Sot është dita që mund të ringrihet Partia Demokratike

0
133
SHQUP - PD

Mero Baze Nga Mero Baze, TemA

Mund dhe të mos shkruaja sot. Pas 14 vitesh betejë të përditshme me një nga figurat dhe familjet më të korruptuara të kombit shqiptar, me dikë që ka vrarë për të vjedhur dhe ka vjedhur për t’u rikthyer në pushtet, me dikë që ka terrorizuar çdo kundërshtar, çdo gazetar dhe çdo rival brenda partisë së tij, me dikë që ka mbajtur peng Partinë Demokratike si një tutor prostitutash, duke i kërcënuar dhe shantazhuar për të ardhmen e tyre, sot, është ajo dita që kam pritur.

Atë që nuk e bëri drejtësia shqiptare, atë që nuk e bëri fuqia e shoqërisë shqiptare, atë që nuk e bëri dot Partia Demokratike, atë që nuk e bënë dot kundërshtarët e tij, e bëri SHBA.

Sot Sali Berisha dhe familja e tij, kanë marrë dënimin e përjetshëm si një familje kriminale, e pasuruar mbi kurriz të shqiptarëve dhe si pengues të reformës në drejtësi, për të garantuar mos ndëshkueshmërinë e tyre.

Kurrë nuk kam pritur një ndëshkim më të madh se kaq. Dhe tani kam nevojë vetëm ta shijoj dhe jo ta komentoj këtë gjë.

Ajo që sot dua të shkruaj, ka të bëjë me Partinë Demokratike, një parti për të cilën kam bredhur maleve të Martaneshit për ta themeluar në dhjetor të vitit 1990, me shpresën që do përmbysej komunizmi, dhe që sot për shkak të këtij padrinoje në krye të saj, është kthyer në një simbol të regresit dhe anti-amerikanizmit në Shqipëri.

Sot nuk është ditë e madhe pse u ndëshkua Sali Berisha. Sot është ditë e madhe, se mund të shpëtojë dhe rithemelohet Partia Demokratike.

Për të gjithë ata që e marrin lehtë dhe përpiqen ta injorojnë, sot është dita që përmbyll tranzicionin shqiptar dhe fillon epokën pas Sali Berishës. Kjo gjë mund të kishte ndodhur në qershor 2013, kur ai u zbua me 1 milionë vota, por ai nuk iku, por rezistoi si familje mafioze që kishte marrë peng PD.

Partia Demokratike dhe figurinat brenda saj, sot kanë shansin të ndajnë historinë e asaj partie. Ata që duan të jenë me Sali Berishën nën moton “duam babën”, mund të rrijnë me të. Të gjithë mund ta marrim me mend se sa pak dhe sa të urryer do të jenë nga shoqëria disa vite më pas.

Sot është dita e guximtarëve dhe atyre që do t’iu përkasë Partia Demokratike në të ardhmen.

Sot në atë parti ka rënë zija, ndërkohë që duhet të shpërthente gëzimi.

Sot heshtja e tyre në atë parti, është akuza më e rëndë për Sali Berishën, dhe fuqinë e terrorit të tij mbi ata.

Kam shkruar dhjetra herë se ajo parti do të ketë të ardhme, kur të udhëhiqet nga dikush që ka fuqi të përballet me Sali Berishën. Deri më sot, askush nuk ja doli, edhe pse shumë e provuan.

Sot është dita të nderojmë ata që e refuzuan në atë parti dhe nuk u rikthyen kurrë pas.

Sot është dita të nderojmë me respekt Gramoz Pashkon, Petrit Kalakulën, Eduard Selamin, Bashkim Koplikun, Alfred Serreqin, Maks Konomin, e shumë figura themeluese të PD, që e ndjenë të parët rrezikun e Sali Berishës për të ardhmen e PD dhe demokracisë në Shqipëri.

Po kaq të nderuar janë dhjetra e qindra djem e vajza që punuan me të, por nuk e pranuan kurrë shkollën e tij politike. Ata nuk ja dolën dot, por bënë gjithçka që kishin në dorë t’ia dilnin.

Sot, kur SHBA hyn në lojë duke ndëshkuar përjetësisht Berishët si familje kriminale, është dita kur ndahet historia e asaj partie.

Ata që duan të rrijnë me Sali Berishën kundër SHBA dhe popullit shqiptar, le të rrijnë me të.

Dikush duhet të dalë dhe të bëjë historinë e tij. Këtë shans e kanë të gjithë.

I pari e ka Lulzim Basha. Ai sot duhet të dëshmojë nëse ka qenë ndonjë ditë udhëheqës i asaj partie, apo jo. Sot ka ditën të dalë e t’i thotë Sali Berishës “dorëzo mandatin” e deputetit dhe shko në shtëpi.

Është dita t’i thotë djalit dhe vajzës së tij të mos fusin më hundët në punët e Partisë Demokratike, dhe të fillojë një histori të re të PD.

Nëse nuk e bën ai, do ta bëjë dikush tjetër. Nëse jo, brenda atyre mureve ku ka njerëz të terrorizuar, jashtë saj.

Kritikët e Luzlim Bashës, që në mënyrë qesharake e sulmojnë Bashën duke mburrur Sali Berishën, duhet të ndërrojnë fjalor së paku për etikë.

Nëse deri më sot në PD ka qenë kriter për karrierë raporti personal me Sali Berishën, prej sot e tutje ai do të jetë problem. Dhe këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë.

Ajo aleanca Rama-Doshi që thotë Lulzim Basha në mënyrë qesharake, prej nesër është aleanca Berisha-Doshi në Parlament, pasi do jetë qoshja e zezë e Parlamentit.

Kjo është një ditë e madhe për demokratët shqiptarë, pasi ata SHBA i ka çliruar nga një e keqe para së cilës ishin dorëzuar.

I ndëshkuar për korrupsion dhe për pengim të reformës në drejtësi, Sali Berisha është sot “Peshku i Madh” i paralajmëruar nga ambasadori Donald Lu, që aq shumë janë tallur këto vit mbështetësit e tij.

I pari në radhë që po merr ndëshkimin e merituar, por që siç e paralajmëron dhe deklarata e SHBA, ka dhe aleatët e tij në radhë.

Partia Demokratike duhet ta përjetojë këtë si festë dhe jo si humbje. Të humbur janë vetëm ata që nuk janë të lirë të ndahen prej tij.

Liria për t’u ndarë nga Sali Berisha, ka qenë gjithë jetën, kriter për të qenë i zoti i vetes dhe i patrembur nga shantazhet e tij.

Frika për t’u ndarë prej tij, është apriori akuzë për përfshirje në krimet e tij, duke qenë, qënie e shantazhueshme.

Sot normalisht askush nuk ka dëshirë të jetë në pozicionin e tij. Përpjekja e tij banale, për ta konsideruar Departamentin e Shtetit si një qeveri e Sorosit, është dhe më e rëndë se çka bërë gjithë jetën.

Përpjekja e tij për ta quajtur Shqipërinë narkoshtet që mbështetet nga SHBA, është anti-amerikanizmi më i madh i shfaqur në ndonjë nivel politik në botë.

Ata që do mbeten me të, janë të implikuarit e tij, të korruptuarit e tij dhe pse jo, vrasësit e tij. Njerëzit e lirë nuk kanë më punë me atë fundërinë të historisë.

Ndaj sot ne nuk duhet të jemi të gëzuar për ndëshkimin e Sali Berishës, por për çlirimin e Partisë Demokratike nga padrinoja i saj.

Pas 30 vjetësh, SHBA e cila na ndihmoi të rrëzonim komunizmin, na ndihmoi të çliroheshim dhe prej përdhunuesit të demokracisë dhe tranzicionit shqiptar. Ky është nderi më i madh që SHBA i ka bërë Shqipërisë në shekullin e 21.

Sot nuk ka më kuptim të flasim për zgjedhje në PD më 13 qershor. Sot është dita të shikojmë nëse do ketë një PD të re, apo një grup të gatshëm “ajatollahësh” për të mbrojtur padrinon e tyre. Shqipëria u çlirua prej Sali Berishës dhe nuk kthehet më tek ai.

Është koha të çlirohet Partia Demokratike, nëse kërkon të kthehet ndonjëherë në historinë e këtij vendi. Nëse jo, do kujtohet si një një tridhjetë vjeçare e përdhunuar nga babai i saj, i cili e mbyt nga xhelozia dhe nuk e lë të martohet me dikë tjetër. Do të jetë inçesti i fundit i Sali Berishës.