SKANDAL: Nga kuleta e shtetit do të mbulohen shpenzimet pa limit për të akuzuarit e Speciales

0
364
Gjykata Speciale, Kosovë

Kuleta e shtetit të Kosovës do të jetë në dispozicion për avokatët e të akuzuarve potencialë të Gjykatës Speciale, për familjarë të të akuzuarve e edhe për të liruarit e mundshëm nga akuza. Nuk do të ketë transparencë për një numër shpenzimesh, meqë procedurat për to shteti do t’i trajtojë si konfidenciale.

Të dhënat janë përfshirë në tri udhëzime administrative, kopje të të cilave ka siguruar ”Koha Ditore”.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka kërkuar këtë javë që këto dokumente të firmoseshin nga kryeministri Avdullah Hoti. Kreu i Qeverisë ka refuzuar të hedhë firmat në to. Por nuk e ka ndalur procesin e hyrjes në fuqi të tyre. Në mbledhjen fundit të Qeverisë ai ka thënë se për përmbajtjen e edhe për nënshkrimin është përgjegjës vetëm ministri.

Njëri udhëzim administrativ siguron mbrojtjen juridike të personave të akuzuar potencialë për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Speciales. Tjetri siguron mbështetjen e nevojshme financiare për anëtarët e ngushtë të familjes së personave të akuzuar potencialë, për shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës. E dokumenti i tretë siguron kompensimin e personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, të shpallur të pafajshëm me vendim të plotfuqishëm.

Udhëzimet administrative janë hartuar në kohën kur pritet të konfirmohen aktakuzat e para nga Specialja, e cila ka në mandat të trajtojë krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, të përfshira në raportin e miratuar nga Këshilli i Evropës, e të hartuar nga senatori Dick Martyt. Për të tilla krime u është faturuar përgjegjësia disa prej krerëve të UÇK-së. Deri tash, një numër eksponentësh të gueriles që e ka udhëhequr luftën për t’u çliruar nga Serbia janë intervistuar në Gjykatën Speciale, e cila e ka selinë në Hagë, ndërkaq organi i akuzës ka kumtuar muajin e shkuar se presidenti Hashim Thaçi e edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, janë në mesin e të dyshuarve.

S’ka limit për tarifat e avokatëve

Udhëzimi Administrativ për mbrojtjen juridike të personave të akuzuar potencialë për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Speciales parasheh mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes për të gjithë të akuzuarit.