“SKANDALI” KRAJA! OSE TOLLUMBACJA MEDIATIKE E RADHËS

0
1038
Skandali Kraja

AV. XHABIR ZEJNUNI

Me 19 dhjetor, me 6 votat e KLP-së, prokurori shkodran Arben Kraja u zgjodh në krye të SPAK-ut.

Hapu qiell e hapu tokë. Menjëherë u kundërshtua kjo zgjedhje në portale e gazeta të ndryshme me faktin se Arben Kraja na paskërka qenë gjatë regjimit komunist një hetues gjakatar dhe mizor. Si argument, u soll një proçes-verbal i datës 27.07.1990, ku bëhej fjalë për ndalimin e dy të rinjve shkodranë Arben Luçi dhe Beniamin Bizi, të cilët “Kanë bërë përgatitje për të hyrë në një nga ambasadat e huaja në TIRANË për të kaluar në këtë mënyrë kufirin shtetëror në mënyrë të kundraligjshme”. Dosja hetimore vazhdon më tej se “Ndalimi i të përmendurit (Beniamin Bizi) u bë për arsye se me datën 26.07.1990 së bashku me persona të tjerë kanë shkuar në qytetin e Tiranës, ku kanë kryer vepra, që bien në kundërshtim me normat e MORALIT KOMUNIST”.

Për hir të së vërtetës, ndalimi i dy të rinjve shkodranë u bë në Vorë, për arsye se Policia u lajmërua paraprakisht nga hafijet e saj “vigjilente”! Arben Krajën po mundohen ta kryqëzojnë si Krishtin në kryq për faktet më lart, pasi arsyetimi po bëhet duke u bazuar në situatën aktuale që ne jetojmë dhe jo sipas kontekstit historik dhe politik të vitit 1990 (ose edhe më parë).

Ja vlen që të shpjegohen modestisht disa koncepte.

Çfarë është një ambasadë? Ambasada është një grup personash, që një shtet i huaj dërgon në një shtet tjetër për të pasur me të marrëdhënie diplomatike. Ky grup personash, strehohet në vendin mikpritës në një ndërtesë, e cila konsiderohet pjesë e territorit të shtetit të tyre. Për shembull, territori i ambasadës italiane në Tiranë konsiderohet si territor Italian.

Hetuesi i atëhershëm Arben Kraja u njoftua se dy të rinjtë kishin bërë plan që të hynin në një ambasadë të huaj në Tiranë. Lajmi mund të ishte edhe i rremë. Por, duke e marrë për të vërtetë këtë lajm, ai shkroi në dosjen hetimore se “Ata kanë bërë përgatitje për të hyrë në një nga ambasadat e huaja në Tiranë, për të kaluar në këtë mënyrë kufirin shtetëror në mënyrë të kundraligjshme”.

Kufiri shtetëror, nuk kalohet vetëm duke u arratisur nga malet, nga deti, apo nga ajri, por edhe duke hyrë në një ambasadë të huaj. Të gjithë e dimë se me 12 dhjetor 1985 disa pjesëtarë të familjes Popa hynë në ambasadën italiane në Tiranë dhe kërkuan strehim politik aty, ku ndejtën brenda për 5 vite me radhë. Por, regjimi gjakatar komunist nuk guxoi të sulmonte një territor të huaj – në këtë rast ambasadën italiane – që të nxirrte familjen Popa jashtë.

Arben Kraja po anatemohet sepse në dosjen hetimore ai ka shkruar se “Beniamin Bizi ka kryer vepra që bien në kundërshtim me normat e MORALIT KOMUNIST”! Ku është çudia këtu, kur atë kohë një vepër e tillë (edhe e supozuar) cënonte moralin komunist?! Po sot kush po çuditet nga fakti se në pushtet janë komunistët dhe pinjollët e tyre!

Me këtë rast, sillet edhe dëshmia e njërit prej protagonistëve, Beniamin Bizit i cili deklaron se: “Është e vërtetë që ky ka qenë hetuesi im dhe unë jam dënuar dhe kam bërë burg për këtë vetëm se kam qenë duke ecur rrugës duke shkuar për në Tiranë”. Pa vënë në dyshim as edhe një presje të kësaj deklarate, të gjithë e dimë shumë mirë, se që nga pushtimi komunist i Shqipërisë nga komunistët me 29 nëntor 1944 e deri në vitin 1990, kanë qenë me dhjetra e qindra raste që Sigurimi i Shtetit ka arrestuar njerëz në shtëpitë e tyre me akuzën se ata kanë tentuar të arratisen! Apo nuk është kështu?

Arben Krajën, e akuzojnë se ai hetoi dy persona edhe pasi u depenalizua në vitin 1990 krimi i “arratisjes” në “kalim të paligjshëm të kufirit”. E vërteta është tjetër. Me anë të Ligjit Nr. 7380 të datës 08.05.1990 “Mbi disa ndryshime në Kodin Penal”, neni 127 me titull “Kalim i paligjshëm i kufirit” nga “Kalimi i paligjshëm i kufijve të shtetit dënohet: me heqje të lirisë gjer në pesë vjet”, u ndryshua në “Kalimi i paligjshëm i kufijve të shtetit dënohet: me riedukim nëpërmjet punës ose me heqje të lirisë gjer në pesë vjet”. Pra, mbeti e njëjta gjë, por u shtua vetëm “riedukimi nëpërmjet punës”.

Ky ligj, hyri në fuqi menjëherë, duke qenë se pas katër ditësh – pra me 12 maj – do vinte në Shqipëri Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Perez De Kuelari! Shumë kush, atë kohë këtë ndryshim të Kodit Penal, e mori si një “ftesë” për të kaluar kufirin pa frikë. Por, Ramiz Alia u tregua shumë i pabesë dhe mizor, pasi vrau rreth 100 persona gjatë vitit 1990. Në fakt, edhe ditën e vizitës së Perez De Kuelarit në Shqipëri, tentoi të arratisej një vlonjat, të cilin kufitarët e vranë menjëherë.

Ndokush deklaron se se Arben Krajës i mungoi nuhatja dhe zgjuarësia (revolucionare!) që të kuptonte se sistemi komunist po binte dhe si rrjedhojë edhe ai duhej të adaptohej me këtë fakt. Saktë. Dikush që pati nuhatje më të fortë atë kohë, bëri hapa gjigande në karrierën e tij në politikë dhe në gjyqësor. Kurse Arben Kraja jo.

Është e vërtetë se Arben Kraja (i lindur me 20.09.1964) ka bërë për pak vite punën e hetuesit. Por, nuk sqarohet se ai pati fat që të caktohej hetues edhe pse mbaroi fakultetin ekonomik në Universitetin e Tiranës atë kohë! Pra, ai ishte hetues për krimet me natyrë ekonomike. Në vitet 1987-1992 ai studjoi për drejtësi me korrespondencë. Dhe që të viheshin në provë aftësitë e tija, ju dha mundësia që të hetonte dosjen e “kalimit të paligjshëm të kufirit” me nisje nga Shkodra duke kaluar nga Vora dhe me destinacion një ambasadë të huaj në Tiranë. Dhe këtë provë, hetuesi komunist “gjakatar” Arben Kraja e kaloi me sukses dhe vetmohim “revolucionar”!

Kaq shumë po indinjohen këto ditë dyrnjaja, aq sa ata janë gati të bëjnë peticione, barrikada, apo greva urie, për të mbrojtur drejtësinë dhe demokracinë. Për hir të së vërtetës, reagime të tilla nuk janë bërë më parë në lidhje me peshkaqenë të tjerë të drejtësisë si Ardian Dvorani, Vladimir Kristo, Fatmir Xhafaj, Spartak Braho, etj.! Arben Kraja në lidhje me ata – me gjithë respektin për të – është vetëm një “cironkë”!

Bën shumë çudi po ashtu se përse kjo revoltë ndaj Arben Krajës nuk u bë kur ai kandidoi për kryetar të SPAK-ut! Arsyetimi se kjo revoltë nuk u bë më parë, pasi nuk mendohej se ai do fitonte, nuk qëndron aspak. Pasi kushdo që kandidon, është edhe fitues i supozuar.

Të gjithë ata që po anatemojnë Arben Krajën duke e gjykuar në konteksitin aktual për punën e tij të dikurshme, ja vlen që t’ju bëhet një pyetje: “Si do e trajtonte secili prej jush nëse do kishte qenë hetues atë kohë dosjen hetimore të datës 27.07.1990”?!

Përgjigja nuk është e detyrueshme që të jepet, duke qenë se mund të imagjinohet edhe pa u dhënë(….)!