Skerdilajd Llagami, luftëtari i lirisë që bëri histori, dhe mbeti i pavdekshëm në përjetësi

1
909
Skerdilajd Llagami

Ibrahim Kabili Gjithnjë më ka tërhequr si me magji çështja kombëtare. Më kanë tërhequr dhe bërë për vete ngjarjet ngjarjet e mëdha të historisë kombëtare dhe po kaq shumë dhe protagonistët e tyre. Natyrisht nuk ka si ndodh ndryshe, profesioni i mësuesisë, puna e gjatë në arsim, dashuria e përkushtimi për lëndën e historisë ma kanë forcuar këtë ndjenjë që me sa duket me kohën do ngjizet dhe më shumë tek unë.

Kjo është ndjesi e bukur që të jep kënaqësi dhe të bën të ndihesh dhe më shumë krenar! Vazhdimisht më ka shqetësuar, dhe tërhequr dhe më shumë Kosova. “Gjysma tjetër” e shqiponjës së plagosur dhe që fatmirësisht sot është shëruar, por jo plotësisht! Ndaj shkrimet e mia jo rastësisht ja kam kushtuar asaj, Kosovës iliriane, Kosovës dardane, Kosovës arbërore, Kosovës shqiptare.

Kosova ka pasur dhe ka dhe herojtë e sajë. E një ndër to është Skerdilajd Llagami, djali i Tiranës, i njohur si komandant “Shpendi” i cili mori pjesë në tre luftërat e fundit në Kosovë dhe trojet etnike shqiptare. Në të tretën ra dëshmor, ra për të mos vdekur kurrë, ra për të mbetur i gjallë në altarin e lirisë dhe përjetësisë. Do të ishte e pa drejtë dhe e pandershme që unë të mos bëja dhe një shkrim për këtë martir të demikracisë shqiptare, për këtë luftëtar të lirisë, për luftëtarin të çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Herojtë të motivojnë, ato janë vetë historia, ato janë modeli si do bëhet Kosova dhe gjithë shqiptaria.

Një motiv tjetër për këtë shkruar diçka për komandant “Shpendin” është dhe babai i tij, Bardhyli. Me Bardhin jam njohur; nga shoku, kolegu dhe bashkëpuntori im Hyseni. Jam njohur pas rënjes së Skerdit dhe daljes nga shtypi të botimit të parë të tij “Krahët e Shpendit” me titullin: Flakadanë mbi Sharr, gjak themel Atdheu.Këto poezi ja kushtoi Skerdit. Nga ajo kohë dhe deri sot në 2020 janë bërë dhjetë ribotime për “Krahët e Spendit” nga Bardhi. Eshtë bërë dhe një botim tjetër për Skerdin, “Shpenddashësit”.

Rast unikal, për atë çfar mund të bëjë një baba si Bardhyli, për djalin e tijë të vetëm, të rënë dëshmorë, në luftërat për liri. Babai i Shpendit, Bardhi është një intelektual i spikatur në Tiranë, një nga pinjollët më në zë të familjes së mirnjohur Llagami, është modeli si prindit e ka vlera të larta qytetarie. Ai së bashku me bashkëshorten e tij të mrekullueshme Lumturien( nëna e Skerdit), ndikuan në formimin e Skerdilajdit. Në këtë ambient, në këtë familje model tiranase, u lind, urrit dhe u formua u edukua heroj ynë, Skerdilajd Llagami.

Skerdi lindi në Tiranë më 31 tetor 1969. Qe fëmija i parë dhe u prit me një gëzim të madh nga gjyshja, prindërit dhe fisi Llagami. Familja Llagami është familje e vjetër Tiranase, me origjinë mbi 300 vjeçare nga Gryka e Rugovës. Nga kjo familje kanë dalë shumë intelektuslë me emër dhe më i përmenduri, gjyshi i Bardhit, Myslym Llagami, avokati i parë në Tiranë i arsimuar jashtë vendit. Nga ky fis kanë dalë shumë kuadro dhe intelektualë me zë. Më i spikaturi sot është Bardhyli, babai i Shpendit. Skerdi e mbaroj arsimin e mesëm te gjimnazi “Myslym Keta” në Tiranë me rezultate shumë të mira.

Kishte një fizik shumë të mirë, merrej me sport dhe veprimtari sportive. Përgatitej shumë fizikisht dhe kishte rezultate në atletikë e sporte. Për vetë kushtet ekonomike vazhdon punë shpejt në Kombinatin e Tekstileve. Krahas punës vazhdoj të merret me përgatitje fizike. Viti i mbrapshtë 1997 ja la në mes ëndërrën e tij për vazhdimin e Insitutit të Fizkulturës, dhe ai angazhohet me forcat speciale që ishin në vartësi të Ministrisë së Punëve të Brendëshme.

Puna e re kërkonte përkushtim, vendosmëri, guxim dhe korrektësi. Skerdi u përkushtua dhe ja doli më së miri kryerjes së detyrës. Kjo punë i zinte shumë kohë e për rrjedhojë ju mungonte shumë familjes. Ai ju erdhi në ndihmë të madhe familjeve tiranase dhe Tiranës në kohën kur ra shteti. Duke kujtuar ’97 autori i librit Bardhi shkruan:

Në Tiranë s’të harrojnë
Shkollat edhe bankat
“Brisku”, shokët të kujtojnë
Kur luftove bandat…

Në këtë vit të mbrapshtë, kur u shkërmoq shteti, kur bandat dhe kriminelët bënin kërdinë, Skerdi u vu në mbrojtje të qytetarëve dhe institucioneve të tyre. Paradoksalisht dhe sot pas 23 vitesh asnjë pushtetar dhe dhe përgjegjës për këtë tragjedi nuk është ndëshkuar?

Ç’fatkeqësi kombëtare!?
Ku janë organet tona të drejtësisë? Po institucionet? E pavarësisht kësaj Skerdi e vazhdoj dhe e kreu me sukses detyrën deri në mars të vitit 1999.

Në këtë muaj Skerdi largohet nga shtëpia, braktis Briskun, dhe ikën për të luftuar në radhët e UCK-së, në Kosovë. Atje e prisnin shokët, e priste lufta, e priste populli i pa mbrojtur, e priste detyra, e priste Kosova martire e stërgjyshërve të tij. Atje mbi të gjitha e thërriste zëri i ndërgjegjes dhe lufta për liri. Duke kujtuar këtë kohë të vështirë Bardhyli kujton se asnjërit prej pjestarëve të familjes dhe fisit Skerdi nuk i tregoj asgjë. Ai thekson, Bardhi qe fëmijë i ndjeshëm, i prekshëm në shpirt, ishe trim dhe guximtar.

Skerdi nuk e pranonte dhimbjen dhe mjerimin e të tjerëve. Këto cilësi dhe virtute me sa duket, qenë motivet që e shtynë Skerdin të braktiste punën dhe të shkonte në frontin e luftës, në UÇK. Dhe çdo gjë është e qartë, për të qe e papranueshme dhuna serbe e Sllovodan Millosheviçit mbi popullsinë civile dhe të pa mbrojtur në Kosovë. Serbia me ushtrinë, milicinë dhe forca mercenare, ushtroj dhunë, gjenocid, vrasje, përdhunime, shpërngulje masive, djegje dhe shkatërrime mbi popullsinë shqiptare të Kosovës.

Skerdi me kulturën, edukatën dhe temperamentin e tij nuk e duronte dot një gjë të tillë. Atë e “thërriste” dheu i të parëve, e thërriste Kosova martire, e thërriste lufta për liri, e thërriste atdhedashuria. Skerdi ju përgjigj këtij zëri të brendshëm dhe vullnetarisht shkon në frontin e luftës. Duke kujtuar këtë periudhë Bardhyli në shënimet e tij sqaron se deri më 13 nëntor 1999 nuk dinim asgjë për vendndodhjen e djalit dhe se ishin bërë shumë merak për të. Në këtë datë, nga një gazetë e përditëshme, mësuan të vërtetën për Skerdin.

Këtë ditë gazetari kishte marrë në intervistë Dritan Dyrmishin, djalë nga Shqipëria, që ishte Komandant Batalioni pranë UÇK-së , dhe pyetjes së gazetarit se a kishte më shqiptar të tjerë në UÇK, ai përgjigjet: “Skerdi Llagami, komandant i batalionit, që gjendet atje ku vdekja është më e sigurtë”. Ky lajm e gëzoj shumë familjen Llagami për vetë faktin se ai ishte gjallë dhe se qe inkuadruar në radhët e UÇK-së. Më pas familja mori vesh se djali i tyre luftonte në Koshare, Pashtrik e Dukagjin. E ky fakt e bëri shumë krenar familjen Llagami.

Duke mësuar më pas për kontributin e djalit në luftimet në këto zona, Bardhi, përshkruan:

Kush, lufton në Koshare?
Kujt s’i dhimset jeta fare?
Kush po turret në Junik?
Kujt s’i dridhet një qerpik?
Shokët, kush në sup i mban?
Vdekjen, kush e merr nishan?
Skerdilajdi!

Lufta në Kosovë mbaroj me sukses të plotë. UÇK-ja dhe populli shqiptar dhanë një kontribut të madh në këtë luftë. Bashkë me Skerdin ranë në në luftën, nga Republika e Shqipërisë 71 dëshmorë. Nder dhe lavdi në jetëve të jetëve, gjithë atyre që dhanë jetën për liri! Një kontribut të jashtzakonshëm në këtë luftë dha NATO, SHBA dhe BE. Pa kontributin e tyre lufta qe vështirë të fitohej. Por mrekullia ndodhi she lufta përfundojë me sukses. Në këtë kuadër dhe “Komandant Shpendi” e kreu me sukses të plotë detyrën e tij.

Ai tregoj guxim, aftësi të rralla dhe vendosmëri në kryerjen e detyrave luftarake që i ngarkojë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Lufta në Kosovë mbaroj, por jo misioni i tij. Vëllezërit e tij të një gjaku, vuanin përsëri, në Luginë. Motivet e tij qenë të freskëta, të njëjta, dhe ai do të shkonte për të luftuar përsëri,atje.

Falë aftësive luftarake të treguara në UÇK, dhe vlerave morale që e karakterizonin si njeri, ai emërohet komandant batalioni pranë UÇPMB-së. Dhe këtë detyrë e kreu me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë. Ky qe Shpendi! Një djalë trim, i mençurbesnik dhe shumë fisnik.

E përsëri familja nuk dinte asgjë për vendndodhjen e djalit, Shpendit. Duke kujtuar atë ngjarje, Bardhi shton: Një ditë shkurti të vitit 2001 Skerdi na bën një telefonatë nga Lugina dhe midis tjerash, citon fjalët e tij: “Mos u mërzisni, se unë do të kthehem një ditë në Tiranë, sapo të mbaroj disa punë të vogla, mbasi këndej problemet akoma nuk kanë mbaruar”. Fatkeqësisht ky qe dhe komunikimi i fundit i Shpendit me Bardhin, nënën e tij Lumturinë dhe motrën, Irisin. E tillë është jeta, me të mirat dhe të papriturat e saj, kush bie për liri nuk vdes kurrë! Duke analizuar më pas veprimtarinë e djalit në Preshevë Bardhi i përshkruan me këto fjalë zemre:

Kush luftoka në Preshevë?
Kush e paska, grushtin levë?
Kush vikat në Dobrosin?
Jetëkotët, kush i grin?
Kush po sulet me tërbim?
Kush këndoka në rrethim?…
Skerdilajdi!
Dhe më tej vazhdon:
Ti lugina e Preshevës,
Mori zonj’ e madhe!
S’e harron, si para predhës,
Hidhej një sorkadhe…

Pas kryerjes me sukses të detyrave ushtarake në Preshevë, komandant Shpendi, vendos të shkojë me luftuar në Tetovë. Ideali qe i madh, asgjë nuk vinte Skerdi mbi interesin kombëtare. Shokët e luftës e porosisin të mos shkonte por ai shkoj, vazhdon autori:

“Mos u nis prapë në luftë”
Thanë shokët në Prizren,
“Shtatë luftra po të duhen,
Do t’i baj për vendin tem!”

Pavarësisht këmbënguljes, së shokëve, Skerdi shkon në Tetovë, vendoset pranë maleve të Sharrit, dhe u bë pjesë e UÇK-re. Atje caktohet me detyrën e komandantit të Njësisë Speciale.

Mori pjesë në disa aksione operacionale dhe i kreu me sukses ato. Ra heroikisht, për mos vdekur kurrë, më 29 qershor 2001 në fshatin Bogovinë nga një pritë e organizuar në pabesi nga pala kundërshtare e shtetit maqedonas. Rënja qe tragjike, por ideali i madh. Pa gjak nuk fitohet liria! Dhe Shpendi qe bashkëluftëtari lirisë dhe i realizimit të idealeve të shqiptarëve në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Lajmin sqaron Bardhi e morëm me vonesë nga nëna e bashkëluftëtarit të Shpendit, Dilaver Goxhaj. Lajmi qe i trishtueshëm. Djali i tyre i vetëm, Skerdi ishte vrarë nga një dorë e pabesë, me snajper. Duke marrë informata nga bashkëluftëtarët dhe eprorët, dhe analizuar situatën Bardhi do shkruante më vonë, vargjet:

Kush me plumba i kreh flokët?
Kush me gjoks i mbroka shokët?
Kush e dashka Sharrin shumë?
Kush i gëdhin netët pa gjumë?
Kush i vënka zemres gur?
Kur vdes shoku, me flamur?
Skerdilajdi!

Më poshtë autori përshkruan mënyrën se si e mori plumbi Skerdin:

Djalo kur ndërrove emër,
Shqipen pate nëpër mend,
More dy plumba në zemër,
Një për Skerdin, një si “Shpend”.

Sot heroj i Kombit Skerdilajd Bardhyl Llagami ka dy varre. Një në Selcë të Keqe dhe një te Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë. Ai është vlerësuar me shumë tituj e medalje nga organizatat të veteranëve, Komuna, Bashki dhe Institucione të Republikës së Kosovës dhe asaj të Republikës së Shqipërisë. Në to ka vlerësimet më të larta për kontributin e dhënë në shërbim të kombit të tij. Me emrin e tij janë janë emërtuar dhe do emërtohen emra rrugësh, shkollash etj. Për Skerdin janë thurur vargje, janë bërë dhe këngë.

Ndër të tjera përmendim këngët: “Skerdilajdi” e kënduar nga Shaban Krasniqi, “Baladë për Shpendin” kënduar nga këngëtari i mirënjohur Ilir Shaqiri, “Lum Tirana që të pat djalë” kënduar nga këngëtarja e mirnjohur Merita Halili etj. Gjej rastin ta falenderoj dhe një herë këngëtarin emblematik Ilir Shaqiri për krijimin e tekstit dhe realizimin e këngës “Balada e Shpendit”.

Shaqiri e mbajti premtimin dhe realizoj falas pa asnjë shpërblim, këtë baladë drithëruese. Drithërues dhe i frikshêm qe dhe Skerdi për Serbët. Këngë të tjera do thuren e këndohen në të ardhmen! Ai meriton dhe një shtatore, në lagjen e tij të lindjes, a ndonjë vend tjetër në Tiranë. Ky mbetet dhe amaneti i fundit i babait të tij, Bardhylit, për heroin e gjithë shqiptarëve, Skerdilajd Llagamin, “Komandant Shpendin”.

IBRAHIM KABILI
Tiranë më 23.08.2020

1 KOMENT

  1. Ibrahim,

    Faleminderit per kete tregim per nje person ta jashtzakonshem si Skerdilajd Llagami.
    Lavdi per te dhe 71 deshmoret e Shqiperise qe luftuan per Shqiperi.

Komentet janë mbyllur.