SOFËR SHQIPTARE NË ATHINË

0
2093

Nga takimi me përfaqësues të dy Federatave

Mbrëmja bie e bukur mbi kryeqytetin grek. Në një rrugë kryesore të Athinës së lashtë, anës së cilës ndodhet restoranti i pronarit shqiptar Petrit Selmani, dëgjohen deri larg kënga dhe vallja shqiptare. Madje mysafirët e ardhur nga Italia, përfaqësuesit e Federatës FNAI dhe zotërit e shtëpisë, drejtues dhe anëtarë të Federatës së Shoqatave Shqiptare ne Greqi e hedhin vallen deri në trotuar, duke tërhequr vëmendjen dhe simpatinë e kalimtarëve e turistëve.

Është një sofër shqiptare e shtruar me bujari nga pala pritëse dhe nga pronari i lokalit. Kanë kaluar 4 muaj nga takimi i parë që u bë midis përfaqësuesve të të dy Federatave në marsin e kaluar, buzë Liqenit të Gardës në Itali. Dhe ja tani tek takohemi sërish, këtë radhë nën hijen e Akropolit të lashtë. Darka është e gëzueshme. Bardhok Ndoci ka marrë me vete edhe çiftelinë dhe sjell atmosferën e rapsodive dhe këngëve lirike të folklorit të Veriut. Teuta Zhapa, me zërin e saj të bukur ka një repertor të gjerë dhe kalon me lehtësi nga këngët shkodrane, tek serenatat korçare, ato myzeqare e deri tek muzika e lehtë me këngët e së paharruarës Vaçe Zela. Ahengu bëhet më i plotë kur vijnë edhe fizarmonika e klarineta. Atëherë zgjohen si papritur Shezo Bushi e Dashi Zguro dhe tek një tavolinë në qoshe formohet grupi i këngës labe. Shezo ia merr si bilbil e grupi përcjell ison, ndërsa pjesëmarrësit në darkë ngrihen në valle.

Kjo sofër dhe kjo atmosferë vëllazërore kishin filluar që pasdite në sallën pranë zyrave të Federatës së Shoqatave Shqiptare në Athinë, ku u zhvillua një takim midis përfaqësujesve të të dy palëve. Ndodheshin edhe anëtarë e kryetarë të shoqatave shqiptare në Greqi, shkrimtarë e artistë etj. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të ambasadës shqiptare në Athinë dëshmonte për bashkëpunimin e diplomatëve tanë me federatën në fjalë dhe për interesimin e tyre lidhur me problemet e emigantëve.

Takimin e drejtoi sekretarja e komisionit koordinues midis dy federatave Brikena Qama. Presidenti i FSHSHG, Etmond Guri, i cili ju uroi mirëseardhjen mysafirëve foli për aktivitetet e zhvilluara nga shoqatat e federatës në periudhën midis dy takimeve, si dhe për projektet për muajt e ardhshëm. Në fjalën e presidentit të FNAI-t dhe kolegëve të tij, zëvendëspresidentit Hamit Çorrogjafi e kryetarit të komisionit koordinues midis dy federatave Klodian Cami, si dhe nga diskutimet e shumë të pranishmëve si Anila Kila,Jovan Mëhilli, Novrus Abilekaj, poeti Thanas Jani, Fatos Malaj, Luan Miha, Bernard Veliaj, gazetari Abdurrahim Ashiku e të tjerë u fol që tashmë bashkëpunimi midis dy federatave duhet të kalojë në stadin e veprimtarive të përbashkëta dhe aksioneve të koordinuara, si peticione pranë organeve shtetërore, parlamenteve të Shqipërisë, Greqisë e Italisë për ato probleme të rëndësishme me të cilat ndeshen emigrantët.

U theksua që përballë indiferencës së shtetit shqiptar e qëndrimeve burokratike të vemë veprimet dinamike. U kalua edhe në propozime për veprimtari të përbashkëta, siç është konferenca për gjuhën shqipe, ku do marrin pjesë e të shkëmbejnë përvojë përfaqësues të të dy federatave, takim tripalësh me federatën e shoqatave shqiptare në Austri, pjesëmarrje e shkrimtarëve të të dy federatave me veprat e tyre në panairin e librit që do të organizohet në Durrës në datat 1-7 gusht, organizimi i një aktiviteti të përbashkët sportiv në Shqipëri me ekipin e futbollit “Apollonia” të emigrantëve në Greqi dhe me ekipin e futbollit të shoqatës Shqiponja” në Reggio Emilia, që është fitues midis ekipeve në Itali etj. Këto janë si nisje. Por u theksua që të dy federatat, në programet që do të hartojnë për vitin e ardhshëm të parashikojnë edhe aktivitete me interes e pjesëmarrje të përbashkët.

Në takim foli edhe zëvendësambasadori shqiptar në Athinë, Florian Nova.

* * *

Dita e dytë, për ne të grupit të ardhur nga Italia, u la e lirë, me qëllim që të vizitonim kryeqytetin grek dhe monumentet e tij të lashta. Mikja e familjes sonë, Mimoza Çekiçi Rista dhe bashkëshorti i saj,Vasili, na u vunë në dispozicion tërë ditën. Mimoza na shoqëron rrugëve karakteristike të Athinës, drejt Akropolit, kësaj mrekullie të lashtësisë, ndërtimet e të cilit zënë fill që 6 shekuj para Krishtit, kushtuar Cekropit, njeriut me formë gjarpëri, që legjendat thonë se ishte mbreti i parë i Athinës.

I shkatërruar e i ringritur disa herë për shkak të luftrave të shumta përgjatë historisë, Akropoli i ka rezistuar kohës, i ngritur mbi ata shkëmbinj 150 m mbi nivelin e detit. Prej aty Athina e bardhë shtrihet në hapësira gati të pafundme, herë në ultësirë deri buzë detit Egje e herë duke iu qepur kodrave përreth. Në një kodër aty përballë, një guvë e gdhendur në gur, me kangjella prej hekuri, qelia ku u torturua një nga mendjet më të ndritura të lashtësisë, Sokrati. Poshtë kodrës zona e tërë arkeologjike që shtrihet deri në Monastiraq e në lagjen e bukur Plakë. Hamiti, Klodiani, Dashi, Rodela e Simona edhe pse nën një diell të nxehtë ndalen e bëjnë fotografi të shumta. Për t’u mbrojtur nga dielli Klodiani ble një kapelë kaubojsi, duke iu dhënë një ngjyrim origjinal fotove të tij.

Është e pesta herë që më takon të vizitoj Akropolin. Dhe sa herë që vij shikoj ndryshime. Rrugët drejt hyrjes janë sistemuar bukur. Po kështu është bërë muzeu i ri e modern, me shumë salla, ku janë vendosur jo vetëm statujat e objektet që ndodheshin në atë muze të vogël prapa Partenonit, por edhe mjaft objekte të siteve të shumta arkeologjike që ka Athina e që dëshmojnë historinë e saj të lashtë. Muzeun e ri do ta vizitonim pjesërisht për shkak të mungesës së kohës në dispozicion. Ajo që më bën përshtypje është gjendja e Partenonit. Duket sikur kriza ekonomike që e ka gjunjëzuar jo pak Greqinë, i ka shtrirë metastazat e saj deri në kolonat e lashta të këtij tempulli që po humbet shkëlqimin e tij. Gjithnjë e më pak kolona më këmbë, gjithnjë e më shumë skela përreth tij. Bëhen punë restauruese, por në kolonat e thyera dhe në arkitrarët e dëmtuar mermeri i vjetër është zëvendësuar me mermer të bardhë e Partenoni duket si me arna, lara lara. Nuk e di çfarë efekti ekonomik mund të ketë sjellë ngritja e çmimit të biletave gati në dyfish, por vërehet që numuri i turistëve vizitorë nuk është si më parë.

Zbresim rrugëve të Athinës drejt lagjes Plakë. Ka një lloj zbehtësie e trishtimi në rrugët, në dyqanet, por edhe në fytyrat e njerëzve. Nuk është më ajo alegria e dikurshme. Më pak muzikë. Më pak njerëz dyqaneve. Lokaleve, një shërbim si me përtesë, sa për të kaluar ditën e punës. Mimoza na çon në një lokal ku punojnë shqiptarë. Na bëri përshtypje që në disa nga lokalet ku vajtëm, të punësuarit shqiptarë nguronin të na flisnin shqip. Nuk arritëm ta kuptojmë arsyen, por provuam një ndjenjë keqardhjeje. Mbase pronarët e tyre grekë imponojnë komunikimin në greqisht.

Në mbrëmje Mimoza dhe Vasili, me dy makina, na shoqërojnë jashtë Athinës. Përshkojmë rrugën e bukur buzë detit, drejt juglindjes së qytetit. Kalojmë zonën e pasur të Glifadhës dhe ndalemi tek Liqeni i Vouliagmenit. Buzë një shkëmbi vullkanik, ai është një liqen ujrash termale me një shumëllojshmëri kriprash e me aftësi kruese për sëmundjet e lëkurës. Monitorë elektronikë tregojnë se temperatura e ujit edhe në mbrëmje është 29 gradë. Aty pranë është një lokal mjaft i bukur, ku kalojmë disa orë relaksuese. Thuhet që ai liqen është formuar miliona vite më parë. Ekzistonte brenda nën dhe, pastaj pati një rënie të çatisë shkëmbore nga shpërthimet e ujrave termale dhe u bë liqen në natyrë të hapur e me ujra të ngrohta dimër e verë.

* * *

Mëngjesi i ditës së tretë fillon me një grumbullim pranë hotelit “Olympic” ku është sistemuar grupi i ardhur nga Italia. Vijnë sërish për t’u takuar me grupin e mysafirëve poetët e mirënjohur Nase Jani e Grigor Jovani, gazetarja Bardha Mançe, veprimtarë të shoqatave. Pastaj me disa makina bëhet nisja drejt Korinthit, ku është programuar një takim e drekë pune me shoqatat e Korinthit e të Patras. Janë mbi 90 km rrugë që gjarpëron buzë detit me një ngjyrë blu të thellë. Sodisim bukurinë e tij e të ishujve të shumtë që shfaqen aty-këtu. Një ndalesë për të bërë foto tek kanali i Korinthit.

Është impresionues ai shkëmb i prerë si me thikë për një gjatësi gati 6.5 kilometra. Ai ka prerë istmin e Peloponezit, për të bashkuar Gjirin e Korinthit, që është pjesë e detit Jon me detin Egje, duke u shkurtuar rrugën anijeve nga 200 deri në 700 kilometra. Ndërtuesit, që e kanë hapur aty nga fundi i vitit 1800, kanë parashikuar vetëm kalimin e anijeve të vogla, pasi gjerësia e kanalit prej 25 metrash nuk lejon kalimin e anijeve të tonazhit të lartë, të cilat edhe sot duhet t ‘ i bien rretheçark Peloponezit për të arritur në portin e Pireut. Megjithatë fitimi ekonomik është jo i vogël, pasi ty kalojnë mbi 10 mijë anije në vit.

Në Korinth, në një lokal buzë detit, vazhdon sërish ajo sofër e ngrohtë mes shqiptarësh e nisur tri ditë më parë. Përfaqësuesit e shoqatave të Korinthit e Patrës me mikpritjen e tyre të ngrohtë e kanë organizuar bukur takimin dhe atmosfera është vërtet vëllazërore. Bardhok Ndoci e Teuta Zhapa bëhen sërish kolona zanore e këtij takimi midis vëllezërish emigrantë. Poeti dhe shkrimtari Ilias Bobaj ka ardhur që nga Patra për të takuar e për t’u dhuruar librat e tij mysafirëve të ardhur nga Italia.

Orët kalojnë mes këngëve e bisedave të gëzueshme. Klodiani propozon që bashkëpunimi me veprimtari të përbashkëta të fillojë menjëherë dhe bashkë me Dashin Zguron i ftojnë dy këngëtarët që të marrin pjesë në koncertin e organizuar në Pesaro me datën 23 korrik. Ata e presin me kënaqësi ftesën.

Në kthim drejt Athinës, një ndalesë në qytetin e vogël por të bukur Loutraki, qyteti i poetit të shquar Janis Ricos e bën më të këndshëm e domethënës këtë udhëtim mes bashkatdhetarësh, ku ka edhe krijues e artistë. Një darkë aty buzë detit, me miqtë e Hamit Çorrogjafit, është mbyllja poetike e kësaj sofre shqiptare në kryeqytetin grek.

Elona Kataro & Ndue Lazri