përgjigje në çdo pyetje dhe në çdo kohë. Madje, edhe për tema e çështje globale, ndonëse kontributi i tyre në tema të tilla është i papërfillshëm.
Dhe, me vete thashë: deri kur do të marrin fund krekosja tona primitive dhe të pjekemi e të hyjmë në vallen e popujve të emancipuar.

Pastaj më pyetën për Parisin.
U fola me njohjet e mia modeste për këtë qytet magjik, por më shumë për shpirtin që përfaqëson ai në fushën e letërsisë.
Dhe, natyrisht, erdhi radha e Ballkanit dhe e shqiptarëve.
Më pyetën për arkitekturën, raportet ndërmjet religjioneve, politikën, etj. Më pyetën për ndikimet e Renesancës në kulturën shqiptare, veçmas në arkitekturë.
Unë u përpoqa t’ u jepja një panoramë pozitive, ndonëse argumente në këso raste i ke të pakta.
Ata, më dëgjuam me vëmendje, dhe, ka fundi, burri e nxori një copë gazete dhe ma tregoi.
Unë s’ e kuptova, por ma përktheu vëllai im, Gjoni.

Një gazetë lokale, shkruante për barbaritë e shqiptarëve nëpër Europë, me një titull: “Thjesht, asgjë nuk është rregull.”
Vetë titulli ishte trishtues. Sepse fliste për shqiptarët që nuk i duan rregullat, pra për shqiptarët që i luftojnë ato.

Teksti i shkurtët, tregonte se, shqiptarët, kudo qofshin, Gjermani, Britani të Madhe apo në vende tjera, e blejnë një veturë si të ishte një tip krosane.
Teksti i referohej një refugjatë që kishte refuzuar ballafaqimin me policinë, dhe, për pasojë, ishte arrestuar dhe dënuar, meqë kishte vozitë një veturë të paregjistruar dhe pa leje të përkthyer.

Ky shqiptar, mundohet të sfidojë sistemin francez, ndonëse jeton duke përfituar nga solidariteti francez, thotë gazeta.
E ky shqiptar tipk, gjindet kudo; një shqiptar krenar që s’i do rregullat dhe krekoset, që krenarinë e ka në qiell, ndonëse e di se, në sytë e tjerëve është i shkretë.

U turpërova dhe më ikën fjalët.
Natyrisht, për këtë askush nuk na ka faj- as gazeta, që mund të ketë qasje jodashamirëse- por na ka faj injoranca me tonelata që mbizotëron jetën tonë. Në secilën fushë.

Sot, këtë lloj të tregimit e dëgjon kudo në Europë.
Ky rrëfim mund të jetë vetëm një rast i thjeshtë për të kuptuar si shihmi në sytë e Europës.

E ne vazhdojmë të krekosemi me marrëzitë tona, vazhdojmë veset t’ i quajmë vlera, refuzojmë ta shohim realitetin në sy, vetëmashtrohemi, ndonëse e dimë fare mirë se, para perëndimit, jemi si mbreti në përrallën e njohur “Rrobat e mbretit.”
Jemi lakuriq.