SNOBIZMI

0
660
Illustration woodcut of wine snob

Një falenderim nga Prof. Xhelali, për publikimin e shkrimeve me kaq vlerë,
që ai na dërgon herë pas here:

Përshëndes drejtuesit e mediumit respektabël “Fjala e Lirë”.
Ju dëshiroj punë të susksesshme dhe të gjitha të mirat.
Me ndjenjën e konsideratës më të lartë – Prof. Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

Rrjedhat e kulturës gjithmonë e kanë mbartur me vete snobizmin, si një dukuri margjinale, e cila paralajmëron për plasaritjet në kulturë. Në shekullin XXI, si kurrë më parë, me të madhe janë dobësuar shtyllat morale të jashtme. Mbizotërojnë orientimet materialiste dhe hedonistike, ndërsa varfërimi shpirtëror është gjithnjë më i madh. Në plan të parë nxirren modelet e ngeshme të sjelljes, ndërsa etika, puna dhe veprimtaritë profesionale, vihen në plan të dytë. Shumë njerëz e dëshmojnë veten me mjete të jashtme, krekosen me pasurinë e arritur dhe nuk harrojnë të manifestojnë se u përkasin qarqeve “elitare”.

Strofullin e sigurt e gjejnë në stilin e jetesës, që është i privuar nga dituria dhe mundi kërkimor, nga puna aktive dhe e ndershme, nga qëndrimi i pavarur dhe nga krijimtaria. Lidhja obsesive me rrethet ”e larta” si dhe lufta e paskrupullt për komodi materiale flet për mungesë të personalitetit, për inpersonalitet dhe për jetë të rrejshme, për rënien shpirtërore dhe kulturore të vetë qenies. Një gjendje e këtillë paraqet kanosje serioze për shoqërinë për arsye se mbështetet në sistem të gabuar të vlerave dhe në këtë vështrim është i përshtatshëm për shtrirjen e një sërë dukurive negative, midis të cilave edhe snobizmit. Një poeti të madh që s’ka para, askush s’i afrohet, ndërsa pas një pushtetari apo oligarku injorant, të pasuruar brenda nate, rendin të gjithë.

*   *   *

Fjala angleze snob supozohet se vjen nga latinishtja sine nobilitate pa fisnikëri. Është emërtim përbuzës për njerëzit e padobishëm të cilët rendin pas modës dhe verbërisht përkulen para traditave të qarqeve të larta. Hiqen sidomos se janë adhurues të artit.

Kuptimi themelor i snobizmit në kulturën e shoqërisë masive është që, si një komponentë subjektive e barazimit të vlerave kulturore dhe të pozitës shoqërore të individëve apo të grupeve, ta shfrytëzojnë atë si mjet të promovimit shoqëror. Kështu veprojnë shtresa shoqërore të cilat nuk janë të kënaqura me pozitën e vet në shoqëri.

Shtresat të cilat tanimë kanë arritur epërsi shoqërore të caktuar, snobizmin e përdorin si mjet për të siguruar distancën shoqërore apo izolimin prej shtresave të ulëta.

Funksioni social i snobizmit vërehet më së miri tek ambiciet që ia caktojnë vetes snobët dhe ky është dyllojësh:

– Snobët dëshirojnë të arrijnë barazimin kulturor në nivel më të lartë. Me fjalë të tjera, duke iu afruar vlerave kulturore dhe nivelit të shtresave shoqërore më të zhvilluara, ata synojnë të realizojnë promovimin e vet kulturor, rrjedhimisht edhe promovimin shoqëror;

– Snobët që kanë siguruar një pozitë shoqërore më të lartë, synojnë të ndahen akoma më shumë, në mënyrë që ta shtojnë distancën kulturore dhe sociale midis vetes dhe atyre shtresave apo grupeve shoqërore që i konsiderojnë më poshtë se veten.

Kur mbartës të snobizmit janë grupet apo individët, shoqërisht të varur, atëherë këta  nuk ia dalin të ngrihen mirëfilli në nivelin e lartë që e dëshirojnë. Kur mbartës i synimeve të tilla është individi apo grupi shoqëror superior, po ashtu nuk arrin të çngjiten nga niveli që vlerësohet si i ulët apo që vërtet mund të jetë i ulët,. Pikërisht këtu qëndron tragjedia e snobizmit.

Marrë nga pikëpamja sociale dhe psikologjike, dobësia e snobizmit vërehet në paaftësinë e snobit për ta parë dështimin apo pamundësinë për ta ngritur pozitën e vet në shoqëri apo për ta përmirësuar atë.

Po qe se aspiratat e tilla kulturore vërtet arrihen, atëherë është e qartë se nuk kemi të bëjmë me snobizmin.

Një përkufizim të snobizmit ka dhënë teoricieni francez Klenshan (Philippe du Puy de Clinchamps, 1919-1971) në studimin me të njëjtin titull. Sipas këtij përkufizimi, si snob duhet konsideruar atë njeri i cili të paktën me një pjesë të veprimtarisë profesionale të tij apo të veprimtarive të tij në kuadër të kohës së lirë, tenton që me ndihmën e imitimit t’i përkasë ndonjë grupi shoqëror të mbyllur (klani, koterie, klike). Kur ia del të bëhet pjesë e grupit të tillë, tanimë ai synon t’i parandalojë të tjerët të hyjnë në atë grup. Anëtarët e grupeve të tilla të mbyllura apo aspiruesit e grupeve të tilla kanë mendime, bindje dhe qëndrime të përputhura se në pikëpamje shoqërore janë më superiorë se të tjerët. Vetitë e tilla ia veshin reciprokisht njëri-tjetrit, madje edhe kur veti të tilla nuk i posedojnë fare.

Me këtë rast, s’ka rëndësi fakti nëse vlerat apo kriteret e lartpërmendura në bazë të të cilave realizohet promovimi shoqëror i vërtetë apo i sajuar, janë vlera shoqërore të dorës së parë dhe të pranuar nga të gjithë, apo në shkallën e vlerave njerëzore kanë rëndësi të dorës së dytë, për të mos thënë se janë të një rëndësie krejt dytësore.

Duhet shtuar se çdo snobizëm ka edhe një element pozitivorientimin e tij kah vlerat kulturore të larta. Sipas kritikëve, ky orientim mund të luajë një rol tejet të dobishëm në   inspirimin e njerëzve që të veprojnë për ngritjen e nivelit kulturor, qoftë edhe duke i kopjuar në mënyrë snobiste vlerat kulturore dhe artistike. Por, nga pikëpamja e vlerave kulturore dhe artistike të mirëfillta, snobizmi vlerësohet si dukuri negative, për arsye se synimi i snobit për vlera kulturore të larta nuk është veçse motiv dytësor. Motiv parësor i tij është arritja e promovimit shoqëror.

Snobizmi nuk është një dukuri plotësisht homogjene dhe monolite. Çdo njeri që sapo është ngritur më lartë në shoqëri, që sapo është pasuruar, apo kandidati për snob, e vëren se  klanin e snobëve e tronditin dhe e përshkojnë konflikte të ashpra në nivele të ndryshme. Në të vërtetë, midis snobëve ekziston një hierarki dhe në raste të caktuara ajo është e shprehur sipas shkallëve: Snobi shpesh takon dikë që është më snob se ai. Pikërisht këto nuanca në snobizëm e vështirësojnë mundësinë për ta përcaktuar karakterin e njëmendët të snobizmit konkret. Për shembull, kur snobit ngritja në karrierë i shkon për dore, është vështirë të konstatosh shtirjen dhe dyfytyrësinë e tij ngase para të tjerëve krijon iluzionin se qëllimin nuk e ka te promovimi i vet. Për ta arritur promovimin e vet snobi bën të pamundurën. Në mënyrë perfide hiqet se qëllimi i tij nuk është të promovojë veten. Kjo shtirje perfide e tij vështirë konstatohet.

Ilustrimin e snobizmit në nivele të ndryshme e hasim në veprat e shkrimtarit francez Marsel Prust (Marcel Proust, 1871-1922), të emërtuar me emërtim të përbashkët A la recherche du temps perdu, 1913-1927 (Në kërkim të kohës së humbur). Klasiku i letërsisë franceze të shekullit XX – Andre Morua (André Maurois, 1885-1967) në librin Á la Recherche de Marcel Proust, 1949 (Në kërkim të Marsel Prustit) thotë se te Prusti nuk kemi të bëjmë me snobizëm të thjeshtë por me një “kaskadë të tërë snobizmi”. Duke qenë se shoqëritë njerëzore ndahen në grupe, në klasa që ngrihen si shkallë, e që janë të shumëfishta, të ndërlikuara, ndonjëherë edhe kontradiktore dhe meqë smira dhe dëshira për t’u mbajtur i madh bëjnë pjesë ndër kënaqësitë njerëzore më të mëdha, snobizmi haset, si në shtresat shoqërore më të larta, ashtu edhe në ato më të ulëta.

Sipas Moruas, në maje të shkallëve të vlerave shoqërore qëndrojnë lartmadhëritë e mbretërve, si p.sh. princesha e Parmës, e cila hiqet e mirë apo e afërt, por nga një lartësi e tillë e ka vështirë që qenien njerëzore ta dallojë prej kafshës. Për ta treguar mirësinë e vet, ajo apo princesha e Luksemburgut i jep një plake një kulaç. Kulaçin ia jep gjyshes, njësoj si një vizitues që do t’ia jepte drenushës në kopshtin zoologjik.

Në nivel pak më të ulët e kemi snobizmin e aristokratëve të cilët duan të ndahen prej të tjerëve. Aty pranë, janë snobët të cilët pa pasur aftësi të duhura, bëjnë vlerësimin e veprave letrare. Vjen snobi që me çdo kusht synon të depërtojë në sallonin e princeshës de Germant. Pason snobi i cili tregohet gjentil ndaj fshatarëve, por në prani të bujarëve hiqet sikur s’i njeh.

Snobizmi në nivelin më të ulët vërehet në sjelljen e gruas së varfër që hiqet se është markezë. Në tualetin publik që e mbante në Paris lejonte të hynin vetëm klientët e zgjedhur.

Sipas studiuesit Klenshan, ka dy lloje themelore të snobizmit: parësor dhe dytësor.  Snobizmi parësor është paraqitur kah viti 1850 e këndej. Kuptohet, snobizëm ka pasur edhe më parë.

Pas përleshjeve të tmerrshme në periudhën e viteve 1789-1814 (Revolucioni francez) mbretërit dhe oborret e humbën rëndësinë e dikurshme. Por kultet, traditat dhe ceremonitë nuk zhduken përnjëherë. Ato vazhdojnë të veprojnë me forcën e inercisë. Përmbysje ka pasur, por shprehitë e krijuara ndër shekuj nuk shuhen sakaq. Vendin e monarkut do ta zë një sistem i tërë dukurish.

shoqëritë e larta të shekullit XIX, autoritet i ri i kryeqendrave evropiane do të jenë koteritë e snobëve. Ato do t’i zhvillojnë maniret mondane, mënyrat elegante të veshjes dhe mënyrat e reja të jetesës, modën e cila në hollësi e cakton mënyrën e re të lidhjes së kollares, si duhet të mbyllet apo të bëhet dekoltimi i jakës dhe i tualetit, në ç’mënyrë të zgjidhet tipi i veturës, i gjuetisë, i vardisjes, i koketimit, i flirtimit, i konversacionit nëpër sallone dhe i kavalerisë.

Deri në vitin 1914 snobët rekrutoheshin kryesisht prej oborreve. Këtë variant të snobizmit Klenshan e ka quajtur snobizëm parësor, përkatësisht snobizëm fillestar. Këta snobë do të jenë mondanë në pikëpamje të veshjes, të banimit, të shfrytëzimit të zbavitjeve dhe të kohës së lirë. Këta do të jenë njerëz sallonesh, njëherazi edhe njerëz që synojnë të depërtojnë dhe të pranohen në sallonet më ekskluzive. Prototip i këtij lloj snobizmi dhe i epokës, është Sharli Svani i Marsel Prustit.

Kuptohet, këta kufij dhe këto karakteristika nuk duhet marrë si absolute. Në këtë periudhë, snobë ka vetëm duke filluar nga një nivel i caktuar i shoqërisë e më lartë, duke përjashtuar pjesërisht shtresat shoqërore më të larta, për arsye se ata nuk mund të jenë snobë ad litteram.

Një prej karakteristikave thelbësore të snobizmit është imitimi. Në kuptimin social, imitimi duhet ta ketë kufirin e epërm. Me fjalë të tjera, qarqet më të larta, për t’u treguar më të larta se ç’janë, s’kanë kë ta imitojnë. Përveç kësaj, shikuar edhe në aspektin etimologjik, besohet se snobi e ka marrë emrin sipas asaj se nuk ka prejardhje fisnike, d.m.th. ai është sine nobilitate apo pa fisnikëri. Sipas një versioni tjetër, fjala snob vjen nga latinishtja quasi nobilis domethënë gjoja fisnik apo fisnik në dukje.

Ka studiues të cilët snobizmin nuk e konsiderojnë si dukuri negative. Por një numër i madh i studiuesve e marrin për dukuri të tillë. Sipas përkufizimit të leksikografit, filozofit dhe filologut francez Emil Litre (Émil Maximilien Paul Littré, 1801-1881), autor i veprës “Le Dictionnaire de la langue française, 1973) snobizmi është gjendje e njeriut i cili pa shije krenohet me gjëra vulgare. Sipas enciklopedisë Larouss, snobizmi është pozë, afektacion i marrë, qesharak, dyfytyrësi prepotente. Në variantin e ri të së njëjtës enciklopedi thuhet se snobizmi është adhurim i çdo gjëje që është trend, d.m.th. aktual dhe me famë.

Në fjalorin e Akademisë Franceze snobizmi kualifikohet si  sqimë e atyre të cilët artificialisht e kanë si model opinionin publik, të cilët i imitojnë maniret e oborreve, në mënyrë që në mjedise të caktuara të jenë apo të ndjehen të jashtëzakonshëm. Sipas fjalorit të Oksfordit, snobi është person i pagdhendur, mendjemadh dhe që lëvdon veten. Në ShBA, snobi është njeri i cili kopjon me mendjemadhësi, adhuron me përulësi dhe me çdo kusht kërkon të gjendet pranë atyre për të cilët mendon se janë plasuar më mirë se ai. Sipas burimeve gjermane, snob është ai të cilit i hyn në punë vetëm pasuria dhe pozita shoqërore dhe i cili, duke e konsideruar veten se ndodhet lart , i përbuz ata që i merr për inferiorë.

Snobizmi përbëhet prej elementeve kundërthënëse. S’duhet harruar se për të qenë snob duhet të kesh edhe zotësi të caktuara si: aftësia për të imituar, eleganca dhe zgjuarsia në lëmin e teknikës, të artit dhe të letërsisë. Gjëra të caktuara, snobi i çmon pa një arsyetim të duhur. Pos kësaj, njerëzit që nuk shkojnë sipas ritualit të snobit, ai më tepër i injoron sesa i xhelozon.

Ndonëse ndër snobët parësorë nuk ka përfaqësues nga radhët e shtresave më të larta dhe atyre më të ulëta, kjo nuk do të thotë se aty nuk ka shtresime. Nëse aty nuk ka mbretër dhe sundimtarë, janë të afërmit dhe miqtë e tyre, këshilltarët e oborreve, mjeshtrit e ceremonive, nëpunësit dhe kurtizanet si dhe shumë krijues artistikë të cilët nëpër oborre kanë siguruar argëtim dhe zbavitje. Të gjithë këta, në njëfarë mënyre janë snobë potencialë.

Snobët i hasim në veprat e Marsel Prustit, të komediografit francez – Molier (Jean-Baptiste Poquelin, 1622-1673) , të romancierit anglez – Thekeri (William Makepeace Thackeray, 1811-1863), të  prozatorit dhe eseistit  anglez – Haksli (Aldous Huxley, 1894-1963), të shkrimtarit britanik me prejardhje hungareze-hebraike – Kestler (Artur Kestler, 1905-1983) etj.

Snobë janë vajzat e Gorios – Anastazia dhe Delfina, personazhe të realistit francez Balzakut (Honore de Balzac, 1799-1850).

Artistët dhe zbavitës që kanë vepruar nëpër oborret e dikurshme nuk kanë mundur t’i shmangen ndikimit të sjelljeve dhe të manireve snobiste. Të tillat sjellje ua kanë mbartur edhe artistëve të tjerë të cilët nuk kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me oborret.

Më vonë, nëpërmjet aktorëve të teatrit, ndikimi snobist është përcjellë edhe tek artistët e filmit. Kështu sepse punëtorët e parë të filmit janë rekrutuar kryesisht nga radhët e aktorëve të teatrit.

Edhe profesioni artistik ka ndikuar në manifestimin e snobizmit. Për shembull, muzikantët kanë qenë snobë në mënyrën e vet ngase është dashur të jenë veshur në mënyrë më solemne, ngase janë paraqitur në solemnitetet dhe në koncertet e oborreve në mënyrë pompoze, ndërsa karagjozët, palaçot e oborreve kanë qenë më të lirë, madje edhe me sjellje bohemi.

Sipas Klenshanit, snobizmi i fazës së dytë, i quajtur dytësor (i prejardhur, derivat) tregon tendencën e uljes së nivelit edhe në ato shtresa shoqërore të cilat nuk kanë qenë të lidhura me oborret.

shoqërinë moderne, ky variant i snobizmit bëhet karakteristikë e individëve që nuk i përvishen punës, e të papunëve që paraqiten në të gjitha shtresat e shoqërisë, madje edhe në radhët e atyre shtresave ku nuk pritej të paraqiteshin. Për shembull, “aristokracia punëtore” në kuadër të klasës punëtore apo në radhët e inteligjencies së privilegjuar që nuk ka qëndrim kritik.

Në librin “Le snobisme”, PUF, Paris 1964 të Klenshanit, autori thotë se snobizmi zhvillohet në bazë të dy ligjshmërive sociologjike:

  1. Mjedisi shoqëror që ka qenë në lidhje më të drejtpërdrejtë me snobizmin e hershëm infektohet më shpejtë me sjelljen snobiste; dhe
  2. Mjediset shoqërore të tipit më të mbyllur, duke tentuar të shkëputen sa më tepër prej pjesëve të tjera të shoqërisë, kanë qenë më të përfshira nga sjelljet snobiste.

Me ligjin e parë shpjegohet qartas depërtimi i snobizmit në rrethet e filmit. Ata vërtet kanë qenë larg oborreve, por nëpërmjet aktorëve të teatrit të oborreve, kanë pasur me ta lidhje historike të tërthorta. Prirja e tyre për snobizëm pjesërisht ka të bëjë edhe me traditën e trashëguar.

Sipas ligjit të dytë, nëse snobizmi është dëshirë për t’u ngjitur në shoqërinë e lartë dhe  një bote të cilës nuk i përket, është e vetëkuptueshme se sa më tepër që kjo botë e re t’u kundërvihet këtyre tendencave, aq më e fuqishme do të jetë dëshira e snobit për t’u ngjitur.

Për shembull, gruaja snob nuk parapëlqen të hyjë në një market ku mund të hyjë çdokush. Ajo dëshiron të hyjë në tregtizën ku me çmime të larta shiten gjëra ekskluzive për klientelën e qarqeve elitare. Kësisoj, ajo pandeh se i përket shoqërisë së lartë.

Në këto mjedise të mbyllura snobizmi shfaqet edhe për shkak të smirës, lakmisë apo xhelozisë së atyre të cilët nuk mund të hyjnë në rrethin e dëshiruar. Në këto raste, smira është gjenerator i snobizmit sidomos për personat apo për grupet tepër ambiciozë dhe që nuk kanë qëndrime kritike. Ndërkaq, ata që u përkasin grupimeve, shtresave, salloneve dhe klubeve ekskluzive gjithnjë më tepër i shtrëngojnë kriteret dhe kushtet e hyrjes për personat që bëjnë çmos për të hyrë në rrethin e tyre.

Por duhet shtuar se ka studiues që thonë se në planin e kulturës dhe të artit, snobizmi përmban elemente kreativiteti. Me këtë rast bëhet zgjedhja e vlerave kulturore dhe artistike në bazë të të cilave mund të bëhesh snob: përdorimi i gjuhës së zgjedhur, disi të stilizuar, posedimi i galerive private të pikturave apo i koleksioneve të tjera artistike, përkatësisht i rariteteve.

Edhe këtu ashpërsohen kushtet e eksploatimit të vlerave kulturore dhe artistike. Për shembull, për t’i siguruar vetes një pozitë të privilegjuar, snobët të cilët materialisht qëndrojnë mirë, zgjedhin për vete lloje të tilla të vlerave kulturore që për të tjerët janë të paarritshme – vetura të shtrenjta, pushime verore apo dimërore luksoze, lojëra sportive “të veçanta” siç janë tenisi, golfi, lundrimi me jaht nëpër dete të panjohura, posedimi i aeroplanëve privatë, themelimi i klubeve ekskluzive, xhirimi i filmave privatë dhe shfaqja e tyre në seanca të veçanta dhe intime, organizimi i takimeve letrare, kritike, muzikore, organizimi i ballove, i vallëzimeve dhe i formave të caktuara të “jetës së ëmbël” – veprime këto, ekscentrike.

Ka snob që e dërgon fëmijën në kursin e pianos, edhe pse fëmija i tij s’tregon dot interesim për muzikë. Snobi e zgjedh edhe shkollën e fëmijës së vet. E dërgon në shkolla apo në universitete private, edhe pse ato kanë cilësi të diskutueshme, vetëm e vetëm ta ndajë prej fëmijëve të shtresës së ulët. Ka snob që ulet me dikë në restorant, p.sh. me familjen, i fotografon pijet e picat mbi tryezë dhe sakaq i publikon në rrjete sociale. Kjo kategori individësh s’ka kurrfarë njohurish në fushën e artit, të letërsisë, të filozofisë, të etikës. Me një fjalë, janë pa kulturë. Zot i tyre është materialja.

Madje edhe sisteme të caktuara në shërbimet ushtarake konsiderohen privilegj apo bujari. Dikur në feudalizëm, privilegj për fisnikët ka qenë shërbimi në kalorësi, kurse në kohën e re – në njësitë ushtarake ajrore, në marinën ushtarake, në njësitet parashutiste, në njësitet e motorizuara.

Si rrjedhojë e kushteve sociale të përshtatshme, snobizmi ka depërtuar në të gjitha nivelet e shoqërisë bashkëkohore, sidomos në ato shoqëri apo grupe shoqërore, sistemi i vlerave të të cilave është i çrregulluar. Pas rënies së murit të Berlinit, në Ballkan dhe në vendet e Evropës Lindore ndodhën ndërrime të sistemeve politike. Tronditje pësuan edhe sistemet e vlerave. Vendet e tilla hyrën në fazën e transicionit. Sistemet e vlerave të shumë vendeve të rajoneve të sipërthëna ende nuk janë stabilizuar. Si rrjedhojë, snobizmi lulëzon si kurrë më parë. Çdo revolucion kulturor, si pjesë përbërëse e revolucioneve shoqërore, ndërlidhet me ndryshime përkatëse në sistemin e vlerave: me afirmimin e vlerave të reja, më të larta dhe me nxjerrjen në plan të dytë të vlerave, që për nga rangu janë më poshtë. Në Evropë, sistemi konservator, reaksionar dhe johuman i vlerave zëvendësohet me sistem të ri vlerash.

Nga pikëpamja sociale dhe morale, paradoksi i snobizmit qëndron në faktin se rrënimi i sistemit të vlerave, për snobin realizohet asisoj që ai u jep përparësi atyre vlerave, të cilat për nga rangu janë nën vlerat shoqërore përgjithësisht të pranuara. Snobi nuk ia del të gjejë veten në procesin e vlerësimit, ndaj vlerat i rangon mbrapsht, duke u dhënë epërsi vlerave më pak të rëndësishme. Në këtë mënyrë, ai i zhvlerëson vlerat kulturore dhe artistike autentike.

Snobizmi vërehet edhe në organizimin e dasmave, të ceremonive fetare apo në takimet politike të pushtetarëve. Jo çdo sallon dasme konsiderohet prestigjioz, jo çdo grup muzikor që do të performojë në dasmë është me renome, jo çdo veshje e klientelës të bën të biesh në sy, jo çdo meny është për t’u mbajtur në mend. Gruaja snob në dasmë ndërron veshjen dy deri tri herë. Dasmori snob e zgjedh edhe klientelën. Ai i fton në dasmë edhe ata me të cilët s’i lidh gjë. Vetëm e vetëm, të jenë “dikush”. Snobi materialisht i fortë fton në dasmë numër sa më të madh mysafirësh. E njëjta ndodh edhe në shumë ceremoni fetare.

Në qarqet politike, poltronët janë edhe snobë. Ata me çdo kusht duan të jenë sa më afër pushtetarëve dhe vendimmarrësve. Për ta arritur qëllimin, shtyhen edhe me bërryla.

Këtu s’duhet ngatërruar sjelljet dhe veprimet specifike të femrave të angazhuara nëpër subjekte politike. Ato u vardisen pushtetarëve dhe vendimmarrësve për t’i joshur. Qëllimi i tyre është që “moralin” e vet ta këmbejnë për favoret apo për privilegjet që mund t’i përfitojnë prej pushtetarëve – punësimi, ndërrimi i vendit të punës, ngritja në pozitë më të lartë, përfitimet materiale, krijimi i karrierës.

Snobizëm ka edhe te personi me psikologji provinciale. Ka raste kur provinciali merret me tema të mëdha, siç është kauza kombëtare. Me fjalë të tjera, provinciali merret me nacionalizëm që të tregohet më superior se bashkëqytetari i vet, ndonëse për këtë punë është i papërgatitur.

Sido që t’i realizojë ambiciet e veta snobiste, snobi në thelb është qenie margjinale, ndërsa nga aspekti i kritereve morale dhe i kriterit të vlerave – qenie e çorientuar.