Skënder Hasko – novelisti për fëmijë

0
1767
Zymer Mehani - Fadil H. Curri

Shkruan Zymer Mehani

Shkrimtari Skënder Hasko është emër i njohur në letërsinë shqipe, kryesisht në atë për fëmijë. Ka një veprimtari të gjerë në fushën e krijimtarisë letrare. Eshtë poet, përralltar, tregimtar, novelist, romancier, dramaturg.

Skënder Hasko sjell me mjaft mjeshtëri copëza jete që nisin nga fëmijëria e tij e hershme në fshat e deri në ditët tona. Për fëmijë ka botuar disa libra, si: Një gjeneral kapet rob (novelë), Çudirat dhe e fshehta e Zamirit (novelë), Dinakja me vesh të shpuar… (përralla), Ndodhitë e Çaço Gabimit (tregime humoristike) etj.

Një nga cilësitë që e karakterizon stilin e këtij autori është humori që fëmijët e pëlqejnë shumë. Kjo veçori duket që në titujt e disa krijimeve: Një gjeneral kapet rob, Faqemolla mundi Hundëpinokun, Qeshin kafshët shtëpiake etj.

Shkrimtari ka lëvruar të gjitha llojet e zhanret e humorit e të satirës për fëmijë: vjersha humoristike, tregime, përralla, rrëfenja, novela, novela-përrallë, romane, pjesë teatrale për fëmijë e për kukulla etj. Me humor autori ka përshkuar sidomos temat e ditës nga jeta e fëmijëve. E tillë është novela Një gjeneral kapet rob, që e merr temën nga lojërat e fëmijëve. Kurse përmbledhja Me litar të botës mos hyr në pus ndërtohet mbi bazën e fjalëve të urta popullore.

Humorin shkrimtari e përdor si në krijimet realiste, ashtu edhe në ato fantastike, të cilat i vendos ngjarjet në mjediset e kafshëve e të shpendëve. Nga folklori autori ka marrë edhe mënyrën e gërshetimit të prozës me vargje humoristike e satirike. Dhe këtë humor shkrimtari e përdor si në krijimet realiste, ashtu edhe në ato fantastike.

165 Skënder Hasko u lind në Dukat të Vlorës më 2 mars 1936 – ndërroi jetë në Tiranë më 4 shkurt 2013. Shkollën 7-vjeçare e mbaroi në Tragjas të Vlorës, pastaj Liceun Artistik “Jordan Misja” për aktor. Ka punuar mësues në fshatin e lindjes, mekanik në Kuçovë dhe aktor në estradën profesioniste të Beratit. Pasi mbaroi Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, dhe u diplomua për gazetari, punoi gazetar-redaktor në revistën satiro-humoristike “Hosteni”, pastaj shef i redaksisë së botimeve “Teatër-Estradë” në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, më vonë kryeredaktor në revistën për fëmijë “Pionieri” dhe, së fundi, drejtor i Teatrit Kombëtar të Fëmijëve, deri sa doli në pension. Sikurse shihet, Skënderi jo vetëm ka kaluar të gjitha shkallët e shkollimit, por ka provuar edhe shumë profesione. Ka filluar të krijojë qysh në shkollën 7-vjeçare.

Skënder Hasko ka treguar kujdes në kapjen e temave nga jeta e përditshme e fëmijëve. Kështu ndodh në librin me tregime për fëmijë “Maçoku i katrahurës”, tregimet e të cilit që në nëntitull të librit cilësohen si tregime me pakëz bisht…

Në këtë vëllim spikasin gjuha e thellë, stili i rrjedhshëm, thjeshtësia e të rrëfyerit, gjetjet të cilat e bëjnë këtë libër të veçantë, mjaft interesant dhe të lexueshëm… Këto tregime japin mesazhe mjaft të fuqishme dhe shkaktojnë kënaqësi në botën e fëmijëve.

Duke lexuar vëllimin “Maçoku i katrahurës” ndjen imagjinatën e shkrimtarit, prek botën e tij fantastike, e cila të shpie larg në mendime dhe lexuesi e shikon veten të rrethuar nga personazhe interesante. Autori futet brenda botes së fëmijëve dhe me psikologjinë e tij gjen rrugët e arsyetimit, përthith vlerat e edukimit dhe ndjen kënaqësinë e mjeshtërisë së të treguarit.

Skënder Hasko i çon fëmijët nga një episod në tjetrin, i bënë ata që të jetojnë me personazhet e tij të bukur dhe ta njohin natyrën ku jetojmë me të gjithë madhështinë e saj.

Tregimet e Skënder Haskos janë episode që ndodhin mes njerëzve, mes fëmijëve në shkollë, në autobus, në shtëpi, në rruge e kudo.
Në tregimin Grindjet në dyqan lexuesi do të mësojë për respektimin e më të mëdhenjëve, por edhe ata të respektojnë fëmijët. Janë fenomene që ngjasin në jetën e përditëshme të njerëzve.

Djaloshi në rastin kur po blinte sheqer e ndjeu se po gabonte duke tentuar të blinte pa radhë dhe u detyrua të shkonte në fund të rreshtit e të zinte radhë duke kërkuar falje për këtë zotërisë. Në rastin kur po blinte bukë, zotëria në fjalë kërkonte të blinte pa mbajtur radhë, jo vetëm që nuk e përfilli radhën dhe njerëzit që ishin aty, por edhe e ofendoi djaloshin, kur ky i fundit guxoi t’ia vinte në dukje këtë fakt.

– Paah, ç’fëmijë! – tha ai duke shtrëmbëruar buzët, mori bukën dhe iku.
Po unë, nuk kisha të drejtë të thosha: “Paah, çfarë burri!?”

Ec e gjeje! 166
Ndërsa në tregimin Vendi te stoli shkrimtari Skënder Hasko na flet për marrëdhëniet shoqërore midis fëmijëve, për zënkat që duhen zgjidhur me mirëkuptim.

– Çohu!
– Pse? – pyeti Alketa pak e çuditur.
– Se më ke zënë vendin, – iu përgjigj Albana me tonin e mëparshëm.
– Oh, ç’na the! Sikur ka emrin tënd ky vend…
– Timin ka! – gati u nxeh Albana.
– Pse, moj, kush ta ka lënë vendin te stoli i shkollës ty, mami apo babi?! – e talli Alketa.
– Unë isha ulur këtu. Kur u ngrita unë ti ma zure. Çohu! – foli Albana me zë të lartë dhe e skuqur në fytyrë.

Nxënësit në shkolla, sipas shkrimtarit, duhet të respektojnë njëri-tjetrin. Toleranca në këtë rast, është ajo që ka vlera më shumë sepse zënkat dhe mosmarrëveshjet në jetën shoqërore bëhen shkas për prishjen e harmonisë.

Në tregimin Hë, se shkon Skerdi autori përshkruan shumë bukur për kryerjen e detyrave në familje. Dembelizmi është një sëmundje që përfshin shumë njerëz dhe sidomos fëmijë, të cilët përtojnë të kryejnë ato punë apo detyra që u caktojnë prindërit. Ndarja e punëve në mënyrë të barabartë është një detyrim që rrjedh nga bashkëjetesa në familje, edukata dhe kultura e gjithsecilit. Ka fëmijë që vërtetë janë të papërtuar, por kjo nuk thotë se duhet shfrytëzuar gatishmëria e tyre në kurriz të dembelizmit të të tjerëve.

Mami nuk e zgjat më tej. I drejtohet përsëri Skerdit:
– Shko merre edhe bukën, të keqen mami, se këtyre u janë tharë!…
– Mirë, mami, ika, po… këtyre kur do t’ju “njomen”? – tallet Skerdi.
Këtu e mbaroi tregimin vëllai i Skerdit. Unë u çudita me ato që dëgjova.

E gjeni dot pse u çudita?!
Janë prindërit, vetë, që duhet t’i ndajnë detyrat në shtëpi dhe t’i përfshijnë të gjithë në kryerjen e tyre.
Nga tregimi Lela, lëre lojën fëmijët do të mësojnë për shfrytëzimin e kohës së lirë dhe mirëkuptimin me prindërit.

Autori na sjell në qendër të vëmendjes një skenë loje të fëmijëve të një pallati. Ashtu siç mund t’u ketë ndodhur të gjithëve gjatë moshës së fëmijërisë, ka një mospërputhje midis dëshirave të fëmijëve për të luajtur dhe prindërve për të kufizuar kohën e dëfrimit. Vërtet fëmijët kanë botën e tyre, pasionet e tyre për të luajtur, por loja dhe dëfrimet e tyre kanë një kohe të caktuar dhe duhet të jetë e programuar.

Kërkohet ndërhyrja e prindërve për t’i frenuar me mirëkuptim dhe kujdes.
Lëviznim e hidheshim si kecat në lëndinë. Qeshnim e bërtisnim “Kape! Prite!” Mua m’u dogj shoqja, Lela.
Ndërkohë u dëgjua zëri i mamasë së Lelës, që po fliste nga dritarja e katit të katërt:

– Lelaaa!
– Urdhëro, mami! – u përgjigj Lela.
– Lëre lojën dhe eja, se do të shkojmë te tezja!
– Unë dua të loz me shoqet, moj mami, – tha si me të lutur Lela.
– Hajde e lëri shoqet, se lozin vet ato!…Eja! – ngriti tonin mamaja e saj.169 Vrulli i moshës në këtë tregim na tregon se sa shumë kujdes duhet treguar nga prindërit për të kuptuar botën e fëmijëve, çka i shërben mirëedukimit të tyre.

Duke lexuar me kujdes tregimet, fëmijët do të mësojnë që nuk duhet të gënjejnë kurrë.
Për shembull tregimi Pse më gënjeve?! bën fjalë për gënjeshtrën ku personazhi me emrin Gjergji e gënjen mamin se do të luajë me shokët. Në fakt ai po mëson biçikletën. Dhe autori i mëson fëmijët që mirë është që ata të jenë të mbikeqyrur nga prindërit kur janë në fazën fillestare të të mësuarit për shembull në rastin tonë të biçikletës, pasi çdo pakujdesi çon në pasoja të paparashikueshme.

Ndërsa në tregimin Zemërimi i teto Ritës autori na sjell përpara një situatë të vërtetë, ku prindërit bëhen shkaktarë të edukimit të gabuar të fëmijëve të tyre. Bledari nuk ka asnjë faj që Renata shkoi në shkollë pa bërë detyrat. Në këtë rast gabimin e ka teto Rita, mamaja e Renatës, e cila në këtë rast e nxit të bijën që të kopjojë detyrat dhe të mos e vrasë mëndjen për t’i bërë vetë ato. Të njëjtin gabim bën dhe mamaja e Bledarit që e ngarkon të birin me përgjegjësi dhe kjo për të mos prishur miqësinë. Dhe, në këtë rast, shkrimtari nuk do ta zgjidhë dilemën, por do t’ia lërë në dorë lexuesit të vogël.
Unë vrisja mëndjen: “Ore, kush është në gabim në këtë mes?”170

Tregimet, siç shihet, kanë qëllim të mirëfilltë edukativ, shquhen për karakterin e tyre pedagogjik, gjuhën e pasur e shpesh me humor e figuracion. Në këtë kuptim, kemi të bëjmë me një vepër letrare me vlera ideoartistike.

Në tregimin Fletorja e detyrave shkrimtari na përcjell një situatë ku nxënësit në shtëpi neglizhojnë për të bërë detyrat që u ka ngarkuar mësuesja. Rasti në fjalë është një dialog midis motrës korrekte Valbona dhe vëllait neglizhent Gentianit. E keqja më e madhe është tek Gentiani, i cili mirë që po u shkon radhën detyrave të shtëpisë, por nuk lë të qetë as motrën e tij Valbonën, e cila është e rregullt dhe kërkon që detyrat e shtëpisë t’i bëjë pastër dhe me kujdes.

– E, moj, ç’i qëndis ashtu, si qëndismat e këllëfit të jastëkut të gjyshes!…Detyra shtëpie janë, se mos do i ruash për tërë jetën…Sa për t’i parë mësuesja, pastaj s’vlejnë më.
– Si nuk vlejnë?! Pse, kot jepen detyrat e shtëpisë?
– Kot jo, po sa për t’u ushtruar. Ndaj quhen edhe “ushtrime”.

– Oj! Meqënëse quhen “ushtrime” duhen shkarravitur si të të vijë mbarë? – i tha Valbona. – Mësuesja na ka thënë se detyrat e shtëpisë të ndihmojnë jo vetëm për të përvetësuar mësimet, por edhe për të kalitur vullnetin, edhe për të qenë sistematik.

Shkrimtari Skënder Hasko në tregimin e tij Maçoku i katrahurës na përcjell skenat e një rrëmuje në orën e mësimit, kur nga poshtë bankave na del një maçok duke shkaktuar ilaritet dhe potere në klasë. Ora e mësimit prishet, mësuesja e ul në vend Elenën pa i vënë notë, maçoku i vërsulet klasës duke çjerrë me thonj një nga nxënesit. Ndërkohë maçoku ishte i Damianit, i cili e kishte sjellë jo pa qëllim në klasë, por për të prishur orën e mësimit. Gonia ose Kuqoja që ishte shok i Damianit e merr përsipër fajin, duke i deklaruar mësueses dhe gjithë klasës, se maçokun e kishte sjellë ai. Prishja e orës së mësimit nga ana e Damianit është një faj që duhet ndëshkuar dhe Gonia nuk bëri aspak mirë që mori përsipër gabimin e shokut.

Ne e dinim që maçoku ishte i Damianit dhe në klasë nuk e kishte sjellë Kuqoja, po Damiani, ndaj diskutonim ashtu. Tani e kemi lënë të bëjmë një debat tjetër për këtë punë, domethënë bëri apo s’bëri mirë Kuqoja?… Donte të mbronte shokun, apo ngaqë mësuesen e letërsisë e kishte teze ishte i bindur se s’do t’i bënin gjë, përveç ndonje shkulie veshi?…
Eh, si janë të ngatërruara këto punë…

Mësuesja reagoi duke e dënuar veprimin e Gones, pasi ajo e dinte që ai nuk kishte mace në shtëpi, por mori përsipër fajin e Damjanit për ta nxjerrë atë nga situata.
Duke përfunduar themi se ky libër nuk është shkruar vetëm për nxënësit, por edhe për mësuesit dhe prindërit. Për nxënësit karakteristikë në këto tregime pedagogjike është se në fund të pjesëve nuk jepet zgjidhje të gatshme. Shtrohet problemi, zhvillohen ngjarjet, krijohen shqetësimet, arrihet ndonjëherë deri në mosmarreveshje dhe pastaj tregimi mbetet disi i papërfunduar, me fund të hapur. Dhe kjo, jo pa qëllim, për të nxitur lexuesit në biseda e diskutime, për të gjetur një a disa zgjidhje.

Në disa tregime, shkrimtari ka treguar kujdes në zgjidhjen e disa problemeve të marrëdhënieve të prindërve me fëmijët, të qëndrimit të vëllezërve ndaj motrave, apo kryerjes së detyrave familjare, të veseve të fëmijëve etj, për të cilat prindërit kanë përgjegjësinë e tyre në edukimin e fëmijëve.

Në përgjithësi, tregimet janë shkruar thjesht e qartë, me gjuhë të kuptueshme e fabula të zbërthyera. Subjekti i tyre është i thjeshtë, ndërkohë ato përshkruhen nga ide dhe mendime plot urtësi e mençuri, të vjela me intuitë e shije të hollë nga autori, në themel të të cilave është filozofia e urtë dhe e çmuar e popullit. Tematika e tyre është e larmishme dhe interesante, e gërshetuar edhe me elementë të folklorit dhe e përshkruar vende-vende edhe nga një humor i këndshëm173. Janë tregime që mund të lexohen nga të gjithë nxënësit e shkollës nëntëvjeçare, lidhur me specifikën e problematikës.

Në këto tregime, sikurse dhe në përrallat, vjershat dhe romanet, shkrimtari Skënder Hasko shkruan me dashuri për fëmijët. Ai ka punuar mësues në fshatin e lindjes, ka qenë gazetar-redaktor në revistën satiro-humoristike “Hosteni”, pastaj shef i redaksisë së botimeve “Teatër-Estradë” në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, më vonë kryeredaktor në revistën për fëmijë “Pionieri” dhe, së fundi, drejtor i Teatrit Kombëtar të Fëmijëve, deri sa doli në pension. Kjo tregon më së miri për përvojën e jashtëzakonshme krijuese të këtij shkrimtari.