SKANIMI I AUTOBUSËVE SI DHUNË NDAJ UDHËTARËVE NË DOGANA…

0
791

Pse janë vënë skanerët në pikën e kalimit kufitar në Kakavi?
Pse në skanim kalojnë vetëm autobusët bosh të pasagjerëve?

Pse lihen udhëtarët në mes të rrugës, në mjedis të hapur, në mëshirë të agjentëve atmosferikë me bagazhet hapur?
A përbëjnë rrezik për pasagjerët rrezet pas skanimit, rreze mes të cilave ata do të udhëtojnë për më se shtatë orë ?
Dhe një fakt i jetuar: Më 22 prill në autobusin e një linje, kaluar nëpër skaner, u gjet lëndë narkotike, tregues se skaneri është vënë vetëm për të vjelë para që bien erë korrupsion…

Rruga që lidh kryeqytetin grek, Athinën, me kryeqytetin shqiptar, Tiranën, sa vjen e bëhet më e shkurtër, më e rehatshme. Kjo falë palës greke por edhe asaj shqiptare, falë rrugëve por jo organizimit në pikë kalimet doganore.
Nga Athina në Janinë, në një autostradë “fyell pushke”, tash udhëtohet me 100-130 kilometër në orë, fiksuar në tabela që të joshin të ecësh shpejt e sigurt.

Nga Kakavija në Tiranë udhëtohet me 70 deri në 90 kilometra në orë, përjashtuar segmentit të Tepelenës dhe Levan-Fierit ku shpejtësia bie në 30-40 kilometra në orë e mjetet bëhen tërkuzë e dhirtë që të lodh.
Në 22 vjet udhëtime drejt e nga Tirana apo Athina, kam ndjerë joshjen që të jep kujdesi njerëzor për të ta bërë udhëtimin sa më të rehatshëm.

Aktualisht (e kam provuar vetë në një rast) mund të nisesh nga Athina në mbrëmje për të parë diellin mëngjesor mbi Dajt, të mbarosh punë e të nisesh pasdite për në Athinë, për të filluar punën mëngjesin e ditës së re.
E njëjta gjë po të nisesh nga Tirana…

Paksa më shumë se 700 kilometra e ndajnë Tiranën nga Athina, çka në hapësirën gjeografike botërore është si të udhëtosh nga një qytet në tjetrin.

Emigrantët shqiptarë, tash edhe qytetarë grekë, në ndryshim nga emigrantët shqiptarë në Itali, Gjermani, Francë… për të mos vazhduar me përtej Oqeanin Atlantik, e kanë këtë privilegj, privilegjin ta pinë një kafe të hidhur në rast dhimbjeje apo ta ngrenë një dolli urimi në raste gëzimi.

Por (gjithnjë ka një por…) ajo që e bën të lodhshme, madje rraskapitëse fizikisht e psikologjikisht udhëtimin nga Tirana në Athinë është Kakavija (Kapshtica).

Pa tri orë ngujim në Kakavijë, në të gjitha rastet, nuk shpëton.
Dhe kjo për ata që udhëtojnë me autobusë, pasagjerë që i nënshtrohen një “shtrydhje limoni”. Nga ana shqiptare por edhe nga ajo greke.
“Shtrydhjes” së njohur me hapje çantash e valixhesh, me futje duarsh e nxjerrje në shesh të gjithçkaje i është shtuar, tash një vit, SKANIMI i autobusëve.

Autobusi, pasi le në shesh bagazhet e udhëtarëve, pas kontrollit që bëhet nga doganierët, kthehet mbrapsht për tu “skanuar” diku në hyrje të pikës kufitare.

Thjesht “skanim autobusi”, pa plaçka, pa pasagjerë, vetëm me shoferin.
“Skanimi” u ha njerëzve deri një orë kohë, pritje në diell të nxehtë vere, shi, erë e ngricë dimrit. Njerëzit nuk kanë asnjë strehë për tu mbrojtur nga agjentët atmosferikë. E njëjta gjë edhe për bagazhet shtrirë në asfaltin e ngrënë të mjedisit.

A është domosdoshmëri “skanimi” i autobusëve?
E doja një përgjigje zyrtare për këtë.
Ndaj edhe po e ngre si problem.

Jo vetëm për vete por të gjithë ata që e përjetojnë çdo ditë këtë pritje të dhunshme, pritje do të thosha antinjerëzore, shkelje e të drejtës qytetare në udhëtim. Pritje e ankth nga të moshuarit mbajtur mbi shkop, fëmijët e foshnjat që qajnë sa të djeg shpirti.
Dhe kjo (skanimi) bëhet VETËM PËR AUTOBUSËT, e përjetojnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë me autobus. Asnjë makinë e vogël, asnjë maunë e madhe, nuk kthehet mbrapsht bosh për të kaluar në skaner.

ASNJË!
Vetëm autobusët (!?)
Nuk e di se kujt i shërben ky skanim me rrjedhë dhunë fizike e psikologjike mbi pasagjerët në kalimin nëpër pikën kufitare të Kakavijës (mbase edhe të Kapshticës).

Thonë se i shërben kompanisë e cila merr honorarët për këtë.
Nuk është bërë publik asnjë rast që gjatë skanimit të autobusëve të jetë gjetur lëndë narkotike apo të tjera lëndë të ndaluara.

Përkundrazi…
Të dielën më 22 prill 2018, udhëtova, si gjithnjë, me autobusin e “Top Lines!” ora 04.00…
Pasi zbritëm bagazhet dhe doganierët bënë kontrollin e zakonshëm, autobusi u kthye mbrapsht për të kaluar nëpër skaner.
I njëjti proces kontrolli u bë edhe mbi pasagjerët e autobusit pas nesh. Edhe ai kaloi nëpër skaner…

Logjikisht përpara traut të doganës greke çdo gjë duhet të ishte e pastër.
Nuk ndodhi ashtu me autobusin pas nesh, mjet transporti udhëtarësh i një firme të njohur, emrin e të cilës, për ngjarjen e asaj dite, e keni në ndodhinë e asaj dite.
Doganierët grekë gjetën në “sirtarët” e autobusit lëndë narkotike…

Dy shoferët (grekë) ia mbathën pa adresë.
Pasagjerët pleq e foshnja, burra e gra ia nisën mallkimeve, mallkime që nuk u sollën asgjë veç detyrimit që të presin edhe pesë orë të tjera derisa nga Tirana të vinte autobusi tjetër për t’i përcjellë në Athinë…
Në lajmet e mbrëmjes të 22 prillit 2018 të gjithë stacionet televizive satelitore e përcollën ndodhinë thatë, me theksin “Dy shoferët grekë u zhdukën në drejtim të paditur”.

Askush nuk e tërhoqi tërkuzën më gjatë. Askush nuk u mor me faktin se të dy shoferët kishin kaluar me autobusin e tyre skanerin. Askush nuk e përcolli përgjegjësinë e çastit tek skanimi, firma apo piramida që ngrihet mbi të.
Nga kjo lindin një sërë pyetjesh, përgjigjen e të cilave duhet ta japin organet zyrtare shtetërore por edhe ata që “mbrojnë” të drejtat e njeriut.

Veçanërisht këta të fundit që ua do detyra e misioni të shohin e të denoncojnë shkeljet e të drejtave të qytetarëve në udhëtim,
Pse janë vënë skanerët në pikën e kalimit kufitar në Kakavi?
Pse në skanim kalojnë vetëm autobusët bosh të pasagjerëve?

Pse lihen udhëtarët në mes të rrugës, në mjedis të hapur, me bagazhet hapur, në mëshirë të agjentëve atmosferikë?
A përbëjnë rrezik për pasagjerët rrezet pas skanimit, rreze mes të cilave ata do të udhëtojnë për shtatë orë?
E pyeta shoferin për këtë. Më tha se kam një vit që në çdo udhëtim drejt Greqisë kaloj mes rrezeve të skanerit… por deri tani nuk kam ndonjë shqetësim…

Është koha që shteti duhet të tundë fort kokën për njerëzit e vet në udhëtime, njerëz që për shkak të gjendjes ekonomike si alternativë kanë vetëm udhëtimin me autobus, udhëtim 13-14 orësh, në një maratonë pengesash që shtohen vazhdimisht…

Abdurahim Ashiku
Gazetar
Athinë, 7 shtator 2018